Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

SHQIPJA E SHUMËFISHUAR (ii)

Rreth inflacionit të fjalëve në fjalorin shqip

Numri i fjalëve në një fjalor është tërësisht funksion i kritereve leksikografike – nëse lexoj është pa dyshim fjalë shqipe dhe meriton të jetë lemë edhe në fjalorin më elementar të kësaj gjuhe, leksikografi sërish duhet të vendosë nëse fjalët e prejardhura prej kësaj foljeje, si lexues, lexuese, lexim, i lexuar, i lexueshëm e ndonjë tjetër (i palexueshëm, rilexoj, etj.) duhen trajtuar si fjalë të barasvlershme me lexoj, apo duhen përfshirë në çerdhen e fjalës lexoj. Ka fjalorë njëgjuhësh e dygjuhësh, të gjuhëve të mëdha, që i organizojnë fjalët në çerdhe; të tjerë parapëlqejnë t’i trajtojnë si leksema të barasvlershme. Megjithatë, dhe pavarësisht nga kriteri i adoptuar, fjalët që dalin si lema më vete (headwords, në anglishte) duhet të jenë të paktën të konfirmuara si fjalë ekzistuese (të konfirmuara sipas kriterit përkatës të vendosur) dhe të përdorura në gjuhë; përndryshe, statusi i tyre si fjalë të mundshme, ose të tilla që mund të krijohen dhe të pranohen lirisht, nëse i kërkon konteksti ose nevojat e përdoruesit, nuk do të mjaftonte.

Për gjuhë artificiale, si esperantoja, çështja e numrit të fjalëve nuk ngre shumë peshë. Në fakt, esperantoja ka një numër relativisht të vogël fjalësh rrënjë – rreth 900, në versionin origjinal që u shtuan në deri rreth 2,600 në fjalorët e hershëm. Nga këto fjalë-rrënjë mund të krijohen dhjetëra mijëra fjalë përmes një sistemi tejet produktiv ndajshtesash dhe kompozimi. Kjo bën që shumica e fjalëve në esperanto të jenë leksikisht të motivuara, me kusht që të njihet rrënja; dhe, për rrjedhojë, arbitrariteti i shenjës gjuhësore në këtë gjuhë vjen më i dobët se në gjuhët natyrore.

Të pyesësh për numrin e fjalëve në esperanto është njëfarësoj si të pyesësh për numrin e fjalive në anglishte ose në shqipe – pa kuptim. Dhe kjo sepse, njëlloj si fjalitë në gjuhët natyrore, edhe fjalët e esperantos mund të gjenerohen në ligjërim, sipas nevojës, në bazë të një sistemi rregullash fikse. Kjo është vetëm një analogji, sepse morfologjia e fjalës, në esperanto, nuk është e njëjtë me sintaksën e fjalisë në gjuhët natyrore (po ashtu, fjalëformimit në esperanto i mungon rekursiviteti, por le ta lëmë këtu).

Një shembull: spitali në esperanto është mal-san-ul-ej-o, që zbërthehet kështu:

mal – e kundërta e sa vijon
san – shëndet
ul – person i karakterizuar nga sa paraprin
ej – vendi që i shoqërohet sa paraprin
o – shënjuesi nominal

duke marrë e tëra kuptimin “vendi ku shkojnë/rrinë personat e pashëndetshëm”.

Morfologjia e esperantos është e tillë që, në bazë të një bashkësie të vogël rregullash dhe një bashkësie të vogël rrënjësh, të mund të përftohet një bashkësi e madhe fjalësh të mundshme. Karakteristikë parësore, e kësaj gjuhe, është që ka një morfologji fjalëformuese të rregullt dhe jashtëzakonisht produktive.[1]

