Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi

LIRIA E KUJT S’MUNDET

Ndesha këto ditë në një citat që gjerësisht i atribuohet poetit amerikan Ezra Pound:

A slave is one who waits for someone to come and free him.

Dhe që do ta përktheja:

Është skllav kush pret që një tjetër të vijë dhe ta çlirojë.

Në lexim të parë, duket si një afirmim i nismës individuale, i llojit “vetëm ai e meriton lirinë, që lufton për ta fituar”; në analizë të fundit, një refleksion për lirinë e personit dhe mungesën e saj.

Ezra Pound-i vetë e kaloi një pjesë të jetës i mbyllur në një spital psikiatrik, alternativë ndaj dënimit me burg, si bashkëpunëtor i fashizmit italian.

E njihte mirë regjimin fashist të Mussolini-t, i të cilit ishte përkrahës i bindur. Nuk ka gjasë që t’i shihte nënshtetasit e Impero-s si viktima të totalitarizmit, dhe as si njerëz të palirë. Ose mbase mendonte se liria individuale nuk është mekanikisht e varur nga sistemi politik – në kuptimin që ai vetë, në Itali, ndihej i lirë në hapësirën e vet jetësore.

Besoj se edhe në rrethanat më të errëta, kur e kishin mbyllur në kafaz në Itali, e kish gjetur mënyrën për ta përjetuar lirinë, nëpërmjet poezisë që shkruante.

Thënia e tij, megjithatë, vë në qendër skllavin, dikë që nuk është i lirë, por që dëshiron të jetë; në kuptimin që dëshiron të çlirohet. Kusht i të qenit skllav, sikur thotë Pound-i, është përjetimi i mungesës së agjencisë për rebelim ndaj vargonjve – skllavi e dëshiron lirinë, por nuk beson se mund ta fitojë vetë. Përkundrazi, pret që të vijë dikush tjetër ta çlirojë; shpresa e tij është tek agjencia e një të treti, një kampioni, një kalorësi që do të luftojë për të.

Nuk kuptohet mirë se çfarë ndodh me këtë skllav, nëse dikush vjen dhe lufton për lirinë e tij dhe ia jep. A mbetet skllav, thjesht ngaqë nuk u çlirua vetë? Apo ngaqë nuk di si ta përdorë këtë liri?

Dinamikat me master dhe skllav janë të njohura në filozofi dhe nuk po dua t’i elaboroj gjatë në rrafshin abstrakt. Nëse po shkruaj tani, e bëj ngaqë në praktikë ndodh rëndom që një skllav ta ketë të pamundur, materialisht, ta fitojë lirinë me përpjekje individuale. Ka nevojë për ndihmën e Tjetrit. Në kuptimin që çlirimi i skllavit ndodh më lehtë në komunitet, falë ndihmës dhe bashkëpunimit nga të tretët.

Kjo vlen edhe për individët, edhe për entitetet kolektive, si popujt, kombet dhe klasat; pavarësisht nga kuptimi i ndryshëm që merr liria në raste të tilla.

Pranohet me lehtësi të madhe që një shtet i pushtuar e ka humbur lirinë; dhe lufta që bën për ta hequr qafe pushtimin quhet luftë “çlirimtare”. Paçka se, në fund të vitit 1944, me çlirimin e Shqipërisë, ca shqiptarë u ndien të lirë, ca të tjerë u ndien në pranga.

Në përgjithësi, qytetarët e Shqipërisë në vitet e regjimit totalitar nuk ishin të lirë, sepse liritë individuale u pengoheshin në çdo hap. Një nga efektet e sundimit shumëvjeçar të regjimit të Hoxhës, ishte se shumë nga këta qytetarë i kishin humbur edhe shpresat për të qenë dikur të lirë.

Ishin skllevër, sado të pavetëdijshëm. Të një hierarkie, të një pushteti, të një terrori politik.

Brezi i ri sot e ka të vështirë, në mos fare të pamundur, që ta kuptojë si mungonin liritë në atë periudhë; pa çka se fjala “liri” ishte nga më të shpeshtat, në zhargonin politik totalitar.

Por gjithnjë ishte fjala për çlirimin e vendit nga “pushtuesit”, ose të popullit nga “shfrytëzuesit”, ose të klasës punëtore nga “sundimi i kapitalit” – dhe jo për lirinë e individit për të mos u penguar në vullnetin e tij të përditshëm.

Duket sikur regjimi totalitar kujdesej për lirinë kolektive, duke mos e vrarë mendjen se politikat e tij përftonin skllevër.

Por këta “skllevër” – si ne gjatë atyre dekadave – nuk prisnin më për dikë që të vinte dhe t’i çlironte. Ndryshe nga disa kundërshtarë të regjimit, fill pas Luftës, që kishin shpresë se do të ndërhynin “aleatët”, për t’ua restauruar lirinë e dikurshme.

Një pjesë shumë e madhe e njerëzve i ishin dorëzuar statusit të tyre si “të privuar nga liria” dhe kërkonin të jetonin njëfarësoj duke bërë sikur nuk i shikonin hekurat e burgut.

Brezi im, i boomers-ave në Shqipëri, ishte mësuar me idenë e çuditshme se nuk mund të bënim asgjë të pamiratuar paraprakisht. Nëse njeriu i qytetëruar duhet të pranojë të mbajë parasysh se çfarë nuk i lejohet të bëjë në publik, në Shqipërinë enveriste mbijetesa publike e dikujt varej nga sa e mbante parasysh se çfarë i lejohej që të bënte në publik.

Idealisht, regjimi kërkonte t’i kushtëzonte qytetarët në mënyrë të tillë, që këta të mos i perceptonin dot fare mungesat e lirive. Dikush që ëndërronte të arratisej, por e dinte se mund ta vrisnin në kufi ose ta hidhnin në burg dhe familjen t’ia persekutonin, ishte edhe provë se indoktrinimi nuk kish funksionuar.

Përkundrazi, qytetari model as që duhej ta mendonte arratisjen si opsion. Më gjerë, ky qytetar model as që arrinte t’i përfytyronte liritë që ia mohonte regjimi – prandaj edhe nuk priste që të vinte një i Tretë dhe t’ia dhuronte.

A ishte, pra, skllav, edhe ai që nuk ndihej i tillë, skllav?

Sipas Pound-it, besimi se dikush do të vijë dikur, për të ta sjellë lirinë, është pjesë e vargonjve që të mbajnë të skllavëruar.

Kjo e lidh filozofinë e Pound-it me konceptin sartrian të mauvaise foi (keqbesimi; angl. bad faith), i cili përshkruan një aktor që, nën trysninë e rrethanave të jashtme, identifikohet me rolin e tij – duke e mohuar lirinë e vet, pikërisht duke përdorur lirinë që ka për ta bërë këtë.

Filozofi Martin Seligman e përdori intuicionin e Sartre-it dhe të Pound-it për të formuluar konceptin e learned helplessness; ku individi identifikohet me pritjen që të ndodhë diçka, ose me pasivitetin e vet.

Indoktrinimi totalitar në Shqipëri arriti ta natyralizojë bindjen e individit se “nuk e kam unë në dorë” (“ça me ba…”), e cila mishëron fenë tinzare të pasivitetit.

Nga një pikëpamje, qytetarët sot në Shqipëri e lidhin lirinë me paranë, duke i parë këto të dyja si anë të së njëjtës medalje – në kuptimin që paraja ndihmon për të fituar dhe siguruar lirinë.

Kjo bindje, që liria fitohet në treg, është pamja që ka marrë tani thirrja e dikurshme “liri-demokraci”, e cila u duk sikur lajmëroi rrëzimin e regjimit totalitar në vitin 1990.

Por liria e fituar në treg është njëherazi konsakrim i skllavit të parasë, gjë që duket edhe në mutacionin që ka pësuar koncepti dhe praktika e “demokracisë” në Shqipëri, e cila është reduktuar tashmë në procedura numërimi të votave, të ngjashme me numërimin e parave.

Edhe në politikë, “paraja” e votave të fituara siguron lirinë e partisë politike ose të liderit që i ka fituar – por kjo është thjesht liri për të ushtruar pushtetin, paçka se maskohet prapa fjalës së rëndë e të rrumbullakët mandat.

Pata shkruar, para ca kohësh (Vota, monedha, tregu), se

Në rrethanat kur programet politike të palëve nuk kanë ndonjë ndryshim mes tyre, ose kur zgjedhësit janë të vetëdijshëm se premtimet elektorale janë thjesht performative, paraja – si premtim dhe si njësi matëse dhe si sfond filozofik i veprimit politik – e shoqëron nga fillimi në fund krejt procesin zgjedhor. Jo vetëm që fushatat kushtojnë dhe këto para duhen gjendur diku (qoftë edhe duke u marrë “borxh”), por edhe ngaqë shumë zgjedhës shkojnë me shpresën se Partia ose kandidati i tyre do t’u sjellë punë, rroga dhe mundësi të reja biznesi, ose do t’ua lehtësojë shpenzimet e taksave ose për shërbimet publike si ato shëndetësore. Edhe pasaporta “europiane”, që sot zë kryet e vendit në një nga posterët elektoralë të PS-së, nuk është veçse premtim i tërthortë që u jepet qytetarëve për të pasur lehtësi më të mëdha biznesi me Europën, kur Shqipëria të pranohet në BE – përveçse, në mënyrën e vet, një kartëmonedhë e certifikuar, sui generis me të cilën do të paguhet me të parë privilegji i të qenit qytetar “europian”.

Për mua, njeriu duhet të jetë para së gjithash i lirë që ta realizojë maksimalisht potencialin e vet njerëzor brenda komunitetit ku jeton, nëpërmjet agjencisë individuale. Këtë lloj lirie nuk mund ta sjellë dhe as ta garantojë Europa, Amerika, NATO-ja, depozitat e naftës, Sazani, investimet e huaja, turizmi i shtuar, imazhi para të huajve, diaspora (!!), fasadat dhe spektakli politik.

Përballë një elektorati që e trajton votën mekanikisht si monedhë dhe që beson se “demokracia” është të qesëndisësh atletet e Ramës ose të qëllosh një ndërtesë me molotov, lidershipi ynë politik është specializuar tashmë për të gjetur padronët dhe tutorët më të përshtatshëm për t’ia siguruar pushtetin, i papenguar nga masa e qytetarëve që nuk arrin të reagojë me dinjitetin që ia kërkon momenti.

Kjo ndoshta është edhe trashëgimia më toksike që ka lënë te totalitarizmi madje edhe në brezat që nuk e përjetuan drejtpërdrejt – pasiviteti i skllavit që ende kujton se është e drejta e tij, që të presë që shpëtimi t’i vijë nga jashtë.

(c) Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin