Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Mjedis

ZAKONE TË KËQIJA CIVILIZIMI

 

Toka nuk po vdes. Atë po e vrasin!
…e ata që po e bëjnë kanë emra dhe adresa”
– Uttah Philiphs

I përkasim një planeti të formuar miliarda vite më parë, të trashëguar ndër breza, që banon në një galaktikë të pafundme. Në gjithë këto vite, natyra mbeti kujtesa e Tokës. Peizazhe të gdhendura nga era, dielli dhe uji. Pas çdo pylli, lugine e çdo trupi, fshihet një histori, një përpjekje e durueshme e kohës. Gjithçka në përsosmërinë e qenies së saj.

E mbi këtë trashëgimi, e sotmja është një epokë e një zhvillimi çmendurisht të vrullshëm që kaplon me ankthin e të jetuarit pakujdesisht civilizimin, progresin socio-ekonomik, si asnjë kohë tjetër më parë.

I gjithë përparimi teknologjik që po përjetojmë, rritja galopante e popullsisë botërore, influenca dominuese e aktivitetit njerëzor mbi natyrën dhe klimën, po na çon pashmangshëm drejt epokës gjeologjike Antropocene: ku njeriu sundon me një ndikim të paprecedent Tokën dhe gjithë gjallesat e tjera në të.

Gjatë kësaj kohe, resurset natyrore u shfrytëzuan barbarisht përmes një sistemi ekonomik e politik që fuqizon e mbron interesat e shumëkombësheve globale. E gjitha kjo në emër të civilizimit modern që iu përvesh përdhunshëm kulturave vendase dhe indigjene përmes aktesh barbare kolonizimi, protektorati, gjenocidi e skllavërimi.

Kësisoj, pulsi i ekonomisë globale vazhdon të mbetet rritja dhe konsumizmi. Partha Dasgupta, profesori Emeritus në Universitetin e Kembrixhit del në përfundimin shkencor lidhur me raportin që ka ekonomia me biodiversitetin. Pavarësisht arritjeve të mrekullueshme ia detyrojmë ekonomisë së tregut, kjo gjithkund globit ka lënë pasoja shumë të padëshiruara sa i përket biodiversitetit: shterimi i resurseve natyrore për të rregulluar shifrat e Prodhimit të Brendshëm Bruto duke sfiduar limitet e natyrës.

Panorama është rrëqethëse: që nga përpirja e tokës nga plastika, ngrohja globale, shkatërrimi i habitateve natyrore, shfrytëzimi pa kriter i resurseve natyrore. Në gjuhën e shifra do të thuhej se rreth 97% e publikimeve shkencore tregojnë se ngrohja globale është shkaktuar nga aktiviteti njerëzor. E po të vazhdojmë të flasim më tej mund të themi se që prej lindjes së civilizimit, njerëzimi është shkaktar humbjes së 83% të gjithë kafshëve të egra, 80 % të gjitarëve detarë, 50% e bimëve e 15% të peshqve.

Shkatërrimi i pyjeve dhe ekosistemeve të tjera minoi aftësinë e natyrës për të eliminuar gazrat serë në atmosferë dhe për të siguruar mbrojtje nga ndikimet ekstreme të motit. Kështu, zhdukja e shpejtë e bimëve dhe barishteve të detit, që janë të afta të kapin e të shpërbëjnë gazrat e karbonit, ka sjellë si pasojë shtimin e katastrofave natyrore.

Po i shkaktojmë dëm kolosal Tokës, shtëpisë sonë të vetme, nga konsumi i tepruar të pothuajse 60% të burimeve natyrore në vetëm pak dekada, zhdukjen e specieve me një ritëm 10.000 herë më të shpejtë se periudha parahistorike.

Jo doemos duhet të kalojnë shekuj e mijëvjeçarë për të kuptuar mbetjet fizike e njeriut modern.

Clive Hamilton, në librin e tij “Utopikët në Epokën Antropocene”, shpjegon se jetojmë në një periudhë ku duam t’u shpëtojmë gabimeve të së shkuarës duke shmangur të ardhmen, prej frikës së veprimeve tona të papërgjegjshme. Me argumentin se duhen dëgjuar mësimet e natyrës e cila ka narrativën e saj, këndvështrim që bie ndesh me atë të njeriut që mendon se sundon botën, duhet veprim, veprim i menjëhershëm që të mos mësohemi me të jetuarit në një planet të pajetueshëm.

Nuk është tepër vonë për të ndryshuar, por vetëm nëse fillojmë në nivel vendor e më pas në atë mbarëbotëror. Kërkohet ndryshim rrënjësor dhe serioz. Me ndryshim rrënjësor nënkuptojmë një riorganizim themelor, në të gjithë sistemin, midis faktorëve teknologjikë, ekonomikë dhe socialë, duke përfshirë virtytet dhe vlerat njerëzore.

Natyra mund të ruhet, të restaurohet dhe të përdoret ende në mënyrë të qëndrueshme – në fakt ky është çelësi për të përmbushur shumicën e nevojave njerëzore dhe jo vetëm.

Ndaj duhet veprim për të trupëzuar ekonominë me nevojat e natyrës, në mënyrë që natyra të mbetet pjesë e jetës sonë. Ajo çfarë na rezervon e ardhmja varet nga sa do të duam të ndryshojmë sjelljen. Tre skenarët e mundshëm për një ndryshim real mund të jenë si më poshtë:

Një zhvillim ekonomik i qëndrueshëm mbarëbotëror: e gjithë bota zhvendoset drejt qëndrueshmërisë, duke respektuar kufijtë mjedisore biofizike dhe duke u siguruar që zhvillimi ekonomik t’i përfshijë të gjithë. Komunitete që përfitojnë drejtpërdrejt prej pasurive natyrore që u përkasin, burimet dhe energjia përdoren më pak dhe theksi bie te rritja ekonomike e mirëqenia njerëzore.

Tregti rajonale: një ekonomi e ngadaltë, lokale dhe komunitare. Më shumë investime në zhvillimin e kapitalit njerëzor, veçanërisht në botën në zhvillim. Vendet me të ardhura të larta të mos këmbëngulin të shpërndajnë dëmet mjedisore të veprimeve të tyre gjetkë, duke mos lënë gjithashtu një faturë të lartë për t’u paguar nga brezat e ardhshëm.

Optimizëm ekonomik i arsyeshëm: eficienca prej teknologjive të reja dhe inovatore, që do të na ndihmojnë të përballojmë problemet mjedisore. Investime të sinqerta në shëndetësi dhe arsim, dhe tregjet globale janë integruar në mënyrë të arsyeshme me qëllimet e përbashkëta.

Bindje se luftimi i humbjes së ekosistemeve dhe biodiversitetit do të jetë kompleks dhe do të kërkojë një sërë ndryshimesh në funksionimin e ekonomisë, që në fund mbetet mënyra se si bëhet politikë me ekonominë. Por, për ta arritur plotësisht këtë, bota duhet të rivlerësojë strukturat politike dhe normat shoqërore aktuale, të cilat priren të mos e vlerësojnë natyrën. Një mënyrë është duke përmirësuar politikat dhe rregulloret ekzistuese mjedisore, si dhe duke hequr e reformuar politikat e dëmshme.

Prandaj kërkohet forcë për të kërkuar të vërtetën, mbi atë çka po ndodh me natyrën tonë si njerëz. Duhet të reflektojmë mbi statusin si konsumatorë të manipulueshëm, të reflektojmë për dogmën se lumturia varet nga aftësia për të blerë e konsumuar pafund, me idenë se kështu tregohet se sa të pasur dhe të fuqishëm jemi.

Nëse kuptojmë se si njerëz, si specia më e zhvilluar e planetit, po e shkatërrojmë planetin me sjelljen, grykësinë dhe mendjemadhësinë tonë, atëherë do të bëhemi më të vetëdijshëm për një milion arsyet dhe faktet pse duhen ndrequr disa gjëra, para se të jetë tepër vonë, që njerëzit e së ardhmes së largët të mos na llogaritin si qenie që u mbytën në krenarinë e arritjeve të tyre.

(c) 2025 Marcela Tringaj. Të gjitha të drejtat janë të autores.

1 Koment

  1. Përshëndetje Marcela, më duhet të shkruaj për të bërë një sqarim dhe për ta nxjerrë veten time të paktën nga ana e atyre që s’e mohojnë realitetin, çfarëdolloj etiketimi i mundshëm qoftë ky, nëse vërtet duam të dimë, jemi tashmë në Antropocen, nuk po hyjmë në të. Jemi tashmë në epokën kur njeriu dhe teknika e kanë transformuar Tokën, nuk jemi në fillimin e krizave, jemi në periudhën e shpalosjes së tyre në maksimum. Do shtoja këtu që sipas meje jo vetëm që kjo është një periudhë ku po takojmë shumë-dimensionalitetin tonë si specie në potencialin e saj, të mirë e të keq, por dhe po shfaqet se nuk ka më asnjë disiplinë të dijes e cila mundet mëvetësisht t’i japë një zgjidhje këtyre krizave. Kjo është periudha ku ankthi supozohet dhe duhet të shfaqet pasi numri i gjërave që s’shkojnë në jetën tonë është duke tejkaluar skajet që çdo sistem besimi apo mendimi i joni ka për t’i bërë ballë të tilla problemeve.
    Është gjithashtu një furrnaltë filozofie, ankthi. Po ashtu, si kurrë më parë, kemi mjetet teknologjike për të bërë kërkim individualisht, duke tejkaluar barrierat ngrirëse të dijes së specializuar(mbaresa të traditës akademike) dhe mbledhjes së pafundme të “informacionit”.
    Ankthi është afekti mbizotërues, duhet të jetë kështu, sepse shfaq ndotjen epistemologjike që kanë mendjet tona si pasojë e vetë formimit të ofruar nga ky sistem hierarkik dijesh. Madje personalisht gjykoj se është pikërisht te vetë fjala “sistem” problemi, por me këtë gjë janë marrë filozofë të tjerë para meje e s’po i futem.
    Do pranoj se këtë koment e shkruajta menjëherë sapo pashë se ishte ky gabim trashanik me nismën e korrigjimit të të cilit e nisa këtë koment, nuk po hyjmë në një krizë, po zgjohemi para faktit se jemi tashmë në krizë, dhe po mësojmë t’i emërtojmë ato. Lojë fjalësh po bëjmë ende me pak fjalë.
    Jemi përtej kësaj faze, ndonëse kjo fazë emërtimi është e pa-evitueshme për të vendosur në lëvizje sistemet tona (të brendshme e të jashtme) në lëvizje nëpërmjet sfidimit, i cili ndonëse provokon fërkim, konflikt, rreket të shkaktojë dialog (të vendosë dy zjarre në lojë, për t’i bashkuar pasi të gjithë do kemi nevojë të ngrohemi nga i njëjti zjarr në fund të ditës, e nuk kemi më kohë t’i ruhemi zjarrit të tjetrit, sepse sipas meje e kemi tejkaluar kohën në të cilën mund të kemi akoma frikë, këto janë sfida të paprecedent që na presin, dhe si të tilla kërkojnë zgjidhje të po së njëjtës natyrë, krejtësisht të reja).
    Përpara se të mbaroj me leximin e shkrimit tuaj, po e përmbyll këtu duke thënë se kush do, mëson, ndryshon, humbet sigurinë që kishte, rron për ca kohë në pasigurinë e skajshme të errësirës, derisa rigjen dijen autentike, e cila dihet se sipas natyrës është diakronike.
    T. K.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin