Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kujtime

UNË DHE ARMËT

Tani mund t’ju dukem një zotëri skofiar, por raporti im me armët, duke filluar nga fëmijëria e hershme, ka qenë tejet i ngushtë.

U linda në shtëpi kirurgu vërtet, por puna ishte që kishim të bënim me kirurg ushtarak që, si oficer i Ushtrisë Popullore, zotëronte një pistoletë. Pistoleta e ordinancës e tim ati ishte një TT tip 54, prodhim kinez, e hirtë, e rëndë. Fëmijët e vegjël janë kureshtarë për çuçuvetë, kështu që edhe unë nuk bëja përjashtim.

“Mos na bën ndonjë punë ky djalë,” tha një ditë të bukur babai dhe, si fillim, hoqi nga qarkullimi fishekët, pastaj krejt pistoletën e transferoi në kasafortën e zyrës, bashkë me teserën e Partisë.

Im atë e kishte shumë të qartë situatën e plagëve me armë zjarri, se të gjitha plagosurit e këtij lloji në Shqipëri kalonin nga duart e tij (në qoftë se nuk vdisnin përpara). Zakonisht ishin vetëvrasje shkuar keq, por kish edhe mjaft plagosje aksidentale. Ishin kryesisht ushtarë, oficerët e vrisnin veten me plumb në kokë: me to merreshin neurokirurgët. Nganjëherë kishim të bënim me kërdi të vërtetë. Ndodhi vetëm një herë më duket: ushtari, para se t’ia hiqte vetes, kishte qëlluar me breshëri në fjetore.

Ama, kjo puna e pistoletës në kasafortë e pati një ndërlikim.

“Sot ia hodha për qime një vërejtjeje të rëndë për përjashtim nga Partia,” tha babai kur u kthye nga puna. Ministria e Mbrojtjes kishte bërë një kontroll gatishmërie në Spitalin Ushtarak. Oficerët (praktikisht i gjithë stafi mjekësor) ishin rreshtuar gatitu para të deleguarit nga ministria dhe duhet të nxirrnin pistoletat e t’i mbushin ose diçka e këtillë.

“Edhe?” i tha nëna.

“Edhe e kisha këllëfin e pistoletës bosh, se e kisha harruar atë të uruar në kasafortë. Imagjino tmerrin kur e hapa. Apo nuk isha në rresht të parë”

“Po si ia bëre?”

“I pëshpërita Ismailit (Feta) dhe ky i foli diçka koti të deleguarit për t’i tërhequr vëmendjen. Kështu që rrëshqiti muhabeti…”

“Pse për kaq gjë merr robi vërejtje?” tha nëna.

“Ç’kujton ti? Se mos kanë punë e zanat ata të ministrisë!”

Nejse. Pak kohë më pas im atë u përzgjodh të shkonte një vit specializim për kirurgji torakale në Kinë. Me sa duket plagët me armë zjarri po merrnin dhenë. Ai u nis, dhe të nesërmen lindi ime motër. Unë isha pesë vjeç e gjysmë. Në këtë situatë, gjithë atë vit ndejtëm te shtëpia e gjyshit (nga nëna). Shtëpia e gjyshit ishte mu në qendër, mbi Kafe Tirana. Praktikisht ishte kati i dytë i kafesë së njohur (shtetëzuar pronarit me gjithçka): pesë dhoma, një holl gjigant me oxhak, dy banja me bide, një vaskë. Librat e parë të jetës sime i kam lexuar i ulur nëpër WC-të alla frënga të kësaj shtëpie.

Tani, për mua, kur isha i vogël, thoshin që “nuk lë dy gurë bashkë”. Ndoshta prandaj, një ditë, tek lozja te dhoma e gjumit e gjyshërve, bëra diçka të re: lëviza një shtresë të lartë dyshekësh e jorganësh vënë mbi një sënduk. Si s’më paskësh shkuar mendja më parë? Shtyva me të dy duart që ta hap. U përpoqa çoç të shquaj rropullive të sëndukut. Ishte i thellë, errësirë brenda: dantella ngrirë në koll, por arrita ta këllas edhe më brenda dorën. Preka diçka të fortë, stërgjatëse, mbështjellë me një batanie të pluhurosur. E tërhoqa, por nuk arrija ta shpleks. Ishte e lidhur me rrecka prerë fije-fije. Me siguri diçka interesante fshihej aty! Shpalosa njërin cep dhe ia dola të shoh. U kapërdiva. Një pushkë. Më poshtë: dy automatikë, pesë-gjashtë karikatorë, një krehër fishekësh, katër revole, një dylbi. Rrëmbeva dylbitë dhe ia mbatha, i trembur, në bodrum.

Kur pa sepetin të hapur gojë gjyshja vuri alarmin, materializoi në çast gjyshin dhe imponoi linjën e saj politike: dorëzim i menjëhershëm i armëve “se mos na bën ndonjë hata djali”. Ditëve në vazhdim gjyshi dorëzoi armët në Ministri të Brendshme, kurse ato me vlera historike në Muzeun e Luftës Nacionalçlirimtare. Mirëpo, nga katër pistoletat tre gjyshi i mbajti. Njëra, bile, ishte revolver: një revolver i mrekullueshëm me mulli, që më dukej njësoj si ato të filmave “me kauboj” (përveç WC-ve alla frënga, paketa e luksit e shtëpisë së gjyshit përmblidhte edhe televizorin, ku shihnim programet italiane).

“Enfield-in nuk e jap, se e kam kujtim nga Hysen Çino,” këmbënguli gjyshi. “Kurse dy pistoletat e tjera do t’i bëj dhuratë.”

Dhe i fshehu mirë e bukur.

Në fakt, shprehja është e ekzagjeruar: m’u deshën vetëm dy ditë që t’i gjej. U dashurova së tepërmi me Enfield-in e Hysen Çinos. Ishte i zi, me një dorezë druri kafe. Në fund të dorezës kishte një unazë, besoj për ta lidhur me rrip. E nxirrja Enfield-in nga strofulla, e futja nën bluzë dhe shkoja te dhoma e dajës së vogël. Aty isha i sigurt që nuk më shqetësonte njeri, se e dija që daja i vogël e përdorte shtëpinë vetëm për të ngrënë dhe për të fjetur. Lëroja një grepç anash trupit të revolverit që ta shtyja mullirin majtas dhe ai dilte nga aksi i tytës. Për fat të keq mulliri ishte bosh! I fryja tytës, u mbaja erë foleve të fishekëve. Ah, ç’aromë! E rrotulloja mullirin me pëllëmbën e së djathtës dhe ai bënte një kërcitje të ëmbël, që ngadalësohej e ngadalësohej derisa heshtte për fare. E fusja mullirin në vend. Ulja, me pulqerin që më dhembte, levën që kish revolveri në fund të trupit, që ajo të ngecte. Afroja syrin te shtjekëza për ta rrafshuar atë me thepin që vë në shënjestër viktimën e radhës. Vështirë. Nuk kisha forcën e duhur ta shkelja këmbëzën, as me të dyja duart. Krahët më dridheshin. Kisha vënë re që këmbëza kishte dy pozicione. Kuptova, pas stërvitjesh intensive, që pozicioni i parë ishte për të rrotulluar mullirin, i dyti, me këmbëzën tërhequr deri në fund, për ta shkrepur. Përdorja për këtë punë të gjitha gishtat tregues në dispozicion. Në fund dilja si i çakërdisur nga dhoma me armën të mbërthyer me të dyja pëllëmbët, kërceja mbi tryezë, përsëri pupthi përtokë, kollotumba në dysheme për t’i ikur breshërisë së plumbave armiq, brofja në gjunjë, klithja. “Ha! Ha! Ha!” Drejtoja tytën te fotografitë nëpër mure dhe e shkrepja, e shkrepja me tërbim; mulliri rrotullohej: portrete paraardhësish, fëmijësh që s’e di cilët qenë, prindërit e mi të vegjël, ndoshta, fëmijë të tjerë vdekur s’dihet kur, binin të gjithë pa frymë nën krismat e Enfield-it që lëshonte një tingull të këndshëm, të thatë. Fishekët? Ku janë fishekët?[1]

Kur im atë u kthye nga specializimi, menjëherë gjyshi i ngeci njërën nga pistoletat. Tjetrën ia dhuroi të birit, dajës tim të madh, oficer. Tashmë unë, që kisha mbaruar të parën fillore, u zhvendosa me prindërit dhe motrën në apartamentin tonë pak më tutje Kafe Tiranës, Bulevardi Stalin. Natyrisht, pistoletën e morëm me vete. Ishte një pistoletë e vogël gjermane, e kromuar, me dorezë të zezë, një Ortgies & C. Erfurt mod. Ortgies’ Patent. cal. 7,65 mm. Të rriturit e thanë që në fillim se për të gjetur fishekë për të ishte vështirë, ndaj fishekë kurrë nuk pat. Por problemi kryesor i asaj pistolete ishte se qe armë ilegale, e paregjistruar gjëkundi. Dhe ashtu mbeti.

“Duhet të shkoj ta deklaroj atë dreq në Ministri të Brendshme,” kujtohej herë pas here babai.

“Aman, ma hiq qafe!” i tha, më në fund, dajës së madh dhe ky e dorëzoi në ministri, bashkë me të vetën, por ishte fillimi i viteve nëntëdhjetë: kishin kaluar njëzet vjet. Gjyshi, ndërkohë, kishte vdekur. Shpresoj të kenë përfunduar për skrap e të mos jetë kryer ndonjë krim me to: ishin ideale si mall pa zot.

Duke pasur parasysh statusin e pistoletës, kuptohet që im atë nuk mund ta kyçte në punë. Kështu që ajo mbeti gjithë kohës në shtëpi. E mbante te komodina. Komodina ishte e hapur: përveç derës së jashtme, nuk kishte asgjë me çelës në shtëpi. Pistoleta ishte pa këllëf. Këllëf kishte një libër që babai i kishte vënë përpara, për ta mbuluar, gjoja. Libri ishte Lahuta e Malcís, nga Át Gjergj Fishta, O.F.M. Me këllëf, pa këllëf: libri i ndaluar + arma e padeklaruar vlenin, afërsisht, dhjetë vite burg secila; po kujt i shkonte mendja që familja jonë e partishme të kish degraduar deri në të këtillë pikë. Kështu që asnjë kontroll nuk patëm. Nejse, për siguri, babai kish rrasur në komodinë edhe një shuk me radiografi të vjetra, të kohës kur u sëmur me pleurit pas kthimit nga Kina.

Pasditeve, ndonjëherë, kur mërzitesha i vetëm nëpër shtëpi, merresha me pistoletën, këmbëkryq mbi krevatin martesor. Në fillim i hiqja karikatorin, tërhiqja karrelin dhe e drejtoja, sipas zakonit, kah portretet e mureve. Fusja thepin në shënjestër. Shkrepja këmbëzën gjersa dëgjoja krismën e thatë, boshe, tejet ngushëllimtare, të shkrehësit. Pasi i vrisja edhe kësaj here portretet e paraardhësve kapja, me dorën e djathtë, midis gishtit tregues dhe pulqerit karrelin, e tërhiqja pak milimetra dhe, njëkohësisht, me gishtin tregues dhe pulqerin e dorës së majtë shtypja dy thumbat anash, në bazë të tytës, që uleshin dhe lironin karrelin. E lija të rrëshqiste përpara, gjer e ndaja nga shtrati (i pistoletës). Atëbotë, shkoja edhe më në qendër të krevatit, mu nën llambadar, dhe e rrotulloja karrelin njëqind e tetëdhjetë gradë, që të shihja brenda. Shtypja, çoja përpara shtijën, e ngrija dhe nxirrja kompleksin sustë-shtijë. Në fund, ngrija tytën dhe e nxirrja nga vendi si zhguall, duke i tërhequr mbrapsht pjesën e sipërme. Shpërhapja mbi çarçafë copat e zbërthyera të pistoletës. Në fund i mbërtheja, duke e kryer procedurën në të kundërt.

Me të mbaruar këtë punë dhe kur më premtonte koha, merresha me Lahutën… Kisha një fletore katërlekëshe ku shënoja emrat e të gjitha armëve që ndeshja në poemë. Armë në poemë kishte me kapicë: ishte një poemë botërore. Të lumtë, padër!

Post scriptum: Gjithë ç’përshkrova… dhe akoma pa mbushur dhjetë vjeç! Duke filluar nga viti i parë gjimnaz, pastaj, ku kishim në program lëndën “Përgatitje ushtarake”, raporti im me armët mori një hov të ri tragjikomik që vazhdoi edhe njëzet vjet jetë të tjera. Por nuk paskam guxim ta rrëfej më. Të paktën tani për tani.

 

(c) 2025 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.


[1] Vetëm Enverin nuk e vrava dot kurrë. Se, sado duket çudi, nuk mbanim fotografi të Enverit shtëpive tona.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin