Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Antikitet

40 FJALË ILIRE TË SHPJEGUARA ME SHQIPEN (I)

A është shqipja ilirishtja e kohës sonë?

Deri sot është gjetur vetem një mbishkrim me një fjalë të vetme ilire dhe prej të paktën një shekulli ky fakt vazhdon të nxirret për të venë në dyshim prejardhjen ilire të shqiptarëve. Si mund të flitet për ilirishten dhe lidhjen e mundshme të saj me shqipen, kur ne dimë vetëm një fjalë ilirisht, nga një mbishkrim i vetëm, i gjetur mbi një shekull më parë në Hungari?  

Duke qenë se nga gjuhët e lashta të Ballkanit dhe të Evropës, vetëm greqishtja dhe latinishtja u shkruan në Lashtësi, këto dy gjuhë u bënë linguae francae, për Evropën akademike dhe letrare, për rreth 2 mijëvjeçarë. Shtresat e larta të shoqërive në Iliri, Daki, Traki dhe Maqedoni, për arsye të njohura shoqërore-kulturore, tregtare, administrative, por dhe prestigji, përdorën këto dy gjuhë në administrate, tregti dhe në mbishkrime. Kjo është arsyeja kryesore pse në gjuhët e këtyre dhe shumë popujve të tjerë ka fare pak, ose nuk ka fare, mbishkrime të lashta.

Megjithatë, mbishkrimet nuk janë as të vetmet as më të rëndësishmet e burimeve për njohjen e ilirishtes dhe gjuhëve të lashta të Ballkanit. Në burimet e lashta gjenden edhe rreth 100 emra vendesh si dhe dhjetëra e qindra emra njerëzish dhe fisesh, etj. ilire, me të cilat gjuhëtarët ende nuk janë marrë seriozisht.

Në këtë shkrim unë sjell vetëm një listë, sigurisht jo të plotë, të më shumë se 40 fjalëve ilire që dalin në burimet e lashta që janë lidhur e shpjeguar vetëm me shqipen nga shumica e gjuhëtarëve.

Këto fjalë janë nxjerë kryesisht nga Fjalori i Hesikut të Aleksandrisë i shekullit VI, nga emrat ilirë të vendeve dhe të fjalëve ilire që dalin në veprat e autorëve të lashtë, nga mbishkrimet mesape, etj.

Siç do të vihet re, këta 40 emra ilirë gjuhëtarët i kanë lidhur dhe shpjeguar me ligjet, faktet dhe mjetet e shqipes, e jo të ndonjë gjuhe tjetër ballkanike ose jashtëballkanike. Përballë këtij fakti, çdo mëndje e hapur dhe e paanshme do të pranonte se roli përjashtimor i shqipes si një kyç për shpjegimin e fjalëve ilirike nuk mund të jetë një rastësi, a lojë e fatit, më shumë se sa pasqyrim i një lidhjeje të brendshme shkakësore midis ilirishtes dhe shqipes, një lidhje prejardhjeje.

Duke lënë mënjanë hamendjet e paprovuara dhe të padokumentuara, sot mund të themi se në Ballkanin e lashtë janë folur vetëm 5 gjuhë: ilirisht, trakisht, dakisht, maqedonisht dhe greqisht. Fakti që shqipja ka një rol kyç, dhe të pranuar përgjithësisht për shpjegimin e një numri kaq të madh emrash ilirë, ndërkohë që nuk ka ndonjë rol të tillë për gjuhët e tjera të Ballkanit nuk mund të mos përfillet.

Listë e pjesshme e fjalëve ilire të shpjeguara me shqipen

anda – Kjo është një fjalë nga mbishkrimet mesape. Sipas Torp (1895),1 kjo fjalë i ndajgjegjet fjalëve shqipe  edhe dhe ende e, sipas Çabejt, edhe ndë2, bazuar në formën që përdoret kjo fjalë në librin më të vjetër shqip që njohim, Meshari i Gjon Buzukut. 

andaë, ëndje (gegërisht ânë) ‘kënaqësi, dëshirë’. Proto-shqipe *antā ‘dëshirë, kënaqësi’, nga proto-indo-evropianishtja (PIE) ant- ‘fytyrë, ballë’.2,3 Siç kishte vënë re Eqrem Çabej, në Gjirokastër kjo fjalë ka dhënë edhe ndajfoljen takanda (ta-ka-nda), në kuptimin ‘bukur, që të kënaq’.

aran – arë < *arā. Proto-shqipja *arëā “tokë arë’, tokë e punueshme”, e kjo nga PIE *ara “të punosh, plugosh tokën”. Dëshmuar në mbishkrimet mesape, dhe identifikuar me fjalën shqip arë nga filologu norvegjez Alf Torp (1853-1916). Ai thoshte se “zgjedhja e tij ra mbi fjalën shqipe arë sepse, sipas tij, “natyrisht shqipja ofronte krahasimin më të afërt me mesapishten”4 . Sot ky identifikim i fjalës mesape me shqipen arë pranohet përgjithësisht në rrethet gjuhësore dhe është pranuar njëzëri si fjala mesape dhe ilire për arë-n. 

*barba – Fjalë ilire, e trashëguar në fjalën shqipe bërrak “moçal, kënetë”. Është dëshmuar si përbërësi i dytë i emrit të përbërë ilir Metubarbis, një ujdhesë në lumin Sava. Fjala barba rrjedh nga një proto-indo-evropianishte (PIE) *mrāǵ– ‘llum’. Kjo fjalë ilire, *barba u nxor nga elementi i dytë i emrit të përbërë të vendit Metubarbis/Metubarris “një ujdhesë në tokën kënetore të rrjedhjes së poshtëme të lumit Sava”5. Këtu bën pjesë edhe fjala që del në Fjalorin e Hesik-ut, brakheia (βραχεα), “tokë me ujëra të cekëta” 6, që lidhet me shqipen e sotme bërrak (përrua, tokë moçalore) dhe maqedonishten e vjetër, indishten e vjetër barburam (ujë), greqishten e vjetër borboros (llum), greqishten e vjetër bracum ‘kënetë’, bretonishten béra “të rrjedhë”, italishten brago, braco ‘baltë’.

bardia. Kjo fjalë është gjetur në një mbishkrim latinisht: “Equa bardia” (pelat barse), dhe në fjalorin e Hesikut . Norbert Jokl-i (1877-1942), nisur nga bardia dhe *bhoratiõ, rindërtoi foljen e ilirishtes *barden (βαρδῆν) ‘mbars’, të cilën Hesiku e kishte përfshirë në Fjalorin e tij, duke shpjeguar edhe kuptimin e foljes barden7 në greqisht: “βιάζεσϑαι γυναίκας Ἀμπρακιώται” (kështu quhen gratë me barë në dialektin epirot të Ambrakisë). Të vihet re se edhe në Ambraki (Epir) ende flitej ilirisht, edhe pse aty, prej 12 shekujsh, kishte një koloni greke (korinthiane). Jokli e nxirrte foljen shqipe mbars nga një *bhoratiõ e rindërtuar dhe Çabej besonte se mbarsë rridhte nga një protoshqipe *bartia, përmes një forme të rindërtuar *enbartja8. Nga ilirishtja këtë fjalë e kishte marrë edhe latinishtja në termin equa bardia “pelë barse ose mbratë”.

*bardulos – bardh-ë(i, e). Rrënja bardh del në emrat vetiakë ilirë e shqiptarë, edhe si emër i mbretit të famshëm ilir, Bardhyl/Bardylis (448–358 BC) dhe si emër qyteti mesap, Bardulis në Italinë e jugut. Rrënja e rindërtuar ilire/parashqipe është *bardza e dalënga një bazë PIE *bʰerHǵ-. Emri vetjak ilir Bardyl në mbishkrimet mesape del në formën barzidihi e, sipas Paul Kretschmer-it në këto dy raste kemi të bëjmë me të njëjtën fjalë sepse mesapishtja z qëndron ndaj d-së ilirishte ashtu si z ndaj d-së në vetë shqipen9, 10, 11 .

bilia – bilë, bijë. Kjo fjalë del shumë herë në mbishkrimet mesape dhe për herë të parë këtë e lidhi me fjalën shqipe bilë/bijë filologu dhe gjuhëtari norvegjez, Sophus Bugge12 (1833-1907). Është dëshmuar në mbishkrimet mesape dhe vlerësuar njëzëri nga gjuhëtarët si e njëjtë me fjalën shqipe, bijë. Fjalë e ngjashme me të është anglishtja e vjetër byre ‘bir’. Fjala bilë rrjedh nga rrënja PIE *bʰer- (të mbash, të bartësh). Është trashëguar deri sot e pandryshuar në shqipe në formën bila (në Gjirokastër e rreth saj, Çamëri, tek arbëreshët e Italisë dhe arbanitët e Greqisë) dhe si bija në të gjithë zonën shqipfolëse. Sipas Jokl-it (1916-1917) kjo fjalë rrjedh nga një protoshqipe *birëlë përmes formave birëlë dhe birlë. Besohet të ketë ndajgjegjësin e saj venet në vhilia (vhl), që del në një mbishkrim të lashtë venet17.

bra (βρα)  – ‘vëlla!’ (përdorej në rajonin veri-perëndimor të Peloponezit; në rasën thirrore). Del në Fjalorin e Hesiku-t18: “βρὰ – ἀδελφοί ὑπὸ Ἠλείων”që do të thotë kështu i quanin vëllezërit banorët e Eliasit (dorianët që jetonin në rajonin veri-perëndimor të Peloponezit). Është një huazim ilirik në dialektin dorik të greqishtes: Kjo fjalë jo-greke në eleishten veriperëndimore është shpjeguar si një huazim ilirik19. Rrjedh nga PIE*bhrā́ter– ‘vëlla’. Ilirishtja *bra (“vëlla”) ka të afërta sllavishten e vjetër kishtare bratъ (bratŭ), prusishten e vjetër brāti, nordishten e vjetër broðir ‘vëlla’, etj. Ky huazim i lashtë i një fjale ilire nga dialekti dorian i greqishtes së lashtë nënkupton praninë e ilirëvë në Ballkanin perëndimor si fqinjë veriorë të dorëve në epokën klasike (shekujt VIII BC – V të erës sonë). 

bri –‘bri’. Kjo fjalë është rindërtuar nga emri i qytetit mesap Brentesion (sot Brindisi), porti i të cilit,  përtej qytetit, i ngjan kokës dhe brirëve të drerit19. Është pranuar njëzëri nga të gjithë gjuhëtarët si e afërt (cognate) me shqipen bri.

Forma proto-shqipe e saj, *brina, ka dalë nga para-shqipja *bʰr̥nos, dhe kjo nga PIE *bʰrendos (“drer, dre i kuq”). Kjo është e ngjashme me mesapishten bréndon (“dre”), suedishten brinde (“dre”), lituanishten bri̇́edis ‘dre’.  Stefan Bizantini, në shekullin VI, shkruante se  “Gjijtë e futur i japin limanit pamjen brirëve të drerit e nga kjo rrjedh emri i qytetit sepse qyteti ishte i lidhur me limanin dhe në gjuhën mesape koka e drerit quhet Brendion”20. Të dy, Straboni dhe Stefan Bizantini, fjalën brendon e kanë përkthyer në greqisht përkatësisht brirët e drerit dhe koka drerit duke u mbështetur në tiparin më të dukshëm karakteristik të kësaj kafshe.

brokalietai (μπροκαλιέται) ‘klithmë fëmijësh, blegërimë kafshësh’. Fjalë epirote që e jep autori epirot nga Parga, Panajot Aravantino në formën bryleket/bërleket. Në greqishten mesjetare dhe të re b-ja b(β-) ballore fjale do të bëhej v. Prania e  b- në epirotishten e sotme greqisht folëse tregon se në Epir kjo fjalë është ruajtur nga një popullsi shqipfolëse21. Kjo fjalë nuk gjendet në greqishten e sotme ose të lashtën.

brisa bërsí “lëvore rrushi të fermentuar”. Ka dalë nga PIE *bʰrūto -, anglisht broth, uellsisht brëd ‘birrë’, irlandishte e vjetër ‘bruth’ ‘nxehtësi, zemërim’, trakisht – brỹtos ‘birrë elbi’. Sipas Pokorny-t: “Banorët e Alba Longa-s, në jug-lindje të Romës e sollën formulën e birrës së tyre nga Iliria në Itali” dhe, sipas tij, “gjuhët sllave, i morën fjalët për birrën nga ilirishtja”22. Brüch arsyetoi se te fjala βρῦτος (brytos), germa greke υ lexohet y, por në shqip kjo bëhet i dhe ti e fjalës greke bëhet s te fjala bërsi. Ai beson se ky kalim ka ndodhur në ilirishten rreth fillimit të erës së re. Kështu, huazimi i hershëm nga trakishtja dha në ilirisht brisa e më vonë, në shqip, bërsi.23

cleves – ‘quaj, i dëgjuar, i famshëm’. Kjo fjalë është rindërtuar nga elementi i dytë i emrit të përbërë vetjak ilir Vesclevesis dhe rrjedh nga PIE k̂leu̯es ‘famë, lavdi’. Nga e njëjta rrënjë PIE duket se ka dalë edhe emri vetjak ilir Clevetus. Te Buzuku kjo fjalë del si kluoj ‘thërres’. Nga e njëjta rrënjë dolën edhe latinishtja clarus ‘i famshëm’ dhe greqishtja kleos ‘famë’. Një kuptim të tillë besohet të ketë edhe fjala cleves– (i famshëm) në emrin vetiak ilir Vesclevesis.

çam (Çamëria) emër etnik i dalë nga një emër vëndi; në këtë rast nga emri i lumit Thyamis (θύαμις), në brigjet e të cilit jetonte ky fis i madh shqiptar, sot kryesisht në Republikën e Greqisë. Gjeografi dhe historiani britanik William Martin Leake (1777-1860) ishte i pari që në 1814, mbi dy shekuj më parë, parashtroi hamendjen shkencore se emri etnik i kësaj popullsie shqiptare, çam, dhe i krahinës Çamëria, rrjedh nga emri i lumit të lashtë Thyamis (Θύαμις), sot Kalamá(s)24, në brigjet e të cilit jetonte kjo popullsi që nga Lashtësia. E njëjta rrënjë çam gjendet dhe në emrin e fshatit Çam-anda25, që del në hartën e shekullit XIX të Heinrich Kiepert-it. Çabej thotë se “çam është vazhdimi jo-grek i Thyamisit”26 . Evolucioni i emrit të lumit Thyamis deri në emrin etnik çam ka ndodhur në pajtim me rregullat e fonetikës historike të shqipes dhe është pranuar nga shumë gjuhëtarë anembanë botës, duke përfshirë Çabejn, i cili e përmend këtë si një provë të autoktonisë së popullsisë çame në Epir27.

dalmdele/delme. Kjo fjalë ilire është identifikuar për herë të parë me fjalën shqipe dele/delme në shekullin XIX nga J.R. Xylander28 dhe J.G. von Hahn29. Rrënja ilire delm ruhet deri në kohën tonë në Malësinë e Madhe (Shkodër) dhe në Gjirokastër në shprehje si qumësht i delmur në kuptimin ‘prej deleje’. Në shekullin XIX Xylander regjistroi fjalët delmer dhe delmuar për bari delesh. Emri i qytetit ilir Delminium në Dalmaci rrjedh nga fjala e rindërtuar ilire *dalm/delm ‘dele’, që rrjedh nga PIE *dhē(i) – ‘thith’. Nga e njëjta rrënjë ilire duket se rrjedhin edhe emrat e vendbanimeve Delbnisht në rethin e Krujës, i qytetit Delvinë, i fshatit Delvinë në Përmet, dhe përtej kufirit në Greqi, në emrat e fshatrat Delvinaqi, dhe Delvinopullo.

[vijon]

(c) 2026 Nelson Çabej. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.

Referimet

1. Torp, A. (1895). Zu den messapischen Inschriften. Indogermanische Forschungen V.  K.J. Trübner, Strassburg, f. 208.

2. Çabej, E. (1976). Studime Gjuhësore III. Rilindja, Prishtinë, f. 26.

3. Meyer, G. (1891). Etymologisches Woerterbuch der albanesischen Sprache. Trübner, Straßburg, f. 5.

4. Torp, A. (1895). Vep. përm., ff. 195-215: “natürlich am nächsten zum Vergleich darbietet”.

5. Jokl, N. (1924). Albaner: Sprache. Në: Reallexikon der Vorgeschichte, unter Mitwirkung zahlreicher Fachgelehrter, edited by Max Ebert, I, ff. 84–94. Walter de Gruyter, Berlin, 1924.

6. Hesychi Alexandrini Lexicon (1864). Red. F. Ritschel, F., Mauke, Jena, f. 291.

7. Hesychii Alexandrini, Vep. cit., f. 319.

8. Meyer, G. (1891). Etymologisches Wörterbuch der albanischen Sprache. Trübner, Straßburg.

9. Çabej, E. (1976). Studime Gjuhësore I. Rilindja, Prishtinë, ff. 334-335.

10. Demiraj, B. (1997). Inherited Albanian Lexicon. https://aeb.Win.tue.nl/natlang/ie/alb.html.

11. Orel, V. (1998). Albanian Etymological Dictionary. Brill, Leiden – Boston – Köln p. 17.

12. Bugge, S. (1892). Beiträge zur etymologischen Erläuterung der albanischen Sprache. Beiträge zur Kunde der Indogermanischen Sprachen. XVIII. Vandenhoeck and Ruprecht, Göttingen, ff. 161-201 (169).

13. Çabej, E. (1976). Studime etimologjike në fushë të shqipes II. Akademia e Shkencave e RPSSH. Tiranë, ff. 230-231.

14. Kretschmer, P. Einleitung in die Geschichte der griechischen Sprache. Vandenhoech und Ruprecht, Göttingen, f. 265.

15. Bugge, S. (1892). Beiträge zur etymologischen Erläuterung der armenischen Sprache. Indogermanische  Forschungen  I  5 437-459.

16. Jokl, N. (1916-1917). Beiträge zur albanischen Grammatik. Indogermanische Grammatik 90-122.

16.  Orel, V. (1998). Albanian Etymological Dictionary. Brill, Leiden-Boston-Köln. ff. 36-37.

17. Torp, A. (1897). Bemerkungen zu den venetischen Inschriften. In Om Io-mythen. Ed. J.        Lieblein, Christiania. f. 1-16.

18. Hesychi Alexandrini Vep. përm. f. 318.

19. Katičić, R. (1976). Part 1 Ancient Languages of the Balkans, Berlin, Boston: De Gruyter Mouton, 1976.

20. Strabo Geography, 6, 3, 6.

22. Pokorny, J. (1959). Vep. përm.

23. Brüch, J. (1920). Sabinisches alpus. Glotta X, f. 193-199 (199).

24. Leake, W.M. (1814). Researches in Greece. J. Booth, London, f. 257: “The Tzami occupy all the region of the river Kalamá, anciently called Thyamis, and it may perhaps be conjectured, that it is from a corruption of the latter name, that Tzami have derived their appellation”.

25. Çabej, E. (1976). Studime Gjuhësore I. Rilindja, Prishtinë, f. 98.

26. Çabej, E. (1976). Problemi i autoktonisë së shqiptarëvet në dritën e emravet të vendeve. Studime  Gjuhësore I. Rilindja, Prishtinë, f. 98.

27. Çabej, E. (1976). Studime Gjuhësore I. Rilindja, Prishtinë, f. 98.

28. von Xylander, J.R.K.A (1835). Die Sprache der Albanesen oder Schkipetaren. In der Andreaische Buchhandlung, Frankfurt am Main, p. 228.

29. von Hahn, J.G.  (1854). Albanesische Studien. Mauke, Leipzig, f. 232.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin