shënime për semantikën dhe semiotikën e proverbit
Proverbat, thëniet e urta dhe frazeologjitë janë grupe fjalësh që trajtohen së bashku, por vetëm për shkak të traditës. Nuk ka ndonjë arsye gramatikore për t’i mbajtur bashkë, madje as leksikore – sa kohë që nuk shënjojnë ndonjë referent stabël. Shpesh ato vijnë si versione të kondensuara të rrëfenjave, ku domethënia përcillet nëpërmjet rikrijimit të rrëfenjës vetë.
Nëse fjalët i përfytyrojmë si atome të ligjërimit, format relativisht të pandryshueshme dhe madje të ngrira të proverbave dhe njësive të tjera shumë-gjymtyrëshe mund t’i përfytyrojmë si molekula, ku ruhet stabiliteti i lidhjes mes atomeve. Falë qëndrueshmërisë, këto “molekula” kalojnë nga një gojë te tjetra, të gatshme, ndryshe nga njësitë e zakonshme shumë-gjymtyrëshe të ligjërimit, të cilat prodhohen në momentin kur flasim (a shkruajmë).
Që ta kryejë funksionin e vet, molekula leksikore duhet të zbërthehet nga marrësi nëpërmjet kodit të duhur – i zoti e shet, tellalli s’e jep nuk është se bëhet e pakuptueshme po të mos e dish që është thënie frazeologjike; por nuk mund ta përligjë veten, sepse përdoret në kontekste ku, përndryshe, nuk flitet as për zotër as për tellallë. Nuk mjafton, pra, të dish se çfarë duan të thonë i zoti, e shet, tellalli, s’e jep veç e veç dhe pastaj ta ndërtosh kuptimin nëpërmjet një aritmetike të mbledhjes.
Le të përfytyrojmë, për një moment, dialogun e mëposhtëm:
– E firmosi vendimin shefi?
– E firmosi, por po e vonon vulën sekretarja.
– Po si kështu? I zoti e shet, tellalli s’e jep!
Frazeologjia në fund shërben si interpretim i absurditetit të një situate, kur sekretarja vonon një vendim që tashmë duhej të ishte hedhur në qarkullim; edhe pse shefi e ka nënshkruar. Natyrisht, nuk bëhet fjalë as për zotër as për tellallë, por frazeologjia evokon një mikro-rrëfenjë, e cila e vendos situatën në një kontekst interpretativ nëpërmjet krahasimit. Mikro-rrëfenja, e kyçur tashmë në frazeologji, e ilustron problemin duke iu referuar instancave kur është përdorur më parë, duke sjellë me vete sugjerimin se situata të tilla jo vetëm janë tipike por edhe janë vënë re rregullisht, aq sa të kodohen në një togfjalësh.
Duke u kthyer tani te metafora e molekulës, mund t’i mendojmë frazeologjitë dhe proverbat si molekula mes molekulave, por të tilla që, falë dobisë së tyre dhe ekspresivitetit i kanë mbijetuar përdorimit rastësor në ligjërim dhe i kanë kristalizuar lidhjet horizontale mes atomeve. Forcë të ngjashme mbijetuese kanë edhe gjëzat, refrenet e fëmijëve (nursery rhymes, filastrocche) dhe copëzat e dialogjeve të cituara nga barcaletat ose rrëfimet më të gjata.
*
Proverbat dhe thëniet i kanë përshkruar edhe si kapsula të eksperiencës kolektive, që i ruan gjuha. Vetë praktika e ruajtjes parakupton mbijetesën e elementeve nga e kaluara, të cilat ndonjëherë i referohen një mënyre jetese të tejkaluar madje të harruar. Një thënie si “I zoti e shet, tellalli s’e jep”, pikturon tablonë e një skene nga një pazar i dikurshëm, ku shitësit përdornin tellallin, një person i paguar, që lajmëronte për shitjet me zë të lartë – ekuivalenti fonik i një reklame ose tabele për zbritje. Rrallë e tek edhe sot ndesh në ndonjë person që bërtet në treg, për të tërhequr vëmendjen e blerësve; ose, mbase më shpesh, në dyqane ose pika shitjeje që i lajmërojnë ofertat ose zbritjet me altoparlant. Por tellalli, si figurë profesionale dhe personazh i jetës urbane – jo vetëm i tregut, por edhe lajmërues i vendimeve të bashkisë a të qeverisë – tashmë i përket së shkuarës, historisë së mediave dhe është zëvendësuar nga teknologjia e reklamës. Nëse ka sot njerëz që ende e njohin fjalën, kjo mund t’i detyrohet edhe mbijetesës së saj, si arkaizëm, në thënie dhe proverba – në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe (1982) gjen edhe vuri tellallin, me kuptimin “e bëri diçka me zhurmë e me të thirrura”.
Nga ky këndvështrim, thënia i zoti e shet, tellalli s’e jep jo vetëm që përmban një arkaizëm, i cili shpesh ka nevojë të shkoqitet kuptimisht; por edhe sjell në vëmendje një praktikë të vjetër të tregut, e cila do të vijë duke u harruar. Gjuha, në fakt, shërben si depozitë ose arkiv, për këto praktika të tejkaluara – të cilat mund të rindërtohen, po të jetë nevoja. Dhe proverbat janë ato “rafte” të gjuhës ku ruhen më mirë elementet arkaike. Një thënie si Mat shtatë herë e pre një herë me gjasë i referohet profesionit të shitësit të stofrave; një thënie tjetër, si i zoti e nxjerr gomarin nga balta sjell në muhabet eksperienca të tilla si përdorimi i gomarit si kafshë barre dhe mënyrën si veprosh, kur kjo kafshë ka ngecur në baltë. Thënia si breshka te nallbani referon një profesion tjetër, nallbanin, që ishte specializuar për të mbathur kafshët thundrake me patkonj – dhe që i përket edhe ai të kaluarës. Proverbi kali i falur nuk shihet nga dhëmbët ndërtohet mbi një praktikë ku kalit mund t’i dallohet mosha nga gjendja e dhëmbëve – edhe kjo përndryshe e harruar.
Të gjitha këto thënie e proverba modelizojnë nëpërmjet metaforave; dhe shumë nga këto metafora ndërtohen me elemente leksikore të një jete të mëhershme, ku mbizotërojnë kafshët, bagëtia, jeta baritore dhe fshati. Përdorimi i fjalëve të vjetruara, si tellalli, nallbani nuk është ndonjë kusht për funksionimin e tyre normal, por thjesht efekt i ruajtjes, ose i fotografimit të një gjendje të mëparshme të gjuhës.
Përndryshe, arkaizmat shpesh përdoren akoma në gjendje gjysmë të fosilizuar, në lidhje të stabilizuara me fjalë të tjera – nallbani sot mbijeton në martesë paradoksale me breshkën, edhe pse zbehja e kuptimit do të sjellë, dora-dorës, edhe tkurrjen e përdorimit të thënies vetë.
*
Kur analizojnë pragmatikën e proverbave dhe të shprehjeve frazeologjike (idiomatike) edhe André Jolles (Simple Forms) edhe Elizabeth Holt vërejnë se këto shpesh shfaqen në fund të një bisede, për ta kopsitur a paketuar, dhe për të sinjalizuar se folësi është gati që ta ndërrojë muhabetin.
Për shembull, kur dy vetë bisedojnë për një incident që i ka ndodhur njërit në punë dhe biseda arrin një pikë të vdekur, meqë asnjëra palë nuk po di si ta mbyllë muhabetin, një rrugëdalje do të ishte që pala tjetër, dëgjuesi, të reagonte me një idiomë: vari leshtë. Me supozimin se tjetri e kupton që kështu sinjalizohet gatishmëria për të vazhduar me një temë tjetër.
Kjo vari leshtë, njëlloj si simotrat e saj funksionale vari teneqen, vari qepën, varja duhet të jenë lehtësisht të kuptueshme nga të dy palët.
Në një bisedë tjetër, kur dikush rrëfen për një kushëri të vetin, që bleu shtëpi në bazë të një premtimi që i kishin dhënë në punë, se do t’i ngrinin rrogën, por që pastaj nuk u realizuar, atëherë tjetri mund të përgjigjet: peshku në det, tigani në zjarr. Kjo shprehje frazeologjike e klasifikon atë që i ka ndodhur kushëririt në një lloj situate të rëndomtë dhe, si të tillë, që nuk ia vlen të rrëfehet më tej, sepse të gjithë “e dimë” si nguten disa. Thënia jo vetëm vjen me një mësim moral implicit (“nuk duhet vënë tigani në zjarr, sa kohë që nuk e ke zënë peshkun akoma”), por edhe me ftesën për ta mbyllur atë muhabet.
Kujtoj se këtë rol “mbyllës” kanë proverbat edhe në Kanunin e Lek Dukagjinit, të mbledhur dhe të komentuar nga Shtjefën Gjeçovi – ku shërbejnë si orientime vendimtare, për të zgjidhur një çështje të koklavitur. Për shembull, te neni 150, thuhet: “Lajmtari nuk ban faj, nuk xehet”, dhe pastaj në shpjegimin e Gjeçovit “Lajmtarit nuk i xehet për faj fjal e folun, sepse flet n’emen t’atij qi e dergon.” Që këtej, nxirret rregulli se “me u pre lajmtari i njij katundi, pretari bjen në gjak me katund” (1209). Arsyetimi i Gjeçovit bazohet, natyrisht, në thënien hyrëse – ““Lajmtari nuk ban faj, nuk xehet”, që njëherazi shërben si përmbyllëse e argumentit (khs anglishten “Don’t shoot the messenger”).
Roli që luan thënia (proverbi) në situata të tilla, është të kursejë punën mendore që përndryshe do t’i shoqërohej një situate kritike. Kjo është edhe arsyeja pse biseda mund të ndalet, meqë nuk mbetet më gjë për t’u thënë; dhe proverbi a thënia lidhin një nyje në fund të një segmenti të ligjërimit.
*
A.J. Greimas-i, një nga figurat më të spikatura të semiotikës strukturore shekullin e shkuar, i shihte proverbat si “mikro-narrativa”, në thelb, si rrëfenja të kondensuara. Vetëm kështu proverbat funksionojnë si një “fjalor kulturor” – njësi të gatshme të gjuhës, që një folës i thërret në ndihmë, për t’i dhënë opinionit të vet personal peshën e autoritetit kolektiv.
Para një proverbi, edhe më banalit, ia vlen ndonjëherë të rindërtosh, në mënyrë eksperimentale, rrëfenjën që ajo ka kondensuar. Për shembull, ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron mund të shërbejë si pikënisje për të krijuar një rrëfenjë, për një ujk që tashmë është identifikuar si keqbërës, dhe prandaj nuk vepron dot më lirisht, sepse e njohin dhe e luftojnë; prandaj vendos të ndërrojë “qimen”, ose pamjen e jashtme, që të mund të veprojë lirisht; sepse ndërrimi i qimes ose i dukjes nuk shoqërohet detyrimisht me reformimin moral, ose ndërrimin e zakonit; në fakt, ndërrimi i qimes e ndihmon ujkun që ta vazhdojë zakonin e vjetër i pandëshkuar. E shpalosur kështu, proverba lexohet si fabul e Ezopit.
Proverbi tjetër, i zoti e nxjerr gomarin nga balta mund të zbërthehet në një rrëfenjë me një gomar që ka ngecur në baltë, dhe që nuk del dot vetë, por as të tjerët që përpiqen ta ndihmojnë nuk e nxjerrin dot; derisa shfaqet në skenë i zoti, i cili arrin ta nxjerrë, sepse ia njeh huqet. Përveçse moralizuese, kjo histori do të tingëllonte e mërzitshme, por e shpëton shansi që i është dhënë për t’u kondensuar dhe për të funksionuar në mënyrë alegorike, për të ilustruar situata ku dikush gjendet në vështirësi ose përballet me një situatë krize. Edhe më drejtvizore është rrëfenja pas proverbit nuk vjen pranvera me një dallëndyshe, e cila kundërshton një klishe të urtësisë popullore, sipas së cilës dallëndyshet lajmërojnë ardhjen e pranverës. Mund të imagjinojmë dikë që sheh një dallëndyshe dhe thotë “erdhi më në fund pranvera” dhe një tjetër që të përgjigjet se “një dallëndyshe nuk mjafton, duhet të vijnë disa”. Kripa e kësaj historie gjendet te kuptimi i saj metaforik – ku pranvera dhe dallëndyshet nuk janë veçse figura që përfaqësojnë koncepte abstrakte, me kuptim variabël.
(c) 2025-2026 Ardian Vehbiu. Këto shënime janë nxjerrë dhe përmbledhur nga parathëniet e gjerdanit PERVERBA, botuar në substack-un MENDITIME. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.