Fuqia e arave e farave dhe pushteti shkatërrues mbi to
“Kontrolli mbi farat në shumë mënyra është kontroll i drejtpërdrejtë mbi furnizimin me ushqim të mizërisë së popullsisë anekënd botës. Çështja se kush dhe pse prodhon varietete të reja bimore është absolutisht kritike për të ardhmen e të gjithëve.”
Xhek Klopenbërg
Që nga fillimi i shekullit ka humbur rreth 75% e diversitetit gjenetik të kulturave bujqësore.1 Arsyeja kryesore është se varietetet komerciale/industriale po zëvendësojnë varietetet tradicionale të kulturave bujqësore. Bujqësia moderne u shfaq krah për krah me kapitalizmin, tregtinë globale të skllevërve dhe shkencën. Qëllimi për t’u përqendruar në një sistem kultivimi bazuar në monokulturë u karakterizua nga rënia e diversitetit si në kafshë, edhe në bimë, pasi përzgjidhet raca gjenetike ku do të kryhet ndërhyrja teknike e një kulture.2
Që nga kjo kohë, 75% e dietës ushqimore botërore bazohet në konsumimin e 12 bimëve dhe të mishit të 5 kafshëve, ndërkohë që konsumojmë rreth 150-200 lloje bimësh nga 30.000 lloje të ngrënshme.3 Duke filluar nga viti 1950, fermerët e vegjël iu bindën institucioneve ndërkombëtare të mbarështimit të kulturave. Kjo çoi në Revolucionin e Gjelbër, që solli rritje të rendimentit, por ulje të madhe në diversitetin e të korrave.4
Konkretisht, Revolucioni i Gjelbër ose Revolucioni Bujqësor është tërësia e kërkimeve shkencore në vitin 1960 për transferimin e teknologjisë dhe adaptimin e teknikave të reja në prodhimin bujqësor, në të gjithë botën. E gjithë praktika konsistonte në rritjen e prodhimit të drithërave, një nga ushqimet bazë të njerëzimit. Normën Borleg u quajt Babai i Revolucionit të Gjelbër, dhe më pas, në vitin 1970, iu akordua Çmimi Nobel për Paqe, duke e cilësuar arritjen e tij përmes Revolucionit të Gjelbër arritje që do të shpëtonte miliona njerëz nga uria e skajshme.5
Por Revolucioni Bujqësor nuk solli zhdukjen e urisë, siç premtoi. Madje në vitet 1970-1990 njerëzit e uritur në botë u shtuan me 61 milionë. Kjo sepse fermerët e vegjël u varfëruan së tepërmi ose falimentuan. Vendin e tyre e zunë fermerët e mëdhenj që monopolizuan tregun dhe industria bujqësore që solli modifikimin gjenetik. Si pasojë, gjithë puna e bujqve të vegjël varej nga paketat e blera të farave, fertilizuesve dhe pesticideve, duke i bërë këta klientë të përhershëm të agroindustrialistëve.6
Nga ana tjetër, fatmirësisht, fermerët e vegjël mbeten gardianët shekullorë të shumëllojshmërisë gjenetike, ndryshe nga sistemi bujqësor modern.7 Ata përzgjedhin varietete të ndryshme që të kenë një sezon më të gjatë vjeljesh e korrjesh. Produktet e tyre janë më se të larmishme në forma, ngjyra e varietete, edhe pse u duhet të kultivojnë në më pak se dy hektarë. Ferma si të tyret përbëjnë rreth 84% të fermave në mbarë botën dhe prodhojnë 1/3 e ushqimit botëror.8
Farat e bimëve janë krijuar me aftësinë për të riprodhuar veten. Për mijëra vjet bujqësi, farat e rritura dhe të mbjella nga fermerët janë shkëmbyer dhe ndarë lirshëm mes tyre, pa grykësinë për t’i kthyer në një ‘mall’ të posaçëm përfitimi. E gjithë kjo ndryshoi në vitet 1990, kur u ndryshuan ligjet, me pretekstin e mbrojtjes së të lashtave dhe të farave të modifikuara. Sot katër korporata – Bayer, Corteva, ChemChina dhe Limagrain – kontrollojnë më shumë se 50% të farave të botës. Këto monopole dominojnë furnizimin global të ushqimit.9
Jo vetëm janë shterur mundësitë përmes së cilave farat mund të shkëmbehen e shpërndahen, por është shterur edhe larmia e prodhimeve bujqësore. Sipas Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë të OKB-së, 75% e varieteteve të kulturave botërore u zhdukën në vitet 1900-2000.10 Pasuria e madhe e kulturave vendase po zëvendësohet me varietete të standardizuara. Ekspertët paralajmërojnë se kjo mund të sjellë pasoja të rënda për sigurinë ushqimore, veçanërisht ngaqë planeti po kalon një krizë mjedisore të paprecedent.
Ligjet aktuale i detyrojnë fermerët të nënshkruajnë marrëveshje që i ndalojnë t’i ruajnë farat për t’i shkëmbyer me fermerë të tjerë ose për t’i mbjellë vitin e ardhshëm. Shumica e vendeve kanë futur në lojë patentat – të drejtat ekskluzive të pronësisë – që të favorizojnë monopolet për të përfituar nga varietetet e reja që zhvillojnë, pa u përballur me konkurrencën.11
Megjithatë varietetet që zhvillojnë fermerët e zakonshëm, bujqit e vegjël ose fshatarët me njohuritë e trashëguara ndër breza, ndryshojnë gjenetikisht nga varietetet e monopolistëve të farave. Por fermerët jo vetëm që nuk kanë të drejta të pronësisë intelektuale mbi varietetet që shumojnë, por në shumë vende varietetet e tyre as nuk certifikohen dot si fara.
Prandaj, në shumë shtete, ligjet e marketingut të farave ndalojnë shitjen e farave të bujqve të vegjël, të cilat nuk përmbushin standardet e kërkuara nga ligjet që favorizojnë monopolet. Kësisoj bujqve të vegjël u mbetet vetëm një rrugëdalje: t’i blejnë farat te korporatat e mëdha, duke qenë kështu klientë të përhershëm të agroindustrialistëve, dhe ta mbështetin aktivitetin e punën e tyre te paketa e farave, fertilizuesve dhe pesticideve të blera.12
Ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare janë përpiluar enkas që fermerët e vegjël të mos kenë mundësi të monitorojnë rregulloret që merren me farat. Gjithashtu është bërë pak ose aspak për të rritur shkëmbimin e përvojës ndërmjet fermerëve në rajone të ndryshme dhe për të konsoliduar të drejtat kolektive të komuniteteve që ende bazohen te ligjet zakonore.23
Sot farat bujqësore ruhen në bankën private të farave pranë CGIAR (Consultative Group for International Agricultural Research), një konsorcium prej 15 qendrash kërkimore bujqësore ndërkombëtare, të kontrolluara nga Banka Botërore, Fondacionet Rockfeller e Ford, dhe natyrisht nga Fondacioni Bill e Melinda Gate (BMGF). Banka CGIAR aktualisht menaxhon 768.576 fara bujqësore dhe përfaqëson koleksionin më të madh të diversitetit të kulturave bujqësore në botë.14
Financuesit më të mëdhenj të kësaj banke farash janë fondacionet e krijuara nga Bill Gate dhe ish-bashkëshortja e tij, që rrjedhimisht janë kontrolluesit e ushqimit në botë.15 Nga ana tjetër, lëvizja Seed Freedom u ka bërë thirrje të vazhdueshme bankave të CGIAR, që t’u kthejnë fermerëve farat e varieteteve të vjedhura dhe t’u japë lirinë të prodhojnë fara nga kulturat e mbjella.
Megjithatë, Revolucioni i Gjelbër, që nga 1960-a, na ka treguar se agroindustria kimike e monokulturave e ka minuar kapacitetin e Tokës për të prodhuar ushqim në mënyrë të qëndrueshme, duke shkatërruar kësisoj biodiversitetin, tokën16 e ujin17 dhe duke shkaktuar ndryshime klimatike.18
Ky revolucion ka shpronësuar e varfëruar fermerët e vegjël, duke u rritur shpenzimet për inpute të jashtme, pesticide e fertilizues. Kësisoj, siguria ushqimore është vazhdimisht e rrezikuar.19 Përvoja e gjysmëshekullit të fundit e ka bërë të qartë se sundimi mbi farat, sistemin ushqimor dhe vetë dijen ka bërë që bujqësia e qëndrueshme e së ardhmes ta ketë punën pisk.
Sot sistemi ushqimor global haset me shumë probleme e sfida kontradiktore, si: mbiprodhimi, shpërdorimi i ushqimit dhe uria e skajshme. Afërsisht 1/3 e ushqimit të prodhuar në botë për konsum, hidhet ose shpërdorohet20.
Mbetjet ushqimore gjenerojnë 8-10% të emetimeve globale të gazeve serrë.21 Nëse mbetjet e ushqimit do të përfaqësonin një vend a shtet, do të ishte vendi i tretë për emetimet në botë.22 Për më tepër, rreth 957 milionë njerëz anekënd globit vuajnë nga uria kronike; një e katërta e fëmijëve nën moshën pesë vjeç vuajnë nga uria; një e treta e popullsisë është e kequshqyer dhe mbipesha prek një në tetë njerëz.23
Ndonëse fermerët e vegjël, barinjtë dhe peshkatarët prodhojnë rreth 70% të ushqimit global, janë veçanërisht të prekur nga mungesa e ushqimit dhe uria kronike.24 Kjo kategori e reflekton më së shumti problemin e kequshqyerjes dhe të urisë, sepse fermat e mëdha industriale kanë në dorë tregun dhe janë aq të fuqishme sa të prodhojnë mbi kërkesën e tregut.
Si rrjedhojë ulin çmimet, monopolizojnë tregun dhe varfërojnë e falimentojnë të vegjlit e bujqësisë. Bujqësia industriale dhe modifikimi gjenetik janë përgjegjësit kryesorë për problemin e urisë dhe të varfërisë së fermerëve të vegjël.
Në vend që të mbështetemi te modifikimi gjenetik dhe monokultura për të zgjidhur krizën botërore të ushqimit, i duhet besuar agroekologjisë – njohuritë e ndërlidhja që krijon njeriu me ushqimin dhe natyrën, duke respektuar biodiversitetin, nevojat e familjeve të vogla, rëndësinë e kursimit të farës, lëvizjen drejt lokalizimit dhe rolin e grave në prodhimin e ushqimit në botë.25
Padyshim edhe mundësia që gratë të kenë akses te të njëjtat burime financiare dhe arsimore mund të rritë prodhimin e ushqimit deri në 30%, duke eliminuar potencialisht urinë për rreth 150 milionë njerëz.26 Kjo sepse të ardhurat shtesë do t’u jepnin grave mundësinë të shpenzonin më shumë para për kujdes shëndetësor, ushqim më të mirë për familjet dhe për arsimin e fëmijëve, investime që mund të prodhojnë rezultate pozitive afatgjata si për familjen, edhe për komunitetin.
Klive Hemilton në librin e tij “Utopikët në Epokën Antropocene”, shpjegon se jetojmë në një periudhë ku duam t’u shpëtojmë gabimeve të së shkuarës duke shmangur të ardhmen, nga frika e veprimeve tona të papërgjegjshme.
Me argumentin se duhen dëgjuar mësimet e natyrës e cila ka narrativën e saj, këndvështrim që bie ndesh me atë të njeriut që mendon se sundon botën, duhet veprim, veprim i menjëhershëm, që të mos mësohemi me të jetuarit në një planet të pajetueshëm që i ka të gjitha mundësitë për të jetuar çdo banor i saj me dinjitet e barkun plot.
(c) 2025 Marcela Tringaj. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është krijuar me Whisk.
Referencat:
- FAO, Biodiversity to nurture people
- Marius Gilbert, Income Disparities and the Global Distribution of Intensively Farmed Chicken and Pigs
- FAO, What is happening to biodiversity?
- FAO, Toward a neë Green Revolution
- Food Security, Promise of Conflict
- Vendana Shiva, Who really feeds the World?
- International Plant Genetic Resources Institute, Partcipatory Approaches to the Concervation and Use of Plant Genetic Recources
- University of British Columbia, Smallholders are both productive and stewards of biodiversity
- DW, Seed monopolies: Who controls the world’s food supply?
- FAO, Biodiversity to nurture people
- THREAD: Seeds of hunger: intellectual property rights on seeds and the human rights response
- Vendana Shiva, Who really feeds the World?
- Framer Rights: Seeds and Farmer’s Rights
- CGIAR Genebank Platform
- Shiva, V., Anilkumar, P., & Ahluëalia, U: Recolonisation of agriculture.
- “UN Report: Nature’s Dangerous Decline ‘Unprecedented’; Species Extinction Rates ‘Accelerating.’’
- FAO Commission on Genetic Resources for Food and Agriculture. “The State of the World’s Biodiversity for Food and Agriculture 2019,”
- IPCC Report, Land Is a Critical Resource
- El Hage Scialabba, Nadia. Feeding the Word: Delusion, False Promises and Attacks of Industrial Agriculture
- FAO, Global Food Losses and Food Waste. Extent, Causes and Prevention.
- Stenmarck, Å., Estimates of European food waste levels. Report from the EU FUSIONS.
- European Commission, Date marking and food waste
- UN World Food Programme, Hunger Map
- Action Against Hunger, World Hunger: Key Facts And Statistics 2021
- Vendana Shiva, Who really feeds the World?
- IITA, The lead research partner facilitating agricultural solutions for hunger and poverty in the tropics
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.