QITJE PËRJASHTA

Ka tërhequr vëmendjen e kritikës dhe të kalimtarëve, këto ditë, skulptura e artistit amerikan Paul McCarthy në bienalen e 14-të të Carrara-s, Itali: një jashtëqitje dy-copëshe, me përpjesëtime natyrore, por e zmadhuar deri në pafajësi (dy metra).

McCarthy, i cili e quan veten më shumë “kloun” sesa “shaman”, thotë e ka vendosur maksi-jashtëqitjen e vet mú para një banke të qytetit, në shenjë proteste kundër kapitalizmit.

Nëse ky gjest do të ketë ndonjë efekt ndaj kapitalizmit, kjo mbetet për t’u parë. Vepra e McCarthy-t, njëkohësisht realiste dhe groteske, nuk i apelohet së bukurës, as misterit; por vetëm na kujton të gjithëve një realitet që duam ta mbajmë jashtë fokusit.

Kush jeton në metropolet e Perëndimit, do t’i ketë ndeshur vepra të tilla, jo skulpturore por organike madje të biodegradueshme, në të katër anët: të krijuara prej qenve shumëmilionësh por, herë-herë, edhe prej të zotërve të qenve.

Për mua, nuk ka shenjë më elokuente të (mjerimit të)  hapësirës publike sesa jashtëqitja, e ekspozuar lirisht në sytë e të gjithëve. Madje vetë kjo hapësirë mund të përkufizohet, in extremis, si vendi gjeometrik i lirisë për të përmjerë.

Provoni të rezistoni, qoftë edhe pak minuta, ndonjë ditë të avullt vere, në stacionin e metrosë të Herald Square rruga 34, në Manhattan të New York-ut kryeqytet i botës; të zhytur në duhma urine festash, djerse kristaline, jargësh xixëllitëse, zgjyre elektrike, pështyme saksofoni, krematoriumi për fetuse, diarrésh epike, atletesh veshtullore, të vjellash irlandeze.

Pastaj zhvendosuni literalisht vetëm dy hapa, përtej kalesave me turnstile në pjesën jugore të stacionit, për t’u futur në madhështinë e katedrales demokratike të super-tregtores J.C. Penney: të bardhë, të freskët si vesa, të mbytur në buzëqeshje, inoks, ngjyra bebesh, aromaterapi dhe dysheme vezulluese.

Ndonjëherë, kur dyert prej qelqi luksoz të dyqanit mbahen të hapura më shumë se ç’duhet, një fllad i akullt dhe i parfumuar arratiset që andej, për të trazuar atmosferën eksrementale të stacionit të metrosë, sa për t’i kujtuar të gjithë se ku kalon vija ndarëse midis kakës dhe jokakës.

Gjesti i tanishëm i McCarthy-t mund të jetë brutal, madje edhe jo shumë origjinal; orvatjet e artistit bashkëkohor për të shokuar publikun tashmë duan konsideruar po aq kitsch sa edhe muzika e Vivaldi-t në librarinë Barnes & Noble; por vlera e këtij gjesti në lëmin e kritikës sociale i tejkalon caqet e paraqitjes (reprezentimit), meqë i bashkëlidhet kontekstit të ekspozimit, ose hapësirës publike në qytet, të cilën kapitalizmi kërkon ta mbushë me gjithfarë plehrash: njerëzore, komerciale, industriale dhe mediatike.

No Comments

  1. Gjate luftes se dyte boterore ne Usa ekzistonte era of McCarthyism, kur mijera amerikane u akuzuan si pro komunizmit. Ne pergjithesi shenoheshin ata qe punonin per shtetin, shume humben punet dhe ne rastet me ekstreme u burgosen. Kjo fushate ishte nje shtytje nga senatori Joseph McCarthy.
    Tani pas kaq vitesh na del Paul McCarthy qe proteston kundra kapitalizmit po dhe ai kaq ekstremisht.
    Mos kane gje lidhje farefisnore kete te dy? Ose historia eshte kaq ironike dhe luan me mendjet tona.

  2. oy vey,

    dhe pastaj të thonë se kjo është art! Kurse ne që nuk e kuptojmë këtë jemi katundarë, të prapambetur etj si kjo. Le të protestojë MacCarthy në shtëpinë e vetë në këtë mënyrë, apo në shtëpinë e shokëve të tij, madje le ta bëjë jashtqitjen (që për eufemizëm i themi mut) life size që të mblidhen dhe mizat.

  3. Ne fakt duhet marre parasysh qe kjo eshte nje pune tipike e Paul McCarthy. Jo rralle ai trajton tema shoqerore nga perspektiva e veshtiresise, apo peshtiresise fizike. Aq sa mund te thuhet se fale McCarthy, cilesimet mbi artin nuk jane me thjesht, “i bukur, sublim, etj,” por edhe “i peshtire.”

    http://www.youtube.com/watch?v=4C3yjIet2Ig&has_verified=1

  4. Simbas McGilchrist, ne “The Master and His Emissary”, fajin per te pergeren e zmadhuar te ketij autorit do ta kete Corpus Callosum. Dhe ajo eshte “simptomatike me menyren e te parit te botes me ane te gjysmes se majte te trurit”, njesoj si me rastin e njerezve, tek te cilet hemisfera e djathte e trurit te tyre nuk mbush mire.
    Ka pastaj edhe te tjere qe heqin vija paralele midis modernizmit apo post-modernizmit dhe skizofrenise, me sendet dhe gjerat e marra jashte kontekstit dhe te fragmentizuara.

    Pak a shume si rasti i Pangos sone apo ligjeve qe e mbrojne, ku simbas tyre deshira per te sh…..er, eshte me e rendesishme se cdo gje tjeter, sepse jashte saj nuk ka te vertet absolute. Madje nuk ka asnje lloj te vertete fare…