A është shqipja ilirishtja e kohës sonë?
Deri sot është gjetur vetem një mbishkrim me një fjalë të vetme ilire dhe prej të paktën një shekulli ky fakt vazhdon të nxirret për të venë në dyshim prejardhjen ilire të shqiptarëve. Si mund të flitet për ilirishten dhe lidhjen e mundshme të saj me shqipen, kur ne dimë vetëm një fjalë ilirisht, nga një mbishkrim i vetëm, i gjetur mbi një shekull më parë në Hungari?
Duke qenë se nga gjuhët e lashta të Ballkanit dhe të Evropës, vetëm greqishtja dhe latinishtja u shkruan në Lashtësi, këto dy gjuhë u bënë linguae francae, për Evropën akademike dhe letrare, për rreth 2 mijëvjeçarë. Shtresat e larta të shoqërive në Iliri, Daki, Traki dhe Maqedoni, për arsye të njohura shoqërore-kulturore, tregtare, administrative, por dhe prestigji, përdorën këto dy gjuhë në administrate, tregti dhe në mbishkrime. Kjo është arsyeja kryesore pse në gjuhët e këtyre dhe shumë popujve të tjerë ka fare pak, ose nuk ka fare, mbishkrime të lashta.
Megjithatë, mbishkrimet nuk janë as të vetmet as më të rëndësishmet e burimeve për njohjen e ilirishtes dhe gjuhëve të lashta të Ballkanit. Në burimet e lashta gjenden edhe rreth 100 emra vendesh si dhe dhjetëra e qindra emra njerëzish dhe fisesh, etj. ilire, me të cilat gjuhëtarët ende nuk janë marrë seriozisht.
Në këtë shkrim unë sjell vetëm një listë, sigurisht jo të plotë, të më shumë se 40 fjalëve ilire që dalin në burimet e lashta që janë lidhur e shpjeguar vetëm me shqipen nga shumica e gjuhëtarëve.
Këto fjalë janë nxjerë kryesisht nga Fjalori i Hesikut të Aleksandrisë i shekullit VI, nga emrat ilirë të vendeve dhe të fjalëve ilire që dalin në veprat e autorëve të lashtë, nga mbishkrimet mesape, etj.
Siç do të vihet re, këta 40 emra ilirë gjuhëtarët i kanë lidhur dhe shpjeguar me ligjet, faktet dhe mjetet e shqipes, e jo të ndonjë gjuhe tjetër ballkanike ose jashtëballkanike. Përballë këtij fakti, çdo mëndje e hapur dhe e paanshme do të pranonte se roli përjashtimor i shqipes si një kyç për shpjegimin e fjalëve ilirike nuk mund të jetë një rastësi, a lojë e fatit, më shumë se sa pasqyrim i një lidhjeje të brendshme shkakësore midis ilirishtes dhe shqipes, një lidhje prejardhjeje.
Duke lënë mënjanë hamendjet e paprovuara dhe të padokumentuara, sot mund të themi se në Ballkanin e lashtë janë folur vetëm 5 gjuhë: ilirisht, trakisht, dakisht, maqedonisht dhe greqisht. Fakti që shqipja ka një rol kyç, dhe të pranuar përgjithësisht për shpjegimin e një numri kaq të madh emrash ilirë, ndërkohë që nuk ka ndonjë rol të tillë për gjuhët e tjera të Ballkanit nuk mund të mos përfillet.
Listë e pjesshme e fjalëve ilire të shpjeguara me shqipen (III)
peliai/pelioi – plakat/pleqtë në Epir. Këto fjalë epirote na i sjell Straboni: “Në gjuhën e mollosëve dhe të thesprotëve gratë e vjetra quheshin “peliai” dhe burrat e vjetër “pelioi”65. Po kështu i quanin edhe maqedonasit pleqtë dhe plakat. Të dy këta popuj kishin institucionin e pleqësisë (senatin) anëtarët e të cilit quheshin peligones (në Maqedoni – pelagones) ishin pleqësia e epirotëve të cilën së pari von Hahn e lidhi me shqipen plak66, që besohet të ketë dalë nga rrënja ilirishte *pelak (Demiraj)67 nga një bazë IE *pelH.
penkaheh Torp njohu numërorin themelor pesë në fjalën mesape pekaheh në mbishkrimet mesape. Kjo fjalë është thuajse e njëjtë me fjalën protoshqipe pesë, që sipas H. Pedersen-it dhe N. Jokl-it, ka qenë penkwe68, me ndrimin k > s, karakteristik për këtë gjuhë69.
our-/ur-. Kjo fjalë dëshmohet si përbërësi i dytë i fjalës epirote tomaruri (tomarouroi) ‘rojet e Tomorit’ që jep Straboni për priftërinjtë e Dodonës70, 71. Straboni e përkthen këtë në greqisht tomarophylakes (τομαρο-φύλακας), që do të thotë rojet e Tomorit, ku përbërësi i dytë, phylakes, është shumësi i phylakos (φύλακος) ‘roje’. Përbërësi i dytë -our(ur) duket qartë se është ruajtur në emrin shqip ro-je dhe në foljen ru-aj, që rrjedh nga një protoshqipe e rindërtuar *uronio ‘ruaj, vë re, vështroj’72.
Duket sheshit se nuk ka ndonjë lidhje gjenetike midis fjalës epirote our-oi dhe emrit grek phylakes ‘rojet’. Asnjera nga foljet greke për ruaj, të tilla si epimeletes (ἐπῐμελητής), kedemon (κηδεμών), epistates, episkopos, filaks (φῠλαξ) ‘roje’, filaksis (φύλαξις) nuk mund të lidhet me rrënjën e fjalës epirote *-ur- për ruaj në fjalën e përbërë tomarouri. Kështu, rojet e orakullit të Dodonës quheshin ilirisht tomor-uroi ‘rojet e Tomorit’.
Rrënja e protoshqipes *uro është ruajtur në fjalën shqip roje dhe në foljen ruaj (< ruanj < *roniō < *ṷroniō < *ṷrāniō) dhe në foljet vë-roe/vë-rej. Humbja e u-së fillestare ka ndodhur në pajtim me regullin fonetik të shqipes për humbjen e zanoreve ballore të patheksuara73. Fjala iliro-epirote οὖρος, të cilën autorët e lashtë e përkthenin me fjalën greke filakos (φύλακος, gen. φύλαξ) ‘roje’, del edhe në Iliadën e Homer-it: “Vetëm Nestori i Gerenias mbeti atje, roja i akejve”74, por edhe te Odyssea: “sepse kur unë u largova, nuk lashë njeri të ruante zotërimet e mija”75.
pele-ious (πελειους) Sipas Hesikut, “kështu quheshin pleqtë dhe priftërinjtë në Epir”75: “Κωί καί οί Ήπειρωται τους γεροντας, και τας πρεσβύτιδασ-) (Këtu futen edhe pleqtë dhe plakat e Epirit). Fjala greqishte për pleqtë ishte fare e ndryshme, gerontes. Pelagones ishin pleqësia e epirotëve të cilën së pari von Hahn e lidhi me shqipen plak76, që besohet të ketë dalë nga rrënja ilire *pelak67. Nuk ka lidhje me fjalën greqisht peleia (πέλεια) për pëllumbin. Rrënja plak del në disa vendbanime si Plakoti, fshat në lokalitetin e Sulit, në Republikën e Greqisë. Sipas gjuhëtarit rus Aleksander Selishçev Plakoni quhej deri në shekullin XIX fshati që sot quhet Starovë në rrethin e Pogradecit77.
rhinos (ῥιvός) ‘re, mjegull’. Del në frazën e enoetrëve të Italisë së jugut ρινός – ακλύς që kishte kuptimin e errësirës, mjegullës78. Prej saj dolën ren (në dialektin e gegërishtes së vjetër) dhe re. Sipas Çabejt, fjala re fillimisht duhej të kishte në ballë një zanore u- sepse, ndryshe ajo do të kishte forcuar r-në, e të jepte *rren e jo vren që dha në të vërtetë79.
sibina – Fjalë ilirisht që na i jep Ennius-i (239p.e.s.-169p.e.s.), poeti më i madh Latin i periudhës republikane me prejardhje mesape. Ai shkruan: “sibina, ilirët quajnë një shtizë të shkurtër që i ngjan shtizave të gjahut”. Ka mbetur i famshëm vargu i tij “Ilirët qëndruan të vendosur duke luftuar me thika të lakuara dhe shtiza gjuetie”80 (Illyrii restant sicis sybinisque fodentes)”. Fjala sibina u mor dhe nga latinët dhe nga grekët. Fjala ilire sibina ka dhënë në shqip shufër/thupër.
sica, sicca (Lat.). Edhe kjo fjalë del për herë të parë te Enniusi, krahas sibinit, si një armë e ilirëve81. Fjala ilirishte është ruajtur e pandryshuar në fjalën e sotme shqipe thika; ndryshimi s > th ka ndodhur në periudhën pararomake sepse, përndryshe, s-ja ballore do të ishte bërë sh-.
tergitio – Fjalë ilirisht që del në një mbishkrim latinisht të gjetur në veri-perëndim të Hungarisë, kufi me Austrinë, në atë kohë të banuar nga ilirë: “Publius Domatius Publius f. Tergitius, negotiator”. Kjo është e vetmja fjalë ilirisht që na ka ardhur nga një mbishkrim ilir. Të vihet re se në mbishkrim fjala ilire tergitio është përkthyer në latinisht negotiator, tregtar82. E njëjta rrënjë ilire terg gjëndet në një numër emrash të vëndeve ilire, si Tergeste (tani – Trieste), Tergolape ‘treg i vogël në ujë’ (Tabula Peutingeriana) afër Salcburgut, në Austri dhe Opitergium (Oderzo) në rajonin e Venetikut, por dhe në emra fshatrash të Shqipërisë si Treg, Tregan (rrethi i Elbasanit), Tregishte dhe Tregtan (rrethi i Hasit, Kukës).
taulantë – Kështu quheshin pjesëtarët e njerit prej fiseve më të mëdhenj të ilirëve. Ata përmenden në histori qysh nga Tukididi83 në shekullin V p.e.s. Akoma më parë ata ishin përmendur edhe nga Hakateu, në shekullin VI p.e.r.
Bazuar në ngjashmërinë e madhe të emrit të fisit ilir të taulantëve me rrënjën e fjalës shqipe -dallëndyshe (dallandyshe), dhe në faktin që fjala helidones (χελἴδώνες) – dallëndyshe përmendet krahas taulantëve dhe emrave tjerë ilirë nga Haekateu83, ka lënë të kuptohet se ajo fjalë greke midis emrave të fiseve ilire mund/duhet të jetë përkthim greqisht i emrit të fisit të taulantëve. Analiza gjuhësore shpuri në këtë përfundim edhe figura të gjuhësisë indo-evropiane të tilla si Holger Pederseni, duke përfshirë edhe E. Çabejnë.
Disa gjuhëtarë besojnë se futja e fjalës greke Χελιδονίοις (dallëndyshe) nga Haekateu midis emrave të fiseve ilire është thjesht një përkthim greqisht i emrit ilir të dallëndyshes me qëllim sqarimi sepse në kontekst, as para as prapa kësaj fraze, emri Χελιδονίοις nuk ka asnjë kuptim. Konteksti në të cilin fjala helidoniois është futur midis emrave të fiseve ilire është ky:
“Abroi janë një popull i taulantëve në Adriatik, por ruaju nga helidonët, si Hekateu (A6poι, ἔθνος πρὸς τῷ ᾿Αδρίᾳ Ταλαντίνων προσεχὲς τοῖς Χελιδονίοις, ὡς Ἑκαταῖος.)84.
Përfundimi se fjala helidonët është përkthim greqisht i emrit të fisit ilir të taulantëve bazohet në disa fakte:
a. Nuk ka asnjë lidhje ose kuptim futja e helidonëve pas emrit të taulantëve.
b. Në Greqinë e lashtë nuk ka ekzistuar ndonjë fis me emrin χελῑδωνοις.
c. Fjala helidon është fjala greqisht për dallëndyshe.
Per këto arsye, shumica e gjuhëtarëve, duke përfshirë idoevropianistë të famshëm si Holger Pedersen kanë pranuar se emri i fisit ilir taulantët shpjegohet me fjalën shqipe dallëndyshe. Edhe Eqrem Çabej e ka pranuar këtë shpjegim85.
ulk fjalë ilire e ruajtur deri në kohën tonë e pandryshuar. Më 1854 von Hahn e shpjegoi emrin e këtij qyteti me fjalën shqipe për ujkun86. Gjuhëtarët në përgjithësi kanë pranuar shpjegimin e tij për prejardhjen e emrit të këtij qyteti. Ka qënë në traditën e ilirëve që t’ i quanin fiset, vendbanimet ose qytetet e tyre me emrat e kafshëve. Kjo ka ndodhur me emrat e Dardanisë, Delminiumit, të taulantëve, daorsëve, delmatëve, etj.
Gjuhëtarët i kanë lidhur dhe shpjeguar të gjithë këta 40 emra ilirë me faktet dhe mjetet e shqipes, dhe jo të ndonjë gjuhe tjetër ballkanike ose jashtëballkanike. Kur ky fakt madhor shihet krahas faktit që shqipja nuk ka asnjë rol të tillë në shpjegimin e ndonjë gjuhe tjetër të lashtë ballkanike dhe në mungesë të cdo shënje migrimi historinë e Ballkanit perëndimor çdo mëndje e hapur dhe e paanshme do të pranonte se roli përjashtimor i shqipes si kyç për shpjegimin e fjalëve ilire nuk mund të jetë një rastësi, a lojë e fatit, por është pasqyrim i një lidhjeje të brendshme shkakësore midis ilirishtes dhe shqipes, një lidhje prejardhjeje dmth birërije midis tyre.
Kjo listë relativisht e pasur fjalësh ilire të atestura në lashtësi dhe të trashëguara deri në shqipen e sotme bën contrast me faktin që ende nuk kemi prova të besueshme që shqipja të ketë trashëguar ndonjë fjalë nga trakishtja ose dakishtja
Për mua, këto fakte kanë dy rrjedhime të rëndësishme etnohistorike:
1. Gjuha shqipe është pasardhëse e ilirishtes, pra ilirishtja e kohës sonë.
2. Shqiptarët janë vendas dhe jo ardhës në trojet e tyre të sotme.
[fund]
(c) 2026 Nelson Çabej. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.
65. Strabo, Geography Book VII, Fragm. 3: “Among the Thesprotians and the Molossians old women are called “peliai” and old men “pelioi”.
66. von Hahn, J.G. (1854). Albanesische Studien. F. Mauke, Jena, f. 242.
67. Demiraj, B. (1997). Vep. përm.
68. Çabej, E. (2002). Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes VI. Akadamia e Shkencave e R. së Shqipërisë, Tiranë, ff. 172-173
69. Çabej, E. (1982). Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes VI. Akadamia e Shkencave e R. së Shqipërisë, Tiranë, f. 81
70. Strabo Geography VII, 7, 10.
71. Strabo Geography, VII, 7, 11.
72. Çabej, E. (1976). Studime Gjuhësore II. Rilindja, Prishtinë, ff. 83-83.
73. Homer Ilias
74. Homer
75. von Hahn, J.G. (1854). Albanesische Studien. Mauke, Jena, p. 241-242.
76. Demiraj, B. (1997). Vep. përm.
77. Selishchev, A.M. (1931). Slavianskoe naselenie v Albanii. Izd. Makedonskogo nauchnogo instituta, Sofia.
78. Çabej, E. (2002). Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes VI. Akademia e Shkencave e R. së Shqipërisë, ff. 172-173.
79. Çabej, E. (2002). Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes VI. Akadamia e Shkencave e R. së Shqipërisë, Tiranë, f. 280-281.
80. Q. Ennii Annalium VII, 249.
81. Q. Ennii Annalium, Vep. përm., Po aty.
82. Jokl, N. (1916). Beiträge zur albanischen Grammatik. Indogermanische Forschungen. Indogermanische Forschungen pp. 98-164.
83. Thucydides, History of the Peloponnesian Ëar I. 62.: “Ταυλάντιοι βάρβαροι, Ἰλλυρικὸν ἔθνος”.
84. Hecataei Milesii Fragmenta. Reimer, Berlin, f. 63.
85. Çabej, E. (2002). Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes VI. Akademia e Shkencave e R. së Shqipërisë, Tiranë, ff. 172-173.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.