Po ecja në sheshin “Skënderbej”, afër Teatrit të Kukullave, kur shoh një morí agresive grenxash, që vinin rrotull një pellgu të vogël me ujë freskues. Dhe mu në këtë moment, bri meje, dëgjoj një zë vajze që thotë: “these are not bees, these are f*cking hornets.” Kthej kokën dhe shoh tre gjimnazistë Tirane, që po e vazhdojnë muhabetin lirshëm në shqip. Nuk e përballoj dot kureshtjen, dal nga natyra ime dhe i pyes: “më falni, ju dëgjova që folët anglisht aty pari, nëse nuk është problem për ju, a mund të më thoni pse?” Ma presin pyetjen shumë mirë. Vajza që kish folur anglisht, më shpjegon se anglishtja i kish ardhur, si edhe herë të tjera, vetvetiu; dhe se për atë lloj insekti ajo nuk e dinte as si quhet shqip. Hornets. Në fakt as unë s’e dija emrin shqip. Ndoshta arëza? Dija që në italisht u thonë calabroni. Ndërsa në Amerikë yellowjackets (hornets u gjendkan vetëm në Botën e Vjetër). Etj. Bisedën e zhvillojmë në shqip. I sqaroj se nuk jam inspektor i policisë gjuhësore por thjesht merrem ndonjëherë me anglishten që u del vetvetiu kalamajve dhe të rinjve në Tiranë, dhe i pyes si e kanë mësuar këtë fjalë, hornet, që nuk është nga më të dendurat e anglishtes. (Oxford Dictionary më informon se ndeshet për rreth 0.4 okurrenca për një milion fjalë, në anglishten moderne të shkruar). Natyrisht, nga telefoni. Nga Tik-Tok. Nga Instagram. Një “shkollë jete” relativisht e panjohur për mua. Edhe nga librat? – vazhdoj unë. Nga librat jo, sepse libra nuk para lexojnë. Shtojnë se, në fillim, kishin kujtuar se unë u kisha ndërhyrë ngaqë po flisnin anglisht dhe jo shqip; kjo mbase shpjegon pse u treguan aq të gatshëm për të më ndihmuar pastaj, kur morën vesh që nuk kisha pasur ndërmend t’i disiplinoja gjuhësisht. Madje vajza me talent entomologjik, që i kish identifikuar insektet, me të drejtë, si hornets, pranon se kish menduar në krye edhe mos unë do ta qortoja për cursing. Për solidaritet, u them se brezi im, në moshën e gjimnazit, eksperimentonte ndonjëherë me italishten. Më informojnë se ndjekin një shkollë private, ku mësojnë edhe italisht, veç anglishtes. Kushedi ajo hornet e anglishtes ka hyrë në ligjërim duke sjellë me vete saktësi; unë, në gjimnaz, do t’i kisha quajtur insektet në fjalë “ato grenxat e mëdha”, sepse nuk do të kisha fjalë tjetër në dispozicion. Edhe pse i kam njohur që fëmijë – vizitonin shpesh oborrin tonë dhe, çuditërisht, inspektonin lëfytet e ballkonit, për derdhjen e ujit të shiut. Më kishin mësuar edhe që t’u ruhesha, sepse e kishin thumbin therës. Më shumë informacion se kaq nuk më duhej, por gjithsesi më mungonte emri; një emër që do t’i dallonte jo nga bletët, por nga grenxat e zakonshme verdh-e-zi, ato që tërhiqen pas reçelit në plazh. Lëfytet vinin t’i inspektonin edhe ca që në anglishte u thonë mud daubers, dhe që nuk ua di emrin në shqip, dhe që dalloheshin nga këmbët e pasme që u vareshin poshtë, kur fluturonin. Mbase emri të jep një farë kontrolli ndaj sendit dhe botës; hornet është më e saktë se grenxë ose bletë (insekt). Të jetë ky një shpjegim pse të rinjtë e përdorin kaq lirshëm anglishten? Në kuptimin që ajo gjuhë, përveçse zhargoni i natyrshëm i mediave sociale, i lejon të ndërveprojnë më saktë me të tjerët edhe gjetiu, teksa shqipja nuk u mjafton (më)?
© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është përpunuar me Midjourney.