Nëse Korça e ka merituar sadopak titullin ledhatar Paris i vogël, patjetër që atmosfera e këtij qyteti, ku, me cilësinë e diplomatit, pati ndenjur gjatë harkut kohor nëntor ’36 – dhjetor ’37, diç do t’i ketë kujtuar poetit Jorgos Seferis prej viteve studentore në Sorbonë. Një gjë të tillë nuk e pohon asgjëkundi, por, pavarësisht nervozizmit dhe ankesave të shpeshta, siç i gjejmë të shprehura këto në ditarin e tij dhe në letërkëmbimet me të motrën, me bashkëshorten e ardhshme e me miqtë, prapë se prapë nuk do të jetë ndier dhe aq i huaj. Për më tepër, sapo ishte nënshkruar i ashtuquajturi Pakt Ballkanik, falë të cilit, ndonëse Shqipëria jo fort e pavarur e asaj kohe nuk kishte pranuar të merrte pjesë, marrëdhëniet midis shteteve të gadishullit tonë gërnjar po njihnin, për herë të parë pas dekadash me radhë, njëfarë qetësie e mirëbesimi të ndërsjellë. Në këso rrethanash, detyrimet prej konsulli të përgjithshëm nuk duket t’ia kenë penguar edhe aq ndezullinë krijuese. Mund të themi, madje, se ai vit i jetuar në Korçë përbën një ndër periudhat më të begata të veprimtarisë së shkrimtarit Seferis.
Brenda tre muajve të parë, shkruan tri prej eseve tashmë më të njohura të tij – «Mbi një fragment nga Pirandello», «Disa pikëpyetje gjatë leximit të Kalvosit» dhe «Gjuha greke» –, të cilat ua poston miqve në Athinë dhe botohen menjëherë në të përmuajshmen Ta Nea Grammata. Ishte një befasi e këndshme për mua, kur, plot tetëdhjetë vjet më vonë, në prill 2017, kopje të tre numrave përkatës të revistës në fjalë, të bashkuara tashmë në një vëllim të vetëm, do t’i gjeja në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë. Si kishin mbërritur? Përse pikërisht e sapothemeluara Ta Nea Grammata dhe jo ndonjë simotër e saj, më e stinuar e më në zë, si, fjala vjen, Nea Hestia? Pastaj, institucioni ynë qendror i librit numëronte, në atë kohë, diçka më shumë se dhjetë vite jetë dhe, afërmendsh, do të ketë qenë e vështirë të pajisej me të gjitha revistat cilësore letrare të Evropës, qoftë edhe të vendeve fqinje. Mbase, për të lënë diçka nga vetja në Shqipëri e, njëherazi, pikërisht për të ndihmuar në pasurimin e një biblioteke të re, në mos thjesht për të lehtësuar bagazhet, këta numra të parë të së përmuajshmes greke janë dhuratë e vetë Seferisit. Mbase edhe i pati sjellë, në fillim të pranverës ’37, pas një fluturimi të frikshëm nga Korça në Tiranë, me një avion rrangallë e me një pilot të çartur, «që e manovronte timonin si fre» (Γιώργος Σεφέρης, Μέρες Γ’, Ίκαρος, Athinë 2011, f. 77).
Përveç tri eseve, shkroi në Korçë, plotësisht apo pjesërisht, disa nga poezitë e tij më të përmendura sot: «Plaku», «Një ligjërim për verën», «Raven», «Matia Paskali midis trëndafilave», «Mëngjes i bukur vjeshte», «Piazza San Nicolo» e ndonjë tjetër, duke filluar kështu të hartonte me mendje dy përmbledhjet e radhës, të pestën dhe të gjashtën, botimin e të cilave, përfundimisht, do të detyrohej ta përshpejtonte. Matanë Adriatikut, një politikan fodull, i ngjashëm me disa udhëheqës të sotëm të botës, po thurte plane për Ballkanin. Po jepeshin urdhrat e parë të një lufte që nuk dihej se ku do të dilte dhe secili nxitonte të mbyllte hesape.
Neohelenisti Roderick Beaton, autor i jetëshkrimit ndoshta më të plotë të Seferisit, ka bërë një vëzhgim pothuajse kadarean, por që, në rastin e tij, është tregues i një hulumtimi të imtësishëm. I ka rënë ndër mend, tek libri në fjalë, për një personazh jo edhe aq të zakonshëm të Korçës së viteve ’36-’37, për njërin prej mësuesve të Liceut Francez, me të cilët frëngjishtfolësi Seferis gjerbte tek-tuk ndonjë konjak. Përfundimi i biografit duhet të jetë i saktë: «edhe nëse e ka njohur njeriun që udhëhoqi për dyzet vjet rresht shtetin më të mbyllur e më të egër komunist të botës, duket se takimi midis tyre nuk i ka lënë kurrfarë mbrese si njërit, edhe tjetrit» (Roderick Beaton, George Seferis: Waiting for the Angel, Yale University Press, 2003).
Ky profesor i Kolegjit Mbretëror të Londrës, jo për faj të tij, por të vendimeve shpeshherë krejt të papërligjshme të fuqive që caktojnë riskun e ditëve të çdo njeriu, nuk ka patur, me sa kuptohet, dijeni për të vetmin personalitet të Korçës, por edhe të mbarë Shqipërisë së asaj kohe, që, qartazi, la një gjurmë, të pashlyeshme më, në vëmendjen dhe në veprën e nobelistit të ardhshëm.
Ndër poezitë që shkroi Seferisi në Shqipëri, «Mëngjes i bukur vjeshte», e shoqëruar me poshtëshënimin Korçë 1937, i bie të jetë, duke u nisur nga letërkëmbimi i tij me të motrën, e fundit ose e parafundit. U botua, edhe kjo, për herë të parë tek Ta Nea Grammata, më 1938, për t’u përfshirë dy vjet më pas në përmbledhjen Ditar i kuvertës, I. Asgjëkundi gjetkë, në veprën e tij poetike, nuk e gjejmë praninë e Shqipërisë kaq të theksuar e të drejtpërdrejtë sa këtu: «Ja ku më pëlqejnë më së fundi këto male me këtë dritë / me lëkurë të rrudhur si barku i elefantit / kur sytë i janë ngushtuar nga vitet. / Ja ku më pëlqejnë këta plepa, nuk janë shumë / tek ngrenë supet nëpër diell. / Gegët shtatlartë toskët shtatshkurtër / verës me draprinj dhe dimrit me sëpata / dhe gjithçka përherë e njëjtë, të njëjtat lëvizje / në të njëjtët trupa: monotonia u thye […]» (Jorgos Seferis, Poezi, Pika pa Sipërfaqe, Tiranë 2019, f. 139).
Nuk do të merresha, gjithsesi, me shqyrtimin e përmbajtjes së poezisë, por këtu nuk është as vendi. Për më tepër, kaq shumë i jemi avitur tashmë temës, saqë nuk bën t’i largohemi. Prandaj, le të kalojmë menjëherë tek një tjetër varg, që, paçka se i huajtur, është – falë jo vetëm dramatizmit që mbart në vetvete, por edhe bashkëveprimit të natyrshëm me të tjerët – ndër më kulmorët e kësaj poezie, në mos më kulmori: «o shpirt i dashuruar që fluturove lartësive». Sipas J. P. Savidisit, përpilues i vëllimit të veprës së plotë poetike të Seferisit, kemi të bëjmë me parafrazim të një vargu nga akti i tretë i operës Lucia di Lammermoor të Donizetti-t (Γιώργος Σεφέρης, Ποιήματα, Ίκαρος, Athinë 1994, f. 326). Dhe vërtet, vargu në origjinal është ky: «Tu che a Dio spiegasti l’ali, o bell’ alma innamorata».
Por, në këtë poezi, ku i ka përqendruar shqisat tek mjedisi përreth, ç’ia kujtoi Seferisit operën e kompozitorit italian? Ka mbërritur në Korçë më 16 nëntor 1936, për t’u larguar në tetorin e ardhshëm dhe për t’u rikthyer, vetëm për pak ditë, sa për të bërë dorëzimet, në dhjetor.
Ndërkohë, pas një specializimi në Itali, gjatë vitit 1936, Tefta Tashko Koço i ka shtuar repertorit të saj pjesë të reja, ndër të cilat edhe katër arie nga Lucia di Lammermoor (Hysen Filja, Tefta Tashko Koço, 8 nëntori, Tiranë 1979, f. 136, 149; Pandi Bello, Tefta Tashko Koço: miti i sopranos, Flesh, Tiranë 2012, f. 104). Që nga vjeshta e të njëjtit vit dhe për muaj me radhë gjatë vitit në vazhdim, në shoqërinë e pianistes Lola Aleksi dhe të maestros Sotir Kozmo, ndërmerr një turne, duke dhënë koncerte vërtet të bujshme nëpër qytetet kryesore të Shqipërisë – Korçë, Tiranë, Durrës, Shkodër, etj. – e duke u treguar «në këndimin e disa copave të zorshme si Lucia di Lammermoor […] artiste me sensibilitet të hollë dhe mjeshtre në theksimin e nuancave më të vështira» (Tajar Zavalani, Përpjekja shqiptare, dhjetor 1936, f. 180-181). Duket se L’aria della follia dhe tri të tjerat e operës së Donizetti-t nuk para kanë munguar në koncertet e Tefta Tashko Koços jo vetëm gjatë turneut të viteve ’36-’37, por as gjatë gjithë atij 10-vjeçari të rrëzëllimit të saj (Hysen Filja, Tefta Tashko Koço, 8 nëntori, Tiranë, 1979, f. 135; Eno Koço, Tefta Tashko Koço dhe koha e saj, Dituria, Tiranë, 2000, f. 81, 91, 93; Pandi Bello, Tefta Tashko Koço: miti i sopranos, Flesh, Tiranë 2012, f. 72, 141).
Poeti dhe eseisti, i dhënë pas shkrimeve, ndoshta edhe pas punës shtetërore, i drejtohej ditarit pak më shpesh sesa një herë në muaj dhe nuk mund ta dimë me saktësi se në cilin koncert, a në cilat koncerte, e pati dëgjuar Lucia di Lammermoor-in në interpretimin e artistes shqiptare. Mbase në atë të 18 shkurtit 1937, në Korçë, ku sopranoja shoqërohej nga Jacques Winkler dhe Kristo Kono (Thimi Çollaku, Kalendari i botës shqiptare, Omsca-1, Tiranë 2010, f. 72), por mbase edhe në ndonjë tjetër, në Korçë a në kryeqytet. Dhe, në të njëjtën mbrëmje, Seferisi do të ketë shijuar edhe prozodinë e poezisë së Lasgush Poradecit.
(c) 2025 Romeo Çollaku. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.