Si gjuhë në zhvillim të shpejtë dhe me nevoja leksikore të pashembullta, edhe shqipja po kalon këto dekada një fazë esperantizimi, sidomos të leksikut abstrakt (libror) dhe terminologjik. Kështu, Fjalori i vitit 1980 kish foljen tjetërsoj (dhe variantin jetërsoj) për italishten “alienare”, me kuptimet 1. E bëj pronë të dikujt tjetër, ia kaloj si pronë një tjetri dhe 2. E bëj tjetër, e bëj ndryshe, e ndryshoj. Kjo tjetërsoj shoqërohet, në fjalës, nga emri foljor i veprimit tjetërsim (jetërsim) dhe nga mbiemrat i tjetërsuar (i jetërsuar) dhe i tjetërsueshëm (i jetërsueshëm); dhe nga mbiemri parashtesor i patjetërsueshëm (i pajetërsueshëm) “që nuk mund të shitet ose të blihet, që nuk mund t’i kalojë si pronë një tjetri”, si term i drejtësisë për italishten “inalienabile”. Këtyre fjalëve, Fjalori i madh i tanishëm u ka shtuar patjetërsueshmëri (pajetërsueshmëri), si emër abstrakt, i formuar mbi bazën e i patjetërsueshëm dhe që përkon me italishten inalienabilità. Kemi kështu gjashtë fjalë: tjetërsoj, tjetërsim, i tjetërsuar, i tjetërsueshëm, i patjetërsueshëm, patjetërsueshmëri të formuara nga kombinimi i temës “tjetër” (me gjashtë variante të tjera nga tema “jetër”) me ndajshtesat -so, -im, -ueshëm, pa-, -ëri[2]. Problemi me fjalë të tilla, që nesër mund të vazhdojnë të shtohen (si mendoni për pajetërsueshmërisht?) është se e bëjnë ligjërimin opak, sa kohë që folësi nuk është mësuar me to, duke shtuar një dozë të mëtejshme artificialiteti atje ku artificialiteti ishte tashmë problem.

Ky gramatikalizim i fjalëformimit në një gjuhë natyrore sjell inflacion të leksikut, i cili çon pastaj në zhvlerësim të fjalës në përgjithësi – njëlloj siç ndodh kur shteti printon monedhë, edhe fjalët “e reja”, që radhiten në fjalor vetëm e vetëm ngaqë janë të mundshme, janë fjalë kallpe, guaska boshe në pritje të moluskut.

Dikur e pata trajtuar esperantizimin si manifestim të impaktit totalitar ndaj shqipes[3]; këtë, edhe në gjurmë të fantazisë së Orwell-it për rigjuhën. Në fakt, një regjim që kërkon të përpunojë një zhargon të tillë, që të bllokojë mendimin e lirë duke reduktuar alternativat, i sheh këto “fjalë të mundshme” si mundësi rekrutimi leksikor dhe përdorimi në format e ngrira të ligjërimit, të cilat nuk janë veçse forma njëlloj të ngrira të mendimit.

Vlera e fjalëve të krijueshme ka të bëjë me distancën mes shënjuesit dhe të shënjuarit, sa kohë që përdoruesit nuk ua dinë mirë kuptimin. Nga folja ndërtoj, mund të kalohet lirisht në ndërtues, ndërtim dhe pastaj ndërtimtar e ndërtimor, por ndërtimtar fton edhe për të shkuar te ndërtimtarí, një fjalë me kuptim të paqartë – të cilën vazhdojmë ta lidhim mendërisht me të ndërtuarit, por pastaj e humbim shtegun.

Nëse këto fjalë të mundshme do të përfshihen apo jo në një fjalor të shqipes, kjo varet nga synimet e veprës; edhe pse shkalla e përdorimit të tyre, e matshme nëpërmjet një korpusi, nuk duhet shpërfillur. Fjalori mund t’i shërbejë stabilizimit të normës leksikore, por nuk mund ta bëjë këtë duke shërbyer si “magazinë” fjalësh të prodhuara rishtas dhe të gatshme për t’u vënë në përdorim. Për fat të keq, Fjalori i madh i shqipes ka rënë në këtë grackë inflacionare dhe ka ardhur i mbushur me produkte të fjalëformimit krijues, që nuk duket se i plotësojnë kriteret teknike elementare, për t’u kodifikuar në normën leksikore.

Në esperanto, përdoruesi mund të ndërtojë një fjalë duke kombinuar një nga rrënjët e pranuara me një numër të madh ndajshtesash, në pajtim me nevojat leksikore të momentit; dhe nëse fjala është e formuar sipas rregullave, askush nuk mund t’i thotë se po përdor një fjalë që “nuk ekziston” në esperanto. Në fakt, fjala ekziston që nga momenti kur është krijuar në mënyrë korrekte. Por nuk ndodh kështu në një gjuhë natyrore, si shqipja. Prapashtesa -ore përdoret vërtet për të krijuar emra vendesh ku prodhohet ose shitet një produkt i caktuar, si në rastet e bulmetore, orizore, ëmbëltore, mëngjesore, por ka edhe përdorime të tjera: akullore nuk është vendi ku shitet akulli, por kjo nuk e bën fjalën të parregullt. Dhe nëse unë dua të hap një dyqan, ku të shes piktura, të cilin të vendos ta quaj pikturore në bazë të modelit fjalëformues përkatës, gjasat që kjo pikturore të bëhet fjalë e shqipes janë pafundësisht të ulëta, siç do të ishin të tilla edhe për pikturashitës (e ndërtuar sipas modelit të gazetashitës) ose piktorí (e ndërtuar sipas modelit të librari, rrobaqepësi, argjendari). Këtë pikturí nuk do të mund ta përdorja as për të emërtuar degën e arsimit të lartë ku studiohet për pikturë, në bazë të modelit që më japin fjalë si gazetari dhe inxhinieri. Ndryshe nga esperantoja, shqipja – si shumë gjuhë të tjera europiane dhe jo vetëm – nuk i krijon fjalët në momentin e produksionit të ligjërimit; që ta përdorësh një fjalë, normalisht duhet të kesh sigurinë që ajo është përdorur tashmë dhe do të njihet si e tillë.

Përndryshe, në gjuhët natyrore, neologjizmat ose fjalët e krijuara rishtas nuk janë aq fjalë, sesa sugjerime fjalësh; sepse fjala pagëzohet në përdorim, ose kur i kapërcen kufijtë e tekstit ku është krijuar për herë të parë. Poetët krijojnë shpesh neologjizma, sepse vetë hapësira e ligjërimit poetik i pranon; këto neologjizma nuk janë fjalë, por figura të fjalëformimit; tërheqin vëmendjen nga vetja, pikërisht sepse ashtu dëshiron krijuesi i tyre. Në përgjithësi, kompozitat pronësore nuk mund të konsiderohen fare si fjalë, përveçse kur janë konsoliduar në përdorim (p.sh. zemërmirë, mjekërbardhë, etj.). Për të futur një fjalë në gjuhë nuk mjafton ta krijosh; duhet që fjala të pranohet nga sistemi dhe të hyjë në përdorim. Kjo është diçka elementare, por shpesh shpërfillet, në entuziazëm e sipër. Mjaft të lexosh vjershat e Asdrenit, bie fjala, për të parë si ky poet i dhembshur, i cili fatkeqësisht i kishte disa probleme me shqipen, ka krijuar një numër të madh neologjizmash, të cilat i kanë lindur të vdekura dhe kanë mbetur të varrosura në djepet ku i vendosi poeti. Mjaft edhe të marrësh në dorë ndonjë nga veprat fetare të Papa Kristo Negovanit, ose të Petro Nini Luarasit, të cilat përsëri përmbajnë një mizëri neologjizmash, shpesh të ngjizura sipas modeleve të greqishtes, por që nuk janë pranuar nga gjuha.

Me të drejtë u qesëndis fjala bythadritë, si fjalë arbërishte për “xixëllonjë”; folësit nuk e pranuan, edhe pse disa e quajtën “të bukur”. Nuk e pranuan, sepse bythë në shqipen e sotme është fjalë bisedore, shpesh thjeshtligjërimore, që i reziston neutralizimit stilistik. Vetë fakti që disave kjo fjalë iu duk “e bukur” dëshmon se ajo u perceptua si krijim letrar, poetik, ku metafora e bythës që bën dritë perceptohet si e freskët dhe origjinale. Nuk di të them gjë për statusin e fjalës në arbërishte, por di (nga Eda Derhemi) që në variantin arbëresh të shqipes, bytha shpesh emërtohet si “fund”. Por ata që u gajasën me bythadritë dhe ata të tjerët që u mrekulluan me të, nuk vunë re që, krahas kësaj, Fjalori i madh kishte edhe vezullimë, vezullinë, vezullojë, vezullonjë, vezullore, xixëllimë, bukurezë, çikëlore, bukuré, buburezë, buburizë, shkëndijëz, gacullinë, cilivile, buburiskë e kushedi ç’tjetër, madje një pjesë thjesht variante fonetike. Autorët e fjalorit do të mbrohen dhe do të thonë se fjalë të tilla i kanë gjetur në përdorim; anipse përfshirja e tyre rrezikon ta shndërrojë Fjalorin vetë në bodrumin e një muzeu zoo-folklorik, në mos e shndërrofshin në një rrënojë të normës leksikore.[4]

Për t’u vënë re edhe se ky pseudo-bollëk i vezullimë, vezullinë, vezullojë, vezullonjë, vezullore, xixëllimë, bukurezë, çikëlore, bukuré, buburezë, buburizë, shkëndijëz, gacullinë, cilivile, buburiskë është e kundërta e esperantizimit, sa kohë që dëshmon mungesën e rregullit a kaosin fjalëformues. Në esperanto, xixëllonja quhet ose fulgoro, nga rrënja fulgor, me kuptimin “vetëtimë, flash, ndriçim” dhe mbaresa -o që tregon përkatësinë në emrat; ose lumvermo, si fjalë e përbërë nga rrënjët lum– “dritë”, dhe verm- “krimb”; më rrallë përdoret lampiro, si përshtatje e neo-latinishtes lampyris për xixëllonjën, kryesisht në tekste shkencore. Dallimi mes fulgoro dhe lumvermo me gjasë shpjegohet me atë që larvat e xixëllonjës, në anglishte “glowworms”, u ngjajnë krimbave dhe lëshojnë edhe ato dritë me pjesën e pasme të trupit.

Natyrisht, asnjë folës a shkrues i shqipes nuk ka nevojë t’i përdorë a t’i njohë sinonimet vezullimë, vezullinë, vezullojë, vezullonjë, vezullore, xixëllimë, bukurezë, çikëlore, bukuré, buburezë, buburizë, shkëndijëz, gacullinë, cilivile, buburiskë; të cilat më shumë se sinonime, janë variante leksikore që as ndeshen së bashku, as dallojnë kuptimisht mes tyre. Ekzistenca e tyre në shqipe ka të bëjë me segmentimin e të folmeve dhe diferencimin gjeografik; dhe prania e tyre në Fjalor, aq më tepër në një fjalor që synon të jetë normativ, tregon se një pjesë e pasurive leksikografike të shqipes nuk pasqyron eficiencën e saj, as shkallën e kodifikimit të dëshiruar.

Me gjasë, sinonimet dialektore – ose leksikografike – që i gjen me bollëk në Fjalorin e madh, më shumë dëshmojnë shkallën e papërpunimit të leksikut shqip. Unë nuk di se mbi ç’bazë është përligjur përfshirja në fjalor e sinonimeve si ato që përmenda më lart për xixëllonjën ose, për të mos u mjaftuar me një shembull të vetëm, e sinonimeve të tilla si cullanjak, cicimul, kërthi, llec, miclim, njome, picimul, djepës, djepësor, njomëz, njomëzak, lurek, bishtak, ferishte, gërdhuckë, gërdhuz, famull, pot, të gjitha me kuptimin “foshnjë”. E kam të vështirë të pranoj se fjalë si këto, që zakonisht as nuk shoqërohen me shënime stilistike, janë ndeshur në korpus(et) aq herë, sa të kenë kënaqur kriteret përkatëse. Fjalë të tilla gjithnjë rrezikojnë ta shndërrojnë fjalorin në magazinë pa inventar, teksa shtojnë numrin e fjalëve (për shumë nga këto, dalin si fjalë më vete edhe trajtat femërore më -e).

Shumë prej nesh, ende nën ndikimin e romantizmit dhe të kombëtarizmit gjuhësor, i konsiderojnë këto koleksione të leksikut dialektor, të ekspozuara në fjalor (përfshi këtu edhe Fjalorin), si dëshmi të pasurisë së shqipes. Nuk është tamam kështu. Pasuria e një gjuhe është metrikë e përdorimit të saj, jo e fotografimit (regjistrimit). Njëlloj si bankënotat, edhe fjalët nuk kanë vlerë nëse nuk qarkullojnë në treg; dhe problemi me fjalë të tilla si këto që përmenda më lart është se ato kanë shumë pak shanse që të qarkullojnë, ose të rikuperohen nga përdoruesit në rrjedhë të kohës.[5] Një nga efektet e normës leksikore është, në mos thjeshtimi, të paktën diferencimi (kuptimor dhe stilistik) i fjalëve që, për shkak të praktikës leksikografike, e gjejnë veten krah për krah në të njëjtin fjalor; por ky diferencim nuk mund të ndodhë brenda fjalorit. Duhet që fjalët të përdoren aktivisht – në tekste letrare, në tekste shkollore, në terminologji – që të kenë të paktën një shans për t’u rikuperuar. Jashtë përdorimit të mirëfilltë, një varg fonemash, i sugjeruar nga dikush, dhe në kombinim me një kuptim specifik, ka po aq vlerë sa edhe një kartëmonedhë e pikturuar prej meje në shtëpi: mbase si vepër arti, por jo si fjalë.

Pyetja që duhet bërë është nëse sinonimet dialektore (sikurse krahinizmat në përgjithësi) dhe neologjizmat janë vlerë e shtuar për leksikun, apo problem që kërkon zgjidhje. Në këtë moment, mbase duhet filluar diskutimi me premisën se përfshirja dhe kodifikimi i një fjale të rrallë çfarëdo në një fjalor, përfshi edhe Fjalorin e madh, nuk përfaqëson ndonjë përdorim të saj, por vetëm një shpresë në rastin më të mirë, dhe një iluzion, në rastin më të keq.

(fund)

(c) 2026 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar kryesisht Midjourney.


[1] Kush i njeh sado pak përpjekjet e Leibniz-it ose të John Wilkins ose të shumë filozofëve, logjicienëve e mendimtarëve gjithëfarësh për t’ia dhënë një gjuhë hiper-racionale iluminizmit që po merrte trajta gjatë shekujve XVII-XVIII do të më kuptojë më mirë… Ja një shembull çfarëdo i nxjerrë nga vepra e Letellier (1850), të cilin po e citoj sipas një eseje të Borges-it:


a
 do të thotë “kafshë”; ab, “gjitar”; abo, “mishngrënës”; aboj, “felin”; aboje, “mace”; abi, “barngrënës”; abiv, “kalë”; etj.

[2] Mbiemrin prejpjesor i tjetërsuar mund ta marrim si një lloj konversioni, me ndajshtesë zero.

[3] Te Shqipja totalitare, Çabej 2009.

[4] Ndërkohë xixëllonjat, për shkak të ndotjes së mjedisit dhe reduktimit të habitatit të tyre, janë duke u zhdukur; qofshin bekuar ata që do të ngushëllohen me të paktën regjistrimin e emrave të tyre nga një fshat në tjetrin.

[5] Për metaforën konceptuale, që e sheh gjuhën dhe monedhën si sisteme të ngjashme, që u binden rregullsive të ngjashme, kam folur në kapitullin “Bankat e fjalëve”, të librit tim Fjalë për fjalë, Çabej 2017.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin