nga Gresa Hasa
Më 15 tetor, Shqipëria çeli zyrtarisht kapitullin e parë të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian (BE). Ky zhvillim u prit pozitivisht dhe u pasua në sferën publike shqiptare kryesisht nga një mbulim mediatik jo kritik. Çelja e negociatave tingëllon një hap i shumëpritur dhe optimist, që shënjon rrugëtimin e vendit drejt integrimit të mëtejshëm në BE. Megjithatë, fakti që ky kapitull për Shqipërinë zyrtarizohet në të njëjtën kohë me inaugurimin e qendrave italiane të përpunimit të imigrantëve krijon një kontradiktë madhore, që bie në konflikt me procesin e integrimit në vetvete.
Në nëntor 2023, qeveria shqiptare dhe ajo italiane, nënshkruan marrëveshjen bilaterale për eksternalizimin e migracionit në territorin shqiptar. Eksternalizimi i migracionit dhe bashkëpunimi me qeveri gjysmë-autoritare apo autoritare nuk është risi në politikën e vendeve europiane si Italia apo edhe në vetë praktikën politike të jashtme të BE-së.
Në 2007, Italia, asokohe nën udhëheqjen e Silvio Berlusconi-t, nënshkroi të ashtuquajturën ‘Marrëveshje të Miqësisë’ me qeverinë e Muammar al-Gaddafi-t në Libi, çka synonte reduktimin e migrimit të parregullt, në këmbim të investimit në infrastrukturën libaneze. Në 2017, nën udhëheqjen e kryeministrit demokrat Paolo Gentiloni, Italia nënshkroi një ‘Memorandum Mirëkuptimi’ me Qeverinë e Pajtimit Kombëtar të Libisë, të udhëhequr nga kryeministri Fayez al-Sarraj. Bëhet fjalë për qeverinë e themeluar pas rrëzimit nga pushteti të Gaddafi-t, sipas Marrëveshjes Politike Libiane, të ndërmjetësuar nga OKB-ja, në vitin 2015. Në kontekstin e fuqizimit të retorikës anti-migratore nga partitë e së djathtës ekstreme si Lega Nord dhe Fratelli d’Italia, qeveria Gentiloni iu nënshtrua presionit për të reduktuar valën migratore në vend, përmes krijimit të qendrave të ndëshkimit për imigrantët në të ashtuquajturat vende të botës së tretë apo në zhvillim.
BE-ja luajti një rol të qenësishëm në aprovimin e marrëveshjes së 2017, duke e financuar dhe përkrahur atë përmes krijimit të ‘Fondit të Besimit të BE-së për Afrikën’ (EU Trust Fund for Africa), përmes së cilit alokoi miliona euro për menaxhimin e rrugëve të parregullta të migrimit, përfshirë ato që kalonin përmes Libisë. Pavarësisht kritikave të ashpra nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe refugjatëve, i ashtuquajturi ‘modeli libanez’ u rinovua në 2020, nën qeverinë e Giuseppe Conte-s. Marrëveshje të ngjashme përfshijnë edhe ato ndërmjet BE-së dhe Tunizisë (2023) apo BE-së dhe Turqisë (2016). Ky studim sugjeron se regjimet autokratike mund të jenë më të gatshme të hyjnë në marrëveshje me BE-në për kthimin e migrantëve për shkak të nevojës së tyre për të ruajtur kontrollin mbi flukset migratore dhe për të forcuar stabilitetin e tyre politik brenda vendit. Këto regjime mund ta shohin bashkëpunimin me BE-në si një mënyrë për të forcuar kufijtë dhe rritur legjitimitetin e tyre.
Si pjesë e Politikës së Fqinjësisë së BE-së, marrëveshja me bllokun jugor të kësaj të fundit, ku përpos vendeve të lartpërmendura të rajonit të MAGREB-it, përfshihen gjithashtu edhe disa vende në Lindjen e Mesme si Palestina, Izraeli, Siria etj., ka për qëllim ruajtjen e stabilitetit në kufijtë e Unionit, nëpërmjet marrëveshjeve ekonomike, atyre të energjisë, zhvillimit, tregtisë apo migracionit, jashtë kuadrit të integrimit në BE.
Megjithatë, në raport me vendet kandidate të BE-së si Shqipëria, marrëveshjet synojnë përshpejtimin e përgatitjes së vendeve anëtare në procesin e europianizimit. Pikërisht në këtë mënyrë është propaganduar prej regjimit të Edi Ramës edhe marrëveshja italo-shqiptare, në preambulën e së cilës theksohet në këmbim angazhimi i Italisë për ta ndihmuar Shqipërinë me përshpejtimin e procedurave të integrimit—asgjë më shumë se një simbolikë boshe, për të justifikuar një marrëveshje, e cila qysh në krye të herës është kritikuar si jo e ligjshme dhe me implikime negative për të drejtat e njeriut. Gjykata e Romës, jo më larg se të premten, 18 tetor, vendosi se ndëshkimi i imigrantëve të parë, që u transportuan nga autoritetet italiane në qendrat e ndëshkimit në Gjadër dhe Shëngjin, ishte i jashtëligjshëm, duke detyruar kësisoj kthimin e dymbëdhjetë refugjatëve në tokën italiane. Mbi të gjitha, kushdo që ka një formim bazik në politikat dhe mënyrën e të funksionuarit të BE-së, e di që procesi i integrimit nuk varet nga “dëshira” apo qasja e vetëm një vendi të BE-së dhe se ndër të tjera ai udhëhiqet nga Komisioni Evropian dhe unanimiteti i Këshillit Europian.
Jo vetëm kaq por integrimi i Shqipërisë në BE, nënshkrimi i marrëveshjes së qeverisë shqiptare me atë italiane, e po ashtu, çelja e negociatave, janë në kontradiktë mes tyre. Në rrethanat aktuale, për Italinë nuk përbën interes integrimi i Shqipërisë në BE sepse kjo do të nënkuptonte kthimin e përgjegjësisë ndaj flukseve migrante sërish tek Italia dhe vetë BE-ja. Nëse Italia vërtet do të ishte e interesuar për procesin e zgjerimit të BE-së dhe përfshirjen e Shqipërisë dhe aktorëve të tjerë të Ballkanit Perëndimor në BE, një marrëveshje e tillë nuk do të ekzistonte. Gjithashtu, marrëveshja italo-shqiptare përbën një rast të paprecedent edhe për vetë politikën e eksternalizimit të migracionit për Italinë dhe BE-në, duke qenë se marrëveshja i garanton Italisë të drejta ekstraterritoriale në territorin shqiptar. Në asnjë prej rasteve të mëhershme, Italia nuk ka patur të tillë përfitim. Kjo arsyetohet jo vetëm me vulnerabilitetin e regjimit gjysmë-autokratik dhe të korruptuar të Edi Ramës por gjithashtu me kontekstin neokolonial, që shoqëron marrëdhëniet italo-shqiptare, që prej rrëzimit të komunizmit në Shqipëri.
Ndër të tjera, qasja e Italisë mishëron jo thjesht reflektimin e marrëdhënieve bilaterale por njëkohësisht edhe qëndrimin e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor. Më herët gjatë këtij viti, në korrik 2024, Gjermania nënshkroi me Serbinë një marrëveshje europiane për ekstraktimin e litiumit, pavarësisht regjimit gjysmë-autoritar të presidentit serb Aleksandar Vučić, protestat masive që shoqëruan zgjedhjet e parregullta në Serbi, protestat ekologjike, tkurrjen e lirisë së medias apo politikat shoviniste të Vučić-it ndaj Kosovës. E ashtuquajtura ‘politikë stabilitokratike’ e BE-së ndaj autokratëve të rajonit nuk ka ndryshuar e po ashtu nuk ka ndryshuar as procesi i zgjerimit të BE-së në raport me Ballkanin Perëndimor. Për pasojë, çelja e negociatave të Shqipërisë me BE-në mbetet një gjest simbolik, që shpërblen Edi Ramën për bindjen e treguar ndaj qeverisë aktuale neofashiste italiane dhe ambiguitetit të përgjithshëm të BE-së, në trajtimin e çështjes së migracionit, sidomos në valën e fuqizimit të partive të së djathtës ekstreme.
Rasti i Turqisë është i rëndësishëm këtu. Turqia nisi zyrtarisht negociatat me BE-në në 2005, pas përftimit të statusit kandidat në 1999. Pavarësisht çeljes së disa kapitujve në procesin e anëtarësimit, viti 2016 shënjoi bllokimin e procesit për disa arsye, përfshirë veçanërisht regresin politik të Turqisë nën udhëheqjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan. Për më tepër, BE-ja shfrytëzoi lidhjen e një marrëveshjeje migracioni me Turqinë, duke ofruar mbështetje financiare, çka e zhvendosi qasjen e Unionit nga negociatat për anëtarësimin e vendit, te bashkëpunimi praktik jashtë kuadrit të anëtarësimit në BE. Në mars të vitit 2020, Parlamenti Evropian votoi ndalimin e plotë të bisedave për anëtarësimin e Turqisë, nën arsyetimin e shkeljes së të drejtave të njeriut.
Ky rast është vetëm një nga shembujt që provon se procesi i integrimit të BE-së, pas çeljes zyrtare të negociatave, është jo vetëm i komplikuar dhe i gjatë në kohë por nuk garanton as përshpejtimin dhe as sigurimin e integrimit. Kur bëhet fjalë për Shqipërinë, duhet pasur parasysh se kjo e fundit i ka çelur negociatat në kontekstin kur, veçanërisht pas zgjedhjeve të Majit 2023, vendi de facto është (ri)kthyer në parti-shtet. Në këtë çast në kohë, Shqipëria është pa një opozitë zyrtare. Kjo e fundit mbetet e fragmentuar, e dobët dhe me liderin e saj historik, Sali Berishën, në arrest shtëpiak. Nga ana tjetër, partitë e reja, që lulëzuan zgjedhjeve të fundit, të formësuara nga radhët e shoqërisë civile, mbeten të dobëta, të përçara dhe pa një perspektivë konkrete. Teksa çelja e negociatave me BE-në mund të ndikojë njëfarësoj te disa grupe të shoqërisë civile, për të kërkuar më shumë llogari nga pushteti qendror dhe ai lokal, eksodi në masë, veçanërisht i të rinjve, së bashku me apatinë e përgjithshme që e ka kapluar shoqërinë, lë pak hapësirë për advokim dhe angazhim të qëndrueshëm.
Për më tepër, historiku i BE-së me zgjerimin, siç e tregon rasti i Turqisë, ngre pikëpyetje të mëdha për të ardhmen. Ky shqetësim përfshin jo vetëm Shqipërinë por të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, që rrezikon të shndërrohet në një zonë gri jashtë BE-së, nën influencën e aktorëve gjeopolitikë regresivë, duke u thelluar më tej në autoritarizëm. E vetmja mënyrë që BE-ja të dëshmojë angazhim rigoroz për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Union është të ndalojë përkrahjen e autokratëve rajonalë, të shmangë miratimin e marrëveshjeve çnjerëzore, veçanërisht ato të nxitura nga qeveritë e ekstremit të djathtë, siç është marrëveshja e migracionit mes Shqipërisë dhe Italisë dhe të përparësojë strategji të qarta zgjerimi që mbështesin lëvizjet demokratike dhe emancipatore në rajon, të cilat luftojnë kundër autoritarizmit dhe për një të ardhme në BE së bashku me BE-në.
© 2024 Gresa Hasa. Të gjitha të drejtat janë të autores.
Hair inshallah megjithese historia na ka bere skeptike sepse shqiptaret gjithnje shkojne per lesh e kthehen te rruar por uroj qe te jete ndryshe kesaj rradhe.Verej me kenaqesi se pasionet politike ne Shqiperi jane fashitur fare .Nuk e di nese kjo vjen nga maturia apo apatia por gjithsesi pranoj me mire kete se sa ato rremujat e tipit ngrehu njeri e bjeri tjetrit qe pame ne vitet 90.Por mund te jete qetesi perpara stuhise megjithate .Problemet sociale po grumbullohen nen siperfaqe e sado selfies qe te beje KMja me dignitaries e huj dikur do plasin nese nuk adresohen .Duke filluar qe nga strehimi i cili eshte bombe me sahat pasi nje pjese e mire e mjerezve jeton hala ne pallate te kohes se merhumit te cilat jane struktura 50 e kusur vjecare te ndertuara me pune vullnetare e pothuaj te amortizuara ,boshatisja e vendit nga rinia etj .
Përshëndetje zonja Hasa,
Një herë doja ta filloja këtë përgjigje me fjalinë “në fakt nuk i lexoj shkrimet tuaja, sepse për botëkuptimin tim janë të ndotura ideologjikisht”, por më pas, kjo fjali në hyrje më duk më tepër ofenduese dhe sinqerisht nuk e kam për qëllim t’ju lëndoj me përgjigjen time. Dua vetëm që 2 – 3 gjera t’i them direkt dhe hapur.
Mendoja edhe ta nisja me fjalët që “po përfshihem në diskutim, megjithëse nuk kam njohuri të thelluara për çështjet e migracionit apo të drejtën e strehimit politik”, por kështu do t’i bëja padrejtësi vetes, sepse prej 35 vitesh ndjek jovullnetarisht nga afër dhe për arsye profesionale, se si kanë dështuar politikat evropiane të migracionit. Ndodh pastaj edhe ajo, që në ditën që bëhesh prind, përpiqesh ta shohësh botën edhe përtej kufijve të moshës tënde, gjë që e bën me preokupimin më serioz të mundshëm. Nuk e di nëse ju jeni e ndikuar edhe nga preokupime të tilla banale, mikroborgjeze, të vogla në aspektin moral, por aq të dendura, sa të bllokojnë një vizion të hapur. Megjithëse këtu mund të shtohej, se ndoshta atje ku bllokohen vizionet, çelen disa mikroperspektiva për të gjykuar më urtësi gjëra që të prekin drejtpërdrejt në atë përditshmërinë banale.
Sidoqoftë, që të kthehem atje ku doja të filloja.
Shqipëria është duke u pozicionuar në politikën evropiane në anën e konservatorëve kontinentalë (këta janë thjeshtë pragmatistë; pra nuk janë gjë të majtë apo të djathtë ngaqë koncepte në praktikë kanë vdekur), të cilët – thënë me dy fjalë – janë për mbajtjen hapur të kufijve të migracionit, por nuk duan të humbasin kontrollin mbi sasinë dhe cilësinë e emigrantëve që ju hyjnë. Këto kufij nuk është se i mbajnë gjë hapur se janë kristjanë të mirë (diku tjetër thonë “ju hap barku për emigrantët”), por për shkak të tatëpjetës demografike ku gjenden në mënyrë të pakthyeshme, kanë nevojë vërtetë për popullsi të freskët. Së dyti mungon në mënyrë të dukshme fuqia punëtore e kualifikuar dhe ja u marrin (këtu mund të përdorej pa teklif edhe “ja u vjedhin”) rajoneve të varfra dhe pak të stabilizuara. Dikur këto quheshin “bota e tretë”.
Për mendimin tim fuqia punëtore nuk është se mungon gjë në perëndim, por kur socializmi i vërtetë (ai perëndimor) triumfoi kudo dhe vendasit kuptuan se mund të rrinë në shtëpi pa humbje të mëdha ekonomike edhe pa punuar, si dhe kur filluan t’i marrin konkretisht dhe në mënyrë masive në konsideratë pa shumë brerje ndërgjegje këto privilegje, nuk mbeti më askush, që të zhbllokonte lavamanë; ndoshta vetëm nëse do të ishe në gjendje që atë lavamançiun ta paguaje në cash me “diamante të papërpunuara”.
Por kjo është një temë krejt tjetër, që nuk do të doja ta hapja; qëllimi ishte vetëm të nxirrja në pah, që si ata që duan t’i hapin kufijtë, ashtu edhe ata që nuk duan t’i hapin kufijtë, kuptojnë se duhet t’i hapin kufijtë; pra ndryshojnë nga njëri tjetri vetëm kur flasin, se për kë u dashkan hapur.
Shqipëria ka treguar një nuhatje të hollë në këtë situatë duke u rreshtuar në anën e konservatorëve, që kërkojnë kufij të hapur dhe të kontrolluar, me siguri e para për oportunizëm në kuptimin klasik; pra “unë shikoj një herë se ç’hall ka ai që ja kam hallin unë dhe mundohem t’i qasem duke e ndihmuar e kështu siguruar një pozicion me të privilegjuar”. Dhe e dyta për arsye strategjike, që Shqipërisë i shërben shumë një lidhje e ngushtë politike me Italinë, e cila duke parë marrëdhëniet mizerje me Greqinë dhe marrëdhëniet mizerje të Kosovës me Serbinë – dhëntë Zoti – mbetëçka kështu aleatja kryesore strategjike në kontinent, gjithnjë përpara Turqisë. Unë duke qenë ai brez shqiptarësh, që edhe sot do të dilnin me lule në rrugë për t’i pritur italianët (Mussolinin jo, Melonin po), ndoshta jam duke t’i shkruar këto rreshta nga një vrimë e zeze për ty, ose për ty në një vrimë të zezë për mua, por për këtë më vonë, kur t’i vijë radha Revolucionit Kulturor, por pavarësisht nga distanca interstelare e botëkuptimeve tona, pre teorikisht do të duhet të ishim duke e kuptuar njëri – tjetrin.
Thënë shkurt: “Shqipëria e Gomoneve” po mundohet të shndërrohet në “Shqipërinë Bluzave të Bardha” dhe në këtë koncept hyjnë, ose mund të hyjnë edhe kampet e refugjatëve afrikanoqëndrorë në Adriatikun Lindor, që në fakt kampe përqendrimi janë, po ku kanë akses po të duan Amnisty International, Mjekët Këmbëzbathur, apo ç’kisha të tjera që i kanë shkruar këto tema “alla grande” në ballë. Kryqi i Kuq po e po. Judikativi italian, siç po shihet gjithashtu po e po. Si dhe mediet e të gjitha formateve nga RAI normal deri tek RAI 3 apo “TeleMareViva Sud Sicilia Network”, ose “TeleNapoli Amore per il prossimo”, pra kur të duan 24/7.
Keni të gjithë të drejtën e Perëndisë të pyesni: “po mirë o njeri, po pse m’i thua mua këto gjëra; çborxh të kam?!” sikur mos kishim problemin, që gjuha në të cilin ju shkruani shënon për mua një ndotje eklatante ideologjike e ambientit semantik, të cilën – për hatër të Zotit, ju keni të drejtë ta bëni – por pa harruar së llogarituri, që dikush me të drejtë mund t’ju kthehet me “Ma basta per amor di Dio con queste cazzate maoiste!”.
Ku “mu kuq” koka.
Ju shkruani pa skrupujt më minimalë intelektualë, me një gjuhë marksiste – leniniste, të cilën brezi im për arsye mbijetese e ka hedhur në një vënd, të cilin nuk do të doja ta quaja me emrin e vet, edhe se nuk do të doja ta prishja gojën, megjithëse i kam të gjithë të drejtat morale, që marksistë perëndimorë, pra e kam fjalë për ata marksistë sallonesh, ku ju fus edhe ju, të cilët nuk kanë rënë ndonjëherë me “bythë në tokë”, të ngopur me të gjitha privilegjet e shoqërive perëndimore, dembelë shterpë të vetë-dashuruar teksa marrin gjithfarë pozash publike me selfie post-akademike, t’ju dërgoja në Dreq.
Ju shkruani në një gjuhë manipuluese, gjë, që në favor tuajin po presupozoj se e bëni tinzash nga zgjuarsia e jo pa dashje nga padija:
Shkruani konkretisht:
“Pikërisht në këtë mënyrë është propaganduar prej regjimit të Edi Ramës edhe marrëveshja italo-shqiptare, në preambulën e së cilës theksohet…”
Dikush tjetër mund të pyesë: “po për kaqe gjë i ktheve topat kësaj çupe mo njeri”. Në fakt për më shumë, por këtu m’u rikthye në mënyrë fatale për këtë mëngjes në vëmendje e gjithë fëmijëria ime e humbur, e ardhmja ime e presupozuar në të shkuarën, e cila ishte e zezë, fundi im në të ardhmen e shkuar të presupozuar në shkuar në një burg të Hoxhës. E gjitha kjo nën rrahjen e shuplakave të gjithfarë qelbësirash marksiste Evropiano-Perëndimore, me të cilët nuk më del e keqja; pre me ata që në fëmijërinë time vinin për të certifikuar lumturinë fiktive të regjimit, me pistolën e puthitur në tëmthin e prindërve të mi (dhe të të tuve gjithashtu, sa për ta tërhequr në vëmendje).
Ai ishte REGJIM Gresa Hasa.
Ky i Ramës, për të cilin personalisht kam vetëm atë admirimin e atij emigrantit pak tuhaf, mbase të leshtë, i cili e sheh nga larg, se si po mundohet t’i japë një formë Shqipërisë, e cila të mundësojë krijimin e një iluzioni të të qenit një vend evropian, nuk është regjim. Rama është zgjedhur në rrugë demokratike, Rama (ai vetë, por më shumë të tjerë) ka vetëm pushtetin e tij ekzekutiv, atë judikativ siç po duket e kanë të tjerë, që kanë të tjerë idhtarë. Ramës mund t’i shkruash në mes të ditës ç’të duash. Në atë që quhet me të drejtë regjim, për gjëra të tilla të varin për gjuhe në një shesh publik të djelën, ku qytetarët detyrohen të ta gjuajnë trupin akoma në fazën konvultative me objekte të forta me qoshe, pa të dalë shpirti akoma. Që të mos keqkuptohemi, nuk jam duke i thur gjë lavde as Ramës, e ca më pak as kastës politike që ka rreth vetes.
Jam duke u mundur vetëm të vë në dukje kuptimin e falës “regjim”.
Ku dua të dal.
As vetë nuk e di se kua të dal. Ta kisha dëgjuar nga ndonjë çekist pensionist, teksa pështynte në tokë i zhgënjyer formulime të tilla, do ta kisha lënë atë qyqar në mizerjen e tij. Në rastin tuaj m’u duk e nevojshme, që dikush t’ua thoshte, që jeni e lejuar t’i gjykoni njerëzit si dele, por bëni një gabim logjik kur besoni se kështu qenka.
Kaq ishte.
Për të tjerat çfarë keni shkruar sinqerisht nuk jam i interesuar (gjë që me siguri shumëkush do të donte t’i dinte [po jua them në mënyrë joformale: “zero!”]), por me siguri masturbime intelektuale marksiste hyjnë në punë atje ku ju dhe të tjerë si ju ngopni njëri – tjetrin me lugë bosh e mbushni kurrikulat tuaja me (pikërisht; me çfarë…?); por kjo është puna juaj dhe nuk është biznesi im.
Ah, edhe një gjë tjetër më dha ndoshta një impuls.
Në shkollën publike të fëmijëve të mi, ku pritet që ata të mësojnë të mendojnë, gjykojnë, argumentojnë, formulojnë mendime komplekse, të debatojnë, të kritikojnë, të analizojnë, mungojnë në mënyrë eklatante mësuesit. Programet shkollore reduktohen në një nivel minimal, orët bosh djemtë i kalojnë në oborrin e shkollës duke parë filma pornografikë në celularë dhe vajzat tutoriale se si të shkulin vetullat. Mësuesit që mungojnë janë duke alfabetizuar ndërkohë një herë refugjatë nga një botë tjetër, që të vazhdojnë pastaj t’ju mësojnë atyre gjermanisht, me shpresën e paartikuluar, që mbase një ditë vetëm do t’ju cimbisin gratë nga të ndenjurat e nuk do t’ju turren me ndonjë hanxhar në dorë teksa ulërijnë se cili aksh zot qenka i madh.
Por kjo ishte ajo pjesa ime mikroborgjeze, pra le të mbetet problemi im.
E lexova shkrimin e Greses nepermjet tendit. Nuk kam ndonje opinion.
Por hic problemin e kutit mates se pervojave te kolektivit e brezit tend, qe e imponon ne kete debat, ke edhe pergjithesime te tjera problematike.
P.sh. mesuesit e alfabetizmit apo te kurseve te integrimit nuk vijne nga sistemi i rregullt shkollor. Jane kryesisht pensionist nga profesione te tjera ose te rinj te burned-out, licencuar nga BAMF me kurse trajnimi 3 ne 6 mujore.
Madje keta te gjuhes e kane cliruar shkollen nga barra e mesimdhenies per ata individe qe nuk mund (per shkak te kostove, mungeses se personelit, dhe infrastruktures) te integrohen ne sistemin e rregullt e formal.
Në Itali sapo ka plasur polemika e radhës, pas një incidenti të rëndë në Verona, ku një polic vrau një imigrant, qytetar të Malit, i cili kërcënonte kalimtarët me thikë, në stacionin e Porta Nuova, dhe pastaj sulmoi edhe oficerin e policisë hekurudhore, duke përfunduar i vrarë. U mor vesh pastaj që viktima prej orësh ish përfshirë në një varg aksionesh të dhunshme, duke kërcënuar dhe sulmuar njerëz dhe policë rrugorë.
Gjithsesi, polemika u ndez ngaqë ministri i Brendshëm, Salvini, e komentoi këtë vrasje kështu: “non ci mancherà”. Nuk do të na marrë malli për të.
E tepruar, shijekeqe, kjo ndërhyrje, por edhe qëllimisht provokuese, në jehonë sado demagogjike të një sikleti të përgjithshëm në Itali. Vend që kriminaliteti nuk i ka munguar kurrë, por që gjithnjë përfundon në lajm, sa herë që autori është imigrant, afrikan, i parregullt, etj. Dje kjo ndodhte me shqiptarët, sot shqiptarët e Italisë kanë privilegjin deri edhe të pozicionohen politikisht, por kjo në thelb nuk ndryshon gjë.
Qytetari italian ka të drejtë t’i kërkojë shtetit mbrojtje, ndaj kaosit në rendin publik, në qytetet e mëdha. Jo vetëm ndaj dhunës, por edhe ndaj vjedhjeve të përditshme, drogës, degradimit. Sociologët do të shpjegojnë pse imigrantët bëhen shpesh protagonistë – për keq – të këtyre historive. Por politika nuk duket se ua var shumë sociologëve, e ndarë siç është midis Schlein-it dhe Meloni-t; dhe e kushtëzuar nga presioni i faktorit ndërkombëtar, BE-së dhe OJQ-ve, të cilave qytetari (sovrani) nuk u kërkon dot xhevap.
Si e mendoj unë? Hapja e kufijve, në emër të çfarëdo parimi dhe ideali, ka nevojë të ndiqet nga politika të kujdesshme të mikpritjes dhe trajtimit të mysafirëve. Nuk mund t’i pranosh ata që vijnë, dhe pastaj t’i lësh në rrugë – sepse rruga i çon pastaj shpesh drejt degradimit dhe krimit. Këtej duhet filluar, nga administrimi i hapësirës publike, ku hyjnë dhe vendosen të ardhurit; dhe që nuk mund ta bëjë veçse shteti. Kjo do të ishte edhe një mënyrë – largpamëse – për t’i dalë përpara fashizmit nga poshtë.
Marreveshja nuk eshte fare problematike per shqiptaret, deri tani ka prodhuar vetem batuta rreth lezhjaneve. Grupet e transportit ne Kroaci e Gjermani do jene duke marre masa per korruptimin e kufitareve malazeze e kroate, kurse banoret e zones do kene shtuar hapesiren e mbjelle me perime dhe fasule ne pritje te zgjerimit te tregut lokal.
Problemin e ka e majta italiane ne vecanti, pastaj si e majta, si e djathta gjermane ( se ne Gjermani do i cojne furgonistet tane) e me tej e majta europiane ish-kuqalashe (se keta jeshilet kane me shume hallin e bambuve sesa te njerezve).
Sa per integrimin, nqs deri dje ballkani ilirik, ku jemi, kishte probleme te natyres gjeopolitike dhe fetare, tani i shtohet edhe problemi i 6 shteteve qe i takojne te njejtes race ( biles te njejtit variant dinarik, ilirik apo epirotik), ne nje kohe qe Franca eshte qartazi shtet multiracor, ndersa Gjermania, Belgjika dhe Hollanda do te behen shume shpejt te tilla.
Problemet ne vendimmarrjen e BE-se do jene te medha, sepse 6 vota nuk jane pak, po te kemi parasysh qe i shtohen 11 votave te tjera te Lindjes qe jane po ashtu vetem te races se bardhe ( Greqine nuk e fusim se ia kane vene kularin njehere e mire).
BE-ja ishte enderr e bukur e nje brezi, tani nuk ben me asnje vote ne Shqiperi, politika e perdor se duhet perdorur, dicka si frazat hyrese te tipit, jam shume i lumtur qe gjendem sot mes jush, ne qytetin e mrekullueshem te …. Cerrikut, Leskovikut apo Rreshenit