Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

VEXATIONS (III)

nga Elsa Demo

5.
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit është kombëtare në kuptimin jopopulist që i jepet kombëtares te ne. Sipas kritereve të qeverisjes, kombëtarja në kontekstin kulturor përfaqëson një vlerë që nuk është joshëse, performuese, konkurruese dhe që nuk ka treg. Në fakt, ky është një justifikim për ta derdhur tjetërkund investimin, për të ushqyer një kulturë që premton përparimin dhe të ardhmen, një kulturë që synon drejt publikut të gjerë dhe që nuk është kulturë e mirëfilltë. Nuk ka të bëjë me zgjerimin e konceptit të kulturës. Ajo thjesht i shërben imazhit dhe kapitalit politik për jetëgjatësi në pushtet. Kjo ka çuar në uljen e buxheteve të institucioneve kombëtare për librin, artin teatror, filmik, bashkëkohor dhe për zhvlerësimin e reformave në këto fusha.

Kështu ka ndodhur edhe me Qendrën e Librit dhe të Leximit që prej krijimit, në vitin 2019, kur, në kuadrin e ligjit “Për Kulturën”, Këshilli i Ministrave miratoi ngritjen e këtij enti në varësi të Ministrisë së Kulturës me misionin për të mbështetur autorët, botimin, qarkullimin dhe vlerësimin e librit.

Autori. Në praktikë, politikat qeverisëse e kanë trajtuar librin dhe industrinë e tij si mallrat dhe llojet e tjera të industrive në vend. Nisur nga kjo histori, që sidomos botuesve u ka interesuar ta mbajnë gjallë, gjen më shumë dinjitet te mollët dhe qumështi, që fshatarët i derdhin në rrugët kombëtare në shenjë proteste për mungesën e tregut dhe mosqarkullimin e mallit vendas, sesa tek autori, i cili nuk reagon kur digjet dhe mbytet libri në Bibliotekën Kombëtare, kur sfidohet nga botuesi-tregtar dhe nga listat për programet shkollore, që u sigurojnë mediokërve lexues me çdo kusht.

“The world no longer owes the cultural worker a living”, shkruan Eagleton mbi paradokset e punëtorit kulturor në treg. “Ironically, however, it’s the integration of art into the market that gives it a degree of freedom. Once it’s primarily a commodity, culture becomes autonomous.”[1]

Vazhdon varfërohet autori, varfërohet dhe letërsia. Dhe për këtë, një dorë ka dhënë Qendra.

Si autore dhe fituese e “Poetit Laureat” 2023-‘25, Luljeta Lleshanaku e përdori prestigjin që të shprehet publikisht për mosmbështetjen e shkrimtarëve, me përvojë apo debutantë qofshin.[2]

Për shembull, po u referohem formave që gjen Qendra Kombëtare e Librit në Francë. Autorët dhe përkthyesit propozojnë, idetë i nënshtrohen konkursit dhe kandidatët përfitojnë bursë a rezidencë për krijimtari (5000-8000 euro në vit), vit sabatik (30 mijë euro), bursë ose rezidencë për përkthimin (2000-8000 mijë euro në vit) e të tjera. Mbështetja vjen për një larmi zhanresh, jo vetëm për kultin e fiction-it.[3]

Që autori të mos ketë kokëçarje, i nevojitet garanci financiare nga disa muaj, deri në një vit, që të punojë i përqendruar, të prodhojë letërsi të mirë, mendim dhe qëndrim që të rëndojë në publik, si shprehje e guximit për ta përdorur lirinë e fjalës për zgjimin e lexuesit, për kritikë ndaj sistemit që e paguan, po edhe ndaj establishmentit brenda llojit.

Qendra shqiptare, e cila vetëm emërtimin ka prej modelit francez, nuk shpall program vjetor pune, nuk deklaron buxhete, nuk afishon kalendar aktivitetesh dhe raport vjetor për to, nuk kryen studime dhe anketa për leximin. Këtu: https://qkll.gov.al/legjislacioni/raporte/ nuk gjen asgjë.

Qendra nuk ia del të krijojë një plan të përvitshëm, mundësisht me disa thirrje në vit, për autorët, për autorë, jo për magje metaforash për ndërgjegje që mbetet në vepër, jo për pështyma facebooku, për trima të vetëm në luftë, jo për aleanca frikacakësh për një juri këtu e një çmim atje. Edhe në fusha të tjera të artit dhe kulturës në Shqipëri, fjala autor i rri e gjerë praktikës artistike. Janë të rrallë shkrimtarët të cilët e ushtrojnë të shkruarit përtej zejes dhe qëndistarisë, që rizbulojnë të kaluarën, hetojnë të sotmen dhe i përcjellin lexuesit vështrimin vetjak mbi njeriun shqiptar, sjelljet, moralin, politikën, ekonominë, kulturën e shoqërisë bashkëkohore. Nuk ndodh aq sa për të krijuar një standard dhe mbi të evoluojnë gjërat. Nuk ndodh dhe është një arsye më tepër pse venerohet pa cak Kadareja. Ka marrë formë ndërkaq lloji i shkrimtarit/poetit akademik, profesor, doktor. Akademia e Shkencave është për ta njëfarësoj parajse sociale, që u garanton kohë, rrogë dhe pension të mirë. Sa për letërsinë që del nga këto ujëra, ajo s’ka gjë për të thënë, ndërsa shkenca fare mirë bën edhe pa shkrimtarin-hibrid.

Botimi. Dihet mendimi që ka për veten Shoqata e Botuesve Shqiptarë: “Editoria është sektori kulturor më i zhvilluar në Shqipëri.” Veç kjo nuk e bën letërsinë produktin intelektual të nivelit më të lartë që kemi.

Kur Shqipëria ishte e ftuara speciale në Panairin e Torinos, u prezantuan mjaftueshëm botues dhe libra, veç nuk kishte autor që të përfaqësonte letërsinë shqipe dhe personalitetin e vet si shkrimtar përkrah nobelistes Svetlana Aleksijeviç në ceremoninë e hapjes.

Për ta vazhduar idenë e Shoqatës (meqë ra fjala, ka gati njëzet vjet që nuk bën zgjedhje për kryetar të ri): edhe ndërtimi është sektori më i zhvilluar ekonomik që kemi, mirëpo qytetet po ndryshojnë duke i vjedhur qytetarët, siç vidhen dhe vjedhin shëndetësia, transporti, arsimi, infrastruktura e të cilave varet nga kjo industria më e zhvilluar.

Çfarë i kërkojnë Qendrës botuesit?

Në fillim të vitit 2024, palët u takuan formalisht pa praninë e autorëve, librarëve, shpërndarësve, përfaqësuesve nga bibliotekat. QKLL nuk di, nuk ka një bazë të dhënash, se cilët janë punonjësit e librit, ku dhe si zhvillohet aktiviteti tyre nëpër Shqipëri. Pa këto nuk mund të pretendohet qarkullimi i librit dhe nxitja e leximit në vend.

Çfarë thanë botuesit, vijon shkurtimisht (siç i kam shënuar në bllok):

-Qendra na ka mbështetur.

-Qendra ka mbështetur autorët e rinj, letërsinë për fëmijë, autorët në gjuhët e rajonit, atelienë e përkthimit.

-Sfida më e madhe është përkthimi dhe mbështetja e TRADUKI-t që prej vitit 2014, ka ndihmuar njohjen e letërsisë shqiptare në gjermanisht dhe në gjuhët e Europës Juglindore. Por vëmendja e përkthimit nga gjuhët sllave në shqip, nuk është e njëjtë për autorët shqiptarë në gjuhët sllave. Letërsia shqipe nuk mund të hyjë përmes serbishtes në familjen e gjuhëve evropiane.

-Kuotat e TRADUKI-t për përkthimin duhet të vijnë në standardet evropiane.

-Nuk ka database për botimet e autorëve të përkthyer në gjuhë të huaja.

-Librarët duhet të përjashtohen nga taksat lokale për një periudhë 5-vjeçare, gjë që nuk e vret buxhetin e shtetit. Do ishte ndihmë për lexuesit. Janë dhe qiratë që i vrasin, sepse zakonisht libraritë janë në qendër të qyteteve. Duhen trajnuar njerëzit që shërbejnë në këtë sektor.

-Tirana është kthyer në depo librash. Duhet menduar për një ndërmarrje për shpërndarjen e librit që dikur ka ekzistuar.

Në Bibliotekën Kombëtare hyjnë gjatë një viti 2700-3000 libra. Shtëpitë botuese duhen lehtësuar nga numri i ekzemplarëve të detyrueshëm, nga pesë në tre kopje. Le të paguajë shteti për pasurimin e bibliotekave publike.

-Nuk kemi pasur asnjë politikë mbështetëse për krizën e letrës gjatë pandemisë.

-Të rritet buxheti i Qendrës së Librit dhe Leximit.

Ka botues që nuk janë të sinqertë. Nuk thonë se, nga pjesëmarrja në platformën ndërkombëtare Creative Europe, shtëpi të mëdha kanë përfituar për përkthime letrare, midis viteve 2014-‘21, rreth 1.080.000 euro dhe pjesëmarrja në programin e Bashkimit Evropian është bërë e mundur, sepse shteti shqiptar ka paguar çdo vit 150.000 euro.[4] Këtu del dhe hipokrizia e qeverisë, e cila i përgjigjet kulturës atëherë kur e shtrëngojnë të plotësojë disa detyra të Bashkimit Evropian, por nuk është e gatshme të planifikojë çdo vit buxhet të shëndetshëm publik për librin.

Shembulli i Kosovës, e cila nuk ka qendër libri, mund të mos jetë model, por Ministria e Kulturës që i administron politikat, po investon 1 milion euro buxhet për autorët, botuesit, përkthimin, rezidencat letrare, leximin, blerjen e librave për bibliotekat komunale.[5]

Leximi. Në kërkesat e botuesve nuk përmendet autori, qoftë edhe për projekte që do t’i bënin ata moralisht përfitues. Po të dinte Qendra të hartonte një program, do parashikonte mbështetje për botuesit e veprave të fondit klasik apo të traditës, veçanërisht për ata botues që kanë vëmendje ndaj letërsisë së re shqiptare. Shtëpia botuese e autorit që fiton Çmimin Kombëtar, do duhej mbështetur për promovimin e veprës nëpër Shqipëri dhe jashtë saj. Një tur takimesh në shkolla, do ta përfshinte autorin në një aventurë leximi apo në një atelier shkrimi me nxënësit. Komunikimi i thelluar me autorin mund të rikuperojë diçka te të rinjtë në marrëdhënie me seriozen, që shpesh u duket qesharake. Nëpërmjet një thirrjeje të hapur, Qendra mund të mblidhte propozime me interes nga autorët për masterclasse në shkolla. Mirëpo kjo nuk ndodh duke prashitur në ujë. QKLL nuk ka informacion, as studime për çfarë dhe sa lexohet, si po zhvillohet shija e shqiptarëve, çfarë po ndodh me orientimin drejt leximit dixhital. Kanë kaluar gjashtë vjet që studiuesja e letërsisë Lili Sula, bëri si e pavarur një anketë për leximin te të rinjtë.[6]

Gjykimi dhe vlerësimi. Perceptimi për librin duhet të vijë nga leximi i librave, jo nga çfarë thuhet gojë më gojë në kafenenë e QKLL-së. Në vend të bajatosjes, do duheshin sugjerime nga ata që leximin e kanë mjet pune, profesion dhe kënaqësi.

Mjet perceptimi për letërsinë dhe autorët cilësorë janë çmimet kombëtare, po qe se do çonin kandar. Juritë e çmimeve përbëhen kryesisht nga mësimdhënës, që nuk kanë krijuar autoritet si gjykues dhe vlerësues aktiv të letërsisë, për të diskutuar, konfirmuar apo rrëzuar publikisht çfarë qarkullon në treg. Ndërsa këtyre u duket begenisje ftesa për juri e komisione pa mandat, Qendra ua ka nevojën si aleatë, po edhe si bashkëpunëtorë të jashtëm, sepse ajo vetë punon me një grusht njerëz. Me futjen në axhendë të çmimit “Lumo Skëndo”, u pa se enti i ri funksionon me mendtë e vjetra. Duke mohuar pjesën e historisë që ishte krijuar nën kujdesin e Bibliotekës Kombëtare prej vitit 2006, Qendra e rifilloi nga edicioni zero dhe devijoi qëllimin, nga vlerësim për bibliofilinë, në çmim “për librin më të mirë studimor/eseistik/publicistik, si nderim për figurën e Mid’hat Frashërit dhe kontributin e tij në letrat shqipe, në studimet historike dhe Albanologjike”. Këtu hapen dy çështje. Së pari, çmimet për eseistikë/publicistikën, si kur janë organizuar nga Ministria po edhe nga entet private, kanë dështuar rregullisht. Kujtoj çmimet: “Velija” (1995-2002), “Faik Konica”, “Gjergj Fishta”, “At Zef Pllumi”, “Ardian Klosi” më i fundit. Kaq shumë çmime që nuk krijuan traditë, kaq shumë çmime për një zhanër që kusht për t’u lëvruar dhe ekzistuar ka lirinë.

Së dyti, Qendra është e paaftë për ekspertizë zhanresh, i fut në një thes letërsinë me kujtimet, monografinë historike, reportazhet, intervistat. Lea Ypi është fituese për kujtimet, Ben Blushi me një përmbledhje portrete-intervistash dhe Ilir Ikonomi për një biografi historike të Fan Nolit.

I pranojnë këto deformime edhe anëtarët e jurisë që përfaqësojnë Bibliotekën Kombëtare, departamentet e letërsisë dhe të gazetarisë në universitete. Ka anëtarë që kur nuk janë në juri, janë konkurrentë dhe kur rikthehen si anëtarë, janë në konflikt interesi si individë që drejtojnë shtëpi botuese ose janë titullarë pranë enteve të cilat janë në garë.

Kur Lleshanaku e pranoi “Poetin laureat”, – akoma nuk ka të reja se çfarë do të sjellë Qendra në bashkëpunim me poeten – me gjithë kundërshtitë jo në adresë të saj, po të Qendrës, ajo pohoi mosbesimin për çmimet letrare në Shqipëri, që “nuk funksionojnë si matës të padiskutueshëm vlerash”.[7] Juri të varura në interesa dhe shije të tejkaluara, vepra që jetojnë jashtë kohe, nuk përmbushin pritshmëritë e lexuesit vendas apo pretendimin e kulturave pritëse, përkthyes që nuk e njohin kulturën shqiptare aq thellë sa ta vlerësojnë veprën për atë që është, jo për çfarë pret lexuesi i huaj.

Çmimet kombëtare nuk janë referencë as për përkthimin.[8] Lista e veprave fituese në vite krahas zhytjes në harresë, konfirmon sa pak janë përkthyer në gjuhë të tjera, asnjë në gjuhë me qarkullim të gjerë, asnjë e botuar në shtëpi botuese prestigjioze.[9] Po në Shqipëri, ribotohen? I njohin të rinjtë? Ka pasur interes të përshtaten për skenën apo ekranin, të frymëzojnë një tjetër art a medium për të përftuar një përvojë unike, të ndryshme nga teksti i shkruar? Ekipi i një teatri, ka lexuar ndonjë ndonjë autor të Çmimit Kombëtar që ta ftojë më pas të përshtatë apo shkruajë diçka për skenën? Sado e mirë një vepër shqiptare, nuk arrin të fuzionohet në arte, të frymëzojë regjisorë, skenaristë, dramaturgë. Ka indiferencë mes krijuesish që jetojnë në periferi të përditshmërisë. Kështu ndodh që produkti kulturor nuk hedh trup në mjedisin e vet dhe nuk ballafaqohet në skenën ndërkombëtare. Ndaj përkthyesit e huaj, kur nuk gjejnë rekomandime të denja, krijojnë lidhje të shkurtra me klane që korruptojnë dora-dorës. E them këtë, edhe në bazë të bisedave që kam pasur on and off the record.

Ç’është Qendra? Emër i madh për një rol episodik. Nuk është ngritur ndonjëherë në lartësinë e detyrave që ka: të njohë dhe të mbrojë të drejtat e autorit shqiptar, ta çojë letërsinë shqipe te lexuesi.

Qendra ka një president honorifik, titull që e ka mbajtur Ismail Kadareja, prej fillimit deri vonë. Presidenti zyrtarisht nuk merr vendime dhe nuk mban përgjegjësi për to. Por Qendra, e varfër për të bërë dhe trafik ofiqesh, ka nevojë për njerëz operativ dhe posti i presidentit duhet të jetë i tillë, funksional, me mandat. Posti i drejtorit, po ashtu, duhet të jetë me mandat të përcaktuar, afërsisht 3-vjeçar. Drejtoresha aktuale, në vitin e pestë të punës, ka ngecur në këtë fole që hera-herës më ngjan me platformat e albanologjisë alternative. Emrin e ka Qendër, por është një drejtori e largët e Ministrisë së Kulturës, jashtë vëmendjes dhe çdo kontrolli. Madje për MEKI-n është një barrë më pak. Po të jetë për librin, ministër Gonxhja ka gati një festival në xhep, një festival letrar ndërkombëtar pa autorë shqiptarë, nën drejtimin e një shkrimtareje-star.

Libri jo vetëm nuk u bë ajo çështja kombëtare, që do fillonte sapo foshnja e shqiptarit të linte maternitetin, por nëpërmjet Qendrës, libri i ka nxjerrë bakrin në shesh reformës në kulturë.[10]

Të gjitha palët duan që gjendja të ndryshojë, të gjitha palët duan që gjendja të rrijë siç është. Shtrigat janë futur në mes të pilafit.

6.
Po si erdhën deri këtu?

Obrist: And yet you view your own term as minister of culture, I think, as actually shifting policy. What were the main things you changed?[11]

Rama: I began organizing a lot of events for youth, as well as international competitions for art, opera singers, young filmmakers, book and art prizes, and then a biennial. I reopened movie theaters, which were nonexistent here; avant-garde cinema had been banned. And I spoke out very harshly against tradition, against the establishment. So I became popular.

Thotë të vërtetën kur gënjen. Sepse gënjen hapur. Vetëm në tre vitet e para 1998-‘01, si ministër i Kulturës dhe kryetar bashkie më pas, Rama mbylli Teatrin Kombëtar dhe shkatërroi kinematë që ekzistonin, Operën e futi në krizë, tuteloi Bienalen e Tiranës. Nuk do ishte e drejtë të harrohen. Kur këto ndodhnin, ndërgjegjja qytetare ishte foshnjore, e joshur nga ngjarjet. Tirana ishte drekë mbi bar, happening në përmasat reale të qytetit, lyerja e fasadave lexohej nga kritikët në botën e artit si manifest, dhe autori i tij, a thua një Marinetti a Breton aksidental në Ilirinë e Poshtme.

Rama: Yes, and that’s how I want to see Albania and Tirana and the Balkans as a whole: as a kind of repeatable and recombinant event.[12]

Në këtë drejtim u orientuan kultura dhe të jetuarit në qytet, duke u rrudhur njëra e duke u performuar tjetra. Rama u bë aplikues par excellence i kulturalizmit.[13] Ideologjia që ai importoi, i frymëzuar, siç thotë, nga Clinton-i dhe Rruga e Tretë e Blair-it, u bë pjesë e platformës politike të pashkruar, që u zbatua me arrogancë në kushtet e informalitetit. Kjo çoi shkallë-shkallë në krijimin e një regjimi që, sot e në vite, mbahet nga korrupsioni sistematik arkeologjik.

Në bisedën e vitit 2014 për Artforum-in, mes starkuratorit Hans Ulrich Obrist, në praninë e eminencës gri, Anri Salës, Rama konfirmon se çfarë kishte bërë deri atëherë, kishte qenë transferim në zyrën shtetërore i shijeve si individ. Më pas, ndodhi legalizimi i strategjisë ku ajo që nuk duhej të ndryshonte ishte performanca e aksioneve politike. Ai i tregon Obristit dëshirat për qytetin dhe frymën që duhet ta mbajë atë në përsëritje të pandërprerë. Vetë qyteti u bë arma e tij politike. Planet për objektet me histori të përzier politike dhe urbane (Piramida, Muzeu i Gjetheve, Vila e Enver Hoxhës), u bënë realitet brenda dhjetë vjetëve. Që aksionet të mos ishin traumatike, u vendosën në një setting kulturor urban, joshësh, argëtues, pa fre. Festivali u bë element set design-i, ku edhe historia po shihej si performancë, si ngjarje me ndërmjetësim të orkestruar. Mund të quhej “Nata e Bardhë” apo “Festival i dritave”.[14]

Ditë-natës së Ramës me aktivitete falas, vazhduesi i tij, Veliaj, i shtoi ca të tjera: Pedalimi i Vogëlushëve, Vajzat e bëjnë më së miri! (Pedalojme me stil), Pedalo për te Gjyshja, Pedalimi i Veteranëve, Akademia e Aktivizmit – Mësojmë të Protestojmë, Riciklim dhe Bamirësi, tema populiste që përmes mass medias, shtyjnë kufijtë për gjithëpërfshirje. Llogariten në zërin projekte kulturore këto. Nëse në vitin 2019 bashkia investoi në këtë sektor 244.599.993 lekë, për vitin 2023 vlera dyfishohet: 462.515.450. Bashkia nuk jep informacion ku shkon kjo pará.[15]

Operatorë kulturorë të pavarur apo të skenës alternative, siç e identifikojnë veten, kanë më shumë shanse të përfitojnë mbështetje, kur qarkullojnë në projektet e tyre frymën “going global”, tema si demokracia, aktivizmi, fuqizimi i gruas dhe të rinjve, jeto gjelbër, për ta markuar Tiranën qytet kozmopolit dhe për ta përdorur kozmopolitizmin si maskë edhe për aferat korruptive.

Duke financuar projektin e secilit, individualisht, pushteti lokal i lidh krijuesit dhe “aktivistët” pas vetes, i komprometon. Nuk ka shpjegim tjetër, pse Bashkia nuk tregon të njëjtin zell për investim tek e mira publike. Në Galerinë e qytetit investon për projekte 800.000 lekë në vit.[16]

Zhvillimi i kulturës si strategji me bazë imazhin, tani është në dorën e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, bashkudhëtar i hershëm i Ramës, Blendi Gonxhja. Në muajt e parë,  ky miratoi për mbështetje financiare 181 projekte, nga të cilat 1/3 janë festivale.[17]

Janë përfshirë në këto histori artistë të mërguar të botës së spektaklit dhe të televizionit. Festivalin e njërit prej tyre, Olen Çezarit, shkova vjet ta ndjek në një nga netët në Porto Palermo. Shkurt, përvoja është kjo: për 7 km distancë, 1500 lekë taksi; bileta 3500 lekë për person, çmim që nuk ishte afishuar gjëkundi; dy bileta, bashkë me biletën e personit që më shoqëronte, i pagova tek i ngarkuari me këtë punë, që ishte vëllai i Olen Çezarit; pijet alkoolike, nga më të lehtat te më të fortat, ofroheshin disa herë më shtrenjtë seç i gjen në Tiranë. Ishte shpallur se këngëtarja e asaj nate, e brezit të shqiptarëve të importuar edhe ajo, do të performonte muzikë nga albumi i ri. Këndoi material sepeti.

Në programin e këtij viti vura re pothuajse të njëjtët artistë. Secili prej tyre ose ka pasur dikur një festival të vetin dhe ka rifilluar një të ri, ose ka nisur nga e para diçka diku në një cep të Shqipërisë turistike, kala, urë apo çezmë.

Vipat po shërbejnë si ajo makina e policisë apo e deputetit që mallin në bagazh e qarkullojnë në siguri të plotë. Ministria nuk ka kontroll, po edhe po të ketë formalisht, socialistët u bënë aq vite në pushtet, sa ky t’i zë sytë.

Festivalet dhe në përgjithësi kultura e orientuar drejt publikut të gjerë janë coitus pa dëshirë, krijojnë pritshmëritë e një sistemi të mbyllur, që fillon me joshjen dhe përfundon me konsumin.

Fundja, në dynjallëkun ku jetojmë, çfarë ndodh në nivel kulturor e shpirtëror në qytet, është në harmoni me zhuritjen e tokës në fshat dhe të fshatit vetë.

7.
“Na duhen krijues dhe jo lypës”, thotë dikush në “Artes”, “dhe për këtë duhet ndryshim radikal.” Na duhet të punojmë kopshtin tonë, thotë optimist Kandidi, se njeriu nuk lind për t’u prehur. Jeta bëhet më e durueshme kur arti vendos rregull në kaos, krijon një iluzion, çliron të pavetëdijshmen dhe aftësitë njerëzore, shëron dhe gjen një kuptim për jetën (të stërthëna këto).

Por kemi pasur edhe ditë të bukura gjatë këtij sezoni, me krijues të gatshëm për të dështuar, për të shkelur në territor të ri, pa bërë kompromis me emrin e vet. Ka që i njoh dhe i çmoj në distancë, ka të tjerë që u njoh kushtet ku përpëliten, u njoh kuriozitetin, vigjilencën për të mos humbur në trende, ua dalloj humorin e zi, që e përdorin si higjienë për të mos rënë në dëshpërim steril. Edhe sa do mbajnë? Përgjithmonë?

Atyre dhe publikut të tyre ua kushtoj këtë kulturë pesimizmi.

Fati u qoftë ndihmës!

© Elsa Demo 2024. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Fotoja në kopertinë është e autores.

[1] Terry Eagleton, “Where does culture come from?”

[2] https://www.youtube.com/watch?v=CBPSeym2t7A  Lleshanaku: Pse nuk e refuzova “Poetin Laureat”

[3] Për më tepër shih modelin e Qendrës Kombëtare të Librit në Francë: centrenationaldulivre.fr

[4] Lindita Komani, https://peizazhe.com/2021/02/13/shqiperia-ne-creative-europe-2014-2020/

[5] https://www.mkrs-ks.org/repository/docs/Lista__per_publik_Autori.pdf

[6] https://www.panorama.com.al/anketimi-kur-prinderit-lexojne-femijet-me-te-afert-me-librin/

[7] Po aty https://www.youtube.com/watch?v=CBPSeym2t7A  Lleshanaku: Pse nuk e refuzova “Poetin Laureat”

[8] Ardian-Christian Kyçyku, Letërsia shqiptare: përkthime në gjuhët e Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor, (2015-2020), Poeteka, 2021

[9] https://rd.al/cmimet-kombetare-te-letersise-1993-2023-kush-ka-fituar-me-shume/

[10] Drafti “Për një plan kombëtar në nxitje të leximit”, hartuar nga Ministria e Kulturës nën drejtimin e Mirela Kumbaros, parashikonte promovimin e leximit që në fëmijërinë e hershme. Në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë do të krijohej një plan sensibilizimi për nënat e reja, për leximin me zë të përrallave që në lindje. Nënat do të pajiseshin me kartë anëtarësimi për të tërhequr librat.  Ideja ishte marrë nga projekti italian “Lindur për të lexuar”.

[11] https://www.artforum.com/columns/edi-rama-and-anri-sala-219138/

[12] Po aty

[13] Terry Eagleton e sintetizon kështu idenë e kulturalizmit: “Culture in our time has become nothing less than a full-blooded ideology, generally known as culturalism. Along with biologism, economism, moralism, historicism and the like, it is one of the major intellectual reductionisms of the day”, Where does culture come from?

[14] https://x.com/ediramaal/status/538248294804508673

[15] Studimi për artin pamor: pak para dhe klientelizëm: https://www.youtube.com/watch?v=tofuOZe-Ibw

[16] Edit Pula: Programi im për Galerinë e Artit Tiranë, https://www.youtube.com/watch?v=2UeEXlLll24

[17] Midis 56 festivaleve, po zgjedh të përmend disa: Festivali i Gjelbër Muzikor, Crazy Nights of Classical Music, Festival folklorik për fëmijë, Fanfara Fest, Fest N’Kala, Festa e “Tavës së Krapit”, Festë në Sokak 2, Festivali “Nona”, Festivali “Ballkanik i Sazeve – Laver Bariu”, Festivali Folklorik “Bilbilat e Labërisë në Tepelenë”, Festivali i Bashtovës, Festivali i Muzikës Moderne, Hip-Hop internacional Albania, MIK Festival, Rrok n’kala, United Dance – Ilir Shaqiri…

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin