Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Teatër

TEATËR QË NUK LËVIZ

nga Erion Kame

Organizimi i teatrit në Shqipëri është i njëjtë si i para viteve 1990. Mungesa e fondeve, mungesa e infrastrukturës, ligji problematik dhe i përgjithshëm, dhe mbi të gjitha mungesa e vullnetit politik e kanë çuar teatrin në zgrip.

Shqipëria sot ka problematika të shumta dhe shumica e tyre janë të thella dhe nganjëherë të pazgjidhshme, ndaj të vësh në fokus teatrin duket sikur jeton jashtë kohës. E në fakt, teatri është pjesë e këtij realiteti me peshën e vet specifike dhe është e mira të flitet për të, si një medium mijëravjeçar që ka udhëtuar së bashku me njerëzimin. E pra, teatri i duhet këtij vendi ashtu siç i duhet buka, uji, qumështi, nafta. Sepse, ndryshe nga perceptimi popullor, teatri nuk është luks.

Organizimi i teatrit në Shqipëri nuk ka ndryshuar në mënyrë substanciale që prej para vitit 1990. Ndryshimet kanë qenë sipërfaqësore; struktura ka mbetur e njëjtë: një sistem i mbështetur tërësisht te shteti, me hapësirë minimale për iniciativa të pavarura.

Por çfarë e bën teatrin të lëngojë në ditët e sotme? Çfarë e bën që të funksionojë mbi bazat një sistemi që ka 36 vjet që është rrëzuar, d.m.th. të mos funksionojë? Ka shumë faktorë dhe aktorë, por unë do të rendis ata më të mprehtit.

  1. Financimi

Troç, mungesa e parave. Dhe për të gjithë ata që thonë “ja, filloi ky”, u them, “teatri nuk është i shtrenjtë”. Nuk është i shtrenjtë, por nuk bëhet pa para. Dhe fondet që jepen për të realizuar shfaqje teatri janë, e thënë me elegancë, qesharake. Projektet që ofron ministria dhe bashkitë, janë minimale dhe nuk mjaftojnë për të mbuluar as një nga zërat e shumtë që ka teatri.

Para 4 viteve, hera e fundit që konkurrova në ministrinë e Kulturës, për një dramë që e kisha shkruar vetë, me 3 personazhe, m’u ofruan vetëm 350,000 lekë. Ata që merren me teatër e kuptojnë sa komike është kjo shifër. Në pamundësi për ta vënë këtë pjesë në skenë, e realizova si një “lexim” në skenë. Vetëm një natë dhe kaq. Për ministrinë, projekti u realizua, po ashtu edhe plani. Sepse ministria apo bashkitë i shohin projektet si numër, jo si ide. Sigurisht që unë nuk çova më kurrë projekt propozim në ministrinë e Kulturës.

Fondet kryesore shkojnë në strukturat shtetërore të teatrit. D.m.th., ato pak teatro, dy kombëtarë dhe të pak bashkive të qyteteve. Por edhe aty, këto fonde janë të ulëta.

Ja dhe një tjetër histori, më groteske se e para. Një nga teatrot publikë në Tiranë kishte hapur thirrjen për projekte të vitit. Plotësova dosjen dhe e çova sipas të gjitha kërkesave të teatrit. Dy ditë më vonë, rastisi që takova drejtorin e këtij institucioni, të cilin preferoj të mos e përmend, pasi nuk mund ta fajësoj për atë që ndodhi. E njoftoj që kisha sjellë projektin dhe ai ishte në dijeni, por më thotë “po ta them troç, nuk e fiton dot”. Habia ime ishte e dukshme. E pyes “përse?”. Ai më thotë, “nuk kam fonde. Jam i detyruar të bëj projekte me bashkëfinancim”. E pyes, “përse i hapni thirrjet atëherë?”. Përgjigja ishte epike, “e kam detyrim nga ministria hapjen e thirrjeve”. E kuptova që projektet ishin të paracaktuara dhe miratuara që më parë. Thirrjet janë hapur për të treguar se sa demokratikë dhe të hapur janë institucionet. D.m.th., me ato pak para, arrijnë të vënë në skenë disa pjesë, nuk ka rëndësi çfarë pjesësh, rëndësi ka numri.

Fondet ekzistuese nuk janë projektuar për të krijuar një ekosistem teatror, por për të mbajtur në funksion institucionet ekzistuese. Ato nuk ndjekin idenë, por strukturën. Nuk stimulojnë konkurrencën, por stabilitetin

Në këtë kuptim, financimi është i mjaftueshëm vetëm në sasi; por është i kufizuar në funksion.

Shqipëria është ndër vendet me shpenzimet më të ulëta për kulturën në Europë. Me rreth 0.4% të PBB-së, ajo qëndron ndjeshëm poshtë vendeve të rajonit. Por problemi nuk është vetëm sa shpenzohet. Është si shpenzohet: pjesa më e madhe e buxhetit shkon për të mbajtur në këmbë institucionet ekzistuese, ndërsa krijimi i pavarur mbetet në periferi. Buxhete më të mëdha kanë të gjitha vendet e rajonit. Por çudi bën Malta që ka buxhete shumë herë më të larta se Shqipëria për kulturën, ndonëse me popullsi shumë më të ulët.

Teatri, kështu, nuk zhvillohet. Ai administrohet.

  • Sallat dhe Infrastruktura

Teatri ka nevojë për hapësirë. Dhe, fatkeqësisht këto hapësira mungojnë. Një mungesë e theksuar e sallave të teatrit bën që projekte të tëra të vdesin vetëm me dy apo tre shfaqje. Dhe flas për shfaqje shumë të mira.

Numri i sallave është i kufizuar, dhe ato që ekzistojnë janë shpesh të zëna me repertorin e institucionit përkatës. Në këtë situatë, prodhimi teatral nuk është çështje ideje apo dëshire, por luftë për një hapësirë.

Në 36 vite janë 0 (zero) salla të ndërtuara. Nuk po flas për konstruksione sallash të teatrit. E disa prej tyre kanë përfunduar si salla kinemaje, pa asnjë element akustik apo të logjistikës së nevojshme për teatër. Nuk po flas as për iniciativa private për të përshtatur ato pak hapësira brenda godinave ekzistuese, për të bërë salla të vogla. Ndonëse janë për t’u përshëndetur. Po flas për ndërtesa të mirëfillta teatrore. Salla dhe skenë me parametrat e duhur për të luajtur teatër. Në 36 vite tranzicion, Shqipëria nuk ka prodhuar asnjë arkitekturë të re teatrale. Ka rikonstruktuar, ka përshtatur, ka shembur – por nuk ka ndërtuar.

E kulmi është salla e Teatrit Kombëtar, e cila u prish në vitin 2020, e sot pas gjashtë vitesh, nuk është ndërtuar ende. Unë kam dyshimet e mia që salla e re e Teatrit Kombëtar do të jetë në standardet e duhura. E dyshimet i kam të bazuara mbi fjalën e dhënë para se të prishej. Atëherë u tha që teatri do të ndërtohej brenda dy viteve dhe do ishte i standardeve më të larta. Teatri nuk u ndërtua për dy vite, e as për gjashtë, atëherë përse duhet të besoj që do të jetë me standarde të larta?

Një problem tjetër i lidhur me infrastrukturën teatrore është edhe “qendërzimi”. Nuk vjen publiku në teatër, duhet të shkojë teatri te publiku. Në Tiranë ka vetëm dy godina dhe tre salla teatri, ndërkohë që qyteti është rreth 800,000-1,000,000 banorë. Pra, teatri arrin të prekë, në rastin më të mirë, një pjesë të kufizuar të publikut – disa mijëra spektatorë në vit, shpesh të njëjtët njerëz që rikthehen. Kjo nuk është shenjë e mungesës së interesit, por e mungesës së një sistemi që arrin të zgjerojë audiencën. Teatri në Tiranë nuk është masiv. Është rreth i ngushtë. Është i qendërzuar. Teatri ka nevojë të çqendërzohet. Të hapen salla në çdo lagje, në çdo qendër të banuar. Nuk është luks. Teatri duhet të jetë pjesë e jetës së njerëzve. Ashtu siç çdo lagje ka shkollë, kopësht apo ambulancë. Le që ç’flas edhe unë! Lagjja ime nuk ka as kopësht, as shkollë e as ambulancë. Jetoj pranë kopshtit zoologjik.

Mungesa e sallave dhe infrastrukturës teatrore sjell më pak shfaqje të prodhuara. Më pak shfaqje të prodhuara do të thotë më pak publik. Dhe më pak publik është një pretekst i mirë për të mos investuar. Është krijuar një rreth vicioz nga i cili dilet vetëm me vullnet.

  • Ligji “Për Artin dhe Kulturën”

Një ligj i miratuar në vitin 2010 e fut teatrin me të gjithë artet e tjerë, përjashto filmin dhe librin. Që do të thotë, një projekt teatror kushton po aq sa një ekspozitë pikture, ose sa një koncert i një kuarteti harqesh. (nuk dua të keqkuptohem nga kolegët piktorë dhe muzikantë). Nuk mund të jetë kështu.

Ky ligj është i përgjithshëm dhe thjesht rregullon marrëdhënien teatrore publike, ashtu siç ka qenë gjer para viteve 90, me shumë pak modifikime.

Por edhe ky ligj nuk zbatohet. Në këtë ligj parashikohej ngritja e një strukture të pavarur, Qendra e Artit, e cila do shqyrtonte dhe miratonte të gjitha projektet kulturore. Në vitin 2014 kjo strukturë u shkri dhe u ngrit një “kolegjium” brenda ministrisë që përzgjidhte projektet. Mbase bordi nuk ishte ndonjë ide e mirë, por ngritja e një kolegjiumi brenda ministrisë e burokratizon në qelizë këtë proces. Në një sistem të tillë, arti nuk përzgjidhet – miratohet.

Ky ligj e ka vrarë zhvillimin e këtij mediumi. Sipas këtij ligji, vetëm shteti mund të krijojë teatër dhe të gjithë aktorët e tjerë të orbitojnë rreth tij krejt të parëndësishëm.

Pra, e thënë shkurt, po të marrësh një rrogë në shtet, pra, të jesh punonjës i brendshëm i një trupe teatrore shtetërore, kësulën mbi sy, dhe hajt. Rroga është e garantuar, rolet po ashtu, (e nganjëherë edhe mund t’i refuzosh), karriera ecën para. (nuk jam kundër kësaj). Por po të duash të jesh i pavarur, d.m.th. ta komercializosh profesionin tënd, është e pamundur. Sepse ligji nuk të favorizon, të pengon. Sepse është një ligj i modifikuar nga një periudhë krejt tjetër. Një ligj që nuk u thërret kërkesave dhe nevojave të kohës ku jetojmë. Sepse, mbi të gjitha, ky ligj, nuk nxit konkurrencë. Jetojmë në kapitalizëm, apo jo? Kemi 36 vjet që e pretendojmë këtë gjë. Nga Akademia e Arteve çdo vit dalin me dhjetëra aktorë, regjisorë, skenografë dhe koreografë. Vetëm ata që mund të gjejnë një punë në shtet punojnë (dhe e dimë shumë mirë si gjendet një punë në shtet në Shqipëri). Pjesa tjetër, pjesa më e madhe, nuk punon, ndonëse tregu ka shumë nevojë për ta. Fatkeqësisht, janë të shumtë ata që mbarojnë akademinë dhe e kalojnë në heshtje këtë dramë të jetës, edhe kur janë të talentuar. Në shumicën e rasteve ata largohen nga vendi. Janë me dhjetëra. Këtu nuk po bëj një thirrje për të aziluar dhe rehabilituar ca të papunë… jo. Është një thirrje për të krijuar një mjedis të barabartë për të gjithë dhe për të nisur një konkurrencë të ndershme, në funksion të nevojës ulëritëse që ka vendi për teatër. Këtë e bën një ligj i shëndetshëm dhe i mirëmenduar.

Nuk e di kush e ka hartuar, por di që ligji: nuk është produkt i një grupi të pavarur artistësh, nuk është hartuar nga komuniteti teatror, nuk është produkt i një bordi ekspertësh, por është produkt i administratës shtetërore (ministrisë).

Për sa kohë nuk do të ekzistojnë trupat private teatrore, atëherë vetë teatri do të mbetet i cunguar si sistem. Trupat private sjellin atë që mungon sot: konkurrencë reale, rrezik artistik dhe mbi të gjitha një marrëdhënie më të drejtpërdrejtë me publikun. Ato nuk e zëvendësojnë dhe as e luftojnë teatrin publik, por e plotësojnë dhe ushqejnë atë, duke krijuar një terren ku arti vetëm rritet. Pa këtë bazë të pavarur, teatri është i destinuar të vuajë dhe vazhdojë këtë “ne vendnumëro”.

Mund të them që ne mund të huazojmë dhe të përshtatim ligje nga vendet që kemi afër. Vende që kanë ligje shumë të mira për teatrin. Kroacia, Sllovenia, por edhe Serbia do të ishin referenca shumë të mira.

  • Mungesa e Vullnetit Politik dhe Apatia Jonë

Të gjitha sa u thanë më sipër dhe të tjera problematika janë artikuluar rreth një vit më parë në sallën e madhe të teatrit Arturbina, në një takim me regjisorë, aktorë etj me funksionarë të lartë të Ministrisë së Kulturës. U mbajtën shënime, biseda u regjistrua fund e krye, madje kishte edhe media. Por, si është ajo batuta? “problemet dolën”. A u bë gjë? A u pa ndonjë ndryshim? Gjer tani, jo.

Për 36 vite, teatri nuk ka qenë në vëmendjen e politikës. Kjo nuk lidhet me një qeveri të caktuar, as me një krah të vetëm. Është një vijimësi. Një indiferencë e qëndrueshme.

Arsyeja nuk është domosdoshmërisht mungesa e vullnetit në kuptimin moral të fjalës. Është mënyra si funksionon vetë politika në këtë vend. Ajo ndjek atë që matet shpejt, që shihet menjëherë dhe që përkthehet në kapital publik. Teatri nuk i ofron këto. Një rrugë inaugurohet, një godinë fotografohet, një investim numërohet. Një shfaqje teatri ndodh në një mbrëmje dhe mbaron aty. Nuk lë pas një objekt për t’u treguar, por një përvojë që nuk matet.

Në këtë kuptim, teatri është gjithmonë në disavantazh. Politika investon aty ku ka vota.

Ka edhe një arsye tjetër, më e heshtur. Teatri, në natyrën e vet, nuk është komod. Ai nuk është gjithmonë i bindur, as i parashikueshëm. Nuk është një hapësirë që kontrollohet lehtë. Në një realitet ku shumë forma të kulturës përdoren si dekor publik, teatri mbetet një nga të paktat që ruan një lloj autonomie. Dhe autonomia nuk është gjithmonë e dëshiruar.

Por do të ishte e padrejtë të ndalej analiza vetëm te politika. Sepse politika reagon ndaj presionit. Dhe ky presion ka munguar. Komuniteti teatror ka qenë shpesh i fragmentuar, i shpërndarë, i përkohshëm në reagime. Ka pasur momente zëri, por jo një kërkesë të vazhdueshme dhe të artikuluar. Komuniteti ka qenë i përçarë për një godinë, por kurrë nuk ka folur për vetë teatrin.

Është e lehtë të drejtohet gishti nga politika. Dhe, në një masë të madhe, me të drejtë. Sepse pa vullnet politik, asnjë nga problemet e mësipërme nuk mund të zgjidhet. Por kjo nuk është e gjithë e vërteta. Sepse teatri nuk është vetëm institucion. Është edhe komunitet.

Dhe ky komunitet, shpesh, ka zgjedhur të përshtatet më shumë sesa të kërkojë ndryshim. Ka pranuar kushtet si të dhëna, ka reduktuar ambicien në funksion të mundësisë, ka heshtur aty ku duhej të artikulonte. Dhe këtu nuk e përjashtoj veten time

Një sistem nuk bie, sepse nuk sfidohet.

  • Përfundim

Shqipëria ka regjisorë, aktorë, dramaturgë, skenografë, kostumografë dhe krijues të shkëlqyer. Ka talente të rinj e në karrierë që mund të japin shumë më tepër në këtë medium fantastik që quhet teatër. Por, për sa kohë mungesa e fondeve, e hapësirave, e ligjit dhe e vullnetit politik pranohet si një gjendje “normale”, teatri do të vazhdojë të ekzistojë në këtë formë të ndërmjetme: as plotësisht i gjallë, as plotësisht i vdekur.

Një teatër që nuk lëviz.

(c) 2026 Erion Kame. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin