Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Feminizëm / Histori

SHPULLA

Një status i para pak ditëve i Ermal Mulosmanit (këtu) u bë shkas për këto shënime – dhe pikërisht, për atë nëse të ekzekutuarve në gijotinë u mbeten edhe ndopak sekonda vetëdije, për të përjetuar çfarë u ndodhi. Arben Dedja përmend, te komentet, se ka edhe literaturë për këtë.

Mua statusi më kujtoi diçka që kisha lexuar, vite më parë, për vrasësen e Marat-it, Charlotte Corday, dhe po bëhesha gati ta shtoj, kur ia behu një vdekje tjetër dhe ma pezulloi vrullin. Marat-i ishte jakobin, një nga liderët e revolucionit frëng; Charlotte-a, që tha pastaj se kish marrë hak për disa masakra të vitit 1792, gjeti një mënyrë për ta takuar Marat-in dhe e vrau, duke e goditur me thikë. E arrestuan menjëherë, e dënuan me vdekje dhe e ekzekutuan katër ditë më pas, më 17 korrik 1793.

Për Corday-n kisha lexuar, pra – por ende nuk mbaj mend ku – që pas ekzekutimit, teksa koka e saj u rrokullis në shportën e posaçme përbri shtratit të gijotinës, një tip i quajtur Legros, me gjasë një karpentier që gjendej atje për riparime të instrumentit vrastar, e ngriti kokën e të vrarës nga shporta, duke e mbajtur për flokësh, dhe e qëlloi me shpullë. Dëshmitarët panë, në atë moment, si fytyra e Charlotte-s u skuq nga turpi.

Fill pas ekzekutimit, autoritetet urdhëruan autopsinë e të vrarës, për të verifikuar nëse ajo e kish humbur apo jo virgjërinë: ideja ishte se planin për vrasjen e Marat-it ia kish sugjeruar ndonjë i dashur (meqë akti i vrasjes këqyrej si tipikisht “mashkullor”). Për çudinë e tyre, trupi rezultoi i virgjër.

Siç e ceku edhe Ben Dedja te komenti në statusin e mësipërm, shkenca është interesuar të dijë nëse vetëdija mund të vazhdojë, sado pak, pas ekzekutimit me prerje koke; një artikull për temën mund të lexohet këtu (“The Most Gentle of Lethal Methods”: The Question of Retained Consciousness Following Decapitation). Këto studime u ushqyen, si të thuash, nga moria e dëshmive anekdotike, për shenjat e jetës dhe reagimet nga kokat e prera me gijotinë.

Charlotte Corday nuk është e vetmja që e ka lënë emrin në analet famëkeqe të ekzekutimit me kokëprerje: edhe për kokën e Ann Boleyn-it është thënë se u përpoq të fliste, pas shkëputjes nga trupi.

Portreti i Charlotte Corday-t para ekzekutimit.

Gjithsesi, duke lexuar tani për atentatoren e Maratit, mësova se – pasi iu njoftua dënimi – ajo i kërkoi gjyqit që t’i autorizohej pikturimi i portretit; dhe kur kjo dëshirë iu miratua, zgjodhi një Jean-Jacques Hauer që t’ia bënte portretin.

Edhe kjo dëshirë për portret, krahas me historinë (legjendën) e shpullës dhe të skuqjes nga turpi, sugjerojnë një grua me dinjitet, produkt të po atyre ideve revolucionare që Marat-i i pat çuar në ekstrem; sikurse sugjerojnë edhe një lloj vaniteti, të cilin kultura e atyre kohëve ia atribuonte seksit femëror. Me gjasë, këto gjëra nuk do t’i kenë shpëtuar studiueseve feministe dhe jo vetëm. Vrasja, edhe e paligjshme edhe “e ligjshme”, e një gruaje mbetet sot e kësaj dite akt nga më të rëndët, që implikon një shkelje elementare të humanitetit.

Një diskutim, sado mahnitës, për vetëdijen që mund t’i mbijetojë shkëputjes së kokës nga trupi çon kështu vetvetiu te diskutimi tjetër, mbase më produktiv, për zanafillën dhe lulëzimin e vetëdijes së gruas së emancipuar, në mos edhe feministe; që refuzon simbolikisht jo vetëm të qëllohet me shpullë, por deri edhe të vdesë nga dora e burrit.

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ilustrimi është realizuar me Midjourney.

5 Komente

  1. Libri që kam unë: Antonio Castronuovo “La Vedova Allegra – storia della gigliottina” (Stampa Alternativa 2009) ka dy kapituj për këtë punën e vetëdijes pas prerjes së kokës: “Il dibattito sulla testa viva” dhe “Opinioni e fantasie del decapitato”. Këtu jepen shembuj studimesh (nganjëherë tejet seriozë) nga koha kur u shpik giotina e gjer në ditët tona, që përpiqen ta provojnë këtë: d.m.th që vetëdija mbetet. Në PUBMED (që është banka më prestigjioze e të dhënave bibliografike në kërkimin shkencor bio-mjekësor), gjeta, madje, një artikull të vitit 2023 që merret me temën. Pra, përsiatjet vazhdojnë.

  2. Luis Sepùlveda ka një tregim shumë të bukur në vëllimin me tregime “Historias marginales”. Titulli i tregimit në italisht: “Il Pirata dell’Elba”. Nuk po rri ta tregoj këtu, se është shumë i bukur dhe druaj se e prish. Aty rrëfehet e kundërta: komanda që koka e prerë i jep trupit.

  3. Tashti qe te mos kalojme as ne metafizike, as ne fantazi te pabazuara. Nje njeri mund te skuqet nga turpi, ose edhe nga ndonje shtyse tjeter, por kam pershtypjen se skuqja ne vetvete, pavaresisht nga shtysa, shkaktohet nga gjaku qe vershon ne fytyre i shtyre nga zemra. Se ku do te gjendet gjaku dhe zemra qe te shkaktojne skuqjen e nje koke te prere, kete e kam te veshtire ta gelltis, pavaresisht kush e ka thene e ku e ka thene. Ne mos qofte ndonje lloj figuracioni me hipertext.

      1. Well, ne mos qofte ndonje fenomen paranormal, fiziologjikisht eshte e pamundur. Njerezit joshen nga e pamundura. Nuk kane thene kot qe: “Rrena sa me groteske te jete aq me kollaj besohet.”

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin