Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi

DIJA E SHPIRTIT

NË KOHËN E INTELIGJENCËS ARTIFICIALE

Jemi përballë një ndryshim përmbysës, të madh, të marramendshëm. Po ndryshon puna intelektuale e njeriut, atje ku tani ai për paradoks do të jetë më pak, shpejtësia e marrjes dhe e përhapjes së këtij produkti, vetëtimshëm, jo si fjalë, por si fotone në transmetimin elektromagnetik, mendimi kritik i tij arrin në çast sa mund të ndodhë të mos ketë kohë të lexohet as kërkuesi i tij, alias autori.  

Njeriu i shekullit XXI nuk e zotëron dijen e shekujve, por e ka atë të aksesueshme në çast, kujtesa nga kufijtë biologjikë ka kaluar në një regjim të jashtëm të dijes. Duket sikur njeriu nuk do të mund ta përballojë dot këtë arritje të tij, e cila po e tejkalojnë dhe atë vetë, sa duket se po ia ndryshon dhe të përditshmen dhe të përjetshmen.

Thashë që në fillim “ndryshim përmbysës”, por për keq apo për mirë, pyes dhe nuk i përgjigjem dot, ky është një shqetësim gjeneral, e gjitha varet nga përdorimi, sugjerojnë shkencëtarët, filozofët, madje edhe psikiatrit, pa e shmangur merakun e rrezikut se mund “të na dalë prej duarsh”…   

Dora e njeriut – mrekullia e tij, ajo që punon dhe që na shkruan… neve, – po mendoja dhe shqetësohem, pse, poezitë e mia nuk do t’i bëj më unë, por teknologjia? Dhe me poezinë kuptoj gjithë veprimtarinë krijuese të njeriut.

Ç’duhet bërë?… E di që përgjigjja s’mund të jetë imja, veç ankthit të të shpëtuarit të vetes.

Njeriu përballë makinës që mendon 

Epoka e Inteligjencës Artificiale, pra, shënon një kthesë të paprecedentë në historinë e njerëzimit. Të gjitha zbulimet dhe shpikjet, që nga zjarri dhe rrota dhe leva dhe veglat parake të punës e deri te uzinat moderne dhe kompjuteri që marrim me vete, etj e kanë fuqizuar njeriun dhe kurrsesi ato s’mund të merrnin vendime.  

Po Inteligjenca Artificiale? Teknologjia nuk është më thjesht mjet; ajo po bëhet subjekt veprimi, e aftë të përpunojë të dhëna, të marrë vendime, të prodhojë tekste, imazhe, diagnoza mjekësore, madje edhe interpretime juridike, po bën kritika letrare, piktura, poezi, muzikë, siç ka vërejtur Yuval Noah Harari: “Kurrë më parë njerëzimi nuk ka krijuar një inteligjencë që mund ta tejkalojë atë në kaq shumë fusha njëherësh.” 

Këtu lind frika themelore dhe imja: a po rrezikon njeriu të bëhet i tepërt?

Jo vetëm ekonomikisht, por edhe ontologjikisht: çfarë mbetet njerëzore, kur makina di më shumë se secili i vetëm dhe se të gjithë bashkë dhe vepron më shpejt, më saktë dhe më gjerë? Ç’do të bëjmë ne?

Teknologjia ka ikur përpara me shpejtësi marramendëse, them prapë, i shtangur si dikë që e lë avioni. Teknologjia po bëhet “më e aftë” se njeriu… Por aftësia nuk është kuptim, mërmëris. Inteligjenca nuk është ndërgjegje, ngre zërin. Dhe llogaritja nuk është përgjegjësi morale, dua të akuzoj.

Dhe hap dhe unë ChatGPT. Të këshillohem, të grindem… Që njeriu të mos bëhet i tepërt, ai duhet ta mbajë nën kontroll teknologjinë dhe ta vërë gjithë shkencën në shërbim të jetës njerëzore. Absolutisht po. Kjo nuk është armiqësi ndaj shkencës, por mbrojtje e qëllimit të saj, edhe e dinjitetit. E drejtë.

Albert Einstein paralajmëronte: “Përsosmëria e mjeteve dhe konfuzioni i qëllimeve duket se karakterizojnë kohën tonë.” Dhe Ajnshtajni duket si i tejkaluar tashmë.

Ne kemi mjete gjithnjë e më të fuqishme, por gjithnjë e më pak qartësi për atë se përse i përdorim. Hans Jonas formuloi parimin e etikës së përgjegjësisë:

“Vepro në mënyrë që pasojat e veprimit tënd të jenë të pajtueshme me vazhdimësinë e jetës autentike njerëzore mbi Tokë.”

Kjo është Nyja Gordiane do të thosha: Shkenca duhet të jetë në shërbim të njeriut, jo njeriu në shërbim të makinës.

Fëmijët tanë… Si të banojmë brenda vetes?

“Shikoni si po rriten fëmijët tanë?” – është një pyetje që bëhet shpesh. Natyrisht është dhe mirëqenia, plotësimi i dëshirave, çdo gjë gati, edhe loja mund të jetë në shtëpi, shkolla në kompjuter dhe shokët e shoqet (“friends”) në FB, etj, etj. dhe të dhemb diçka që s’është në kompjuter, dashuria, meraku prindëror, në kompjuter s’ka “plasje shpirti”, por prishje të tij.  

 Breza të tërë po formohen në një botë me vëmendje të fragmentarizuar,/ me marrëdhënie të ndërmjetësuara nga ekranet,/me shpejtësi informacioni, por, ah, me varfëri reflektimi. (Psherëtima është gjithmonë imja, besoj…)

Sherry Turkle shkruan: “Ne jemi gjithnjë e më të lidhur përmes teknologjisë, por gjithnjë e më të vetmuar në përvojën njerëzore.”

Rreziku nuk është vetëm varësia teknologjike, por zbrazëtia shpirtërore. Pa heshtje, pa përqendrim, pa thellësi, njeriu humbet aftësinë për të banuar brenda vetes, ah, psherëtij prapë.

Roli i arteve dhe i letërsisë: mbrojtëset e shpirtit

Kam besuar dhe besoj fort, përjetë, se artet dhe letërsia janë dhe mbeten vendimtare. Ato janë hapësira ku jo kujtesa, por shpirti ruan kujtesën e vet,/ shpreh dhimbjen dhe shpresën, /ushtron empatinë,/ dhe kultivon edukimin e shpirtit.

A mund të guxoj të them edukim të shpirtit?

Shpirti që nuk evoluon ose evoluon aq pak… Nuk besoj se është veç vëzhgim imi.

Teknologjia ndryshon vazhdimisht, shkenca përparon pa pra, format dhe sistemet shoqërore shndërrohen dhe pleksen, por ngazëllimet dhe dramat e shpirtit njerëzor mbeten të njëjta, kam menduar. Që student kam gjetur te Homeri, te Akili dhe Hektori i tij, te Helena e bukur, tek Odiseu që udhëton dhe mbërrin tek ne si në një Itakë, se dashuria dhe humbja,/ nderi dhe faji,/ tutja dhe guximi, / dëshira për pavdekësi dhe frika nga vdekja janë po aq të gjalla sa sot. Njerëzimi qesh njëlloj, edhe gjaku derdhet njëlloj.

Dantja është fare poet modern. Edhe Shekspiri. Servantesi bredh i pakohë. James Joyce dhe Kafka janë të vjetër sa ata…

Siç duket, thelbi i njeriut nuk modernizohet me ritmin e makinave. Mund të themi se mjetet përsosen, por shpirti mbetet i njëjtë. Ta ketë arritur përsosjen?

Prandaj kriza e sotme, nëse mund ta quajmë kështu, nuk është vetëm teknologjike; është krizë e moszhvillimit shpirtëror në një botë që zhvillohet pa masë.

Letërsia, i kthehem prapë, nuk është informacion, por përvojë shpirtërore, e brendshme, emocion i gjallë, jo dridhje teknike. Arti dhe letërsia janë shkollat e çlirëta, pa  edukatorë ose me edukatorë të padukshëm të ndërgjegjes njerëzore, që e mbajnë njeriun të lidhur me atë që nuk llogaritet, me dashurinë, gëzimet, dhimbjen, mëshirën, sakrificën, mirëkuptimin , shpresën, rritjen e fëmijës dhe të vetes bashkë me atë…

Një algoritëm mund të prodhojë tekst, por nuk mund të përjetojë puthjen e Romeos me Zhuljetën, fajin e Raskolnikovit, dëshpërimin e Antigonës., triumfin e Zhan Valzhanit apo të plakut Santiago të Heminguejt apo vetminë e atij që njoh unë. E cili do ta shkruajë këtë, AI apo ai/unë?

Kur Dostojevskij thoshte se “Bukuria do ta shpëtojë botën”, për ç’bukuri e kishte fjalën? Thjesht atë estetike, që duket apo për bukuri tjetër? Duhet dhe aftësia për të parë tjetrin jo si objekt dhe më shumë se sa si qenie.

Mua më ka mrekulluar letra e tim biri, kur ishte student në Milano, që i shkruante një shoqeje po studente në Londër se fjala s’ishte vetëm për bukuri fizike dhe shpirtërore, por, ngulmonte Atjoni, që e bukura është dhe kjo: “Bëj çka të duket më e bukur”, letra është në librin e tij “Për atë që dua(m)”, pra, kjo është bukuria, secili ka të veten dhe për atë je caktuar vetëm ti…

Virtytet: dashuria dhe e mira… drejt qiellit!

Duhet kthimi më fuqishëm dhe plotësisht te dashuria, te virtytet, te e mira, te drejtësia, te krijimi – është i domosdoshëm. Po alarmante paskësh qenë dhe me Aristotelin: “Qëllimi i jetës nuk është vetëm të jetosh, por të jetosh mirë” – thoshte ai para 2400 vjetësh.

Dashuria, dhembshuria, lumturia, përgjegjësia, sakrifica, etj, nuk mund të reduktohen në kode. Mund të shkërbehen nga makinat, por jo të përjetohen. Ato i përkasin botës së brendshme të njeriut, shpirtit.

Megjithatë, kaq nuk mjafton, mendoj. Virtyti pa një horizont, pa një qiell më të lartë, rrezikon të mbetet moralizëm. E mira pa kuptimin e fundit humbet drejtimin.

Dashuria duhet të rrokë tokën dhe qiellin.

Teknologjia na ka çuar dhe drejt qiellit si eksploratorë, me teleskopë, observatorë të fuqishëm,  me satelitë, stacione hapësinore, zbritjen në hënë, etj, etj. Por do të pyesja për më thellë, se si po i afrohemi qiellit? Për ç’dije? Sa qiell kemi brenda vetes, sa do dimë të jemi dhe të qiellit?

Shën Augustini thoshte: “Na ke krijuar për Ty, o Zot, dhe zemra jonë është e paqetë derisa të pushojë në Ty.”

Dhe Pascal-i më habit: “Njeriu e tejkalon pafundësisht njeriun.”

Pra, njeriu nuk është vetëm trup dhe mendje, por dhe më tej, etja e tij për transcendencë. Pa këtë dimension, ai reduktohet në funksion, në të dhëna, në objekt optimizimi, – gjë që ta thotë dhe AI.

DIJA E SHPIRTIT – një propozim…

Këtu shfaqet thelbi i mendimit  tim:

DIJA E SHPIRTIT – nuk është një term i trashëguar, as nga teologjia klasike, as nga filozofia teknologjike bashkëkohore. Është një emërtim i ri, sipas meje, për atë që mungon në epokën e AI-së, por që afërsisht të tillë mund ta kemi dëgjuar në mesha apo në katekizëm.

Jo vetëm informacion, algoritme, inteligjencë funksionale, por njohje e brendshme e kuptimit, e Njeriut si krijesë dhe krijues dhe i krijuar, i dashurisë së tij që është botë dhe bota është dashuri e tij.

Karl Rahner ka shkruar: “Njeriu i së ardhmes ose do të jetë mistik, ose nuk do të jetë fare.”

Pra, jo vetëm përgjegjësi morale, por edhe metafizike, të shkohet te e mira e së shenjtës. Njeriu duhet të zbulojë universin e shpirtit brenda vetes dhe brenda universit, që të mos zhduket, aq si subjekt kuptimor.

“Dija e Shpirtit” them unë.

Si domosdoshmëri. Ku shkenca, filozofia dhe teologjia të bashkohen, me Krijuesin si prani.

Poezia e jetës, – them prapë, jo thjesht ajo që shkruajmë e sidomos jo ajo që shkruan AI, por që e përjetojmë vetë, me gjakun tonë e frymën tone dhe plagën tonë, që fillesën e ka si një lutje dhe mbetet si e tillë, jo vetëm në tempuj, por edhe së brendshmi, në tempullin e vetes, me muzikën e tyre të plotë. Që janë të shpirtit dhe ushqim i shpirtit…

Rilke thoshte se “Poezia nuk është një mënyrë për të shprehur mendimet, por mënyra për të jetuar ato.”

Ajo muzikë e pa fjalë, që prek pafundësinë e emocioneve dhe prin njohjen intuitive të së shenjtës. Ajo lutja përtej riteve, dialog me më të Lartën, drejt shenjtërimit dhe përforcimit të mëtejshëm me kuptimin e jetës, si mësuesi suprem i virtyteve dhe drejtësisë së madhe, që e mban njeriun të bashkuar me shpirtin dhe të lidhur me përjetësinë që formon përplotshmërinë e tij.

…shpresa në Dijen e Shpirtit

Po, shpresa ka, por jo në teknologjinë në vetvete, jo në përshpejtimin e proceseve, jo në inteligjencën artificiale si zëvendësim i njeriut.

Shpresa është në njeriun që e mban teknologjinë nën etikë,/ në njeriun që kultivon virtytin dhe dashurinë,/ njeriun që ruan artin dhe letërsinë si gjuhë të shpirtit,/ dhe mbi të gjitha njeriun që kërkon shenjtërimin, kuptimin e fundit, e Shpirtit. Që është drita e ndezur brenda nesh, që ka ndezës dhe mundëson të kuptuarit e botës dhe të vetes, me shenjtërinë e intuitës.

Dija e Shpirtit është fuqi aktive që shfaqet te njeriu modern për të lidhur fuqinë teknologjike me udhëzimin hyjnor.

Pa këtë dije, të Shpirtit, mund dhe do të kemi gjithçka: fuqi, shpejtësi, kontroll… por do të humbasim vetveten.

Me Dijen e Shpirtit, teknologjia mund të bëhet mjet drite, jo instrument humbjeje e njerëzores dhe të atyre që e mbartin atë.

Që njeriu të mos bëhet i tepërt në Kohën e AI-së a të paktën të mos ndjehet i tillë, do të thosha si mbyllje të përsiatjes time se ne, njerëzit, kemi një përparësi sipërane, Shpirtin, dhe duhet një hop tjetër ndërgjegjësimi që si njerëzim të kalohet në rrugën e shenjtërimit, le ta themi të secilës vetvete, është punë shpirtërore edhe vetanake, që teknologjia që krijuam nuk e ka dhe s’ka për ta patur këtë aftësi, këtu njeriu nuk arrihet dot, është i gjithëpushtetshëm, është i krijuar që të krijojë dhe duhet sa më parë përkushtimi madhor në Shkencën e Shëlbimit, në atë edukim dhe kulturë të dijes qiellore të pafundme të Shpirtit.

(c) 2026 Visar Zhiti. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me Flux.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin