Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Folklor / Semiotikë

PROVERBI E KA BISHTIN MBRAPA (II)

shënime për semantikën dhe semiotikën e proverbit

Jacques de La Palice ishte një aristokrat dhe ushtarak frëng (1470-1525) që e fitoi famën për shkak të një “keqleximi” të epitafit të tij:

Ci-gît le Seigneur de La Palice: s’il n’était pas mort, il ferait encore envie.

Që përkthehet kështu: “Këtu prehet fisniku de la Palice: po të mos kish vdekur, ende do ta kishin zili.”

Për shkak të një gabimi në leximin e f-së në ferait si s (“serait”), që mund të jetë kushtëzuar nga mënyra si shkruheshin këto dy shkronja atëherë; por edhe për shkak të një ri-leximi “krijues” të fjalës envie si en vie (dy fjalë, me kuptimin “në jetë, gjallë”), mbishkrimi në varr filloi të lexohej kështu:

Ci-gît le Seigneur de La Palice: s’il n’était pas mort, il serait encore en vie.

Me kuptimin: “Këtu prehet fisniku de la Palice: po të mos kish vdekur, ende do të ishte gjallë.”

Dhe epitafi mori një kuptim tautologjik – duke tingëlluar si truizëm ose tautologji; duke përcjellë një të vërtetë kaq të natyrshme, sa nuk ia vlen që të thuhet.

Me kohë, thënie të tilla, që në anglishte quhen edhe platitudes, filluan të njihen si lapalissades; ja një shembull i një lapalisade në frëngjisht:

Un quart d’heure avant sa mort, il était encore en vie!

(Vetëm një çerek ore para se të vdiste, ishte akoma gjallë!)

Që në shqipe e dëgjon ndonjëherë si: “Si more vdiq Hasani? Po unë dje e pashë në rrugë!”

Shpesh të këqyrura si koncentrate të filtruara mirë të urtësisë popullore, proverbat dhe thëniet e urta nuk kanë lidhje me lapalisadat; çfarë të bën të mendosh se të vërtetat e përcjella prej tyre nuk janë truizma, as të natyrshme.

Madje studiuesi Laurent Perrin (Idiotismes, proverbes et stéréotypes) ka argumentuar se proverbat janë fraza idiomatike që i kundërvihen një stereotipi (implikativ); në kuptimin që forca e një proverbi, gjallëria e tij, jetëgjatësia e tij ka të bëjë me aftësinë e tij për të përcjellë një opinion subversiv, që i bashkëlidhet një forme idiomatike polemike. Me fjalë të tjera, proverbi merr forcë nga përdorimet gjuhësore, për t’iu kundërvënë “ideve të gatshme”.

Një proverb, si bëje të mirën dhe hidhe në det, sipas kësaj qasjeje, do t’i kundërvihet klishesë (jo detyrimisht gjuhësore) se duhet pritur shpërblim për të mirën që bën.

*

Si narrativa të ngrira dhe të trashëguara, proverbat shpesh i referohen një bote të shkuar, e cila mund të mos njihet menjëherë nga folësit në aktualitet. Një proverb si i zoti e nxjerr gomarin nga balta nuk është i lehtë për t’u shpalosur si rrëfim, nga një qytetar i një metropoli modern, i cili mund të mos ketë familjaritet as me gomarin, si kafshë barre, dhe as me baltën; dhe as të përfytyrojë si mund të ngecë një gomar në baltë. Me fjalë të tjera, ngecja e gomarit në baltë nuk do të funksionojë për të si metaforë e gatshme për të shënjuar krizën. Prandaj, ky folës mund ta shohë prapa-narrativizimin e proverbit si problematik, madje edhe kur e ka të qartë kuptimin. Kjo disonancë mes rrëfenjës që kondenson proverbi dhe realitetit ku proverbi përdoret mund të çojë dhe, në fakt çon, në idiomatizimin e proverbit a të shprehjes frazeologjike. Kush nuk e di se ç’është havani as e ka parë si përdoret, nuk do ta përfytyrojë dot arsyen e një thënieje si rreh ujë në havan; kush nuk e di që kallaji ka qenë përdorur për të riparuar enët prej bakri, nuk do ta kuptojë dot arsyen e thënies i doli kallaji.

Mund të ndodhë që proverbi a shprehja popullore – ose, më mirë, historia e kristalizuar përkatëse – t’i referohet një bote tashmë të kapërcyer, ku përdoreshin sende dhe teknologji që sot nuk përdoren më; dhe njëlloj janë vjetruar edhe fjalët e bashkëlidhura me to. Për shembull, fjala kofin, me kuptimin “Kosh i madh i thurur me purteka, që përdoret zakonisht për të mbartur pemë (rrush, fiq etj). Kofin me rrush (me fiq)” (FGJSSH) lidhet me një teknikë të caktuar të vjeljes që sot e njohin dhe e përdorin një numër i kufizuar njerëzish dhe, njëkohësisht, ka konkurrencë të fortë me kosh; prandaj dhe, si fjalë, është në skajet e përdorimit dhe, praktikisht, do konsideruar si e vjetruar. Megjithatë, shprehja si kofini pas të vjeli duket sikur ka mbijetuar më mirë, falë përdorimit metaforik, për të treguar diçka që bëhet ose që ndodh tepër vonë; e ka edhe Noli te “Kënga e Salep Sulltanit”:

Një mexhlis të math na çeli
Pandeli Jano Vangjeli
Me Sulltan-llokum na veli
Si kofini pas të vjeli.

Çfarë mund të merret si dëshmi e letrarizimit të shprehjes. Por, në përdorim metaforik, shprehja funksionon si një e tërë, dhe folësit mund ta njohin, por pa e ditur se ç’kuptim ka arkaizmi kofini.

Diçka e ngjashme ndodh me fjalën kallauz, që ka shënjuar dikë që ndihmonte udhëtarët për të shkuar diku, ose dikë që ndërmjetësonte për punë të ndryshme; por që sot pothuajse ka dalë nga shqipja, duke u ruajtur vetëm në proverbin fshati që duket s’do kallauz; aq sa tani është proverbi që mund të ndihmojë për ta “shpjeguar” ose, të paktën, për ta kontekstualizuar fjalën. T’i thuash dikujt “çfarë kuptimi ka fjala kallauz”, gjasat janë që do të të përgjigjet – “kallauz? si te fshati që duket s’do kallauz?”. Shumë nga brezi i ri nuk e dinë fare këtë fjalë; por paradoksalisht, errësimi i saj kuptimor ia ka fuqizuar idiomatizmin proverbit përkatës; qoftë edhe vetëm duke treguar se fraza vjen nga e kaluara e largët, ose nga një kohë kur shqipja përdorte fjalë si kallauz. Arkaizma të tillë shënjojnë përmasën kohore në gjuhë, e bëjnë folësin të vetëdijshëm se leksiku nxjerr në sipërfaqe edhe fjalë, shprehje dhe përdorime të vjetra. Në këto rrethana, një mënyrë për ta rikthyer fjalën në normalitet do të ishte sikur ta përdorte, si emrin e vet, një kompani që siguron guida turistike në vende malore, të largëta a të mënjanuara: firma KALLAUZI.

Emri pusullë, me kuptimin “Copë letre, e shkruar zakonisht shpejt e shpejt, që i dërgohet dikujt; copë letre e shkruar”, sot praktikisht është vjetruar, edhe ngaqë njerëzit nuk dërgojnë më pusulla, por SMS-ra. Megjithatë, ruhet njëfarësoj në frazeologjinë e humbi pusullën, me kuptimin “u hutua”; i njëjti fenomen duket të ketë ndodhur edhe me torua, “kujdesi i veçantë që tregojmë kur kryejmë një punë, një detyrë”, që praktikisht ka mbetur gjallë vetëm në frazeologjinë e humbi toruan. Ironike këtu është se pusulla, tek e humbi pusullën, nuk i referohet ndonjë cope letre të shkruar, por është një shtrembërim, me etimologji popullore, i fjalës busull.

Shprehjet frazeologjike, idiomatizmat dhe proverbat janë kësisoj vende ku u ofrohet strehë elementeve leksikore që përndryshe kanë dalë nga gjuha. Ndryshe nga ato arkaizma që ende përdoren për arsye stilistike, leksemat e fosilizuara ua detyrojnë fatin e tyre integrimit në shprehje që janë ende të gjalla. Këtu do të futeshin edhe një numër i madh turqizmash, që sot përdoren vetëm në bashkëlidhje me folje të caktuara, të tipit bëhem mukajet, ku vetë leksema mukajet është praktikisht e pamundur që të përkufizohet nga folësi; khs. edhe dal në selamet, jap xhevap, (mos e) prish terezinë e kështu me radhë.

*

A mund të jetë proverbi origjinal? Për shembull, kur e përdorim në bisedë ose ia prezantojmë dikujt proverbin “Burri i martuar është zog në kafaz.” Ngaqë me gjasë ky nuk është proverb i shqipes, ai tjetri mund të mos e njohë fare si të tillë, dhe të na pyesë “ç’është kjo?” ose “ku e gjete këtë?”, ose “kush e ka thënë?”; dhe nëse i thua se është proverb, do të përgjigjet se “nuk e kam ndeshur/dëgjuar ndonjëherë”. Dhe këtu nuk ka kuptim që ti të thuash se është proverbë origjinale, që e ke sajuar ti – sepse proverbi është i tillë, proverb, kur nuk është origjinal, por thjesht rimerr një instancë të vetën të mëparshme. Citon. Edhe po ta sjellim në ligjërim me thënien hyrëse “siç e thotë populli”, ose “siç e thotë një fjalë”, ose “siç thonë”, ose “kot nuk thonë që…”, supozojmë se thelbi i asaj thënieje – si kombinim fjalësh – është fakti që vjen e përsëritur, është thënë më parë, dhe pikërisht kjo veti e shndërron në proverb. Kur ai tjetri të thotë se “nuk e kam dëgjuar ndonjëherë”, në thelb po të thotë se nuk është proverb.

Nuk e sajova shembullin, por vetëm sa përktheva një proverb që e ka edhe italishtja, edhe frëngjishtja: Italisht: Uomo ammogliato, uccello in gabbia. Frëngjisht: L’homme marié est un oiseau en cage. E njëjta metaforë rezulton të ketë krijuar një proverb në këto dy gjuhë, por versioni i saj i përkthyer në shqip jo. Kjo dëshmon se nuk është kuptimi (i përgjithësueshëm) që e bën proverbin të tillë, por vetëdija subjektive e citimit; pra, që (1) një kombinim fjalësh pak a shumë i shtangët (rigjid) të qarkullojë në gjuhë si kopje a rimarrje e vetvetes dhe (2) folësi dhe bashkëfolësi, në një bisedë, ta njohin këtë tipar të përsëritjes a të citimit, ta dinë që proverbin gjithnjë e thotë dikush tjetër, “populli”, dhe ty vetëm sa të jepet në përdorim.

Një shembull disi tjetër. Mua proverbi l’acquila non piglia mosche (italishte), l’aigle ne chasse point aux mouches (frëngjishte), eagles catch no flies (anglishte) nuk më ka pasë kujtuar gjë në shqipe; por kam dëgjuar, tani vonë, të përdoret proverbi s’ngopet arusha me miza, që u ngjan versioneve të mësipërme. Nëse pyes ndonjë prej atyre që e përdorin këtë s’ngopet arusha me miza nëse u thotë gjë proverbi shqiponja nuk kap miza, këta mund të kujtojnë thënien me arushën dhe të më korrigjojnë: “jo shqiponja, por arusha” etj.; dhe për ta shqiponja nuk kap miza mund të funksionojë, në analizë të fundit, si perverb.

(c) 2025-2026 Ardian Vehbiu. Këto shënime janë nxjerrë dhe përmbledhur nga parathëniet e gjerdanit PERVERBA, botuar në substack-un MENDITIME. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin