Fjalën VOTË Fjalori i 1980-ës e përkufizon si
E drejta e secilit për të shfaqur mendimin në kohën e zgjedhjeve ose kur vendoset një çështje bashkërisht në një organizatë politike, shtetërore a shoqërore; shprehja e mendimit a e vullnetit nga secili për të zgjedhur dikë në një organ etj. ose për të vendosur për një çështje; mendimi që shpreh dikush në raste të tilla dhe fleta a diçka tjetër që përdoret për këtë qëllim.
Duke e filluar me të drejtën e votës, më pas aktin e të votuarit dhe në fund dokumentin a suportin material të këtij akti; ka aty një gabim jo të vogël, sepse vota është diçka e ndryshme nga e drejta e votës, dhe se në kuptimin e saj vota nuk përfshin ndonjë të drejtë – është thjesht një akt formal (performativ), i rregulluar me ligj dhe që kërkon rrethana krejt specifike për t’u kryer; dhe pastaj suporti material i atij akti. Por tashmë me shkarjet e atij Fjalori jemi mësuar.
Nuk di nëse hartuesve të Fjalorit u pat shpëtuar pastaj që vota nuk është vetëm e drejtë, por edhe përgjegjësi ose detyrim moral i qytetarit; në disa vende madje votimi është i detyrueshëm me ligj dhe mosvotimi ndëshkohet me gjobë (dhe aq më tepër vlente kjo, në kohën kur u hartua ai Fjalor). Për t’u shënuar se cilësimi i votës si detyrim e afron këtë me borxhin – madje në shqipe vetë fjala detyrë është etimologjikisht e lidhur me shqipen detorës, më herët detuor (gegërisht) dhe detuar (doskërisht), që vijnë nga latinishtja debitor-em “ai që i ka borxh dikujt”, emër vepruesi i debere, folje që ka dhënë mes të tjerash italishten dovere dhe frëngjishten devoir.[1] Kjo birësi kuptimore, sado të jetë zbehur për folësin e sotëm, do ta shndërronte votën metaforikisht në një “larje a shlyerje borxhi”, edhe pse ndaj shtetit dhe jo natyrisht ndaj kandidatit që votohet.
Përndryshe, shqipja VOTË i përgjigjet italishtes voto, por me ngushtim të kuptimit – meqë nuk përdoret me kuptimin “kusht, kushtim, nijet”, që në italishte e ndesh në praktikat dhe ritualet fetare dhe që është në thelb një ofertë, premtim, dhënie fjale, zotim a dhuratë që i bëjmë një hyu a një shenjti; sikurse nuk përdoret me kuptimin e “notës mësimore”, që e ka italishtja po ashtu.
Nga ana e vet, italishtja voto është vazhdim i latinishtes vōtum, fjalë e prejardhur nga votus, që është pjesorja e shkuar e vovere “premtoj” (khs. këtu edhe frëngjishten vœu), një tjetër folje tipikisht shënjuese e një akti ligjërimor.
Edhe në përdorimin politik, kjo votë, bashkë me foljen votoj, i referohet një premtimi; pa çka se në praktikë tani është kandidati i cili premton – një program, një të ardhme, ose edhe gjëra më konkrete, si një rrugë a një vend pune – përkundrejt votës; por edhe zgjedhësi, që ia jep votën kandidatit që dëshiron, ia jep njëfarësoj fjalën a mbështetjen, nëpërmjet një akti që nuk mund të zhbëhet, përveçse po të jetë i parregullt. Ashtu, kandidati mund të premtojë qiqra në hell, dhe pastaj të mos e mbajë fjalën pa i humbur privilegji i të qenit “i zgjedhur nga populli”, ndërsa votuesi këtë të drejtë nuk e ka; mund ta japë votën, por mbrapsht nuk e merr dot. Asimetri.
Kriteri themelor i zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri ka të bëjë me numrin e votave; megjithë rafinimet e ndryshme dhe përshtatjet, kandidati ose partia që ka marrë më shumë vota fiton të drejtën për të qeverisur vendin; në këtë kuptim kriteri është thjesht numerik dhe mbështetet në konceptin e “shumicës”. Ka disa që besojnë se demokracia është një formë e qeverisjes ku pushteti kontrollohet nga ata persona që janë zgjedhur me shumicën relative të votave – fjalët kyç këtu janë “zgjedhur” dhe “shumica”; natyrisht, bëhet fjalë për demokracinë përfaqësuese, jo atë direkte. Ky koncept, që vullnetin e një grupi e përfaqëson shumica e anëtarëve shpie me të shpejtë në tiraninë e shumicës, po të mos shoqërohet me masa mbrojtëse për pakicat.
E quajta “relative” shumicën më lart, sepse (i) jo të gjithë ata që kanë të drejtën e votës e ushtrojnë atë dhe (2) një pjese jo të vogël të popullsisë së një vendi e drejta e votës nuk i njihet fare.
Duke e thjeshtuar fare procesin e fitores në zgjedhje, le të themi se kjo i takon kandidatit që ka marrë më shumë vota se rivalët e vet: kriteri i fitores është numerik dhe sasior, dhe parakupton që çdo votë të jetë e barabartë me çdo votë tjetër, çfarë e lidh ngushtë demokracinë me parimin e barazisë së qytetarëve. Vetëkuptohet, nga ana tjetër, se votat nuk janë të barabarta, sa kohë që as votuesit vetë të tillë nuk janë – sidomos në raport me motivet që i shtyjnë të votojnë dhe t’ia japin votën këtij apo atij kandidati.
Këtu mund të pyetet edhe nëse është e drejta universale e votës, që ua njeh qytetarëve barazinë në raport me pushtetin e zgjedhur; apo është barazia e këtyre qytetarëve që shërben si premisë e së drejtës universale të votës.
Por sido që të jetë përgjigjja, kjo barazi aksiomatike e votave të qytetarëve ka diçka numerike në vetvete, diçka aritmetike, të pareduktueshme, të pandashme; duke sjellë me vete një element mistik në racionalitetin politik.
Votën që unë, qytetari A, ia jap kandidatit B, le ta mendojmë tani si marrëdhënie mes A dhe B, të tillë që ta vendosë qytetarin C, i cili gjithashtu ia ka dhënë votën kandidatit B, në raporte barazie me mua. Mua qytetarin A s’më bashkon asgjë me qytetarin C, përveçse që votojmë të dy për kandidatin B[2] dhe që vota ime është e barasvlershme me të tijën dhe se nuk ka asgjë, në votën time për B, që ta dallojë këtë – esencialisht – nga vota e C-së për të njëjtin B.
B-ja, që tani i ka fituar zgjedhjet me mijëra vota si kjo imja, as që e ka idenë se mes këtyre votave është edhe ajo e A-së, ose ajo tjetra e C-së. Jo vetëm aq – si rregull, B-ja as duhet ta dijë se kush e ka votuar.
Por fakti që vota ime, si transaksion politik, është e këmbyeshme me secilën nga mijëra e mijëra vota të tjera, më fton që të filloj ta krahasoj votën – jo si akt por si suport a evidencë formale të aktit – me paranë. Sepse, në të njëjtën mënyrë si vota, edhe bankënota prej 10 mijë lekësh që kam në xhep është e njëjtë, ekuivalente, e barabartë, me çdo bankënotë tjetër 10-mijëlekëshe në qarkullim; nuk ka asgjë, te kjo imja, që ta dallojë nga ajo që ka ai tjetri, përveç faktit “abstrakt” që e kam unë; madje edhe kjo e të pasurit 10 mijë lekë thjesht do të thotë që unë, zotëruesi i bankënotës, mund të shkoj në një dyqan dhe ta këmbej me një vlerë ekuivalente të mirash materiale ose shërbimesh.
Në fakt, banknota ose kartëmonedha 10-mijë-lekëshe nuk e ka këtë vlerë në vetvete; meqë është thjesht një dokument zyrtar i lëshuar nga banka, e cila përdoret në transaksionet monetare, si instrument pagese. Ata që e përdorin, kanë besim se ajo do të pranohet nga pala tjetër; në anglishte ky lloj instrumenti pagues njihet edhe si fiat money, meqë vlera e tij varet nga mbështetja që i jep autoriteti (qeveria) dhe nga marrëdhëniet ekonomike dhe financiare brenda ekonomisë përkatëse.
Edhe në kartëmonedhat shqiptare ka qenë shkruar, deri në vitin 1990, se “I PAGUHEN PRURËSIT ME TË PARË”, e cila funksionon si deklaratë besimi, që garanton përdorimin e tyre si instrument transaksionesh financiare. Kjo shprehje rimerr gati verbatim italishten “PAGABILE A VISTA AL PORTATORE”; formula të tilla garantojnë edhe qarkullimin e këtyre biletave bankare pavarësisht nga “prurësi”, ose zotëruesi aktual.
U zgjata në këto hollësi, meqë më intereson “premtimi” që sjell me vete çdo transaksion monetar (“promissory note” e quajnë banknotën në anglishte); në kuptimin që mbishkrimi e ndan kartëmonedhën nga “prurësi”, duke e lejuar marrësin që të bëjë ç’të dojë me të. Njëlloj si me fjalët që i përdorim zakonisht pa e çarë kryet se nga e kanë prejardhjen, edhe një 10-mijëshe unë mund ta përdor për të paguar një palë këpucë në dyqan, pavarësisht se kush ma pat dhënë apo nga e pata marrë.
Në të vërtetë, metafora që e sheh gjuhën dhe monedhën si sisteme të ngjashme, që u binden ligjeve të ngjashme, ka qarkulluar në mënyra të ndryshme që gjatë shekullit XIX, edhe pse shumë e lidhin me kursin e Saussure-it. Ajo ndihmon për të kuptuar shumëçka në mënyrën si shkëmbehen vlerat – ekonomike ose simbolike – gjatë komunikimit, përkatësisht në treg dhe në gjuhë; sikurse ndihmon edhe për të shpjeguar pse të krijosh një fjalë të re dhe të kesh sukses në kodifikimin e saj mund të jetë po aq e vështirë, ose po aq e disiplinuar, sa edhe emetimi i një kartëmonedhe të re, ose falsifikimi i saj.[3]
Ka ngjashmëri, në barazinë që kemi si qytetarë ndaj votës, dhe në barazinë që na jep, në treg, bartja dhe përdorimi i sasive të njëjta të parave. Unë mund të shkoj në dyqan dhe të blej, me 10-mijëshen time, mallra që kanë vlerë të njëjtë monetare, me ato që mund të blejë ai tjetri, me 10-mijëshen e vet. I vetmi dallim është se mallrat që blej unë bëhen “të miat” (më përkasin mua), ndërsa mallrat që blen ai tjetri, i përkasin atij. Por – me disa përjashtime të parashikuara me ligj – unë mund ta përdor kartëmonedhën për të blerë çfarë të dua, pa qenë nevoja që të identifikohem: akti i blerjes mund të jetë vërtet individual, por identiteti im si individ gjatë atij akti as luan rol dhe as ngre peshë.[4]
Në ekonomitë e tregut qarkullon prej kohësh praktika dhe koncepti i “të votuarit me pará”, i cili gjen zbatim në fushatat e bojkotimit të një marke ose një kategorie mallrash në treg, për arsye politike ose morale. Te Free to Choose, Milton dhe Rose Friedman kanë argumentuar se qytetari mund të ushtrojë më shumë pushtet përmes vendimeve që merr si konsumator (në treg), se përmes aksionit politik. Ata shpjegojnë se, kur ti shkon të votosh, rezultati i votës sate është gjithnjë i ndryshëm, nga ai që kishe ti në mendje kur votove; ndërsa kur ti shkon çdo ditë në supermarket, e shpreh “votën” tënde drejtpërdrejt, duke zgjedhur të blesh atë mall që dëshiron, si kushdo tjetër. Argumenti njihet si “libertarian”, edhe pse është përqafuar dhe vazhdon të mbështetet nga shumë progresistë.
Pa hyrë në meritën e argumentit në fjalë, dua thjesht të vë në dukje se këtë praktikë, të “votimit me blerje”, e mundëson natyra anonime, abstrakte, aritmetike e parasë, e cila mundëson që një prodhues i një malli specifik, a një markë specifike, të marrë më shumë “vota” se një tjetër, dhe të ketë sukses ekonomik. Megjithatë, se sa vota hedhim në supermarket, kjo varet jo vetëm nga preferencat tona për produktet (për “premtimet” që vijnë prej produkteve), por edhe nga numri i “votave” që kemi në xhep; dhe në këtë kuptim, blerësit nuk janë aq “të barabartë” mes tyre, sa ç’janë votuesit.[5]
Nga ana tjetër, nëse e krahasojmë votën me paranë, i bie që kandidati për të cilin votojmë, parimisht, të na detyrohet diçka për mbështetjen që i kemi dhënë; ja na u shfaq sërish “detyrimi” për të cilin folëm më herët në këtë ese, vetëm se tani në kah të kundërt – meqë detyrimi abstrakt i votuesit ndaj shtetit dhe shoqërisë ku jeton (“borxhi”) shndërrohet, nëpërmjet aktit të votimit, në detyrim më pak abstrakt të marrësit të votës ndaj atij që ia ka dhënë. Ashtu akti i votimit shlyen një borxh dhe sakaq krijon një tjetër. Megjithatë, sistemi elektoral sot e ndërmjetëson aq shumë marrëdhënien e votuesit me të votuarin, sa ta hollojë këtë “borxh” deri në përqindje të papërfillshme. Kapitalin elektoral që siguron nëpërmjet votave, kandidati e shkrin në fond të përbashkët dhe e vë në shërbim të partisë së vet; e cila e përdor pastaj për të fituar a mbajtur pushtetin, ose për ta kontestuar atë kur nuk e ka.
Kjo nuk i pengon mediat dhe qytetarët vetë që t’i ndjekin zgjedhjet si të ishin evenimente sportive – ku dikush “fiton” dhe dikush tjetër “humbet”; dhe ku ambiguiteti i foljes fitoj në shqip bën që fitorja numerike (me pikë a me vota) të këqyret edhe si fitim monetar a financiar, që i ndodh atij që ka fituar më shumë vota. Sërish, nëse kandidati a partia i fiton votat duke i mikluar votuesit me “premtimet” e radhës, atëherë fitorja në zgjedhje do të interpretohet edhe si një operacion i tregut financiar, ku votat janë paraja që japin borxh votuesit, me shpresë se kandidati i mbështetur prej tyre do të fitojë dhe, njëfarësoj, do t’ua kthejë borxhin.
Por krahasimi i procesit të zgjedhjeve dhe i vetë sistemit demokratik me tregun e lirë na ndihmon edhe për të kuptuar se çfarë po ndodh me fushatën elektorale sot – për të cilën shumë komentatorë politikë dhe kulturorë janë ankuar se e ka ulur stekën deri atje sa kjo të prekë fundin. Aq janë konsumuar premtimet standard të programeve të kandidatëve, sa duket ndonjëherë sikur votuesve u kërkohet vota thjesht për të penguar ardhjen e “anës tjetër” në pushtet. Komentatorët ankohen edhe për zëvendësimin e debatit politik dhe diskutimit të çështjeve të interesit publik me estradë, batuta, folklor dhe qesëndisje të kryqëzuara; të cilat rregullisht kapin kryetitujt e lajmeve në TV dhe në sajtet mediatike online. Ky ri-orientim i fushatës drejt spektaklit nuk tradhton aq nivel të ulët të aktorëve politikë a të atyre që i ndjekin, sa një strategji politike të kalkuluar, për të siguruar votën.
Jam i prirur të besoj që klipet e fushatave, batutat që hidhen e priten në “takimet” me popullin, nofkat për kundërshtarët politikë, emrat e tyre lozonjarë njërrokësh dhe metaforat zoologjike synojnë të depërtojnë në mënyrë subliminale në vetëdijen politike të publikut, duke vepruar ngjashëm me imazhet dhe narrativat në dukje pa lidhje, të reklamave televizive të produkteve të njohura. Ashtu ndodh, për shembull, me një teknikë tashmë të kolauduar, të njohur si shock advertising, i cili krijon pështjellim në mendjen e konsumatorit, sa kohë që ky nuk e vendos dot menjëherë lidhjen komerciale mes produktit a markës dhe mesazhit; trondit, tremb dhe alarmon, nëpërmjet elementeve jo karakteristike për reklamën tradicionale; bën që të lindë, te konsumatori, një ndjesi dëshire nëpërmjet ngacmimit të tabuve; dhe rrit simpatinë ndaj një marke ose produkti, nëse konsumatorit i intereson vërtet tema e reklamës ose protagonistët e saj.
Ajo çfarë shesin ekipet e marketingut elektoral kundrejt votës së publikut merr jo rrallë trajtat e një spektakli komik, ku lideri politik ose kandidati përpiqet ta bindë audiencën e vet duke e argëtuar; spektakël që ka trashëguar shumëçka nga estrada e dikurshme, filmat e Realizmit Socialist dhe interpretimi folklorik i demokracisë (i konvivialitetit fshatarak). Çfarë ende mungon, është që dikush të dalë pas shfaqjes me kapele në dorë, për të mbledhur votat drejtpërdrejt nga të pranishmit.[6]
Idealisht, do të pritej një proces elektoral i tillë që të siguronte kalimin nga fjala (politika) te vota, nga vota te pushteti dhe nga pushteti te paraja, e cila pastaj mund të përdoret për fushatën e ardhshme; por në realitet nuk ndodh kështu; madje edhe po ta defaktorizojmë dukurinë e shitblerjes së votës me para. Në rrethanat kur programet politike të palëve nuk kanë ndonjë ndryshim mes tyre, ose kur zgjedhësit janë të vetëdijshëm se premtimet elektorale janë thjesht performative, paraja – si premtim dhe si njësi matëse dhe si sfond filozofik i veprimit politik – e shoqëron nga fillimi në fund krejt procesin zgjedhor. Jo vetëm që fushatat kushtojnë dhe këto para duhen gjendur diku (qoftë edhe duke u marrë “borxh”), por edhe ngaqë shumë zgjedhës shkojnë me shpresën se Partia ose kandidati i tyre do t’u sjellë punë, rroga dhe mundësi të reja biznesi, ose do t’ua lehtësojë shpenzimet e taksave ose për shërbimet publike (si ato shëndetësore). Edhe pasaporta “europiane”, që sot zë kryet e vendit në një nga posterët elektoralë të PS-së, nuk është veçse premtim i tërthortë që u jepet qytetarëve për të pasur lehtësi më të mëdha biznesi me Europën, kur Shqipëria të pranohet në BE – përveçse, në mënyrën e vet, një kartëmonedhë e certifikuar, sui generis me të cilën do të paguhet me të parë privilegji i të qenit qytetar “europian”.
Nëse në të gjitha kafenetë e atdheut muhabetet nisen dhe bitisen me një SA – sa është rroga, sa pensioni, sa kushtoi bileta, sa kushton vota, sa shitet apartamenti, sa metra katrorë, sa kilometra do të jetë tuneli i ri, sa vota do të marrë Edi dhe sa Sala, sa ka kushtuar tenderi, sa ka vjedhur i akuzuari, sa ka “bërë” ora e dorës e njërit dhe Porsche-i i tjetrit, e kështu me radhë – atëherë logjikisht duhet pritur që ajo njësi matëse universale, për sendet sociale, që është paraja, të shndërrohet në kryefjalë edhe të ligjërimit politik[7]. Për momentin, duket sikur vetëm partitë e vogla ende interesohen për SI-në; për reformat që duhen kryer, për idetë që duhen vënë në jetë, për mënyrën e përballimit të botës, nga një popullsi gjithnjë e më e de-alfabetizuar, si jona.
© 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Flux.
[1] Shih edhe Çabej, E., Studime Etimologjike, Bleu III.
[2] Në kuptimin që nuk është se jemi marrë vesh mes nesh se kujt do t’ia japim votën; dhe as se duhet të kemi detyrimisht botëvështrime (votëvështrime?) të ngjashme; aq më tepër që vota dhe motivimi i saj janë me përkufizim të fshehta, madje edhe sikur votuesi ta shpallë se për kë do të votojë ose për kë ka votuar – meqë i fshehtë mbetet akti i të votuarit, që nuk ka lidhje me çfarë mund të thotë më para ose më pas votuesi. Blerësit e votës dhe ndoshta edhe shitësit e saj kanë përpunuar sisteme ndonjëherë tejet të mençura, për ta anashkaluar fshehtësinë.
[3] [Paralelizmin mes gjuhës dhe monedhës, veçanërisht në bazë të një analize të veprës Les Faux-monnayeurs të André Gide, e ka studiuar Jean-Joseph Goux, te Monnayeurs du langage (së cilës vepër po i referohem tash e tutje sipas përkthimit anglisht, The Coiners of Language, University of Oklahoma Press, 1994).
[4] Ndryshe nga votimi, ku gjithnjë më duhet të identifikohem si qytetar.
[5] Këtë argument e kam nxjerrë nga artikulli “Voting With Your Dollars” Is an Antidemocratic Illusion, i Ben Burgis (Jacobin Magazine, 10 mars 2021). Autori nuk e pranon që bojkoti në treg mund të jetë një mënyrë për të nxitur dhe realizuar ndryshime politike.
[6] Komentatori dhe publicisti Ezra Klein pat vërejtur tani së fundi në The New York Times se “Vëmendja, jo paratë, janë karburanti i politikës amerikane… Sado absurdisht e përqendruar të jetë pasuria në Amerikë, vëmendja është edhe më shumë.” Por edhe përqendrimi dhe akumulimi i vëmendjes kushtojnë shumë.
[7] Mua më ka qëlluar disa herë që, kur kam botuar një libër të ri në Tiranë, të më kenë pyetur: “sa faqe është.” Mbase edhe ndonjë piktor do ta kenë pyetur se sa metra katrorë e ka pikturën e re; dhe ndonjë skulptor se sa ton i peshon skulptura. Edhe kompozitorin e një simfonie nuk do të habitesha sikur ta pyesnin sa nota ka.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.