Verën e vitit 1977, si pjesë e një afrimi diplomatik me Greqinë, pat ardhur në Tiranë për një koncert këngëtarja e mirënjohur, Marinela – në një kontekst kulturor të rënduar, që shprehej edhe si refuzim e përçmim publik i artit pop nga Perëndimi, përfshi ritmet, temat e lehta (dhe innuendo-t seksuale), vallëzimin në skenë, orkestrimin. Vetëm pak vjet më parë bota e kulturës dhe e artit ishte goditur rëndë, nga një fushatë e egër kundër liberalizmit dhe ndikimeve të huaja, dhe një numër artistësh – përfshi regjisorë, këngëtarë, aktorë – kishin përfunduar burgjeve dhe internimeve. Në ato kohë ne ëndërronim për pak pop perëndimor në skenë, por njëherazi e dinim që kjo lloj muzike rreptësisht nuk mund të luhej në publik. Në fakt, Marinela ishte këngëtarja e parë Perëndimore që vinte të këndonte në Shqipëri, pas kaq e kaq vjetësh mbylljeje dhe ksenofobie.
Për atë event ka shkruar Uvil Zajmi te “Panorama”; një dokumentar në greqisht mund të ndiqet këtu. Në koncert unë nuk vajta dot – ishte gjithsesi gati e pamundur të gjeje biletë dhe ka mundësi edhe që, në datat 19 dhe 20 gusht 1977, të mos kem qenë fare në Tiranë; gjithsesi, siç e shënon edhe Zajmi në kronikën e vet, biletat ishin shpërndarë me listë, mes njerëzve “të besuar” dhe me porosinë e çuditshme që të mos teprohej me entuziazëm dhe me duartrokitje (sipas Osman Mulës, të intervistuar nga “Panorama” në vijim të shkrimit të lartcituar të Uvil Zajmit, të pranishmit në koncertin e parë të Marinelës në Tiranë “Ishin planifikuar ata më të urtë, të përzgjedhur, porositur dhe që bashkëngjitur me ftesën e marrjes së një bilete kishte shënimin që të përmbahen, jo ovacione e duartrokitje të gjata entuziaste”.
Sidoqë dihej që një këngëtar grek nuk mund të vinte e të jepte shfaqje në Tiranë pa miratimin e drejtpërdrejtë të Enver Hoxhës, sërish njerëzit e vunë re se asnjë partiak nuk ishte i pranishëm në sallën e Teatrit të Operës dhe të Baletit, te Pallati i Kulturës; e njëjta ku mblidheshin edhe Kongreset e PPSH-së dhe gjithnjë të hijeshuar me parulla të mëdha politike dhe ideologjike.
Edhe më i madh do të ketë qenë emocioni në Jug të Shqipërisë, ku këngëtarët si Marinela njiheshin mbase po aq mirë sa ç’njiheshin në Tiranë këngëtarët italianë dhe ata jugosllavë – pa folur për dhuratën që pushteti po ia bënte minoritetit grek, duke i çuar një këngëtar nga Greqia si gjest simpatie dhe mirëbesimi. Përkundrazi, në Tiranë Marinela nuk njihej, por publiku – sado i përzgjedhur politikisht – ishte në gjendje të vlerësonte shfaqjen artistikisht dhe të shijonte nivelin e lartë të interpretimit.
Por ky ishte një publik i përpunuar ideologjikisht, në mos i kushtëzuar kundër muzikës “së huaj” dhe i terrorizuar nga çfarë kish ndodhur me shumë këngëtarë, muzikantë dhe njerëz të spektaklit pas Festivalit të 11-të (të mbajtur pak vjet më parë, tek e njëjta sallë), që i kishin paguar shtrenjtë përpjekjet e tyre, reale a të imagjinuara nga akuzuesit e tyre, për ta hapur kulturën në Shqipëri ndaj të njëjtit lloj arti pop dhe spektakli skenik, si ai që po prezantonte tani Marinela në mes të Tiranës. Në sallë do të ketë pasur kompozitorë që ua ndalonin dhe refuzonin këngët për ato pak elemente jo kosher, që tani i sillte këngëtarja greke me bollëk, nga ritmi tek orkestrimi dhe lëvizja në skenë; siç do të ketë pasur këngëtarë që i ruheshin e i druheshin çdo pjesëmarrjeje të trupit në interpretimin live. Koncerti i Marinelës, si i materializuar nga ndonjë program televiziv i ndaluar, ishte njëherazi mrekulli dhe tundim.
Sa përmenda më lart, do të ndihmojë për të kuptuar më mirë dy incidente që e shoqëruan koncertin në Tiranë dhe pastaj turneun e Marinelës në Shqipëri. I pari prej këtyre ndodhi kur një pjesë e vogël e publikut, me gjasë e fyer nga fizikaliteti i interpretimit të këngëtares ose, për ta thënë me gjuhën e mizogjinëve të kohës, nga “spërdredhjet” e saj, ishin ngritur dhe ishin larguar demonstrativisht nga salla, në shenjë distancimi. Sipas Uvil Zajmit në artikullin e cituar, kjo protestë në dukje spontane i shqetësoi disa nga “shokët drejtues” që ishin përfshirë në organizimin e këtij eventi; prandaj të nesërmen që në mëngjes, Nesti Nase (atë kohë ministër i Jashtëm) dhe Javer Malo (nëse nuk gaboj, atë kohë Kryetar i Komitetit për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme) shkuan në Durrës, në vilën ku i kalonte pushimet Enver Hoxha për t’i raportuar çfarë kishte ngjarë dhe për t’i sqaruar se bëhej fjalë për “disa punonjës të Sigurimit të Shtetit”. Zajmi tregon se Hoxha nuk i dha rëndësi bojkotimit.
Koncerti i Marinelës në Tiranë nuk u transmetua nga RTSH-ja, por kamerat e televizionit ishin të pranishme në sallë dhe e regjistruan; me gjasë, një version live do t’ia kenë përcjellë edhe Enver Hoxhës në Durrës, sepse ai shkruan në ditarin e vet, më datën 16 gusht 1977 (ditari për atë vit mund të shfletohet këtu), se e ka parë koncertin “të transmetuar nga televizioni ynë”; dhe shton se “na pëlqeu të gjithëve, edhe mua, Nexhmijes dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes sonë.” Në këtë faqe ditari, ai e lëvdon edhe muzikën që u soll në skenë, edhe interpretimin e Marinelës. “Dukej që ishte artiste e madhe,” thotë ai.
Incidenti i dytë i lidhur me koncertin, siç e ceka më lart, shfaqet në një shënim të datës 21 gusht 1977 në të njëjtin ditar, ku Hoxha shkruan se një grup kritikësh të artit e të letërsisë i paskan shkruar Ramiz Alisë, për t’u ankuar se në koncert “nuk kishte sa duhej dhe si duhej këngë popullore, nuk ekzistonte folklori i popullit grek”, duke ia lënë përgjegjësinë për këtë institucioneve në Shqipëri që e kishin pranuar programin e shfaqjes.
Nga shënimet e Hoxhës, del se në letrën e atij grupi kritikësh të artit e të letërsisë qenka shprehur një pakënaqësi edhe pse, njëri prej interpretuesve, kish dalë në skenë “me mjekër”. Mjekra ishte subjekt sensitiv në Shqipëri – megjithë mjekrat e mëdha të klasikëve të marksizëm-leninizmit; nuk është vendi këtu për t’u ndalur te qethja dhe rruarja e vizitorëve – përfshi këtu edhe shumë marksistë-leninistë bashkëkohorë – në aeroportin e Rinasit. Por personazhi i interpretuar prej këngëtarit me mjekër “nuk ishte hipi”, shkruan Enveri; por marinar që bredh Egjeun dhe Mesgjeun dhe, kur i mbytet varka, “nuk ka kohë të pispilloset, të rruajë dhe të livandosë mjekrën.” Më tutje, Enveri nuk pranon që “Djemtë e Pireut” të jetë interpretuar në stilin “bugi-bugi” (!). Dhe vazhdon: “Të them të drejtën, nuk më erdhi mirë kur më thanë që, kur paska dhënë ky ansambël shfaqjen e parë, e cila ishte një shfaqje shumë e bukur, ku ishin të pranishëm plot kuadro, ndonjërit nuk i paska pëlqyer që Marinela dridhte supet me një muzikë xhazi, që imitonte kërcimet e popujve afrikanë… Edhe në shfaqjet e ansambleve tona popullore vajzat dredhin supet para publikut. Atëherë pse këta njerëz nuk kritikojnë valltaret tona për shfaqje të tilla, por gjestin e Marinelës, i cili, sikurse më thanë, nuk ishte ashtu siç është pretenduar. Ajo godiste me def mesin, këllqet e saj…”!
Në arkivat e institucioneve të atyre viteve gjen me siguri shumë letra nga poshtë, anonime dhe të nënshkruara, me autorët që ankohen për dukuri të ndryshme artistike që kanë ndeshur – skena në libra dhe në filma, veshje, sjellje, pamje aktorësh në skenë, ritme këngësh të muzikës së lehtë – të cilat nuk u janë dukur të autorizueshme nga norma ideologjike. Ka qenë politikë tipike për regjimin që ankesa të tilla i hiqte mënjanë dhe i ruante, për t’i përdorur nëse do të kish nevojë në të ardhmen. Për shembull, gjithnjë ka pasur ankesa dhe pakënaqësi për veshjet dhe sjelljet ekstravagante të “fëmijëve të Bllokut”, duke filluar nga djemtë e Mehmet Shehut; por këto u shndërruan në argumente për akuzën vetëm pasi kryeministri u shpall armik i popullit dhe poli-agjent.
Incidenti me Marinelën mund të lexohet – madje duhet të lexohet – edhe në kontekstin politik. Duke filluar me rindërtimin e atmosferës kulturore në Tiranën dhe në Shqipërinë e atyre viteve, ku folklori ish vënë në piedestalin e eksperiencës artistike, gati duke rrëzuar që andej dukuri më të rafinuara të kulturës pop qytetare; dhe ku refuzimi i kulturës së huaj bashkëkohore kish arritur përmasa groteske; aq sa në plazh qëllonte që të vinte polici te çadra, për të kërkuar që të mos dëgjoje RAI-n ose radion jugosllave. Përballë trysnisë që vinte nga Perëndimi, tashmë edhe nëpërmjet valëve të radios, të pakontrollueshme, regjimi kish zgjedhur mbylljen dhe izolimin; me shpresë se ashtu do të mbronte mendjet e njerëzve, sidomos të të rinjve, nga infektimi, shfaqjet e huaja dhe “lakrat”. Veçanërisht në muzikë, folklori po ofrohej si modeli më i besuar për krijimin e kultivuar – që, në çdo rast, duhej të ishte “i mbështetur në popull”; çfarë edhe vinte me dozë të fortë kombëtarizmi. Në skenat e Festivaleve të Këngës në RTSH alternoheshin ritmet e valleve popullore me ritmet marciale, në një dekor të rreptë vijash të drejta dhe ngjyrash të përmbajtura.
Viti 1977 ishte, megjithatë, edhe viti i thyerjes përfundimtare mes regjimit të Hoxhës dhe Kinës të pas-Maos, çka do ta linte Shqipërinë edhe më të izoluar se ç’kish qenë deri atëherë. Vetëm një muaj para se të vinte në Shqipëri ansambli “Marinela”, ish botuar nga Zëri i popullit artikulli redaksional “Teoria dhe praktika e revolucionit,” i cili – për herë të parë publikisht – i kundërvihej teorisë kineze të tre botëve, duke e shpallur krizën në marrëdhëniet ideologjike dhe politike mes PPSH dhe PKK, që do të derdhej shumë shpejt edhe në marrëdhëniet shtetërore mes të dy vendeve. Ky ishte konteksti kur Enveri vendosi të bënte një lëvizje të hapjes me Greqinë dhe, në këtë kontekst, të ftonte edhe një yll të muzikës pop greke, si Marinela, që të këndonte në Shqipëri. Kjo lëvizje ishte e krahasueshme – duke ruajtur përpjesëtimet – me të ashtuquajturën “diplomaci të ping-pongut” dhe vizitën e Presidentit të SHBA-ve Nixon-it në RP të Kinës pak vjet më parë dhe epokën e re të marrëdhënieve mes kolosit kinez dhe Perëndimit. Ndodhi të tilla janë gjithnjë paralajmëruese kthesash të mëdha në orientimet politike, ekonomike, kulturore – dhe për Shqipërinë këtë e konfirmoi edhe libri Dy popuj miq i Enver Hoxhës, që do të botohej pak vjet më vonë, që i kushtohej miqësisë shqiptaro-greke (në atë libër u përfshi edhe shënimi i lartcituar i gushtit 1977, kushtuar koncertit të Marinelës); ndërkohë pas Marinelës kishin vizituar Shqipërinë dhe kishin dhënë koncerte anembanë vendit, përfshi edhe jugun minoritar, të tjerë këngëtarë të mirënjohur të pop-it grek. Edhe Osman Mula, në intervistën e lartcituar, thotë se “Ato koncerte janë të lidhura me strategjinë e Enver Hoxhës, për të rregulluar marrëdhëniet me Greqinë. Po përgatiste terrenin, pasi një vit më vonë shkoi në Dropull, një vizitë e njohur ku ai i përshëndeti dhe greqisht dhe pak më vonë ai botoi librin Dy popuj miq. Pra, për të zbutur raportet me fqinjët, Enveri vendosi duke ftuar një artiste, dhe ju propozua Marinela. Ajo është e para këngëtare perëndimore që ka ardhur në kohën e diktaturës.”
Me gjasë, Hoxha do të jetë tërbuar me idiotësinë e atyre pak “parimorëve”, në sallën e koncertit të Marinelës, që po ia rrezikonin këtë strategji të mbijetesës, duke u hequr si puristë dhe të dashuruar pas folklorit.
Shumë nga bashkëpunëtorët e Hoxhës do ta kenë kuptuar, në atë kohë, se lëvizja me Marinelën ishte diçka madhore, duke shënjuar një kthesë përndryshe të nevojshme, në politikën e jashtme të vendit, pas ftohjes fatale me kinezët; jo sepse Greqia mund të zëvendësonte Kinën si vendi mbështetës i ekonomisë shqiptare, por sepse miqësia me fqinjin e Jugut jepte një farë shprese për hapje të Shqipërisë ndaj Perëndimit. Dhe kjo do të ndodhte në një kohë kur pushtetin, edhe në kulturë, e kish marrë një grup njerëzish që kishin dalë fitues nga përleshjet e përgjakshme të luftës kundër liberalizmit dhe shfaqjeve të huaja në letërsi dhe në arte; dhe që, në parim, përkrahnin folklorin, folklorizimin dhe kombëtarizmin fshatarak të jetës në Shqipëri. Këta njerëz logjikisht do të ndiheshin të kërcënuar, nga çfarë lajmëronte hapja ndaj Greqisë dhe ftesa që iu bë Marinelës për të kënduar në Shqipëri; dhe të tillë do të kenë qenë edhe ata që u ngritën dhe e braktisën sallën e koncertit, pasi u tronditën nga “seksualiteti” i këngëtares greke. Kështu do të shpjegohet edhe koordinimi me letrën për Ramiz Alinë, nga ai grup “kritikësh të artit dhe të letërsisë”, që përmend Hoxha në shënimin e tij në ditar, dhe që me gjasë kishin bërë karrierë pikërisht duke luftuar dhëmb më dhëmb, për të mbytur edhe shenjën më të vogël në skenat e teatrove e të koncerteve, të kodeve që tani shpaloste aq lirshëm Marinela. E vetmja shpresë e tyre ishte të ngrinin Enverin kundër Enverit dhe të mbronin privilegjet dhe pozitat duke u hequr si më katolikë se Papa.
Ajo që ndodhi me Marinelën ilustron edhe një dukuri tipike për vendet totalitare: kur politikat autoritare arrijnë “fundin”, vetëm ndërhyrja arbitrare nga lart mund ta nxjerrë sistemin nga paraliza. Ndërhyrja e Enverit pro Marinelës ishte edhe një poshtërim i drejtpërdrejtë i të gjithë atyre, në kupolën e pushtetit, që kujtonin se mund të kapitalizonin fjalët dhe politikat e djeshme të liderit totalitar, për të konsoliduar dhe riprodhuar pushtetin e tyre të sotëm.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.