PARA SE ZJARRI TA BËJË KUJTIM PISHPORON

nga Elsa Demo

Në Pishporo nuk kisha qenë. Emrin nisa t’ia dëgjoj, pas Semanit dhe Darzezës, kur në njërën prej familjeve tona hyri më në fund vetura. Me të afruar ditët e nxehta, çunat tanë e bënin një kërcim në Pishporo pasditeve, për t’u larë në atë anë të papërdhosur të Adriatikut. Iu bashkova edhe unë korrikun që shkoi. Në mëngjes prisnim veturën familjare në stacion, në hyrje të Patosit. Në fakt, në vend të stacionit, shtrihet një pikë karburanti, me strehën e betonit me cepe, që e shpon në brinjë qytetin. Fëmijët vrapojnë me gjëra plastike në duar, gratë pas tyre me termusët e rëndë, çantat me fruta dhe peshqirë. Për të bërë plazh ditor në Darzezë, e marrin bukën me vete (edhe ne për Pishporo) dhe njeri nuk i thyen me fatura si në brigjet e Vlorës, që po ashtu i kanë afër. Ngarkohen në autobusët të ardhur nga kushedi çfarë ofiçinash të Evropës dhe duke ua parë kokat pas dritareve që nuk hapen kurrë, të krijohet ndjesia e deportimit.

Tani që shkruaj, Pishporo, pylli i saj me pishë të butë, është djegur. Nuk i shoh imazhet, sikundër ndodh të mos i shohësh dot fotografitë e njeriut tënd që nuk jeton më. Sepse Pishporo nuk është thjesht një vend. Dëmet, bashkë me të Darzezës, të cilës i është shkrumbuar kurora e pishave, shtrirë në disa qindra hektarë, po llogariten si katastrofë mjedisore.

Për të mbërritur me mend në Pishporo (forma e saktë do të ishte Pishë-Poro, por po respektojmë variantin që shkruhet në tabelat rrugore), më kalojnë para syve fshatrat Bishan, Boçovë, Bashkim, Ferras, Qarr, Martin, Pishë, Poro, të cilat i mbledh Levani, komunë me afro 8 mijë banorë (në regjistra) në Rrethin e Fierit. I bie disa dhjetëra familje për fshat, me shtëpi të vjetra e të reja, me hangarë, stalla, magazina, fusha të mbjella vende-vende. Vjosa e gërryen tokën bujqësore të këtyre anëve, e shtrirë përgjatë lumit deri në grykderdhjen në Adriatik. Sytë nuk të zënë ndonjë shkollë, as fëmijë apo lodër fëmije në oborre. Ndonjë mjet i ri bujqësor është e vetmja shenjë investimi për tokën e fshatarit. Në xhade ndeshim të njëjtën tufë dhensh, të njëjtin bari.

Rruga për në Pishporo është e paasfaltuar. Kur mbërrijmë në një pikë të dendur përmes pyllit, i vogli ynë kërkon ta ndalojmë veturën, të ulim xhamat dhe të dëgjojmë korin e gjinkallave. Mbajmë vesh, duke u përpjekur të shuajmë gjinkallat që buisin në kokat tona dhe të shohim në sytë larushë të fëmijës çfarë nuk e kapim me sytë tanë prej të rrituri.

Ja edhe campers-at e bardhë prej druri. Ndërresat e nderura në prag i valëvit era. Rëra shtrihet velur i pastër tejetej, në kilometrat që përshkojmë më këmbë gjatë stacioneve private dhe publike të plazhit midis Pishporos dhe Semanit.

Me Kelvin, ruajtësi i kësaj cope bregu, merresh vesh edhe për volumin e muzikës, ndërkohë që Lula lexon “Në kërkim të kuptimit të jetës”, Noela “Kryezotin e unazave”, unë “Ditarin e Penelopës”, Xhuli detin, Rena kujdesin prej nëne. Secili lexon Pishporon e vet. Kelvin bën ushtrime në breg për fëmijët. Është edhe akrobat. Trupi i tij është kutia e tij magjike.

-Si thua, ja vlen të vij në Tiranë?

-Ç’punë do bëje?

-Zbavis njerëzit.

-E ke provuar më përpara?

-Po.

-Pse ike?

-Më kapte ankthi.

-Atëherë?

-Po këtu tre muaj punë në vit ka.

-Je i qetë kur je këtu?

-Të jetë për mua, s’do ikja fare.

U ndamë me Kelvin me dëshirën për t’u parë prapë, këtu, në këtë vend të parëndësishëm e të palakmuar që flakët nga Peloponezi, nëpër Egje e Mesdhe, vijnë dhe e përpijnë pikërisht tani, kur sezoni turistik është mbyllur! Helikopteri “Cougar” sheh tymin, por jo zjarrin. Gazetarët flasin për përshkallëzim të situatës, për pamundësinë e forcave të armatosura të specializuara për luftën ndaj zjarreve, e të cilat kanë ndërhyrë vitet e fundit edhe në pyjet në Elbasan, Gramsh, Kurbin e Gjirokastër. Fatkeqësitë natyrore e gjejnë qeverinë të papërgatitur për t’iu përgjigjur emergjencave civile.[1]

Në fund të shtatorit temperaturat janë nën 30 gradë, netët janë të freskëta. Pyjet në Pishporo dhe Darzezë nuk janë brenda qendrave të banuara që zjarrvëniet të jenë aksidentale dhe që një pyll të digjet spontanisht para kamerës!

Nga Pishporo mora me vete zhukat ose xanat që Myzeqesë i kanë shërbyer për të thurur shtroje e litarë, sa kohë jeta nuk ishte bërë prej sintetiku. Lula i mblidhte për mua para perëndimit të diellit, kur ngrinim plaçkat dhe kapërcenim brezin e gjerë të rërës. Ato duan forcë të shkulen nga rëra. Lula ka mjaftueshëm forcë. Ndonjërës ia thith lëngun qumështor që zhuka e ruan midis rrënjës dhe kërcellit. “Si një kohë”, thotë Lula. Ajo më bën një buqetë me kërcej të gjatë që tani rri në dhomën time. Aty janë edhe vitet e jetës së saj në fushat e naftës, janë vitet e prindërve tanë në ato toka që çdo qeveri ia ka sharë cilësinë e pasurisë dhe prapë ia vjedh, ia eksporton. Për vendasit që nuk trashëgojnë gjë do ishte më me vlerë një vdekje e lumtur sesa një mijë jetë të mjera.

Jam përpjekur të mos e mendoj çfarë po ndodh në Pishporo, sepse gjatë javës kur ndizeshin çdo ditë vatra të reja zjarri, një e keqe e madhe i afrohej kufirit të Kosovës. Ndërkohë kryeministrin tonë e gënjen mendja, prej dhjetë vjetësh, se po bën mediatorin historik të paqes me Serbinë (nuk harrohet hosanaja e Rexhep Qoses kur kryeministri ynë foli për herë të parë në Beograd). Ky pështiroset nga kaosi i Amerikës, ku njeriu punon aq sa të mos ketë kohë e fuqi të mendojë dhe ndihet i bekuar, që jeton në kaosin e llojit shqiptar, ku mosdënimi i krimit politik dhe i korrupsionit të sotshëm, nuk e lë Shqipërinë të dalë nga labirinti i historisë me kufomat e së shkuarës.

“Më qan zemra për Pishporon”, më thotë Sesi. “S’është çudi ta mbysin me beton dhe asfalt tani që e dogjën për toka të lira”, i them. “Kopshti i qershive”, vazhdon ajo. “E gjithë Shqipëria është kthyer në kopsht qershish”, i them.

Materializmi i ri po e kthen vendin në kujtim[2]. Vështirë të mos ia arrijnë qëllimit zjarrvënësit, me agresivitetin dhe tensionin që njerëzit kanë mbledhur në shpirt dhe në tru, bashkë me varfërinë.

Shihi pyjet dhe i ke parë edhe bibliotekat!

© 2023 Elsa Demo. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Gjatë këtyre viteve, mediat kanë raportuar se shumica e bashkive nuk kanë ngritur struktura të menaxhimit të territorit apo drejtori të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri. Por qoftë edhe një bashki si Tirana, stacionin e zjarrfikësve e ka pasur deri vonë në një zgëq pas arës së mbjellë me panele diellore në Tv Klan. M’u kujtua një punonjës zjarrfikës i këtij stacioni i cili, në kohën midis dy zjarreve, tregtonte peshk në dyqanin e peshkut të asaj zone, ku edhe banoj. Kjo zonë po u nënshtrohet ndërhyrjeve zhvilluese si një nga polet e Tiranës policentrike, një shaka bajate e kushtueshme e pushtetit vendor.

[2] Drama “Kopshti i qershive” i Çehovit, përmbyllet me dialogët:

Anja – Lamtumirë shtëpi, lamtumirë jetë e shkuar!

Trofimovi – Mirëseerdhët në jetën e re!

 

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin