Disa shkrime e ndërhyrje plot shqetësim për fatin e shqipes publike sot më bënë të mendoj se mund të ketë një fill – në mos kavo çeliku – që i lidh bashkë dështimet në fusha të ndryshme.
Ilir Mborja shkroi për shqipen e kontratave, të shkresave dhe të akteve nënligjore, e cila – siç mund ta konstatojë kushdo që ka nge – është e krimbur në gabime. Edhe drejtshkrimore, edhe gramatikore, edhe “shkronjore” (i mungojnë ë-të dhe ç-të).
Teuta Toska ka shkruar disa herë për shqipen e chat-eve në telefon, sidomos mes të rinjve, ku gjuhën e shkruar e zëvendëson një stenografi e gjuhës së folur, duke i dhënë kësaj tiparet e një transkriptimi.
Të tjerë kanë vënë në dukje gabimet në shtyp dhe në shqipen e portaleve online, duke ia faturuar këto analfabetizmit funksional të shqiptarëve sot – ose të paktën, të atyre shqiptarëve që, në numër gjithnjë e më të madh, po shkruajnë.
Nga ana tjetër, po fundosemi të gjithë në ligatinat e teksteve të përkthyera me versionet “falas” të Google Translate, të cilat mund të jenë drejtshkrimisht korrekte, por që shpesh nuk kanë kuptim dhe sjellin ndërtime gramatikore të huaja.
Përdoruesit janë mësuar, prej dekadash, që t’i shohin tekstet e botuara në mediat – përfshi këtu edhe portalet – si modele të normës gjuhësore, duke presupozuar se këto shihen dhe filtrohen nga redaktorët dhe korrektorët përkatës; kjo madje edhe kur përdoruesit vetë atë normë gjuhësore nuk e zotërojnë dhe e dinë se nuk e zotërojnë. Edhe sot ndodh shpesh që lexuesit të shprehin habi, kur u thua se tekstin që u del përpara pasi kanë klikuar diku, mund të mos e ketë kontrolluar njeri paraprakisht.
I njëjti përkthim automatik më thonë se ndodh edhe me shqipen e teksteve universitare, e cila në masë të madhe mbetet e pakuptueshme, ngaqë edhe ajo është përkthyer me makinë (machine translation). Paradoksi këtu është se përkthimet me programet komerciale të përkthimit automatik janë sot shumë më të dobëta se ato që prodhohen nga LLM-të, si ChatGPT dhe Gemini.
Nëse tekste të krijuara kësisoj përfundojnë pastaj të rekrutuara si materiale trajnimi për LLM-të dhe kanibalizohen, ardhja e katastrofës do të përshpejtohet.
Brezi i ri po mësohet që deri edhe komunikimin gojor, të përditshëm, ta bëjë anglisht – në një gjuhë që po e njeh shumë më mirë se gjuhën amtare; duke e degraduar këtë të fundit në mjet komunikimi të dorës së dytë.
Ngaqë institucionet që duhej të merreshin me terminologjinë nuk po e bëjnë punën e tyre, shqipen terminologjike e ka pushtuar kaosi dhe ndodh rëndom që i njëjti term burimor – p.sh. në anglishte – të përkthehet me katër a gjashtë terma shqip, nga katër a gjashtë përkthyes të ndryshëm, ose nga i njëjti përkthyes i katër a gjashtë dokumenteve të ndryshme.
Në sferën juridike duket sikur gjerësisht nuk është kuptuar marrëdhënia mes “shkronjës” dhe ligjit. Nëse shprehja “the spirit of the law” (fryma e ligjit) ende duket sikur gjen zbatim në veprimtarinë e përditshme falë lidhjeve që i kanë mbetur me oralitetin, shprehja tjetër, “the letter of the law” (shkronja e ligjit) mbetet e pakuptuar, dhe shumë nëpunës, juristë dhe noterë, për të mos folur për qytetarët, as e çajnë kokën për rëndësinë e saj.
E megjithatë, sistemi ynë kushtetues themelohet mbi ligjin e shkruar, jo mbi kanunin dhe proverbat.
Nëse ka diçka që i bashkon këto patologji të gjuhës së shkruar kjo është, besoj unë, jo aq padija (injoranca), por moskuptimi i rëndësisë që ka zbatimi i rregullave në të shkruarit formal dhe, në përgjithësi, në një shoqëri të bazuar në shkrimin, nga një shumicë në rritje e sipër, e cila i konsideron ato rregulla si ornamente, që nuk luajnë ndonjë rol në funksionimin dhe misionin e tekstit.
Këtu do të kthehesha prapë te shkolla, për të vënë në dukje se ajo ka dështuar jo vetëm që t’u mësojë nxënësve të shkruajnë mirë shqipen e shkruar në të gjitha variantet dhe stilet e saj (libror, letrar, tekniko-shkencor), por edhe që t’u ngulitë në mendje idenë e dobishme, se marrëdhëniet e individit dhe të komunitetit me shtetin janë të bazuara në rregullat.
Edhe një rregull që mund të duket e thjeshtë, madje elementare, si ajo që emri i një personi duhet shkruar gjithnjë në të njëjtën mënyrë – me të njëjtën formë drejtshkrimore – luan rolin e vet, në kontekste juridike, ku, bie fjala, Arian Kola dhe Arjan Kola janë dy persona të ndryshëm.
Nuk është vetëm shkolla që ka dështuar. Mbase duhet pyetur edhe pse tregohemi të gjithë kaq shpërfillës, kur vjen puna për zbatimin e rregullave, sa herë që shkelja e tyre nuk sjell ndonjë pasojë ndëshkuese të drejtpërdrejtë.
Rregullat duhen përfytyruar si lubrifikanti që i bën mekanizmat socialë dhe institucionalë të lëvizin rrjedhshëm. Respektimi i tyre është rrugë e thjeshtë, por e sprovuar për t’u mbrojtur nga subjektivizmi, favoritizmi, familizmi dhe shëmtitë e tjera të papjekurisë institucionale.
Prandaj edhe qëllim e shkollimit është edhe që t’i edukojë qytetarët e ardhshëm në mënyrë të tillë, që këta të mësohen jo vetëm ta njohin një rregull të caktuar, por edhe ta ndiejnë menjëherë kur kjo rregull shkelet. Siç e ndiejnë dhëmbin e sëmurë, që u dhemb.
Për shembull, ta kuptojnë që një fjalë është e shkruar keq, ose që një fjali është ndërtuar në mënyrë jo-gramatikore, ose që një fjalë nuk është përdorur me kuptimin e duhur.
Shkelja e lirshme e rregullave nganjëherë përligjet si shenjë e lirisë – edhe pse zakonisht bëhet në kurriz të atyre që rregullat nuk i shkelin. Jashtë gjuhësisë, nëse të gjithë ne do të viheshim ta kapërcenim rrugën sipas qejfit, atëherë trafiku do të ngadalësohej pa masë (ose të shtohej numri i aksidenteve). Ose, një prind anti-vax që refuzon ta vaksinojë fëmijën kundër fruthit, në fakt po përfiton nga fakti që fëmija e tij rritet në një komunitet fëmijësh të vaksinuar, ku rreziku i fruthit është shumë i ulët (dukuria e free loading). E kështu me radhë.
Ata që nuk lënë asnjë moment t’u kalojë, pa të shpjeguar se gjuha amtare nuk ka nevojë për rregulla që të funksionojë shkëlqyeshëm (folklorikët mes nesh, ose mendje-trëndelinat), nuk duan të kuptojnë se këtu është fjala për funksionimin e gjuhës si mjet për konstituimin e komuniteteve shumë të mëdha se një katund a një krahinë.
Ajo që i kanoset sot shqipes është një “perfect storm”, sepse sulmet po vijnë nga drejtime të ndryshme, ndërsa mekanizmat mbrojtës institucionalë janë çuditërisht të paralizuar dhe një pjesë e elitave ngazëllehen me artikullin e revistës “Science”, kur nuk vrasin mendjen – me vite e dekada – nëse duhet hapur apo jo standardi apo për “pastërtinë” e shqipes. Edhe publiku preferon më shumë të dëgjojë për zulmën e “shqipes kozmike”, se për hallet e shqipes së sotme publike.
Unë do të thoja se sistemi që kemi adoptuar, dhe që shprehet në kushtetutën e shtetit, lyp që gjuha zyrtare të kënaqë kritere të caktuara të përdorimit. Shqipja e sotme këto kritere nuk po i kënaq – prandaj kam frikë se gjuha që përdorim, në nivelin e institucioneve dhe të marrëdhënieve të qytetarit dhe të bizneseve me shtetin, nuk i përgjigjet kushtetutës.
Shqipja e sotme e shkruar nuk i shërben republikës.
Dhe rreziku këtu nuk është vetëm keqfunksionimi i republikës – sistem që e kemi kopjuar shpesh mekanikisht nga të tjerët; por edhe humbja e funksioneve sociale të shqipes vetë, e cila rrezikon tani që të fillojë të shndërrohet gradualisht në zhargon.
(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me Ideogram. Një version pak më i shkurtër i këtij shkrimi u botua, para disa ditësh, në substack-un MENDITIME.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.