Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

ALI VRIONI DHE PËRPJEKJA PËR NUBINË

Më 8 mars 1960, Drejtori i Përgjithshëm i Unesco-s Vittorino Veronese shpall lajmin e një fatkeqësie që i kanosej qytetërimit mbarëbotëror: ujërat e Nilit përgatiteshin të përmbytnin përgjithmonë monumentet me vlerë të pallogaritshme të Nubisë; thesaret e saj artistike të një bukurie mahnitëse, të një rëndësie themelore do të zhdukeshin nën ujërat e një dige të re. Pyetja që shtrohej ishte vendimtare: do ta pranonte vallë njerëzimi humbjen e një prej pjesëve më të çmuara të trashëgimisë së tij kulturore ?

Katër vite e gjysmë më vonë, punimet e Digës së Asuanit, as-Sadd al-Âlî, do të përfundonin. Në maj të vitit 1964, ujërat nisën të ngrihen ngadalë për ta transformuar gradualisht tokën e lashtë të Nubisë në një liqen të madh.

Nën kujdesin e Unesco-s, me pjesëmarrjen e më shumë se pesëdhjetë vendeve anëtare, Republika e Bashkuar Arabe dhe Republika e Sudanit bashkëpunuan me përkushtim për të shpëtuar gjithë çfarë mundej prej trashëgimisë së tyre qytetërimore. Në krye të këtij projekti titanik u vendos Ali Vrioni, drejtori i Shërbimit të Monumenteve të Nubisë pranë Unesco-s.[1]

Trashgimtar i një epoke të shuar, Ali Vrioni nuk ishte posaçërisht nostagjik i së shkuarës, sa lajmëtar i një bote të re. Si djalë i ri me prejardhje, epokën e tij e përqafoi me ndërgjegjje, çfarë e shtyu t’i ndiqte rrjedhat e ngjarjeve i vendosur, shpesh t’i paraprinte. Gjatë Luftës së Dytë hyri në shërbimin diplomatik të Ministrisë së Punëve të Jashtme italiane. Pas largimit të detyrueshëm nga Parisi më 1939, rininë e tij ekstravagante vijoi ta jetojë në Romë. Banonte në Viale Bruno Bozzi e shijonte pa dilema dolce vita-n romane. Në Romë, ashtu sikundër në Paris, frekuentonte qarqet në modë. Vegjëlia i drejtohej si « signor principe ».

Fëmija i dytë i familjes, Mehmet Ali Vrioni lindi në Korfuz më 1914, në palazzo-n e stilit venecian të gjyshit të tij amësor, Hysen Pashë Dinos, vëlla i Abedin Pashë Prevezës (Dino), Vezirit jetëshkurtër të Punëve të Jashtme osmane nën Abdyl Hamidin II prej qershorit deri në shtator 1880. Në mesin e Luftës së Parë, familja ende e re detyrohet të shpërngulet nga Sarajet e Vrionasve në Berat, qytet i shndërruar tashmë në teatër trazirash, për t’u strehuar në Korfuz. Jusufi gjithashtu, më i vogli i fëmijëve, do të lindte aty dy vite më vonë. Gjyshja, Katherina Papalitsa, greke me prejardhje të lartë, e fitoi me këmbëngulje betejën që nipërit e saj të lindin në paqe, larg traumës së luftës.

Katër vite më herët, në locutorio-n e Kuvendit Notre-Dame de Sion në Stamboll, pranë të cilit ndiqte prej vitesh ciklin e studimeve në frëngjisht, Xhemile Hanëm ishte vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeç kur mësoi se familja e kishte fejuar me një djalë të fisnikërisë të Vilajetit të Janinës, i cili sapo kishte përfunduar studimet në shkenca politike në Mekteb-i Mülkiye në kryeqytetin e Perandorisë. Djali i ri quhej Iljaz Bej Vrioni, i biri i anëtarit të Dhomës të Deputetëve (Meclis-i Mebûsan), Mehmet Ali Pashë Vrionit, pinjoll i Vezirit të Janinës, Omer Pashë Vrionit. Iljaz Beu përgatitej për një të ardhme të shkëlqyer në Perandori; nuk do bëhej veçse kryeministri i ardhshëm i shtetit të ri shqiptar.

Lindur në një mjedis në të cilin përdorimi i gjuhëve lindore e perëndimore ishte ushtrim i përditshëm, Aliu u rrit poliglot i përsosur. Fëmijë, lundronte midis botëve që i hapeshin në greqishte, turqishte, shqipe, frëngjishte, gjermanishte e anglishte, e teksa rritej, horizontet iu hapën edhe në italishte. Në kohëra kur shqipja ishte ende e palëvruar mirë, gjuhët e mëdha qenë nevojë e mjet për të zotëruar dijet dhe veten; sipas traditës, mësoheshin herët: dadoja, Qiria Elias, ishte greke; guvernantja, Mlle Badel, arsimtare e sprovuar nga Gjeneva, hyri në shërbim të familjes për të mbikëqyrur arsimin fillor të fëmijëve në frëngjishte e gjermanishte; guvernantja e trashëguar, Miss Parkinson, kishte përcaktuar ndërkaq gjurmën e thellë të anglishtes. Pasqyrë e përthyerjeve të mëdha të kohës, Aliu nuk u ushtrua në turqishten osmane, ndonëse u rrit në një mjedis të sprovuar në zotërimin e vështirë të saj.

Familja largohet përfundimisht nga Korfuzi më 1919 për t’u kthyer në Sarajet e saj të Beratit. Karriera e madhe politike e Iljaz Beut nisi pothuaj menjëherë më pas me emërimin e tij të parë si kryeministër. Më 1925, pas kryengritjes së udhëhequr nga kleriku Theofan Stilian Mavromati (Noli) i lindur në Ibriktepe të Vilajetit të Edirnesë, Iljaz Beu pranon postin e ministrit Fuqiplotë në Paris, e më pas edhe atë të ministrit të Punëve të Jashtme. Iljaz Bej Vrioni ishte personaliteti ideal për të administruar situatën e vështirë të shtetit të ri shqiptar në Lidhjen e Kombeve. Në një klimë tensionesh midis Francës dhe Italisë, e cila në Ballkan u përthye në trajtën e Paktit Franko-Serb dhe përfundimin e Aleancës Italo-Shqiptare, Iljaz Beu arriti të manovrojë pa tronditje të mëdha në situatën e trazuar midis aspiratave të njërës palë dhe ambicieve të tjetrës.

Dy vjet më herët, më 1923, gjatë një udhëtimi të gjatë që familja ndërmerr në Paris, Aliun e Jusufin i regjistrojnë në liceun Jeanson-de-Sailly, ku do të vijonin studimet. Jeta e artë që bëjnë fëmijët në Paris është prerogativë e sferës së familjeve më të privilegjuara. Familja banon fillimisht në Rue de la Pompe përpara se të blejë një apartament me përmasa madhështore në Avenue Victor-Hugo, kati i parë i të cilit shndërrohet në kancelerinë e Legatës shqiptare në Paris. Mjedisi është snob. Ndërsa e ëma, Xhemile Hanëm, kryeson takimet letrare me Princeshën Alexandrine Cantacuzène (lindur Gjika), Aliu dhe Jusufi përsosin pasionet për muzikën, sportet dhe kinemanë. Pushimet e dimrit përshkohen me sporte alpine në krahun zviceran të vargmaleve; të verës në vilën familjare në Sainte-Maxime. Në Londër, ku Xhemil Hysen Bej Dino shërben si ambasador i Mbretërisë Shqiptare, djemtë shkojnë rregullisht për të përsosur gjuhën dhe modën e fundit mashkullore nën këshillat e dajës. Student i shkëlqyer, Aliu studioi drejtësinë në Sorbonne. Asnjë sfidë nuk qe e vështirë për të. E ardhmja ngjante e sigurt.

Por lufta do t’i përmbyste fatet. Në gushtin e vitit 1939, ndërsa Franca kërcënohej nga lufta, Aliu detyrohet të largohet për një kohë nga Parisi. Pas vdekjes së papritur të Iljaz Beut në Paris më 1932, Aliut dhe Jusufit u përket tashmë të kujdesen për mbarëvajtjen e burimeve të të ardhurave familjare. Përvoja e ikjes nga Parisi është tronditëse për të dy vëllezërit; detyrohen të lënë pas apartamentet përkatëse në Avenue Rapp të mobiluara, librat e sendet personale dhe largohen secili me nga një valixhe për t’u rikthyer së afërmi. Bashkë me Jusufin, Aliut i vjen të puthë kalldrëmin e rrugës që i çonte në stacionin e trenit prej nga niseshin. Parandjenjë e zymtë, Jusufi do të kthehej në Paris vetëm pesëdhjetë vite më pas.

Lufta e Dytë që shpërthen më 1 shtator i gjen vëllezërit në Shqipërinë e pushtuar nga Italia. Regjimi fashist tenton t’i joshë, t’i përkëdhelë familjet e mëdha shqiptare. Aliut sikur Jusufit u ofrohen poste në shërbimin diplomatik, në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Romë. Aliu pranon, Jusufi jo. Në fund të vitit 1939 vëllezërit janë në Romë. Në kryeqytetin italian të Luftës së Dytë, nisin për ta vite të mrekullueshme, jeta mondane merr trajta ende më të papërmbajtura, romake. Thuajse i patrazuar, Jusufi mbyll shpengueshëm dy doktoratura. Më 1943, pesha e zbrazëtisë së mondanes rëndohet, pushtimi nga ndjenja e fajit bëhet i papërballueshëm. Jusufi niset të luftojë pushtuesin në Shqipëri, ku e pret krahëhapur fati i tij tragjik. Aliu martohet.

Martesa celebrohet në Romë në dhjetorin e vitit 1943, me miratimin e Xhemile Hanëmes. Nusja me bukuri tronditëse është Annamaria Perusini, vajzë e aristokracisë së kamur friuliane. Pianiste e talentuar, Annamaria studionte në femërorin Istituto Superiore Pareggiato di Magistero në Romë themeluar më 1939. Një vajzë do të lindte nga kjo martesë në gusht të vitit 1945. Por martesa nuk do t’i rezistonte kohës dhe Aliu merr rrugën e kthimit në Paris, i thirrur nga një karrierë e pazakontë ndërkombëtare.

Romën, ku rrënjët ishin tashmë të forta, nuk e braktis: e bija jeton në Romë; motra e tij e madhe, Nihal, e lindur në Stamboll më 1912, është martuar ndërkohë edhe ajo me një djalë nga familja e madhe italiane de Clementi, i cili më vonë i shërbeu Italisë si ambasador në Afrikë e Azi.

Nis paskëtaj për Aliun karriera e tij e madhe në Unesco, gjatë së cilës shërbeu dora-dorës si drejtues i Shërbimit të Monumenteve të Nubisë; drejtues i Divizionit për Ruajtjen dhe Mbrojten e Trashëgimisë Kulturore; dhe Ndihmës i Posaçëm i Drejtorit të Përgjithshëm të Unesco-s. Si drejtor i Shërbimit të Monumenteve të Nubisë deri në vitin 1965, Aliu do të udhëhiqte fushatën e pashembullt ndërkombëtare, me përmasa faraonike, për shpëtimin e një prej pasurive kulturore më të mëdha të njerëzimit: atë për mbrojtjen dhe ruajtjen e thesareve të Nubisë.

Beteja e Nubisë

Egjipti është dhuratë e Nilit, gjëmon thënia e Herodotit; lumë midis lumenjsh, zemra e çdo jete në shkretëtirën e shkretëtirave, Saharanë. Qysh prej kohëve të lashta, ujërat e tij që burojnë në Afrikën Lindore përmbytin çdo verë fushat pjellore të luginës së tij magjepsëse. Përmbytjet sillnin me vete ushqimin për dherat që pillnin vetëm qytetërime të mëdha, por të korrat e kulturave, pambukun e lakmuar egjiptian përfshirë, qenë të pambrojtura ndaj tërbimit të ujërave.

Për Republikën e Bashkuar Arabe, atëbotë shteti i bashkuar i Egjiptit e Sirisë, dhe për Republikën e Sudanit, ndërtimi i një dige të re shtrohej si jetik. Dilema me të cilën përballeshin ishte po aq e tillë: toka që do të përmbytej ishte plot me thesare të një të shkuare të lavdishme, me të cilën lidhej jeta kulturore e mbarë njerëzimit.

Republika e Bashkuar Arabe dhe Republika e Sudanit qenë përpjekur ta shpëtonin vetë Nubinë. Por përmasa e sfidës ishte përtej aftësive të tyre. Të dyja republikat ishin të ndërgjegjshme se qenë thjesht kujdestare të mrekullive të Nubisë së lashtë. Mbrojtja e një trashëgimie të përbashkët kulturore kaq të madhërishme është përgjegjësi universale. Më 1959, Republika e Bashkuar Arabe dhe ajo e Sudanit i drejtohen Unesco-s.

Ngarkuar me misionin e « mbrojtjes së trashëgimisë botërore të librave, veprave të artit, monumenteve të historisë dhe shkencës », Unesco vlerësoi përmasën e sfidës që e priste. Veprimi ndërkombëtar në Nubi përfaqësonte një sfidë të përmasave faraonike. Vetë monumentet e justifikonin plotësisht ndërhyrjen universale, por për Unesco-n çështja që shtrohej e tejkalonte Nubinë: dispozitat për ruajtjen e pasurive të trashëguara prej fatkeqësive natyrore e antropogjene qenë ende në ndërtim. Beteja që Unesco të rritte gamën e pasurive universale të denja për ruajtje e mbrojtje nga veprat e artit, monumentet e historike, e zbulimet arkeologjike në « trashëgiminë kulturore »,  e më vonë edhe në « peizazhet kulturore », duhej udhëhequr paralelisht.[2] Paskëtaj, Ali Vrioni do të udhëhiqte Divizionin që do të njihej si ai për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.  

Në historinë kulturore të njerëzimit, fushata ndërkombëtare e Unesco-s për shpëtimin e Nubisë është shembull. Për herë të parë, falë bashkëpunimit të ngushtë ndërkombëtar, u ndërmor një përpjekje për të shpëtuar thesare, të cilat, ligjërisht, u përkitnin vendeve ku ndodheshin. Megjithatë, asnjë komb nuk mbeti i pavetëdijshëm për rëndësinë e dukurisë që do të ndodhte së afërmi në brigjet e Nilit. Në klimën e athët të Luftës së Ftohtë, « Unesco e përdori fushatën nubiane si tharm për të afruar njerëzit e mbarë globit ».[3]

Pas pesë vitesh lufte kundër vështirësive që shpesh ngjanin të pakapërcyeshme, beteja e Nubisë u fitua. Vepra të paçmuara arti, dokumente historike dhe monumente të klasit të parë u shpëtuan, përfshi nëntëmbëdhjetë tempuj, të cilët u çmontuan dhe rindërtuan krejtësisht ose pjesërisht. Simboli i fushatës ndërkombëtare u bë ruajtja e dy tempujve në Abu Simbel, bukuria e të cilëve kishte sfiduar shekujt. Të dy u prenë, çmontuan dhe rindërtuan gjashtëdhjetë e katër metra më sipër. « Monumentet e Nubisë që përpara se ajo të përmbytej nuk njiheshin mjaftueshëm do të vizitohen tashmë nga miliona njerëz. Në vendndodhjet e tyre të reja do të bëhen me siguri qendra të mëdha tërheqjeje, pika qendrore për interesin kulturor botëror », parashikonte Vrioni më 1964.[4] Shifrat e turizmit kulturor të vitit 2025 në Egjipt shënojnë pothuaj njëzet milionë vizitorë ! 

Kurrë më parë në histori nuk qenë mbledhur shuma të hollash të tilla për t’u ballë sfidave të konservimeve kaq madhështore. « Fushata nubiane mundësoi edhe lindje aleancash të heshtura politike » mes shtetesh.[5] Por shpëtimi i monumenteve nuk ishte veçse një pjesë e sfidës. E domosdoshme, e madje urgjente, ishte që para përmbytjes të nxirreshin nga rërat ende të pahetuara të dhënat dhe dëshmitë që ato fshihnin nën mijëvjeçarë historie e parahistorie.

Unesco mori përsipër të koordinojë një fushatë të gjerë gërmimesh me misione arkeologjike nga e gjithë bota, rezultatet e së cilës tejkaluan gjithë pritshmëritë. Nga toka u nxorrën vendbanime parahistorike. Hulumtimet siguruan lidhjen që mungonte midis parahistorisë së Afrikës Qendrore dhe Egjiptit. U identifikuan kultura të reja. U eksploruan të gjitha ultësirat nubiane 400 km përreth Luginës së Nilit. Asnjëherë më parë në historinë e arkeologjisë nuk ishte përfunduar një program i tillë gërmimesh në një kohë kaq të shkurtër. « Një kapitull i madh u shkrua në analet e egjiptologjisë… e midis « dhuratave të Nilit » duhet numëruar edhe shpërthimi i madh i solidaritetit ndërkombëtar që mundësoi suksesin e jashtëzakonshëm të fushatës ndërkombëtare nubiane », theksonte asokohe Vrioni.[6]

Midis vendeve donatore në fonde publike e private, në gërmime e punime shkencore, shtete me të ardhura të ulëta si Nepali, Gana, Kuba, Togo, Ekuadori, Kamboxhia apo Uganda, ashtu sikundër edhe republika popullore e socialiste si Rumania, Çekosllovakia, Polonia e Jugosllavia, këmbëngulën të ishin pjesë e kësaj përpjekjeje të jashtëzakonshme ndërkombëtare, shpesh me kontribute simbolike.[7] Shqipëria e re, socialiste, e cila, në letër, mbështette progresin e solidaritetin midis popujve e kombeve, as dhuroi e as iu dhurua kësaj ndërmarrjeje të mrekullueshme njerëzore.

Shqipëria tjetër, e vjetra, dinte të përgatitte njerëz të aftë të mbanin përgjegjësi madhore, pa bujë. Ali Vrioni, drejtuesi i aventurës së mrekullueshme që ishte fushata për shpëtimin e mrekullive të Nubisë, ishte thjesht një prej tyre.

Ende pa iu gëzuar fitores së betejës së Nubisë, më 1966 Firencia u zhyt nën ujrat e një përmbytjeje shkatërrimtare e Venecia u mbulua nga ujërat si asnjëherë tjetër në më se një shekull. Vala e tmerrit për kërcënimin me humbje të shumë prej thesareve më të çmuara të qytetërimit që shkaktoi kataklizma ruhet ende e gjallë në memorie. Syrit të vizitorit të kujdesshëm është e pamundur t’i shpëtojë shenjimi i kudondodhur mureve të Venecias e Firences i rritjes së nivelit të ujrave të Lagunës e Arnos më 1966. « Meqenëse nuk është në traditën e Italisë t’i drejtohet për ndihmë të tjerëve për zgjidhjen e problemeve të saj, duhet besuar se qeveria italiane i gjykoi rrethanat vërtet të jashtëzakonshme kur, më 4 nëntor 1966, iu drejtua Unesco-s për të mobilizuar solidaritetin ndërkombëtar në shërbim të Firences dhe Venecias, viktima përmbytjesh të panjohura më parë ».[8]

Sfidën e kryesimit të fushatës ndërkombëtare të Unesco-s organizuar më 1966-1968 për shpëtimin e dy kryeqendrave të kulturës së lartë humaniste evropiane e mori përsipër vetë drejtori i Divizionit për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.[9] Nis kështu për Ali Vrionin një tjetër e madhe aventurë: Venecia ! Firencia !

Mehmet Ali Vrioni vdiq në Romë më 1977 pas një beteje të gjatë kundër kancerit në mushkëri. Vëllanë e tij, gjatë kësaj kohe ende përkthyes fantazmë i Enver Hoxhës dhe Ismail Kadaresë, Republika Popullore Socialiste nuk ia lejoi ta shihte. As të ëmën. Humanizmi nuk është traditë e socializmit të praktikuar në Shqipëri.

(c) 2026 Holta Vrioni. Të gjitha të drejtat janë të autores. Fotografia ilustruese: Vizita zyrtare e Ali Vrionit në Nubi, i pari majtas. Fotografia është nxjerrë nga fondi i Unesco-s. Të gjitha të drejtat e imazhit janë të autores.  


[1] Rindërtimi i jetës intime të Ali Vrionit është bazuar kryesisht në kujtimet e Jusuf Vrionit (Mondes Effacés: Souvenirs d’un Européen, JC Lattès, Paris, 1998) dhe në dorëshkrimin e një familjari, i cili projektohet të botohet në të ardhmen. Për rindërtimin e pjesshëm të karrierës së Vrionit janë përdorur materialet dhe botimet e fondit të pasur të Unesco-s, dhe studimet e cituara. 

[2] Torraca, Giorgio, « Science, Technology and ICCROM », Museum International. Celebrating Excellence: 50 Years of Conservation, Vol LXI, n°3/243, September 2009, f. 75-76.

[3] Carruthers, William, Flooded pasts: Unesco, Nubia, and the Recolonization of Archaeology, Ithaca, New York, Cornell University Press 2022, f. 171.

[4] Vrioni, Ali, « Victoire en Nubie », Le Courier Unesco, dhjetor 1964, Paris, f. 6.

[5] Carruthers, William, Flooded pasts: Unesco, Nubia, and the Recolonization of Archaeology, f. 216.

[6] Vrioni, Ali, « Victoire en Nubie », f. 6.

[7] Donacionet e vendeve të cituara për tempujt në Abu Simbel ose për Fushatën e Nubisë: Nepali $ 1 000; Gana $ 46 000; Kuba $ 160 000; Togo $ 850; Ekuadori $ 1 000; Kamboxhia $ 5 000; Uganda $ 5 600. Donacionet prej republikave popullore ose socialiste: Rumania $ 5 000; Çekosllovakia $ 284 250 dhe ekipe gërmimesh shkencore; Polonia punime të shumta shkencore dhe ekipe gërmimesh; Jugosllavia $ 226 000 dhe punime shkencore. Shifrat janë të Unesco-s, shih Vrioni, Ali, « Victoire en Nubie », f. 6 dhe f. 45 të revistës. 

[8] Vrioni, Ali, « Sauver Venise : il n’est pas trop tard », Le Courier Unesco, dhjetor 1968, Paris, f. 4.

[9] Torraca, Giorgio, « Science, Technology and ICCROM », Museum International. Celebrating Excellence: 50 Years of Conservation, f. 76.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin