Protesta i zuri të papërgatitur të gjithë. Ndodhi ajo që gjeneral Sandër Lleshaj, tha në emisionin ADN, “efekti flutur”, që shenjon idenë se ngjarjet e vogla, në dukje të parëndësishme, mund të shkaktojnë pasoja shumë të mëdha; me fjalë të tjera, ato kanë ndikime jolineare në sisteme shumë komplekse. Për shembull, kur një flutur tund krahët në Indi, ai ndryshim i vogël në presionin e ajrit mund të shkaktojë një tornado në Iowa. Kjo teori u studiua nga matematikani dhe meteorologu amerikan Edward Lorenz. Në vitin 1972, ai paraqiti një punim të titulluar “Parashikueshmëria: A shkakton përplasja e krahëve të një fluture në Brazil një tornado në Teksas?” Kjo metaforë poetike lindi idenë se një insekt i vogël që përplas krahët mund të ndryshonte presionin e ajrit aq sa të shkaktonte një stuhi masive javë më vonë në gjysmën e botës. Pse? Për shkak të ngarkesës së madhe të atmosferës me jone pozitive e negative. Më tej, kjo metaforë e bukur është rimarrë edhe në sociologji, por edhe në kinematografi. Në vitin 2004 me titullin e njëjtë “The Butterfly Effect” (2004), me aktorin Ashton Kutcher u realizua edhe një film fantastiko-shkencor.
Te “Hamleti” i Shekspirit, heroi tragjik i shfaq ungjit të tij mbretvrasës dhe nënës së vet një pjesë teatrale në të cilën ka aktualizuar aktin e helmimit të të atit dhe ai rend nëpër skenë e, në një moment, bërtet: « drama është gracka ku shpirti i mbretit kapet si laraska ». Edhe kjo metaforë e kësaj tragjedie duket sikur i shkon kësaj proteste. Por le t’i marrim me radhë. Ashtu sikundër krahët e fluturës që tunden në Brazil dhe shkaktojnë tornado në Teksas, edhe në këtë rast, një ngjarje jo domethënëse, siç ishte rrethimi i zonës me tela me gjemba apo tërheqja zvarrë e një protestuesi në Zvërnec, shkaktuan shpërthimin e madh në Tiranë. Dhe aty pastaj, ashtu si në tragjedinë e Shekspirit, dolën të gjitha fantazmat e këtyre 30 e ca vjetëve tranzicion dhe manifestimi që nisi si një protestë e ambientalistëve u kthye shumë shpejt në një festival ku nga njëra anë sheshi mbushej me protestues të një lloji të veçantë që ngjanin pak me flamingot për nga bukuria e brishtësia dhe nga ana tjetër, përmes improvizimit të një skene, folës të ndryshëm sillnin në shumë raste hijet e fantazmave që kanë populluar netët e shumta të shqiptarëve në këta vjet, duke i dhënë protestës pamjen e një zemërimi të akumuluar kundër establishmentit politik e mediatik të vendit. Nga kjo pikëpamje, protesta shpalosi një narrativë të re dhe u bë, gjithashtu, edhe një laborator i hapur i të gjitha eksperimenteve që mund të bëhen sot në epokën digjitale
Pas fitores së mandatit të katërt të socialistëve dhe pas uzurpimit të dhunshëm të PD-së nga Berisha, të gjithë patën përshtypjen se në këtë vend u fik dhe u shua njëherë e përgjithmonë konkurrenca demokratike. Partitë e reja nuk arritën të zinin vend në këtë hapësirë dhe skandalet që i publikonin njëra-tjetrës, i larguan prej votuesve. Kështu, gjithnjë e më shumë, rritej masa e një populli që nuk gjente përfaqësim. Socialistët rrudheshin në mbështetje, por përsëri mund të fitonin në çdo herë për aq kohë sa andej ishte Berisha. Mirëpo ata harruan se, duke pasur përballë një politikan të ezauruar si Berisha, edhe ata vetë po identifikoheshin me këtë formacion të vjetruar. Kështu, si socialistët, ashtu edhe demokratët, gjëja e parë që bënë, deligjitimuan Parlamentin. Të dy krahët promovonin ata deputetë që mund të luanin në cirkun qesharak të Kuvendit. Shqiptarët kanë mbi 20 vjet që nuk shohin një tribunë ku të artikulohen problemet e këtij vendi apo modeli i zhvillimit të tij. Në vend të tyre shohin aktorë komikë që shajnë e fyejnë njëri-tjetrin në emër të kënaqësisë që përfton lideri kur i sheh se si kacafyten. Ata harruan se kështu në popull, por sidomos te të rinjtë, shtoheshin fantazmat. Institucionet dhe administrata që rrjedhin nga një Parlament i tillë, nisën të largoheshin nga interesat publike dhe në vend po krijohej bindja se Shqipëria nuk ka të ardhme. Narrativa e vetme politike ishte ajo që mbështetej në tekstin e vjedhjes. Nga mëngjesi deri në darkë, të dyja palët akuzonin njëra-tjetrën si hajdutë. Por, në anën tjetër ishte ndërtuar edhe një narrativë tjetër që thoshte se të dyja palët bashkëpunojnë në vjedhje dhe për këtë publikoheshin afera që kishin aktorë të të dyja palëve.
Qeveria socialiste, e joshur edhe nga rritja dhe vëmendja që po tregonin të huajt për të vizituar Shqipërinë, nisi të promovojë modelin e zhvillimit me anë të turizmit elitar dhe u dorëzua përballë kapitalistëve të mëdhenj imobiliarë. Tanit tri apo katër emra prej tyre shfaqeshin në çdo cep të bukur të këtij vendi. Kjo zgjoi fantazmat që rrinë fshehur te shqiptarët dhe që kanë të bëjnë me pabarazinë. Në historinë e re, dhe këtu kam parasysh atë pas vitit 1912, shqiptarët janë revoltuar e janë ngritur në Revolucionin e Qershorit kundër klasës së bejlerëve të mëdhenj, të cilët i perceptonin jo si familjet e mëdha që zhvillonin këtë vend, por si pushtues të tij, që vazhdonin me mjete të tjera shfrytëzimin që kishte nisur me Perandorinë Otomane. Në Shqipëri erdhi edhe fryma e revolucionarëve republikanë që nisi me Luftën e Spanjës. Pastaj të gjithë e dimë se çfarë atmosfere u krijua në kohën e shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, ku ëndrra për liri, barazi e vëllazërim frymëzoi mijëra të rinj. Të gjithë e dimë se çfarë solli regjimi i Hoxhës në këtë vend. Përveç luftës klasore, dhunës dhe përjashtimit nga jeta publike e kundërshtarëve ideologjikë, socializmi shqiptar zhduku pronën private dhe krijoi iluzionin e mirëqenies së përgjithshme dhe të barazisë deri atëherë kur mjerimi brenda vendit zgjoi fantazmën e Bllokut që jetonte më mirë se të tjerët. U desh një konflikt i rëndomtë, ikja e dritave në Qytetin Studenti, (efekti flutur), që të shembej sistemi që kishte sunduar me dorë të hekurt. Pas vitit ’90 u përsërit ajo që kishte ndodhur kur sapo u krijua shteti shqiptar. Gjithçka e ndërtuar në socializëm u vodh, u grabit e u shkatërrua, toka, po ashtu. Shteti i sapokrijuar jo vetëm që nuk u përball me këtë dukuri, por krijoi kaosin më të madh. Të njohur për etjen e pashuar për pasurim të menjëhershëm, shqiptarët bënë gjërat më të paimagjinueshme në këta 30 e ca vjet. Vetëm në një vend si yni mund të ndodhë që një popullsi e tërë humbet në firma piramidale të gjitha kursimet, shtëpinë e pasuri të tjera, e djeg vendin, shkatërron ushtrinë, djeg kadastrat dhe pastaj, pas vitit 1999, nis e zhvillohet sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Mirëpo, në këtë 30 e ca vjet, kjo etje për pasurim me çdo kusht krijoi edhe klasën e imobiliarëve shqiptarë që mbinë në çdo cep me ndërtime pa fund. Dhe ne arritëm në një moment ku kemi industrinë më të madhe të ndërtimit në zhvillim, por kemi krizë të strehimit sepse shqiptari i mesëm nuk i blen dot ato. Vendi me këtë lloj politike nisi të kthehet në një resort të mbyllur ku pasunarët e rinj kanë rrethuar edhe detin, siç ka ndodhur në kompleksin e Palasës. Ky model zhvillimi, që e përjashton publikun dhe shtresën e mesme e të varfër nga vendimmarrja dhe nga të mirat publike, ka prodhuar një klimë të tillë që të duket se vendi zhvillohet, por shumë pak e gëzojnë atë zhvillim. Janë zhdukur terrenet sportive, rasti i fëmijëve që i mori përpara një makinë ndërsa ata luanin në trotuar, ishte shenja më tragjike e një zhvillimi që ka përjashtuar të rinjtë e fëmijët nga ky kaos. Protesta është një shuplakë e rëndë edhe kundër reformës në drejtësi. Jo vetëm për shkak të malit me dosje për pronën, por edhe po të mbajmë në vështrim vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, të gjithë bindemi se ajo reformë, jo vetëm që nuk ka shëndoshur drejtësinë, por e ka kalbëzuar atë edhe më keq. Në protesta këto ditë, folës të ndryshëm kanë zënë në gojë edhe krimet e 21 janarit dhe të Gërdecit duke i dhënë një shuplakë SPAK-ut, i cili po i zvarrit këto çështje. Në anën tjetër, në ato podiume janë ngritur e kanë folur edhe nëna të reja me fëmijë, apo shtatzëna. Ato shenjojnë një kategori tjetër të përjashtuar nga politikat sociale të këtij vendi. Mungesa e politikave për mbrojtjen dhe ndihmën e familjeve të reja, dhënia e kredive të buta apo ofrimi i stazheve formuese me pagesë për studentë që nuk arrijnë të gjejnë një punë pas përfundimit të kualifikimit, kanë bërë që universiteti të kthehet në një investim pa asnjë vlerë dhe ndërtimi i një familjeje, thuajse, i pamundur.
Protesta ka edhe anën e saj groteske, sepse aty e marrin fjalën njerëz që artikulojnë edhe frustrimet e tyre paranojake apo edhe ato politike. Ndërsa pjesëmarrësit janë ana më me vlerë e këtij manifestimi. Si rrallë ndonjëherë ne po shohim një popull paqësor dhe shumë familje të reja që marrin edhe fëmijët në Bulevard. Ky manifestim paqësor i këtij populli tregon se Shqipëria e vërtetë, ajo e heshtura dhe brezi që ka lindur në fund të viteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90 e këtej, nuk mund ta imagjinojë dot veten që të qeveriset nga një klasë politike që dështoi në këta 30 e më shumë vjet. Partitë politike nisën si frymëzime të rinjsh e studentësh, por u kthyen në korporata punësimi e përfitimesh klanore e partiake. U zhduk meritokracia dhe administrata nuk është gjë tjetër, por vetëm një burokraci që ushqehet me militantë të të dyja krahëve. Për të tjerët ka vetëm dy ose tre alternativa: ose mik, ose kamerier ose infermier ose emigracion. Kompanitë private që operojnë në Shqipëri, kërkojnë jo trurin, por krahët e të rinjve sepse ato nuk janë kompani prodhimi, por vetëm shërbimesh.
Dhe vijmë te Zvërneci. Prej më shumë se tre vjetësh, unë kam trajtuar në emisionin tim ADN çështje që lidheshin me ambientin e mjedisin. Aty, drejtues të PPNEA-së a të OSA-së dhe profesionistë të fushës kanë vënë alarmin për pyjet që po zhduken, për lumenjtë që po shfrytëzohen barbarisht, për ndryshimin e Ligjit për Zonat e Mbrojtura dhe, sidomos, për Aeroportin e Vlorës duke thënë se ai investim është i gabuar.
Protesta është bërë edhe një manifestim i gjerë digjital. Aty janë bërë të gjitha eksperimentet. Në fillim ajo tregoi se rrjetet sociale kanë fuqi më të madhe se ato që quhen media gjeneraliste. Ato jo vetëm që nuk i përfillën shqetësimet e ambientalistëve në fillim, por edhe më vonë nuk besonin se protestat do t’i largonte edhe ata vetë nga bashkëpunimi.
Është hera e parë që Shqipëria bëhet lajm në të gjitha mediat e mëdha botërore. Dhe për herë të parë imazhi i Shqipërisë është lartësuar. Të gjithë kanë mbetur të mbresuar nga kultura e manifestuesve, nga paqja, por, sidomos, nga mesazhi dhe nga arsyeja. Një vend i vogël si Shqipëria po u jep të gjithëve një leksion përparimtar e modern se zhvillimi nuk mund të bëhet duke shkatërruar natyrën. Sot, kur pjesa më përparimtare e dijetarëve, filozofëve dhe shoqërive perëndimore kanë ngritur zërin për të mbrojtur shtëpinë e përbashkët – planetin tokë – nga shkatërrimi, Shqipëria vihet në ballë të kësaj përpjekjeje duke larguar për një çast imazhin negativ të një populli që nxjerr mafie, emigrantë të paligjshëm dhe korrupsion.
(c) 2026 Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është përpunuar me AI.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.