Nga estetika e të folurit, tek kujtesa trupore
Sonila Kapidani
Zhvillimi i aftësive për kujtesë, përshtatje dhe abstraksion i mundësoi njeriut jo vetëm të fliste, por edhe ta fiksonte gjuhën në formë të shkruar dhe më vonë, edhe ta riprodhonte përmes printimit. Që prej këtij momenti, kultura moderne i ka dhënë një rëndësi të jashtëzakonshme shkrimit, ndërkohë që të folurit u trajtua si diçka e vetëkuptueshme, si diçka e mirëqenë.
Për shkrimin harxhohet kohë, mësohet, korrigjohet, redaktohet, delegohet, vlerësohet institucionalisht dhe vetëm pasi kalon një proces të mirë filtrimi, botohet. Zëri, përkundrazi, i lihet spontanitetit. Konsiderohet si një element që i përket temperamentit ose thuhet shpesh “natyrës së individit”. Në këtë mënyrë krijohet një hierarki e heshtur në të cilën fjala e shkruar mbart autoritet kulturor, ndërsa zëri reduktohet si mjet funksional komunikimi.
Kjo hierarki bëhet edhe më e dukshme me përfshirjen edhe të mjeteve digjitale dhe të AI-së në komunikimin e përditshëm profesional. Në shumë kontekste pune, komunikimi i shkruar është bërë gjithnjë e më efikas falë teknologjive që e prodhojnë dhe e përmirësojnë sa hap e mbyll sytë. Të folurit, përkundrazi, mbetet një akt trupor dhe tërësisht njerëzor, i cili nuk mund të delegohet e as nuk mund të automatizohet.
Kjo situatë mund të lexohet si pabarazi kulturore mes komunikimit të shkruar dhe atij të folur. E ndërsa shkrimi fiton status përmes ndërmjetësimit teknologjik, zëri dhe të folurit rifiton një rëndësi të re, jo si estetikë sipërfaqësore, por si përgjegjësi personale, kolektive dhe kulturore. Rëndësinë e betejës më të madhe për larmi dhe përsosmëri në komunikim.
Në këtë kontekst, ideja e përsosmërisë si rezultat i larmisë, ofron një kornizë të dobishme teorike për të menduar për zërin. Profesori i estetikës Leonardo Amoroso shkruan se përsosmëria është “njësia e larmisë”: sa më shumë larmi e organizuar sipas një kriteri harmonie, aq më shumë përsosmëri. (Amoroso, 2000) Kjo ide shërben si pikënisje për të kuptuar zërin jo si uniformitet, por si hapësirë diferencash të ndërgjegjshme. Ky diskutim hyn në dialog edhe me reflektime të mëhershme mbi zërin dhe shkrimin të botuara në “Peizazhe të fjalës”.
Shpesh njerëzit e trajtojnë zërin si atribut i talentit dhe sipas një ideje përjashtuese: “e ke, ose nuk e ke”. Ky perceptim e përjashton atë nga fusha e edukimit dhe e pozicionin jashtë çdo procesi të ndërgjegjshëm zhvillimi. Në përdorimin e përditshëm, mënyra e të folurit shihet si pasqyrim i karakterit, çka e forcon bindjen se ndërhyrja mbi përmirësimin e zërit do të ishte artificiale ose e panevojshme.
Megjithatë zëri nuk është një dhunti statike. Ai formësohet gradualisht përmes përdorimit, marrëdhënieve dhe konteksteve të ndryshme kulturore. Si çdo praktikë tjetër trupore, edhe të folurit mund të njihet, përmirësohet dhe kultivohet mes ndërgjegjësimit dhe të ushtruarit. Në këtë kuptim, mënyra se si individi e vë zërin në përdorim, nuk varet vetëm nga predispozita biologjike, por edhe nga faktorë kulturorë, socialë dhe praktikë.
Ritmi i jetës profesionale sot u kërkon profesionistëve të profileve të ndryshme të veprojnë me shpejtësi. Ndihma që u vjen prej mjeteve digjitale për komunikimin e shkruar e bën këtë proces më të shpejtë, por njëkohësisht zvogëlon hapësirën për ushtrimin e larmisë vokale.
Shkrimi është ende i delegueshëm dhe i ripunueshëm, ndërsa të folurit jo. Komunikimi i folur është një akt fizik i lidhur ngushtë me trupin dhe me kohën reale. Ai nuk mund të përmirësohet pa praninë e drejtpërdrejtë të individit. Kjo bëhet veçanërisht e dukshme në situatat kur ndërveprimi virtual zëvendëson ose paraprin takimin fizik: dallimi mes komunikimit të shkruar me atë të folur shfaqet jo vetëm në përmbajtje, por edhe në mënyrën se si ndërtohet besimi dhe perceptimi i tjetrit.
Ndërkohë, në dallim nga gjuha e shkruar apo e prodhuar me AI, komunikimi i folur përfshin jo vetëm kuptimin e fjalëve, por edhe dimensione të tjera të përvojës njerëzore: ritmin, theksin, ngjyrime emocionale dhe kujtesën trupore. Tek zërat e tyre depozitohen mënyrat e të folurit të mësuara në familje, në komunitet dhe në institucione arsimore; tingujt e dialekteve, intonacionet e këngëve (gjumi, pune, gëzimi e dhimbjeje), si dhe ritmet e thirrjeve dhe të heshtjeve. Në këtë kuptim, zëri i njeriut mund të shihet si një lloj arkivi i gjallë kulturor, në të cilin ndërthuret përvoja individuale dhe kolektive.
Teoricienë të estetikës dhe të gjuhës kanë vënë në dukje se gjuha e folur nuk është vetëm sistem shenjash, por edhe formë trupëzimi e përvojës. Toni i zërit shpesh funksionon si ndërmjetës i besueshmërisë: një ide mund të refuzohet jo për përmbajtjen e saj, por për mënyrën se si përcillet mes zërit. Në aktin e të folurit nuk transmetohet vetëm informacion, por edhe përkatësi, gjendje emocionale dhe histori.
Në kontekstin shqiptar, marrëdhënia mes dialektit dhe gjuhës letrare, e bën për ne edhe më të dukshme përmasën trupore të zërit. Kalimi nga një formë gjuhësore në tjetrën nuk është thjesht ndryshim fjalori ose strukture sintaksore; ai përfshin frymëmarrjen, ritmin, rezonatorët dhe qëndrimin trupor. Për shumë folës ky kalim shoqërohet me tension dhe ndjesi largimi nga vetja.
Gjuha letrare, e ndërtuar mbi parime të qartësisë dhe unifikimit, kërkon disiplinë dhe kontroll. Dialektet, përkundrazi, mbajnë një lidhje më të drejtpërdrejtë me trupin dhe përvojën e përditshme. Kur kalimi nga dialekti në të folurin letrar nuk realizohet në mënyrë organike, zëri rrezikon të humbasë lirinë e tij shprehëse dhe të reduktohet në korrektësi formale. Rrezikon të humbasë natyrshmëria, kompleksiteti dhe, rezonatorët që janë mësuar që të jenë aktivë në gjuhën e përditshme, të mos e kenë më volumin e plotë. Këto nuk janë thjesht çështje teknike, por shenja të marrëdhënieve të tensionuara mes trupit, emocioneve dhe shprehjes gjuhësore. Në një kulturë ku fjala e tepërt shpesh është ndëshkuar dhe heshtja është vlerësuar si virtyt, zëri ka shërbyer më shumë për mbijetesë se sa si hapësirë shprehjeje. Për shumë gra, kjo ngarkesë historike ka qenë edhe më e rëndë.
Të mendosh zërin si kujtesë trupore, do të thotë të pranosh se në çdo tingull flet jo vetëm individi, por historia e tij kulturore. Në një botë ku shkrimi po bëhet gjithnjë e më i delegueshëm dhe ku tekstet e prodhuara ose të përpunuara nga algoritmet humbasin lidhjet me trupin, zëri mbetet një nga provat e fundit të përgjegjësisë personale. Zëri njerëzor kërkon praninë tonë të plotë, aktivizimin tonë të plotë human. Ai nuk mund të redaktohet menjëherë dhe nuk mund të prodhohet plotësisht nga inteligjenca artificiale.
Komunikimi, në këtë kuptim, nuk është vetëm çfarë themi, por si e themi, nga cili trup dhe me çfarë përkatësie. Kur këto elementë janë në harmoni, aty lind besimi dhe kjo është forma më e thellë e komunikimit njerëzor.
Bibliografia:
Amoroso, L. Raporti dhe Estetika: Lindja e Estetikës dhe Filozofisë Moderne. Edicioni Edc, 2000.
Fusillo, M. Estetika e Letërsisë. Në shqip Pika pa sipërfaqe, 2023
Kottak, C. Antropologjia kulturore, McGraë-Hill Education, 2000
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.