Edhe me rastin e përkujtimit të 1-vjetorit të ndarjes nga jeta të Ismail Kadaresë, shkrimtarit shqiptar më të madh të të gjitha kohërave, u rimor nga disa vështrime tema e vjetër e rolit të kritikës për të bërë të njohur letërsinë në publik, për të mundësuar, po ashtu, që brezat e rinj të njohin edhe traditën. Kolegu im, Ardian Vehbiu, në shkrimin « Tradita nuk është për muze » dhe me nëntitull « vepra e Kadaresë mbetet e pametabolizuar nga kultura shqip » (“Peizazhe të fjalës”, 4 korrik 2025), me të drejtë paraqitte nevojën se si duhet ta ndihmojmë brezin e ri që ta lexojë apo ta metabolizojë veprën e Kadaresë, që ta kuptojë e ta njohë atë. Por jo vetëm. Letërsia nuk ka moshë dhe brenda kulturës shqiptare, në përgjithësi, çdo shoqëri ka për detyrë që t’ia bëjë të njohur publikut të saj atë pasuri që është krijuar ndër shekuj; letërsinë, pikturën, muzikën, dokumentet, shkurt, gjithçka që lidhet me sferën shpirtërore të një populli.
Ky fajësim i kritikës, më duket se është vetëm një pjesë e problemit. Është e vërtetë që ne nuk kemi një kritikë e një histori apo teori të specializuar artistike, fjala vjen për këngën, për pikturën, për televizionin, por, nga ana tjetër, nuk duhet të harrojmë se, sidomos në këta tridhjetë vjet, janë botuar një numër i konsiderueshëm librash studimorë të një niveli të mirë. Prej shumë vitesh del revista “Peizazhe të Fjalës”, një nga tribunat e mendimit kritik e filozofik letrar me nivel perëndimor, pak më vonë, pas saj, kanë dalë edhe të tjera si “Ex-libris” dhe disa revista kulturore që kanë disa herë një natyre krahinore apo ideologjike të veçantë. Nuk po përmend pastaj botimet e kolanës “Mendimi Shqiptar” nga botuesi Ndriçim Kulla e plot botime të tjera deri të ato të Institutit Mit’hat Frashëri, botimet e shtëpive botuese Onufri, Toena, Dituria apo të tjera, pa harruar botimet e shumta dhe cilësore në Kosovë, ashtu sikundër ato nga arbëreshët apo nga Lucia Nadin.
Asnjëherë si në këta vjet kultura shqiptare nuk ka qenë e diskutuar, e vënë në tryezë për analiza e debate si tani. Problemi është se edhe këtu, ashtu si në fusha të tjera, ne kemi shfaqur narcizizmin e njohur dhe egoizmin provincial që na shtyjnë drejt injorimit të tjetrit dhe te mungesa e referencave. Këtu gjithçka nis e mbaron brenda unit provincial të shqiptarit që nuk e pranon tjetrin. Fataliteti ynë i njohur është mungesa e bashkëpunimit dhe puna e përbashkët. Ndërkohë, Shqipëria e varfër, por edhe Kosova, paguajnë me taksat e tyre një Institut të Gjuhës e Letërsisë që dikur ishte brenda asaj që quhej Akademi e Studimeve Shqiptare e që sot është rikthyer si degë në varësi të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Edhe në Kosovë po ashtu. Detyra e këtyre institucioneve, në radhë të parë, është të mbledhin, të evidentojnë dhe të shkruajnë Historinë e Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare. Por kjo nuk ka ndodhur.
Teksti i fundit dhe i vetmi që kemi sot në përdorim, është ai i Robert Elsie-t. Ky boshllëk tregon jo vetëm mjerimin institucional, por na nxjerr zbuluar edhe para shkollës. Pa hyrë shumë në histori, po risjell në vëmendje këtu punën e madhe të qarkut katolik të Shkodrës për të hartuar tekstet për shkollat e tyre që ata i hapën në fillim të shekullit XX. Më pas, Mitrush Kuteli mblodhi e botoi në një vëllim të vetëm poezinë e Nolit dhe dy libra të Lasgush Poradecit duke i promovuar këta dy autorë si poetë të dalluar dhe duke i paraqitur botimet e tyre me një studim hyrës që janë edhe sot e gjithë ditën model i analizës letrare. Krijohet pas pushtimit fashist të vendit Instituti i Studimeve Shqiptare me studiues të dalluar nga Shqipëria e Italia. Pavarësisht frymëzimit imperial që kishte ai organizëm, aty u hartuan dhe u sollën në vëmendje monografi, studime e tekste që nuk e kanë kapërcyer kohën as tani. Një nga kritikët e shquar të asaj kohe, pavarësisht orientimit politik fashist, Vangjel Koça, i quajtur Vangjo Nirvana, ka lënë një pasuri të mirëfilltë kritike e studimore, për të mos harruar pastaj Arshi Pipën që e nisi me revistën “Kritika” në vitin 1944 e e vazhdoi më vonë krijimtarinë e tij në Amerikë e për të vazhduar me një varg studiuesish të cilët e nisën punën e tyre në këtë Institut dhe e vazhduan më pas edhe në organizmat akademike që u krijuan gjatë diktaturës.
Nga fillimi i shekullit të kaluar e deri në vitin 1990 kur ra diktatura komuniste, strudiuesit e letërsisë e të artit kishin si target shkollën dhe nxënësit e të rinjtë shqiptarë i vështronin si publikun dhe lexuesin e parë të letërsisë shqiptare dhe të asaj botërore që përzgjidhej e futej në programet shkollore. Nuk po përmend këtu librat e fëmijëve apo të çunave e të vajzave që përgatitën Naimi e të tjerë në agimet e Rilindjes, por e kam fjalën gjetkë dhe, me këtë rast, dua të shtyj më tej mendimin dhe shqetësimin që ngre Ardian Vehbiu në fillim. Dua të them se ne e kemi përjashtuar shkollën, nxënësit dhe të rinjtë shqiptarë nga qarkullimi kulturor e letrar. Ata, në shumicën e rasteve, nuk janë më autori i tretë në krijimin e tekstit, siç thoshte Jauss. Dhe këtu faji nuk është vetëm i atyre që hartojnë tekstet shkollore të letërsisë. Faji është yni, i të gjithëve si shoqëri. Ku do të mbështeten hartuesit e teksteve për të ndërtuar botimet e tyre, kur në qarkullimin akademik nuk ka asnjë tekst integral të studimit të letërsisë shqiptare.
Ne e zhveshëm shkollën nga gjithçka shqiptare që mund të kishte ajo dhe bëmë me të të gjitha eksperimentet e mundshme. Pati një periudhë të çmendur në historinë e shkollës shqiptare që, në emër të studimit të tekstit, u hoq historia e letërsisë dhe autorët, u fshinë. Fëmijëve dhe të rinjve në shkollë të mesme u jepeshin fragmente poezish apo prozash dhe u kërkohej të bëhej studimi i tekstit pa patur asnjë ide dhe pa qenë studiuar më parë në arsimin tonë, në dijen tonë teoria e narracionit apo e rrëfimit të Bakhtin-it apo Paul Ricoeur-it. Duke imituar në mënyrë të verbër dhe në injorancë të plotë, këta autorë shkatërruan arsimin dhe letërsinë duke futur një anë të studimit të letërsisë që edhe në vendet europiane, pra atje ku kanë lindur këto dije të thella të studimit të tekstit, bëhen në kurse të specializuara. Mirëpo, meqenëse nuk ka një institucion të lartë, akademik dhe me autoritet që të shërbejë si orientues për ndërtimin e teksteve që do të studionin letërsinë apo sociologjinë e filozofinë, këtë rol e kanë marrë të tjerë autorë që, pa iu dridhur qerpiku, bëjnë eksperimente mbi fëmijët e kulturën shqiptare sepse kështu e kemi katandisur këtë anë të shenjtë të jetës sonë publike; pa asnjë filtër akademike.
Kam mbi tavolinë një libër që përdorej në vitet ’40 si tekst leximi për klasat e larta të shkollave të mesme. Libri titullohet Bota Shqiptare. Në mbititull shkruhet LIBRA SHTETI PËR SHKOLLA TË MESME – NR. 3. Poshtë titullit shkruhet Libër Leximi dhe në fund: BOTIM I MINISTRIS S’ARSIMIT/ TIRANË 1943-XXI. Ka 603 faqe dhe është një enciklopedi e historisë dhe e kulturës shqiptare me tekste të marra drejpërdrejt nga të gjithë albanologët e huaj e shqiptarë që kanë shkruar mbi kulturën, gjuhën dhe letërsinë shqiptare. Pra, jemi në kohë lufte. Është viti 1943. Të gjithë e dimë se çfarë ndodhi në vitet e socializmit dhe nuk dua që edhe në këtë rast të viktimizohem duke treguar të zezat e atij sistemi. Meqenëse komunistët kishin një projekt dhe meqenëse ata kërkonin të transformonin psikikën dhe mendimet e idetë e shoqërisë së tyre, ata i kushtuan një vëmendje të jashtëzakonshme arsimit dhe fjalës së shkruar. Dhe kultura e të lexuarit, qoftë edhe e ideologjizuar, u sanksionua në atë epokë, duam apo nuk duam ne. Është e vërtetë pastaj edhe ana tjetër që, sidomos studimet për letërsinë dhe tekstet akademike, në disa raste, u thanë nga çdo ide dhe u varfëruan aq shumë sa që nga fundi, sidomos letërsia e realizmit socialist tregohej në një mënyrë aq të drunjtë e të politizuar sa që të merrte frika të hapje ndonjë fletë. Pas rënies së diktaturës, ne jemi po në atë gjendje. Mirëpo tani situata është edhe më e rëndë sepse nga kontrolli i rreptë partiak e klasor kemi kaluar në shthurjen totale dhe në anarki alarmante. Jo vetëm që nuk kemi ende një tekst apo disa tekste që do të na tregonin historinë e letërsisë e të kulturës shqiptare, por askush nuk e sheh një angazhim të tillë si një detyrim ligjor e moral.
Akademia e Shkencave të Shqipërisë, tani që i mblodhi insitutet në gjirin e vet të ngrohtë, gjen kohë ende për të bërë skandale. Para disa kohësh u botua një numër i revistës “Albanian Studies” i cili përmbante një shkrim kushtuar mistikut indian Sri Aurobindo, nga një historian gjerman i cili i fton pastaj studiuesit në Shqipëri të thellohen mbi veprën e Petro Zhejit e të Agron Dalipajt. Çfarë të thuash më shumë? Për fat të keq, ata që paguhen për këtë punë, pra për të evidentuar, studiuar dhe paraqitur prodhimin kulturor letrar shqiptar në monografi e në tekste zyrtare, kanë tridhjetë e ca vjet që bëjnë ekzibicionizma me pasionet e tyre të parealizuara. Dhe kështu, të rinjtë tanë jo vetëm që do fillojnë të harrojnë Kadarenë, por, ashtu siç ndodhi me brezin tim që për arsye ideologjike nuk e lexuam dot Fishtën, edhe sot për arsye të shkatërrimit mendor dhe të varëfërisë që kemi në tru, nuk do t’ua mundësojmë të rinjve që të njohin siç duhet Kadarenë, por edhe të tjerë.
Të mos flasim pastaj që sot duhet të kishim një tekst integral që të tregonte gjithë pasurinë e letërsisë e të kulturës shqiptare në disa vëllime dhe hartuesit e teksteve, pastaj, do ta kishin të lehtë sepse do t’i merrnin të rrudhura ato kontribute për t’i përdorur në librat e shkollës dhe do të vinte dita që në provimin e formimit ne të formulonim teza ashtu siç bëjnë fqinjët tanë që kemi përballë detit dhe të cilët i kemi patur si model për oreintimin tonë perëndimor. Pra, do të kishim arritur në atë ditë që në provimin e shqipes të kishim shtatë pyetje që do të vërtiteshin të gjitha rreth formimit që do të kishin marrë nxënësit tanë në letërsi, sociologji, filozofi e psikologji.
Mirëpo ne, në provimin e maturës, sot, japim një pyetje nga letërsia që është e nivelit të klasës së shtatë fillore, një nga gjuha të nivelit të klasës së dytë fillore dhe kaq. Sepse askush nuk e kupton se me anë të shqipes ne mund t’u kërkojmë të rinjve tanë që të na tregojnë se si janë thurur me këtë gjuhë poezi, romane, si janë shkruar tekste sociologjike e filozofike, pra, do t’i mësojmë që të kuptojnë se përse shqipja është një gjuhë që duhet ruajtur dhe se përmes saj ne formohemi. Dhe ajo gjuhë ka arritur kulmin e bukurisë së saj kur është përdorur nga shkrimtarë e poetë të mëdhenj shqiptarë.
(c) 2025 Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.