Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Shkencë

RRETH AUTORITETIT TË SHKENCËS

Përmes një serie shkrimesh botuar në Peizazhe të fjalës, dhe veçanërisht në pjesën e katërt dhe të fundit të kësaj serie, Fatos A. Kopliku ndalet në disa aspekte të krizës që ka kapluar shkencën moderne – ose të paktën kornizat e saj teorike – duke u ndalur në rrezikun e shkencizmit dhe të dogmatizimit të shkencës nga institucionet.

Ai autor gjithashtu citon autorë të cilët kanë folur për këto mangësi filozofike por edhe strukturore e metodologjike të shkencës bashkëkohore, për të pohuar pastaj, me Thomas Kuhn-in, se shkenca “normale” priret vetvetiu ndaj dogmatizmit dhe kundërshtimit të ndryshimit (progresit).

Shqetësimet që përshkruhen në shkrim janë shenjë se ka diçka që seriozisht nuk shkon, edhe me mënyrën si po bëhet sot shkencë edhe me rolin që luajnë institucionet kërkimore-shkencore, universitetet dhe “akademia” në ruajtjen e statu-quo-së (paradigmës), gjithë duke iu kundërvënë përpjekjeve drejt së vërtetës.

Nuk është çudi që teza të tilla – veçanërisht për nënshtrimin e interesave shkencorë ndaj atyre institucionalë ose të biznesit – janë përqafuar me entuziazëm nga të gjithë ata që establishmentin shkencor dhe dijen që ai establishment mbron e përhap, e kundërshtojnë sepse duan të avancojnë tezat e tyre alternative ose për motive të tjera; dhe ky grup përfshin edhe ata që i kemi quajtur, në këtë revistë, turbologë, një pjesë e të cilëve i janë kundërvënë albanologjisë “standard”, me shpresën se do ta zëvendësojnë këtë me metodat e tyre.

Diskutimi nëse teori të tilla si ajo e “embriomorfemave” janë apo jo shkencore është ndërthurur, dora-dorës, me diskutimin tjetër, nëse albanologjia, veçanërisht gjuhësia historike-krahasuese dhe metoda përkatëse, duhen konsideruar si tashmë të kapërcyera, në mos krejt të gabuara. Ndonjë turbolog ngul këmbë se autoriteti që kanë sot figura si Çabej dhe vepra e tyre historike-gjuhësore nuk është veçse efekt anësor i nevojës parazitare që ka establishmenti akademik për të vazhduar të mbijetojë dhe të riprodhohet, edhe pse realiteti e ka dënuar me zhdukje.

Po a kanë gjë të përbashkët pretendimet e amatorëve, shpesh të formuluara në mënyrë foshnjore, se albanologjia do rithemeluar mbi baza të ndryshme nga ato historike-krahasuese, me shqetësimet që cituam më lart, lidhur me krizën e shkencës, të metodës shkencore dhe të institucioneve kërkimore-shkencore, të cilat janë shprehur nga njerëz të cilëve në masë të madhe u mungon ekspertiza deri edhe minimale në këtë fushë?

Te një ese nga Alenka Zupančič, me titull “Science or Authority” (e shkëputur nga libri i saj Disavowal, Polity Press, 2024, që do të botohet së shpejti) gjej një argument që më duket veçanërisht i vlefshëm, për shtjellimin e tanishëm. Argumenti i referohet autoritetit të shkencës moderne dhe besueshmërisë së saj; dhe autorja bën dallimin – për mua të rëndësishëm – midis besueshmërisë së shkencës, që themelohet mbi kritere solide (si ai falsifikueshmërisë) dhe autoritetit të shkencës, si efekt anësor të funksionimit të saj social.

“Ta pranosh diçka si të vërtetë, sepse ashtu e thotë shkenca,” shkruan Zupančič, “është tjetër gjë nga mënyra si funksionon shkenca vetë, d.m.th. në bazë të parimit të dyshimit dhe të falsifikimit, jo të ndonjë Autoriteti të jashtëm.” E megjithatë, “kjo diferencë shpesh shpërfillet në debatet e sotme në mediat sociale, ku refuzimi për të pranuar autoritetin social të shkencës, përligjet nga invokimi i metodës së autoritetit të saj shkencor, parimit të falsifikimit.”

Në fakt nuk janë të paktë ata sfidues dhe kontestues të shkencës standard që pretendojnë të refuzojnë të besojnë verbërisht në autoritetin social të shkencës, gjithë duke ushtruar të drejtën e tyre për të dyshuar çfarë është gjëja më “shkencore” që duhet bërë. Vallë nuk themelohet në thelb shkenca mbi dyshimin dhe refuzimin për të pranuar dukjen e sendeve? Shkencëtarët institucionalë të korruptuar, nga ana e tyre, thjesht përsëritin çfarë u kërkon Pushteti (politika, kapitali) që të thonë.

Me fjalë të tjera, kontestuesit anembanë botës, të fuqizuar edhe nga decentralizimi dhe amplifikimi falë rrjeteve sociale, kërkojnë të paraqiten si përfaqësuesit e vërtetë të frymës dhe të metodës shkencore, në kundërshtim me shkencëtarët establishmentarë, që kanë rrëshqitur, në masë të madhe, në dogmatizëm. Për t’u kthyer për një çast tek argumenti ynë specifik, albanologjia e përfaqësuar nga Çabej dhe metoda historike-krahasuese duan mbajtur, kësisoj, për dogmatizëm, që u pengon rrugën shkencëtarëve të vërtetë si turbologët.

Por, vëren Zupančič, nëse autoriteti shkencor bazohet te dyshimi, mundësia e falsifikimit dhe marrja e pandërprerë në pyetje e realitetit, autoriteti social i shkencës është diçka tjetër, dhe i ngjan shumë më tepër autoritetit tradicional, meqë bazohet kryesisht në (mirë)besimin e publikut. Një pjesë e këtij (mirë)besimi varet vërtet nga vetëdija jonë për mënyrën si operon shkenca dhe për faktin që metoda e saj nuk mbështetet në ndonjë autoritet të jashtëm (i besojmë shkencës pikërisht sepse ajo nuk i beson asgjëje). Por ne që nuk jemi shkencëtarë dhe aq më pak të specializuar, si rregull nuk mund t’i ndërmarrim vetë hapat e nevojshëm, për të verifikuar (hipo)tezat e shkencës; aq më tepër që vetë shkencëtarët, shton Zupančič, varen dhe mbështeten tek autoriteti social i shkencës në shumë mënyra, përfshi këtu edhe për financimin e kërkimit të tyre shkencor.

Kolapsi tani së fundi i autoritetit social të shkencës, vazhdon Zupančič, nuk mund t’i atribuohet fuqizimit të obskurantizmit; tek e fundit, edhe vetë ky autoritet social është i bazuar në një lloj besimi obskurantist (i besojmë shkencës, sepse ajo është shkencë). Shoqëria – dhe vetë shkenca si pjesë e shoqërisë – nuk mund të funksionojë si komunitet shkencor i kulluar. Prandaj, çfarë ka ndodhur, ka të bëjë me atë që gjithnjë e më shumë njerëz po refuzojnë t’ia japin shkencës mirëbesimin e tyre; dhe kjo ia ka minuar shkencës vetë autoritetin shkencor.

Për Zupančič, shkenca po e humb autoritetin e vet social ngaqë është pjesë e pandashme dhe e rëndësishme e rendit kapitalist botëror dhe dinamikës së këtij rendi. Megjithatë, ata që janë të interesuar ta ndjekin më tej fillin e argumentit të saj, mund ta gjejnë në artikull; për ndërhyrjen tonë mjafton (dhe tepron) dallimi mes autoritetit shkencor të shkencës dhe autoritetit social; në kuptimin që kritika turbologjike ndaj albanologjisë kërkon dhe shpesh ia arrin që të ngatërrojë autoritetin social të kësaj disipline, ose prestigjin e saj në publik, me autoritetin e saj shkencor. Që publiku, i manipuluar nga diskursi kombëtarist dhe dobësimi i të menduarit kritik, nuk ia njeh albanologjisë autoritetin social si më parë, kjo po paraqitet si shenjë, në mos provë, e dobësimit të autoritetit shkencor të albanologjisë.

Këtu mund të guxojmë dhe të themi se autoriteti social i albanologjisë, dhe veçanërisht i dijes që merret me prejardhjen e shqipes dhe të shqiptarëve dhe historinë e gjuhës dhe të popullit, mund të jetë minuar keqazi tashmë nga ndërrimi i paradigmës ideologjike që i nënvendoset dijes historike zyrtare në Shqipëri dhe në Kosovë, ose përqafimit shpesh haptazi të pozicioneve kombëtariste dhe esencialiste; në kuptimin që paradigma e re u kërkon gjëra po aq të reja atyre dijetarëve që i nënshtrohen dhe e bëjnë të vetën.

Por kjo nuk ka të bëjë me autoritetin shkencor të metodës historike-krahasuese në dijen historike, veçanërisht në linguistikë; aq më tepër që, mes disiplinave të ndryshme humanitare me natyrë historike, gjuhësia historike është ajo që i kënaq më mirë kushtet për të qenë disiplinë shkencore, sa kohë që hipotezat e saj, të bazuara në metodën historike-krahasuese, mund të testohen, të falsifikohen dhe, sipas rastit, të provohen, madje edhe për kapacitetin e tyre parashikues; ose të hidhen poshtë dhe të zëvendësohen me të tjera. Gjë që as mund të mendohet për pseudologjitë artizanale, të etimologëve alternativë të shqipes.

Këta të fundit edhe artikullin e fundit të revistës “Science”, për një model hibrid të origjinës së gjuhëve indo-europiane, u rrekën ta shesin – në publik – si provë se albanologjia klasike tashmë ish kapërcyer; pa e kuptuar se ai studim, me metoda stastistikore dhe modele të sofistikuara, në fakt ngrihej mbi të dhëna të përftuara me metodën historike-krahasuese dhe, në rastin e shqipes, si rezultat i studimit historiko-krahasues të leksikut të kësaj gjuhe.

Po shtoj këtu se, për arsye të njohura, autoriteti social i atij artikulli, në sytë e publikut shqiptar të interesuar, rezultoi të ishte më i lartë se autoriteti social i dijes albanologjike të mishëruar institucionalisht nga Akademia e Shkencave; dhe kjo, nëpërmjet një ekstrapolimi marramendës, u interpretua si provë se dija e djeshme e Meyerit, Joklit, Çabejt dhe Sh. Demirajt tashmë është katandisur në dogmë dhe po i shërben kryesisht mbijetesës së një institucioni “sllavo-sovjetik” si Akademia. Edhe pse deduktime të tilla nuk duan të thonë asgjë për statusin dhe autoritetin e albanologjisë “standard” dhe metodës historike-krahasuese, ato u besuan prej së paku një pjese të publikut, i cili vazhdon të kërkojë prej albanologjisë atë që, albanologjia si dije shkencore, nuk mund t’ia japë.

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin