Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Antikitet / Histori

SAGA E BASHKËSISË (IV)

padukshmëria e domosdoshme e shqiptarëve

Ajo çka prodhoi shqiptarët si popull është poezi e gjasës. Historia është e paaftë ta ngërthejë, shkenca s’bën dobi, fakti humb rrugën në dhiare misterioze, terma si “pellazgë” apo “ilirë” bëhen pa kuptim si çdo fjalë që përsëritet shumë dhe vuan nga korrelacioni i dobët si nga cerma, për më tepër që në Ballkan kemi zakonin e keq që flasim për tre apo pesë mijë vjet të shkuar si të ishin një dje-pardje interesante. Me historinë tonë, ne i kemi dhënë një tjetër kuptim si humbjes, dhe fitores, si dukjes dhe mosdukjes së bashkësive (popullatave) tona. Ndaj kuvendimi për to është jo konvencional. Për të kuptuar ç’jemi, nuk vyejnë aq arkivat, të cilat mungojnë në segmente të gjata kohe, sa kuptimi i derivuar i procesit historik që ngrihet mbi anekdotën apo ngjarjen e arkivuar dhe të provuar medoemos me dy dëshmitarë. Më vinë ndërmend nga vitet e mia të formimit, një ligjëratë e Prof. Zef Rakacollit në Institutin e Lartë Bujqësor, në të cilën ai na rrëfeu për një darkë me miq të huaj, ku dikush prej tyre e kish pyetur: “Po ç’keni bërë ju shqiptarët gjithë këta shekuj?” (As na fol një fjalë, thona një shaka.) Dhe Zefi i menduar që kish thënë veç dy fjalë: “Kemi mbijetuar.” M’u duk, kur e dëgjova, patetike e gjitha, si shumë krijime artistike dhe e gjithë narrativa jonë historike rreth qëndresës, gjersa dikur realizon se nuk është patetikë, por një e vërtetë aq e thjeshtë dhe e mirëfilltë, sa bëhet shteruese në të drejtë të saj. Pastaj ligjërata e një tjetri profesor nga Italia me origjinë shqiptare, Androkli Baltadori (University of Rome), që na shpjegonte se organizmat e gjalla kanë dy veti kryesore, qëndrueshmërinë (rezistencën) dhe prodhimtarinë, dhe se të dyja këto nuk jetojnë dot bashkë. Po të jesh rezistent, nuk je prodhues. Dhe e anasjellta. Një dikotomi nga agronomia që tingëllonte fatale atë botë: zgjidh e merr, performancë apo qëndresë? Ne qëndruam, kaq ish e qartë; te performanca ishim si të përtuar të rravgonim (aty vinte në ndihmë poezia e kohës: “S’shpike dot TV, as makinë për mish, s’pate kohë për to, ti magje lirish,” etj.) Sidoqoftë, motivi i njohur dhe i vërtetë i qëndresë-mbijetesës duhet kuptuar përpara se të celebrohet pa kusht e me pompë, në duam të kuptojmë veten, sidomos në kushtet e butaforizimit tonë tradicional.

Mosdukja apo shfaqja e me krrëk e parashqiptarëve në dokumentet e kohës midis shekujve VII – XIII, është nga ato lemza bezdisëse që shqiptari modern mezi i largon; ka diçka prej turpi dhe sikleti ai bosh e vakum, aq më tepër që gjithfarë profanësh nacionalistë, që nuk i mungojnë asnjë shteti ballkanik dhe asnjë kanali mediatik social, nuk mënojnë ta tundin atë me ashkun e galopimit të kalit të betejës së vockël e të verbër të ditës dhe qetësimit të egos së tyre të sëmurë nga të njëjta viruse që sëmurin edhe egot tona. Ka diçka prej prerjeje në besë e të lënies në baltë, si na e bëtë kështu, o stërgjyshër, ku ishit, ne na duheni kaq po kaq shumë që t’u tregojmë vendin serbit dhe grekut radikal nacionalist të sotëm, që na bëjnë debate me karshillëqe teorike-historike-virtualo-fejsbukore dhe vetëbesim prej profesorësh emeritus në pushimet mes gatitjeve të suvlakëve; ka një turp prej parvenuje katundi para shokëve të klasës nga qyteti, kur prindi me opinga e viziton në konvikt, që të parët tanë nuk bënë perandori dhe biblioteka si të tjerët. Turpi nga origjina është shenja e parë dhe e fundit e mentalitetit të skllavit. Kur nuk ka asnjë arsye për drojë e zor dhe kur pakkush e mendon se ata, katra- e pesagjyshët tanë, nuk qenë “atje” që ne sot të ishim “këtu,” kështu siç jemi, me këtë identitet dhe me këtë gjuhë, se duhet t’u themi falemnderit për mungesën tuaj, me të cilën shkëlqyet, siç bëjnë zakonisht mjeshtrit e mëdhenj. Mëse një herë kam ndjerë lodhjen tonë në thelb fisnike që ka diçka prej Sizifi dhe Atlasi bashkë, tek vetëtijmë si tehe shpatash Kulturën e Komanit[1] qëmtuar me kujdesin e ujit të pakët dhe psherëtimës së gëzuar prej kopsitjes së një teoreme të vështirë “çfarë deshëm me vërtetu”, qëmtimin e Butrintit dhe çmeritjen e vizitorit kur ciceroni tregon më në fund të aq priturin murin ilir, pas etimologjisë së rrugës që Buthrot është vendi ku të rri bytha ngrohtë, ose ngazëllimi që dikush diku ka përmendur fjalën arbanitai, apo përfundimet e tërthorta me të famshmen “ka shenja të qarta, ose duket se,” të gjitha në të drejtë të tyre legjitime dhe logjike të pandehmës dhe hipotezës, por përsëri “nakatosur” me stepjen e vdekatarit të zakonshëm që do të shikojë dhe të prekë sindozot piramida, akuadukte, mure ciklopikë, gurë të prerë saktë 2000 tonësh, papiruse, poema e kronika të shkruara dhe mundësisht tapi, “si të tjerët”. Relativiteti i botës është një nënë edhe më e ashpër se historia. Të gjitha këto vijnë nga dëshira e kuptueshme për të konkurruar denjësisht në Rhodoset hipotetikë të përditës, kur në të vërtetën johipotetike, nuk do zgjidhnim të dyluftonim me Majk Tajsonët në ringjet plot gonge vrastarë. Aty do zgjidhnim të tërhiqeshim në rrethina të favorshme mbijetese për të pritur ditë më të mira që mund të vinin paskëtaj…, siç bënë katragjyshët tanë, virtuozët historikë të “sound of silence”.

Pa dashur të bëj histori (si jo i fushës), dhe pa mëtuar të vërteta absolute (të cilat, në të vërtetë, nuk mund t’i mëtojë kurrkush për subjektin tonë, pra edhe ata të fushës,) dhe duke i trajtuar popujt si bashkësi që jetojnë në sisteme me termodinamikë shoqërore, mund ta zëmë fillin e fjalës për parashqiptarët diku në udhën e tyre për këtu, për shembull gjatë dyndjeve sllave (shek. VI–VII,) meqë është një nga momentet më të rëndësishme për të kuptuar fiset ilire dhe parashqiptare, sepse pikërisht aty shfaqen zhvendosjet e mëdha demografike, thyerjet e strukturave të vjetra fisnore, formimi i zonave të mbijetesës dhe kristalizimi i bërthamës së mëvonshme shqiptare. Para ardhjes së sllavëve në rrethinën tonë (shek. V–VI), mendohet që hapësira ilire ishte e organizuar në fise të romanizuara (në qytete dhe zona bregdetare), fise pjesërisht të romanizuara (zonat e brendshme), dhe fise të ruajtura, të paromanizuara (zonat malore). Bërthama protoshqiptare mendohet të ketë qenë në Epirin e Sipërm, Dardaninë jugore, Malësinë e veriut, zonat malore të Matit, Drinit, Pukës, Mirditës, Malësinë e Kosovës perëndimore[2]. Këto zona kishin entropi të ulët demografike (pak popullsi, terren i thyer) dhe entropi të lartë kulturore (ruajtje e traditave të larmishme.) Gjatë dyndjes së tyre (shek. VI–VII), sllavët hynë në Ballkan në valë të shumta, duke kaluar Danubin dhe duke u vendosur në fushat e mëdha, ultësirat, luginat e lumenjve, zonat e hapura bujqësore. Kjo krijoi një ndarje ekologjike: sllavët në zonat e ulëta, të hapura, të pasura bujqësore; popullsia parashqiptare në zonat malore, të mbrojtura, të vështira për pushtim. Kjo është arsyeja pse arealet ku shtrihet sot Serbia, Maqedonia, Bosnja, Kroacia u sllavizuan, ndërsa Shqipëria malore, Epiri i Sipërm dhe Dardania perëndimore ruajtën vazhdimësinë e traditës. Elementi topografik fushë prodhuese vs. zonë e ashpër dhe pak prodhuese që ndan përkatësisht pjesët sllave dhe shqiptare, është i dukshëm shpesh në zonat kufitare midis tyre edhe me sy të lirë.

Fiset parashqiptare mbijetuan përmes tri mekanizmave kryesorë:

Terreni malor si “mekanizëm disipativ”: Malet shqiptare funksionuan si strukturë që shpërndante presionin e dyndjes (dissipative structure[3]), terren i thyer, mungesë fushash të mëdha, ekonomi baritore, mungesë interesash strategjike për sllavët. Kjo krijoi zona të mbijetesës kulturore.

Romanizimi i pjesshëm si mburojë: Fiset pjesërisht të romanizuara kishin qytete, administratë, kisha, rrugë, lidhje me Bizantin. Kjo i bëri më të qëndrueshme ndaj zhvendosjeve demografike.

Lëvizshmëria ngjitëse-zbritëse: Strategjia e vjetër e verimit (kullota të larta verore) dhe dimërimit (ultësira të mbrojtura,) ky mobilitet i vazhdueshëm, i bëri ndoshta më pak të prekshëm nga kolonizimi sllav (shih Shtojcën 1.)

Për parashqiptarët nuk ka burime të mëhershme dokumentare për periudhën në fjalë, sepse ata ishin një popull me entropi të ulët të dukshmërisë (visibility.) Parashqiptarët jetonin në male, pra kishin entropi të ulët demografike, ekonomi baritore që domethënë shumë lëvizshmëri (high mobility,) dhe struktura fisnore që domethënë energji e shpërndarë. Ata nuk kishin qytete të mëdha e ndaj kishin pak dokumente, as shtet, pra pak arkiva, dhe as kishë kombëtare e ndaj pak kronika. Ishin një strukturë disipative, jo një strukturë burokratike. Kjo i bëri të padukshëm për perandoritë, kronistët, regjistrat. Por pikërisht kjo i mbrojti nga asimilimi. Parashqiptarët, tashmë arbër, shfaqen “papritur” në shek. XIII–XIV sepse sistemi ballkanik hyri në një fazë entropie të lartë. Tri gjëra ndodhën njëkohësisht: a) Bizanti dobësohet (hapësirë për aktorë lokalë) b) Serbia zgjerohet shpejt (ka nevojë për vasalë vendorë) dhe c) Ekonomia baritore bëhet e vlerë (shqiptarët kontrollojnë rrugë, kalime, male.) Emergjenca rezulton pozitive: nga energji e shpërndarë në struktura politike (psh, principata.)

Kësisoj, parashqiptarët mungonin në format që burimet e informimit regjistronin, sepse nuk ishin qytetarë të qyteteve, taksapagues të rregullt, pjesë e administratave apo e hierarkive kishtare. Ata ishin barinj, luftëtarë, fise, rrjete, jetë në male. Dhe këto nuk lënë shumë dokumente. Por ama lënë vazhdimësi.

Ballkani është një laborator i çrregullimit të bukur, ku entropia nuk është një koncept fizik por një gjendje shpirtërore. Perandoritë kanë ardhur si stuhi dhe janë larguar si mjegull. Kufijtë janë vijëzuar me shpatë dhe janë fshirë me shira melankolikë. Popujt kanë kaluar si valë, duke lënë pas gjuhë, zakone, plagë, kujtime në një sistem të hapur ku energjia hyn dhe del pa pushim. Dhe megjithatë, në këtë qarkullim të pandalshëm, disa gjëra mbetën të ngurta: patriarkalizmi, nderi, gjaku, gjuha, zakoni. Përplasja entropi e lartë historike dhe entropi e ulët normative, veç tensionit dhe konfliktit, prodhon edhe një lloj bukurie të egër. Mes kësaj rrethine, shqiptarët mbeten populli që mbijetoi duke u bërë energji, ashtu si lënda në nivelet kuantike. Në këtë fushë energjetike, shqiptarët nuk mbijetuan sepse ishin më të fortë, më të shumtë, më të armatosur, por sepse ishin më të shpërndarë, më të lëvizshëm, më të lidhur me terrenin sesa me strukturat (Darvini kurrë nuk tha që mbijeton më i forti, as më trimi, por kush i përshtatet më mirë rrethinës.) Si popull i maleve, i luginave të ngushta, i rrugëve që ngjiten e zbresin si pulsi i një trupi të trazuar, ata nuk ndërtuan qytete të mëdha, por ndërtuan rrjete: fise, bajraqe, lidhje gjaku, kode nderi, nuk bënë mbretëri, por krijuan elasticitet – aftësinë për t’u përkulur pa u thyer. Në Ballkan, terreni është më i rëndësishëm se ushtria (zbatuesi virtuoz i këtij raporti është Gjergj Kastrioti.) Fushat janë ftesa për pushtim; malet janë mburoja e mbijetesës. Shqiptarët e kuptuan këtë intuitivisht. Ata nuk u mbyllën në qytete – qytetet bien. Ata u ngjitën në male – malet nuk pushtohen, vetëm respektohen. Për ta terreni ish një fat: malet qenë ruajtës të gjuhës. Në ato male jo vetëm që gjuha u ruajt si një zjarr i vogël në një natë të gjatë, por zakoni u bë ligj, fisi u bë shtet, nderi u bë monedhë dhe kënga u bë arkiv. Në një botë që ndryshonte me shpejtësi, shqiptarët mbijetuan sepse ngadalësuan kohën siç ndodh në shpejtësi të mëdha kozmike. Ata krijuan një ritëm, një puls, një mënyrë të tyren të të qenit, një kohapësirë me rëndesë të llojit të vet, në një rrethinë ku Emergjenca e bllokuar shpërfaqet si “Ballkan që nuk arrin të bëhet kurrë”, ku çdo tentativë për rend të ri përplaset me kujtesën e vjetër, identitetet e ngurta, kufijtë e kontestuar, energjitë e jashtme. Sistemi nuk arrin të krijojë një strukturë të re, sepse çdo strukturë e re përballet me një histori të gjatë të mosbesimit. Shqiptarët janë pjesë e këtij ritmi të bllokuar, por edhe përjashtim i tij. Ata janë një popull që ka mbijetuar përmes ruajtjes së energjisë, por që shpesh ka vuajtur nga mungesa e tejçimit të saj.

“Heshtja” e shqiptarëve, padukshmëria e tyre (invisibility) përkthehet si strategji mbijetese. Në historinë e Ballkanit, ka popuj që duken shumë, por zgjasin pak, siç ka dhe popuj që duken pak, por zgjasin shumë. Shqiptarët i përkasin kategorisë së dytë. Ata nuk qenë populli i kronikave të gjata, i mbretërive të mëdha, i qyteteve të ndritshme, i arkivave të pasura, por u bënë populli i heshtjes. Jo heshtje e imponuar, por heshtje e zgjedhur – një strategji mbijetese në një gadishull ku dukshmëria shpesh ka qenë sinonim i shkatërrimit.

Në shekujt që pasuan dyndjen sllave, kur popuj të tërë u zhdukën nga harta etnike e Ballkanit, shqiptarët mbijetuan duke u bërë të padukshëm (invisible). Jo të padukshëm fizikisht, por të padukshëm politikisht, administrativisht, burokratikisht. Ata jetonin në male, në luginat e ngushta, në shtigjet e pjerrëta të lëvizshmërisë vertikale – hapësira që nuk regjistrohen, kontrollohen dhe as pushtohen lehtë. Në një kohë kur perandoritë matnin popujt me taksa, qytete dhe kisha, shqiptarët nuk kishin asnjërën prej tyre në formën që kërkonte administrata. Dhe kështu, ata nuk hynin në tekst, nuk ishin “tekstualë”. Kjo zhdukje nuk është boshllëk, por mbrojtje. Është mënyra se si një popull ruan veten kur bota përreth është në flakë.

Gjatë sundimit bullgar, shqiptarët nuk ishin “të padukshëm” në kuptimin e parë të fjalës: ata ishin të paregjistrueshëm. Ishin pjesa volant në maksimën “verba volant, scripta manent,” si ta kishin të parathënë ogurin simbolik dhe heraldik të fluturimit. Dhe për një paradoks e kundërshti par excellence: po të “qëndronin” (manent) në formë scripta, me gjasë do shuheshin si verba, dhe po të fluturonin si verb, siç edhe bënë, ata do qëndronin, siç edhe qëndruan. Ata nuk i përshtateshin formatit të shtetit të centralizuar që kërkonte qytete, taksapagues dhe hierarki kishtare, dhe jo fise, barinj, apo rrjete dokesh e zakonesh. Dhe pikërisht kjo i shpëtoi.

Gjatë sundimit serb, shqiptarët shfaqen vetëm aty ku duhej: si luftëtarë, vasalë lokalë, apo rojtarë të kalimeve malore. Ata nuk kërkuan të bëhen qendër dhe fokus, por që të mos zhduken si të tillë. Dhe kjo është forma më e vjetër e inteligjencës kolektive në Ballkan: të dish kur të dukesh dhe kur të heshtësh. Kjo inteligjencë intuitive kolektive nuk barabitet nga inteligjenca praktike, operative, apo shtetërore e jona në shekujt që pasuan, kapja pas kauzave të humbura, aleancat e dështuara, etj. dhe prej kësaj, vetiu si sqep shqiponje në mëlçi Prometeu, çukit pyetja: Pse? Çfarë ndodhi?

Heshtja dhe mosdukja shqiptare për shekujt në fjalë, s’është mungesë por formë e historisë. Është mënyra se si një popull ruan energjinë e vet të brendshme, duke mos e shpenzuar në përplasje të kota me perandori që vijnë e ikin; një ekonomizim mjeshtëror i saj. Kështu ruhen micelat e ardhshme në spore izoluese, njëjtë dhe lulëritë magjepsëse të shkretëtirave në fara të përgjumura që presin një shi në dekada të gjata thatësie. E gjitha kjo ka një ngjashmëri shtangëse me procesin e ruajtjes së kulturës latine prej skribëve në manastiret irlandeze, ngjashmëri përbashkuese ku ndahet i njëjti mekanizëm i thellë civilizues: mbijetesa e informacionit në kushte entropie të lartë. Në të dy rastet, kemi të njëjtin fenomen: qytetet bien, perandoritë shemben, rrjetet e dijes ndërpriten, elitat zhduken ose shpërndahen. Dhe pikërisht në këtë moment, mbijetesa e kulturës nuk vjen nga qendra, por nga periferia e heshtur. Mbijetesa e teksteve latine (ku kish edhe pak përkthime prej greqishtes së vjetër) vjen nga skribët e manastireve, sidomos në Irlandë, ku nuk kishte pushtime gjermane, as luftëra të mëdha, veç izolim gjeografik komunitetesh të vogla, të qëndrueshme. Në të dy rastet, periferia bëhet arkivi i civilizimit. Skribët irlandezë ishin “padukshmëria monastike” e Evropës. Në shek. V–IX, Irlanda ishte jashtë rrënimit të kontinentit. Manastiret e saj ruajtën tekstet latine, krijuan skriptoriume të specializuara, zhvilluan një kulturë të tërë të shkrimit. Këta skribë nuk ishin elita politike por komunitete të vogla, të izoluara e të përkushtuara. Ata ishin sisteme me entropi të ulët (mikroklima) brenda një bote me entropi të lartë (shumëllojshmëri e rrëmujshme dhe brutale forcash,) që ruajtën informacion të dendurisë së epërme me kosto të ulët energjetike dhe krijuan emergjencë konservuese. Në një paralel shtangës, edhe parashqiptarët mbijetuan jo përmes qyteteve, por përmes maleve, fiseve, strukturave të vogla, autonomisë lokale, mungesës së interesit të perandorive për t’i asimiluar. Kjo “padukshmëri malore” ulte kostot e kontrollit dhe ekspozimin ndaj pushtimeve, ruante strukturat e brendshme dhe transmetonte gjuhën, zakonet, kodet. Pra, edhe shqiptarët në paralelen me manastiret e Irlandës, ishin sistem i decentralizuar me entropi të ulët që ruante informacion etnik në mënyrë të qëndrueshme duke shmangur emergjencën negative (asimilim, tretje). Skribët ruajtën kulturën latine, malësorët ruajtën shqiptarësinë. Ruajtja nuk ish heroike, por strukturore: izolim, decentralizim, ritëm i ngadaltë, stabilitet i brendshëm, ruajtje e informacionit me kosto të ulët. Asketizmi i përshkon të dyja rastet si një sqotë gri dhe e ftohtë: manastiret irlandeze të shek. V–IX ishin të vendosura në vende që sot do t’i quanim “fund i botës”, në ishuj të vegjël shkëmborë, brigje të rrahura nga era, lugina të mjegullta, zona të paarritshme për ushtritë kontinentale[4]. Manastiret nuk ishin ndërtesa madhështore, por qeli të vogla prej guri, çati me kashtë ose dru, mure të trasha kundër erës, dhoma të ulëta, të errëta, të ftohta. Skriptoriumet (dhomat e shkrimit) shpesh ishin të ndriçuara vetëm nga një dritare e vogël, me një tavolinë të ulët, me pergamenë të shtrenjtë, me bojë të bërë nga lëvore pemësh, minerale dhe qymyr. Skribët jetonin me një disiplinë të hekurt, zgjoheshin para agimit, luteshin, punonin orë të tëra duke kopjuar, hanin pak, flinin pak, nuk flisnin shumë. Kopjimi i një libri të vetëm mund të zgjaste vite. Ata nuk ishin filozofë, as aristokratë. Ishin ruajtës të informacionit, një lloj ARN-je në veprim, njerëz që e kuptonin ose e ndjenin se bota po shembej dhe se dikush duhej të ruante e tejçonte kujtesën e saj. Ndërsa Evropa kontinentale digjej nga pushtimet gjermanike, luftërat e pafundme, rënia e qyteteve, zhdukja e shkollave, Irlanda ishte e izoluar, pa qytete të mëdha, pa interesa strategjike, pa pushtime të mëdha, pra një padukshmëri historike, një vend që nuk hynte në radarët e perandorive, çka e lejoi të bëhej arkivi i padukshëm i botës klasike. Ngjashmëria e të padukshmëve është kaq e dukshme: në brigjet e mjegullta të Irlandës, në qeli të ftohta prej guri, skribët e shekujve të errët kopjonin me dorë tekstet latine[5], ndërsa bota përreth tyre shembej. Në heshtjen e manastireve të tyre, ata u bënë arkivistët e padukshëm të botës dhe ruajtën kujtesën e një civilizimi të tërë. Njëjtë dhe malësorët shqiptarë, që në qetësinë e fiseve të tyre malore ruajtën gjuhën, zakonet dhe identitetin.

Në shek. XIII–XIV, kur Serbia dhe Bizanti dobësohen, heshtja shqiptare thyhet. Jo sepse shqiptarët ndryshuan, por sepse sistemi ndryshoi. Papritur padukshmëria nuk ishte më e nevojshme dhe energjia e shpërndarë mund të merrte formë. Dhe kështu lindën principatat shqiptare – jo si krijime e proftasje të reja, por si materializime të vonuara të një populli që kishte qenë aty gjatë gjithë kohës, por i pamundur në të gjitha kuptimet.

Shqiptarët mbijetuan sepse nuk u përpoqën të bëhen mur në një gadishull ku muret bien. Ata u bënë rrjedhë. Dhe rrjedha nuk shkatërrohet, ajo gjen gjithmonë një mënyrë për të kaluar. Në Ballkan, mbijetesa nuk është pasivitet dhe një akt i heshtur biologjik, por një arkitekturë energjie, një mënyrë për t’u vetorganizuar në një hapësirë ku entropia historike është e lartë, ku perandoritë vijnë si stuhi por ikin si angullimë, do thosh Elioti, dhe ku identitetet nuk janë kategori statike, por luhatje dhe dridhje të vazhdueshme. Në këtë gadishull të trazuar, popujt nuk mbijetojnë sepse janë më të fortë, por sepse gjejnë formën e duhur energjetike për të disipuar (shpërndarë e përçuar) presionin e jashtëm. Disa popuj u zhdukën sepse u ngurtësuan. Disa u tretën sepse u hapën shumë. Disa u shkrinë sepse nuk gjetën ritmin e duhur. Popujt që u zhdukën janë shembuj libreskë ku(r) energjia nuk disipon dot presionin. Thrakasit, dakët, ilirët e fushave, latinofonët e brendësisë – të gjithë u zhdukën sepse struktura e tyre energjetike nuk mundi të përballonte valën e re demografike të dyndjes sllave. Ata jetonin në fusha, në qytete, në rrugë të hapura, kishin ekonomi bujqësore dhe institucione të ngurta të cilat u thyen me goditjen e parë. Kur entropia u rrit, ata nuk mundën ta disiponin energjinë. Dhe kështu u shkrinë. Dyndja sllave ishte një valë e madhe energjie demografike që hyri në Ballkan dhe rishkroi hartën etnike. Ajo nuk i zhduku popujt me dhunë të menjëhershme, por me asimilim të ngadaltë e gati-gati shtëpiak, shpërndarje, përzierje, ndryshim ekonomik, ndryshim gjuhe (shih Shtojcën 2.)

Entropia e shtuar e Ballkanit në shek. XIII–XIV, kur Bizanti u dobësua, Serbia u zgjerua me shpejtësi pas rënies bullgare, ekonomia baritore u bë vlerë dhe rrugët malore morën rëndësi strategjike, e bëri padukshmërinë e shqiptarëve të pavend dhe të panevojshme. Papritur, energjia e shpërndarë mund të merrte formë, siç edhe ndodhi, përmes principatave arbërore si Topiajt, Muzakajt, Balshajt, Dukagjinët, apo Kastriotët. Jo si krijime të reja, por si realizime të vonuara të një populli që kishte qenë aty gjatë gjithë kohës. Shqiptarët u bënë Emergjencë e vonuar që ndodh kur energjia e shpërndarë dikur merr formë. Mbijetesa jonë nuk ishte rastësore dhe as rezultante dobësie kompromisesh, por inteligjencë energjetike si forma më e thellë e gjallimit në një gadishull ku shumëçka shuhet. Ne zbatuam atë që udhëzojnë artet marciale: një goditje përballet më mirë duke u bërë një zgjatim (extrapolation) dhe jo një rrafshprerje (intersection) e saj, pra një rrjedhë fleksible që orientohet nga izohipset e kohapësirës. Rrjedha është forma më e vjetër e inteligjencës kolektive në një sistem me entropi të lartë, forma emergjente e trimërisë së bashkësisë që shkon kundër trimërisë individuale, të elementit, paçka se kësaj të fundit i këndon çdo bard, poet dhe propagandë.

Gadishulli Ballkanik është Bashkësi Energjetike me Entropinë dhe Emergjencat e veta, një eksponat i rrallë ku mund të shihet qartë se si entropia shoqërore rritet, si energjia e lirë shoqërore shteron, dhe si emergjencat, pozitive apo negative, formësojnë fatet kolektive, ku energjia dhe menaxhimi i saj nuk janë metafora, por mënyra se si shoqëritë ruajnë rendin, përballojnë ndryshimin, disipojnë konfliktin dhe prodhojnë identitet. Shqiptarët kanë operuar prore në këtë hapësirë të përhershme dhe bashkësi të hapur tensioni, ku ata përbëjnë një rast të veçantë të adaptimit në terrene me entropi të ulët, mbijetesë në një sistem të hapur ku energjitë e jashtme kanë qenë gjithmonë më të mëdha se kapaciteti i brendshëm, e ndaj me struktura që thyhen, një hapësirë me entropi të lartë historike (ndryshime të shpeshta, konflikte, zhvendosje), entropi të ulët normative (kufij të ngurtë etnikë, patriarkalizëm, struktura fisnore), energji të lartë të jashtme (pushtime, perandori, migrime), por energji të ulët të brendshme (institucione të dobëta, kapacitet i kufizuar shtetformues). Përplasja e dy entropive, historike dhe normative, e ka bërë Ballkanin një zonë të përhershme tensioni dhe tranzicioni, ku rendi nuk stabilizohet kurrë plotësisht. “Fuçia e barotit” nuk i përshtatet atij plotësisht, pasi baroti është një lëndë inerte dhe e pandryshueshme, nuk është proces dhe as përplasje entropish, të cilat prodhojnë më shumë lajm nga ç’mund të konsumohet. Por si çdo krahasim, edhe çdo metaforë duhet të çalojë. Në Ballkan, çrregullimi strukturor vjen si gjendje natyrore me identitete të ngarkuara me histori, kufij të kontestuar, kujtesë kolektive të fragmentuar, narrativa kombëtare të mbivendosura. Energjia e lirë shoqërore, që është kapaciteti i një populli për të krijuar institucione, absorbuar ndryshime, disipuar konfliktet, dhe për të prodhuar rend të ri, shpjegon pse disa popuj u konsoliduan dhe të tjerët jo. Në kohën e dyndjeve sllave, shqiptarët, si strukturë disipative, mbijetuan si energji e shpërndarë, jo si strukturë e centralizuar. Ata janë energji e lirë kulturore, por jo gjithmonë me emergjencë institucionale e strukturore të qëndrueshme. Ata nuk janë populli që pushtoi Ballkanin por që e mbijetoi atë, një formë energjie dhe një mënyrë për të qëndruar gjallë në një sistem që gjithmonë lëviz, përplaset dhe kërkon të të thyejë. Dhe pikërisht sepse e përthithën goditjen dhe nuk ranë (u ngritën gjithnjë brenda 10-sekondëshit fatal), ata mbetën një popull shumëfaqësh, i shpërndarë dhe i mbledhur, i thyer dhe i bashkuar, i heshtur dhe i zëshëm, i vjetër dhe i ri, i cili nuk u ngri në gur, por në lëvizje, jo në perandori, por në këngë, jo në kufij, por në kujtesë, jo në pushtim, por në mbijetesë që gjëllon mes pak aksiomash nistare, si vjetërsia e vërtetuar nga genomat dhe nukleotidet, tjetërsimi dhe tretja e shumë të tjerëve përreth dhe mbijetesa e tij, çka ngjiz një legjendë legjitime të vetëreferuar e cila ngadhënjen mbi dokumentin e paqenë me një qartësi më të madhe se skriptet evazive: çdo tekst mund të merret me disa kuptime, por ekzistenca e bashkësisë shqiptare si e tillë, jo. Në këtë gadishull të trazuar me emergjenca të bllokuara, që e ruan tensionin në vend që ta zgjidhë atë e nuk prodhon stabilitet, dhe ku çdo popull ka kërkuar të bëhet qendër, shqiptarët mbetën ritëm, një re elektronesh në daç, metafizikë e puls që nuk i bindet historisë, por e duron atë. Dhe ndoshta kjo është forma më e thellë e energjisë: ajo që nuk shpërthen, por qëndron, prushim eshke përkundër flakës së kashtës, që nuk kërkon ta ndryshojë botën, por edhe nuk do ta lejojë atë që ta fshijë apo ndryshojë.

(c) 2026 Shkëlqim Çela. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.

Shtojca 1

Në fiset që mbijetuan si bërthamë protoshqiptare futen Dardanët (Kosovë–Maqedoni perëndimore), Taulantët (Shqipëria qendrore), Labeatët (Shkodër-Malësi), Dassaretët (Dibër-Ohër), Molosët (Epiri i Sipërm), Parthinët (Mat-Dibër), Penestët (Pukë-Mirditë). Këto fise nuk mbijetuan si njësi politike, por si nënshtrate etno‑gjuhësore.

Në zonat e hapura si Dardania lindore, Maqedonia qendrore, Kosova lindore, Bosnja, Serbia jugore, ilirët u sllavizuan gradualisht. Ky ishte proces demografik (vendosje sllave), kulturor (asimilim), gjuhësor (dominim i sllavishtes), ekonomik (kalim në bujqësi të tipit sllav). Në disa zona pati bashkëjetesë të gjatë: në Dardani, në Maqedoninë perëndimore, në Mal të Zi, në Kosovën perëndimore. Kjo bashkëjetesë la gjurmë në toponimi, në hidronimi, në huazime gjuhësore, në strukturat fisnore.

Nga fiset parashqiptare pas dyndjes sllave mbetën tri gjëra thelbësore:

Bërthama etnike shqiptare – E ruajtur në zonat malore të Shqipërisë, Kosovës perëndimore dhe Epirit të Sipërm. Vazhdimësia gjuhësore – Shqipja mbijetoi sepse ishte në zona të mbrojtura, kishte kontakt me latinishten dhe greqishten, nuk u zhvendos e zëvendësua nga sllavishtja. Struktura fisnore – Kanuni, bajrakët, organizimi malor, të gjitha janë forma të mbijetesës në kushte presioni të jashtëm.

Por parashqiptarët praktikisht “zhduken” në burimet dokumentare midis shek VII-XI, ose duken rrallë deri në shek. XIII. Stephanos Byzantios (gjysma e parë e shek. VI) përmend Arbanitai në veprën Ethnika, një fjalor gjeografik për administratën dhe kulturën e kohës – dorëshkrimi i plotë nuk ka mbijetuar dhe njihet kryesisht përmes epitomës së mëvonshme të Hermolaus-it (shek. IX), si dhe Procopius, Prokopi i Cezaresë në De Bello Gothico, IV.4, pjesë e Historisë së luftrave (viti 550-554). Më pas duhet pritur Anna Komnena në shek. XI, e cila përmend Arbanitai, një popull në zonën e Arbanonit, në Alexiad, XIII.5, viti 1079-1080, ndërsa për më herët duhet shkuar te Ptolemeu (shek. II) që përmend Albanoi dhe Albanopolis. Në pamje të parë duket sikur shqiptarët fshihen (në të dyja kuptimet) nga historia për rreth 500 vjet, nga fundi i antikitetit të vonë deri në shek. XI-XIII. Por në realitet, kjo “heshtje” e tyre nuk është zhdukje – ajo është padukshmëri (invisibility) strukturore, një fazë e gjatë ku shqiptarët mbijetojnë si strukturë disipative, jo si njësi politike. Kjo periudhë është thelbësore për të kuptuar pse shqiptarët, si të dalë nga hija, shfaqen “papritur” në shek. XIII–XIV me principata të qarta.

Periudha bullgare (shek. IX – XI) karakterizohet nga një mjegullim i plotë i burimeve të informimit për protoshqiptarët. Kur Bullgaria u zgjerua në Ballkan, ajo kontrolloi Maqedoninë, Dardaninë, Epirin e Sipërm, dhe hyri thellë në territorin ku jetonin protoshqiptarët. Bullgarët ishin një shtet i centralizuar, me administratë, kisha, taksa, regjistra. Por shqiptarët jetonin në zona malore, me struktura fisnore, ekonomi baritore, dhe lëvizshmëri stinore (mobilitet sezonal.) Kjo krijoi një mospërputhje strukturore: bullgarët regjistronin qytete, jo fise, taksapagues, jo barinj lëvizës, regjistronin hierarki kishtare, jo rrjete zakonesh.

Si rrjedhojë, shqiptarët nuk shfaqen në burimet e informacionit, jo sepse nuk ekzistonin, por sepse nuk ishin të regjistrueshëm nga një shtet i tipit bullgar. Ekziston një hamendje e pabazuar diletante që thotë se numri i parashqiptarëve në këto kohë ka qenë tejet i rrëgjuar, pak dhjetëra mijë, e cila, po të ish e vërtetë, do t’i ngjasonte në mënyrë rrëqethëse teorisë për specien njerëzore, që gjithashtu në një moment të dhënë pas katastrofash planetare, u rrëgjua në një grusht njerëzish. Sidoqoftë, numri relativisht i pakët i parashqiptarëve në periudhën e mosdukjes është një hipotezë që s’ka pse të flaket si e pabazë, ndërkohë që hipoteza e ngushtimit të rrjedhës së numrit të parashqiptarëve në masë kritike (bottleneck) hidhet poshtë nga studimet përkatëse gjenetike. [Referohu për shembull te artikulli në proces certifikimi Ancient DNA reveals the origins of the Albanians nga Leonidas-Romanos Davranoglou et al.[6]]

Në periudhën e Bizantit të rikthyer (shek. XI – XII,) pra kur Bizanti rimori kontrollin pas rënies së Bullgarisë, parashqiptarët fillojnë të shfaqen, siç pamë më lart, si Arbanon[7] (Arbëria), Arbanitai (arbërit), Arbanenses. Këto janë përmendjet e para të qarta etnike. Bizanti kishte administratë më të stërholluar se bullgarët, njihte popullsitë malore, përdorte mercenarë shqiptarë, kishte interes për rrugët malore. Pra, arbrit (shqiptarët) nuk “u shfaqën”, ata u bënë të dukshëm.

Në periudhën serbe (shek. XIII – XIV,) shqiptarët dalin në skenë si aktorë politikë. Nën Stefan Dushanin, Serbia u zgjerua në Kosovë, Maqedoni, Epir, Shqipëri të jugut. Kjo periudhë është vendimtare sepse serbët kishin nevojë për vasalë lokalë, për kontroll të rrugëve malore, për luftëtarë vendas. Kjo krijoi hapësirë për principatat arbre (Topiajt, Muzakajt, Balshajt, Dukagjinët), bajraktarë lokalë, familje fisnike shqiptare që marrin tituj bizantinë e serbë. Pra, arbrit (shqiptarët) nuk është se lindën në shek. XIII, në atë kohë ata u institucionalizuan.

Shtojca 2:

Shumë popuj u zhdukën, u tretën, u shkrinë gjatë dyndjes sllave (shek. VI–VII), si:

1. Ilirët e fushave dhe luginave lindore (jo të gjithë ilirët – vetëm ata në terrene të hapura). Këta ishin ilirët që jetonin në Dardaninë lindore, Maqedoninë qendrore, Kosovën lindore, Serbinë jugore, ose Bosnjën lindore. Ata u sllavizuan sepse jetonin në fusha të hapura, kishin ekonomi bujqësore të prekshme, nuk kishin mbrojtje malore, dhe u përzien me kolonët sllavë. Këta ilirë u zhdukën si identitet, por lanë gjurmë në toponimi dhe nënshtrat gjuhësor. [Referohu për shembull te “THE MAKING OF THE SLAVS History and Archaeology of the Lower Danube Region, c. 500-700” nga FLORIN CURTA – Cambridge University Press, 2001]

2. Thrakasit (një nga popujt më të mëdhenj të antikitetit që sot nuk ekziston.) Thrakasit jetonin në Bullgari, Traki, Maqedoninë lindore dhe në pjesë të Rumanisë. Ata u zhdukën sepse u romanizuan në qytete, u sllavizuan në fshatra, dhe u helenizuan në jug. Sot nuk ka popull thrakas – janë tretur plotësisht. [Për thrakasit dhe dakët referohu te Encyclopaedia Britannica – “Thracian” dhe “Dacia”]

3. Dakët (populli i Dakisë, paraardhës të pjesshëm të rumunëve.) Dakët u zhdukën si identitet i veçantë sepse u romanizuan nga kolonët romakë, u përzien me sllavët, u përzien me popuj stepianë. Vetëm një pjesë e tyre mbijetoi si nënshtrat i rumunëve.

4. Popullsitë romane të brendësisë së Ballkanit (jo grekët, por latinofonët e brendësisë). Këta ishin latinofonë të Dardanisë, Moesisë dhe Maqedonisë së brendshme. Ata u zhdukën sepse qytetet u shkatërruan, rrugët romake ranë, administrata u zhduk, u përzien me sllavët. Vetëm një pjesë e vogël mbijetoi si vllehë/aromunë.

5. Popullsitë helenofone të brendësisë së Maqedonisë dhe Thrakës. Jo grekët e jugut, por grekët e brendësisë së Maqedonisë dhe të Thrakës së brendshme. Ata u sllavizuan sepse jetonin në zona të hapura, nuk kishin qendra të forta urbane, u ndërprenë lidhjet me bregdetin. [Përveç Florin Curta-s, referohu te The Early Medieval Balkans A Critical Survey from the Sixth to the Late Twelfth Century nga JOHN V. A. FINE, JR., Ann Arbor, The University of Michigan Press]

6. Popullsitë e vjetra të Panonisë (ilirë, keltë, romanë të përzier.) Në Panoni (Hungari, Kroaci veriore, Serbi veriore), popullsitë e vjetra u zhdukën sepse u përzien me avarët, me sllavët dhe me hungarezët më vonë. Asnjë popull i lashtë panon nuk mbijetoi. [Për këta popuj dhe për Popullsitë e vogla të stepës dhe Danubit, referohu te Empires and Barbarians: The Fall of Rome and the Birth of Europe nga Peter Heather – Oxford University Press, 2009]

7. Popullsitë e vogla të stepës dhe Danubit si sarmatët, bastarnët, gotët e romanizuar, herulët, gepidët. Këta popuj u zhdukën sepse u përzien me sllavët, u zhvendosën, ose u asimiluan nga avarët dhe bullgarët.

8. Popullsitë pellazgjike të Epirit dhe Maqedonisë së hershme (jo në kuptimin mitik, por si nënshtrat parahelenik.) Këto popullsi ishin tashmë të romanizuara ose helenizuara, por mbetjet e tyre u zhdukën përfundimisht gjatë dyndjes sllave. [Përveç Florin Curta-s, referohu te Epirus: the Geography, the Ancient Remains, the History and Topography of Epirus and Adjacent Areas nga Nicholas Hammond – Oxford: Clarendon Press, 1967]

9. Popullsitë e vogla të Adriatikut verior (liburnët, histrët, istrët.) Këta popuj u romanizuan dhe më pas u sllavizuan nga kroatët. [Referohu, për shembull te The Illyrians, nga John Wilke – Blackwell Publishers, 1992]

10. Popullsitë e brendësisë së Bosnjës dhe Kroacisë. Këto ishin përzierje iliro-kelte-romane. U zhdukën sepse u sllavizuan, u islamizuan më vonë, u përzien me kolonët e rinj. [Referohu, për shembull te John Wilke, apo Florin Curta të përmendur më lart]

Në gjithë këtë stuhi demografike, mbijetuan vetëm popujt që kishin a) terren malor (shqiptarët, malazezët, vllehët,) b) qendra të forta urbane (grekët, armenët (jashtë Ballkanit), disa latinofonë c) mbështetje perandorake (grekët (Bizanti), bullgarët (shteti i hershëm), serbët (shteti i hershëm),) dhe d) elasticitet kulturor (shqiptarët, vllehët). Shqiptarët janë një nga popujt e rrallë të Ballkanit që mbijetuan si identitet i pandërprerë nga antikiteti deri sot. Ata mbijetuan aty ku shumë të tjerë u zhdukën.

Shqiptarët në të kundërt të popujve të tretur, qenë mbijetesa përmes shpërndarjes së energjisë. Ata mbijetuan sepse struktura e tyre ishte e shpërndarë prej a) terrenit malor (entropi e ulët demografike) b) lëvizshmërisë vertikale (shmangie e kolonizimit), c) ekonomisë baritore (fleksibilitet sezonal), d) rrjetit fisnor (elasticitet social) dhe e) gjuhës së e ruajtur në mikronjësi popullate dhe territori (energji kulturore e brendshme). Ishte kjo shpërndarje që krijoi një strukturë disipative: një sistem që nuk thyhet sepse nuk ka një pikë të vetme thyerjeje. Shqiptarët nuk ishin ledhe e bedena; ata ishin prroska e përrenj që gurgullojnë papritur, evazivë, por të ushqyer nga një sistem hidrik malor dhe natyror i pasosur. Në male energjia e jashtme shpërndahet, pushtimi e humbet forcën dhe identiteti ruhet.


[1] Kultura e Komanit është një shembull i qartë i emergjencës negative të shmangur: sistemi nuk shembet, sepse popullsia redukton shkallën e funksionimit, por jo strukturën e brendshme të identitetit, duke kaluar nga makroorganizimi imperial romak në mesoorganizim komunitar, duke ruajtur informacionin kulturor (simbolik, teknik, ritual), dhe duke ulur koston energjetike të mbijetesës drejt një forme të re kulturore, që më vonë do të ushqejë formimin e shqiptarëve mesjetarë. Ajo kulturë tregon si kalohet nga emergjenca konservuese në emergjencë krijuese, duke gjeneruar një identitet të ri me entropi më të ulët se mjedisi përreth.

[2] Prejardhja ilire e shqiptarëve, edhe pse e pranuar gjerësisht, nuk duket e vërtetuar katërcipërisht dhe në mënyrë të pakontestueshme. Për këtë trajtesë, kjo prejardhje nuk bart asnjë relevancë, sepse këtu do diskutohen principet e ruajtjes dhe mbijetesës bazuar në vetitë fizike të bashkësisë parashqiptare në një kohë të dhënë. Ndaj edhe sikur origjina e popullsisë parashqiptare të jetë, të themi sipas një teorie, nga migrimet prej Anatolisë para 6 mijë vjetësh, kjo nuk do ndryshonte kurrgjë në premisat e kësaj trajtese. Sepse parashqiptarët janë ndër popullsitë më të hershme të Ballkanit, në mos më e hershmja – kjo është e vërtetuar shkencërisht. [Referohu, për shembull, te studimet e Cavalli-Sforza-s.]

[3] Termi “dissipative systems” vjen nga termodinamika e gjendjeve larg ekuilibrit (Prigogine) dhe i referohet sistemeve që ruajnë rendin e tyre të brendshëm duke shkëmbyer vazhdimisht energji dhe materie me mjedisin. Në shqip përdoret zakonisht përkthimi “sisteme disipative”, megjithëse gjuha nuk ka një folje të drejtpërdrejtë për “to dissipate” në kuptimin fizik. Foljet ekzistuese – si “shpërhap”, “shpërndahet”, “humbet gradualisht” – e kapin vetëm pjesërisht kuptimin teknik. Në kontekstin shkencor, “dissipation” nënkupton procesin përmes të cilit një sistem larg ekuilibrit ruan strukturën duke disipuar energji të lirë (p.sh. nxehtësi, entropi) në mjedis. Kështu, “dissipative systems” nuk janë sisteme që thjesht humbin energji, por struktura që qëndrojnë të gjalla pikërisht sepse humbin energji në mënyrë të organizuar. Për këtë arsye, në tekst përdoret termi teknik “disipim” për të ruajtur saktësinë konceptuale, ndërsa kuptimi i tij i plotë duhet lexuar si: procesi i ruajtjes së rendit përmes shkëmbimit të vazhdueshëm energjetik me mjedisin.

[4] Psh Skellig Michael, një shkëmb i zhveshur në mes të Atlantikut, Clonmacnoise në brigjet e lumit Shannon, larg çdo qendre politike, apo Iona, një ishull i vogël në brigjet e Skocisë.

[5] Ku përfshiheshin Bibla latine (Vulgata e Jeronimit,) Shkrimet e Shën Augustinit, Shën Jeronimit, Shën Gregorit të Madh, apo Shën Ambrozit, Virgili (Aeneis, Georgica, Eclogae,) Ovidi (fragmente,) Marcus Annaeus Lucanus, Publius Papinius Statius, Marcus Valerius Martialis (pjesërisht – ky autor ishte interesant si jokanonik për murgjit, sepse epigramet e tij ishin shpesh satirike, erotike dhe të papërshtatshme për përdorim liturgjik,) Horaci (në disa dorëshkrime të shpërndara), Donatus (gramatikë), Priscianus (gramatikë e avancuar), Isidori i Seviljes – Etymologia, Boethius – Logjika aristoteliane në latinisht dhe De institutione musica

[6] https://www.biorxiv.org/content/10.1101/2023.06.05.543790v2.full

[7] Progon-i, themeluesi i Arbanonit në Krujë rreth vitit 1190, mund të konsiderohet si shtetari i parë (nën autoritet bizantin) në linjën e gjatë të personaliteteve shqiptare me atribute të tilla që do vijonin më pas.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin