Titulli i shkrimit është aluzion ndaj novelës së Julio Cortazar-it, “Sa shumë e donim Glendën.” Bën pjesë te libri i këtij i autori, botuar pak para vitit 90të në shqip.
Novela aludon për aktoren e mirënjohur angleze Glenda Jackson. E cila, veç roleve, njihej dhe për angazhimin e saj politik. Sidomos në bashkëpunim me kolegen e saj Vanessa Redgrave, e njohur kjo veçanërisht për angazhimin pro paqe në Palestinë.
Emri i përveçëm në titull lidhet direkt me mikeshën tonë (e kam fjalën këtu për një pjesë të lexuesëve dhe shkruesëve të këtij blogu), për gazetaren e mirënjohur të kulturës, në shtyp e mandej në TV, Elsa Demo.
Folja në titull, edhe pohore sa dhe në mohore, ka të bëjë me mungesën masive të reagimit shoqëror, profesional, edhe miqësor lidhur me zhdukjen e emisionit të saj “Artes” nga RTSH. Elsa Demo ka shkruar vetë mbi detajet lidhur me mënyrën përçudnuese sesi drejtimi i TV shqiptar e fshiu emisionin e saj : me super indiferencë, pa “begenisje”, shkurt, “pa ju hëngër fare!”
Ajo ka shkruar dhe sesi ka pësuar praktikën e llurbët të “presionit me bukën e gojës”: duke pritur përherë e ndër vite kontratën e re sezonale, e lënë në pezull veç me kontrata 6 mujore, praktika këto absurde ndaj një gazetareje tashmë e pranuar gjerësisht si nga më profesionistet e kulturës prej gati 30 vitesh.
Ajo që Elsa nuk ka shkruar, e që s’e besoj se do shkruajë, është kjo: turpi, mungesa e kurajës civile dhe pështirësia jo-qytetare e kolegëve, e strukturave shoqërore, gazetareske, madje të dhe shumë miqve, për të ngritur zërin ndaj një trajtimi të tillë.
Argumentet e mundshme nga drejtuesit e RTSH (apo cilido drejtues tjetër, nuk është dert i qytetarit t’u qajë hallin drejtuesëve!) lidhur me: shikueshmërinë, “rentabilitetin”, audiencën e emisionit të Elsa Demos, janë këtu në rang të dytë. Është fëlligështia në mënyrën e trajtimit të saj si gazetare, si person e si qytetar, që merr përparësi. Mënjanimi, kulisat e tij, nuancat e tij, le të ndryshojnë ; ajo që godet është këmbëngulja e kësaj praktike në mënyrë kaq “ashiqare.” Pra pushteti, edhe ai mjeran i RTSH sot, ka arritur të (na) sulmojë me njëfarë indiference e moskokëçarje pa precedent. Ai na merr pra, për in-ekzistentë !
Atë që vërtet s’e besoj se do e shkruajë Elsa Demo është edhe: indiferenca e moskokëçarja fatale e gjithë të ftuarve të cilëve ju ka dhënë mikrofonin në studio. Prej vitesh. Në TV private më parë ; te RTSH më pas. Kurrqysh një tribunë, një orvatje, një peticion, një emision me Elsën, një telefonatë (disa prej të ftuarve të saj kanë qenë e janë lakenj të pushteteve në Tiranë).
Por, ata janë dhe artistë, këta. Pra janë dhe “distantë.” Ata e dinë se ku ndahet arti i Bergmanit nga fugat P.R-istike të kryeministrisë e të bashkisë. Ata e dinë se duhen fonde për film, për botim, për blog, për çmime… Dhe ndoshta e kanë mirë, se qesja duhet të vejë e të vijë, por jo miqësia.
Veçse më duket se nuk dinë radha e “nënës” ju vjen, shpesh, edhe të tjerëve. Edhe atyre. I njohuri ynë Eol C, nga lajmet e mori vesh që e kishin pushuar nga puna si drejtor i QKK. Ja pra që dhe miqësitë e klanet dalin një ditë nga karrigia e në muskul hyjnë gozhdë.
Elsa Demo është një nga protagonistet e mbrojtjes së teatrit, protestës qytetare më afatgjatë në Tiranë. Ta lemë mënjanë fenomenologjinë e protestës. Theksi këtu vihet te angazhimi qytetar e artistik. Përderisa pati mijëra firma e mijëra pjesëmarrës në atë angazhim, është e turpshme heshtja e dhjetëra anëtarëve të komunitetit artistik e gazetaresk ndaj eliminimit pa shpjegim të emisionit të saj. Dhe për më tepër, nga një RTSh që i takon taksapaguesëve.
Më tepër akoma : nga mospërfillja dhe nga nonchalance-a e skajshme nga ana e pushtetit, të madh e të vogël, nga trajtimi si qyrre i qytetares, për më tepër dhe gazetare me një CV tashmë të konsakruar.
Ah, po këto janë idealizma ! Ashtu i bie të jenë, deri ditën kur tranxha talibane (s’është më burokratiko kafkiane!) të bie dhe ty në krye, duke të vënë në rangun e mbeturinës sociale, duke të lënë në strofkën e jashtë-kohës, ndoshta në dilemën : mos vallë e kam unë gabim !
Kësisoj po kultivohet edhe te ne të menduarit unik, konsensusi i çimentuar. Fatkeqësisht, është kjo dukuri që po bëhet gati europiane në këto kohë censurimi e shtypi mjaft të unifikuar mainstream rreth propagandave. Nëse kështu, atëherë Shqipëria mund të hyjë qysh nesër në Europë.
Ku ishte halli i Elsës ? pyeti një mik, që m’i lexonte këto rreshta në shkrim e sipër. S’e di mirë, ndoshta ngaqë në një emision ekspozoi foton e kryeministrit para një sahani me makarona. Absurde, ma ktheu, s’është cenim ky për një shtetar që nuk ka mohuar foto cullak në plazh nudo!
Nuk ishte ky aspak nga miqtë që njohin Elsa Demon; as dhe një nga të ftuarit e saj të shumtë, të cilëve ju ka dhënë fjalën për të ligjëruar mbi art, kulturë, botime, kinema, teatër, ngjarje. Jo. Ata vetëm sa nuk hedhin gurin, e ndërkohë i nxjerrin të dyja duart lart për ta konfirmuar mirë që nuk e hedhin gurin.
Dhe ndoshta mendojnë ata për Elsën, sepse dhe mund ta duan, fshehurazi. Duan që ajo të jetë dhe më ‘realiste’, se ‘gjërat ja kështu janë’, se ajo ‘s’ka pse të bëjë rezistencë gjithë kohën’… E ndoshta diskutojnë ata me zjarr opsionet që mund t’i ofrohen Elsës në këto kohë të zorshme:
Elsa mund të martohet me një parelli droge e të hapi një TV krejt të sajin e të korrë e të shijë mandej.
Elsa mund të shkojë në spital e pastaj të shkruajë një libër bestseller si i Mira K.
Elsa mund të fryjë toraksin me botoks e të shkojë të paraqitet te divani VIP i Rudina X.
Elsa mund të japë leksione te universiteti U dhe E dhe T.
Elsa mund të futet në fushatën tjetër për deputete në partinë e Arlind Q.
Elsa mund të shkojë në AQF e të bëhet kritike si Roland Q.
Elsa madje mund t’i shkruajë një poemë Edi R dhe të zërë menjëherë vendin e Eljan T.
Elsa mund të gërmojë varrin e të ndjerit Maks Velos, ndoshta e ngjall e mos ai bën një protestë për të.
(P.S : emrat e cituar janë goxha të njohur nga publiku, nuk po i ve të plotë, jo nga droja, por më ha dreqi nëse ju bëj dhe unë sadopak promocion !)
Këto hamendje këtu më lart janë ironi, diçka si fiksion. Elsa Demo mund t’i kish zgjedhur këto “opsione” po të kish qenë tipi që i zgjedh ato. As nuk po ofroj këtu një leksion idealizmash. Por më duket se nuk janë larg nga e vërteta: ato fshehin orvatjen për të justifikuar mungesën e empatisë, indiferencën totale, dorëheqjen nga dinjiteti? E më keq ende tregon sesi jemi mësuar tashmë të mos na bëjë më fare përshtypje gjë.
(c) 2025 Idlir Azizaj Nivik. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.