Festivali i parë i filmit shqiptar në Berlin
Nga 5 deri më 9 mars u mbajt për herë të parë në Berlin festivali i filmit shqiptar, në një qytet që numëron rreth 40 festivale të tilla çdo vit[1][2]. Me rreth 200 kinema aktive gjatë gjithë vitit, Berlini e jeton filmin përtej festivaleve të mëdha. Kinematë këtu nuk janë më thjesht hapësira shfaqjeje, por gjithnjë e më shumë po marrin formën e qendrave kulturore, ku arti dhe komuniteti ndërthuren natyrshëm.
Deri tani kishte munguar një festival i dedikuar filmit shqiptar. Kjo mungesë u bë shtysa për një grup njerëzish që, në thelb, i bashkon libri. Prej më shumë se dy vitesh, ata mblidhen çdo muaj, zgjedhin një libër, e lexojnë dhe më pas e diskutojnë së bashku. Nga kjo frymë diskutimi dhe organizimi i eventeve qe lidhen me librin[3] lindi edhe ideja për festivalin.
Çfarë ndodhi gjatë festivalit
Festivali nisi pa asnjë fjali hapëse, pa përshëndetje formale, pa hyrje të zakonshme. Nisi thjesht me disa melodi të traditës shqiptare në çifteli nga Hava Bekteshi dhe të shoqëruar me ngjyrime moderne me kitarë nga Ilir Mulaj[4]. Tingujt mbushën hapësirën me emocione dhe nostalgji, dhe kur muzika pushoi, ata lanë çiftelinë dhe kitarën mënjanë, për t’u ulur si gjithë të tjerët dhe për të shijuar filmin hapës.
Sallat u mbushën. Dhjetë shfaqje, pothuajse të gjitha të shitura. Dhjetë filma me metrazh të gjatë dhe gjashtë të shkurtër: histori, kujtime, plagë dhe shpresa të shoqërive tona. Kishte vend për të qeshur, për të heshtur, për të qarë, për të reflektuar. Publiku nuk ishte thjesht spektator; ai u bë pjesë e bisedës, sidomos në takimet me regjisoret Odeta Çunaj dhe Kristinë Nrecaj dhe të moderuar nga Silva Palushi.
Para se të ndizeshin ekranet për filmat e tyre, fjala mori një tjetër formë. Poetja Jehona Jahaj solli një performancë të ngarkuar emocionalisht, një ndërthurje zëri dhe ndjenje që e mbushi hapësirën përtej imazhit. Dhe ndërkohë, në një cep të kinemasë, ngjyrat flisnin në mënyrën e tyre: ekspozita “Visual Echoes”[5] e shndërroi ambientin në një galeri të vogël, ku tre piktorë shqiptarë që jetojnë në Berlin sollën një tjetër dimension të rrëfimit.

Nuk kishte si të mungonte në këtë festival dhe “Libri” kur organizatorët e tij I ka bërë bashkë dashuria për leximin. Gjatë festivalit, në ambientet e kinemasë, adhuruesit e filmit mund të gjenin një kënd me libra nga autorë shqiptarë, në gjuhën shqipe dhe gjermane.
Në ditën e tretë të festivalit, ritmi ndryshoi por pa u ndërprerë. Në të njëjtën frymë që e kishte nisur gjithçka, pra pa shumë formalitete por me përmbajtje, u mbajt një takim i veçantë me shkrimtarë shqiptarë që jetojnë në Berlin, nën titullin “Stories in Between: Albanian Writers in Dialogue”[6]. Moderatorja, Fatime Tola, nuk qëndroi gjatë në qendër të vëmendjes; disa pyetje të para, të mprehta e të hapura, mjaftuan që fjala të marrë drejtimin e saj. Biseda u kthye shpejt në një hapësirë të përbashkët: mes shkrimtarëve, por edhe mes tyre dhe publikut. U fol për nevojën për të shkruar, për përvojën e të jetuarit mes gjuhësh dhe kulturash, për ndjenjat që lindin në atë “mes” që shpesh është më shumë gjendje sesa vend.
Ishte një mbrëmje që, ndonëse pjesë e programit të festivalit të filmit, dukej sikur kishte marrë një rrjedhë të vetën. Ishte një festival i vogël brenda një festivali më të madh. Dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e këtyre ngjarjeve paralele: ato nuk janë thjesht shtesa, por ura. Ura mes artesh, mes formash shprehjeje, mes njerëzish që ndoshta vijnë për filmin, por gjejnë veten edhe te fjala.

Përtej festivalit: Një hapësirë për kulturën shqiptare në Berlin
“Po si organizohet një festival?” më pyeti dikush në minutat e fundit, ndërsa mblidhnim librat dhe pikturat. Përgjigjja e Albana-s ishte e thjeshtë: “Me dashuri”. Një përgjigje që përmbledh gjithë lodhjen, përkushtimin dhe punën që nuk shihet, por që ishte thelbi I këtij festivali.
Nga përzgjedhja e filmave, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe diaspora, deri te detajet më të vogla teknike dhe ligjore, gjithçka u ndërtua nga një grup njerëzish që nuk e dinin plotësisht se çfarë i priste. Dy muajt e fundit ishin një vrap i gjatë dhe i paqartë, por me këmbëngulje dhe besim, këta amatorë ia dolën.
Ky festival nuk lindi nga njerëz që janë ekspertë të këtyre eventeve apo filmit. Lindi nga dashuria për librin, kulturën dhe artin e mirë dhe me vlerë. Në përfundim të tij ata urojnë të krijojmë një traditë të përvitshme ku të sjellim në Berlin më të mirën e artit, letërsisë dhe kulturës shqiptare në kryeqytetin gjerman.

Për festivalin u fol shumë si në Berlin, në Tiranë, por dhe në Prishtinë. Zëri i tij u përhap si një jehonë e nevojshme, duke treguar se sa shumë mungonte një hapësirë e tillë: jo vetëm për komunitetin shqiptar, por edhe për vetë Berlinin, një qytet që di t’i hapë dyert dhe t’i përqafojë nismat që sjellin jetë.
Falënderime të veçanta shkojnë për regjisorët, producentët, aktorët, shkrimtarët, artistët si dhe për komunitetin shqiptar në Gjermani, që mbështeti festivalin pa kushte.
Ah, dhe për pyetjen e vjetër: “libri apo filmi?“ përgjigjja gjatë atyre ditëve ishte e qartë: të dyja ecin më mirë bashkë.
(c) 2026 Elson Zguri. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Referencat
[1]https://www.berlin.de/en/events/film-festivals/10217137-7812887-albanian-film-festival.en.html
[2]https://www.almanart.al/festivali-i-filmit-shqiptar-ne-berlin-zbuloni-filmat-qe-do-te-shfaqen/
[3]https://peizazhe.com/2025/08/02/trashegimia-e-autorit/
[4]https://www.instagram.com/p/DVMJKWeiNes/
[5]https://www.instagram.com/p/DVJJg9VCMmb/?igsh=ZHQwMHkxbnFkcXIz
[6]https://www.instagram.com/p/DVEaPaLiIh5/?igsh=OXZ5MnVxMjBwcjI2
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.