Analiza e disa të dhënave në një letërnjoftim të sapozbuluar
nga David Hosaflook, PhD
Instituti për Studime Shqiptare dhe Protestante
Botuar me këshillimin dhe miratimin e mbesës së Sevasti Qiriazit, Diana Dako-Hoxha
Më 9 qershor 2024, Drejtoria e Arkivave të Shqipërisë ka marrë një letërnjoftim të Sevasti Qiriazi-Dakos, dhuruar nga z. Petro Luarasi. Gjatë ceremonisë së dhurimit[1], letërnjoftimi u paraqit si zbulim i madh, i cili përmban të dhëna që duhen respektuar nga çdo studiues dhe institucion, me peshë juridike, duke krijuar përshtypjen që ky dokument duhet të përjashtohet nga analizat kritike dhe vlerësimi shkencor. Megjithatë, vetëm një detaj u theksua, ai i përkatësisë fetare të Sevastisë, e cila në letërnjoftim del “orthodokës”, sipas fesë së saj të lindjes, e jo protestante, sipas besimit që ajo përqafoi në rininë e saj bashkë me Gjerasimin, Gjergjin dhe Parashqevinë. Folësit përmendën elementin fetar më shumë se dhjetë herë, brenda pak minutash. Në ditët e mëvonshme, disa faqe nga letërnjoftimi u nxorën në publik, në Facebook, nga drejtori i AQSH-së, dr. Ardit Bido, dhe nga z. P. Luarasi, duke theksuar përsëri elementin fetar dhe duke u ankuar për “abuzime të bëra ndër vite me fenë e disa prej Qiriazëve, për qëllime politike” (nuk u sqarua se cilat janë ato ashtuquajturat abuzime).[2]
Pas publikimit të letërnjoftimit, kam komunikuar me mbesën e Sevasti Qiriazit, Diana Dako Hoxha, e cila është rritur nga tezja e saj, “Teto Parashqevia” dhe fjeti në një dhomë me të, për vite me radhë. Diana nuk ishte informuar për zbulimin e dokumentit, as nuk ishte njoftuar nga AQSH apo nga mbesat e saj që mbajtën fjalime. Pas ceremonisë, kam biseduar me Dianën për detajet e letërnjoftimit. Me ndihmën e saj kam përgatitur këtë analizë.
Qëllimi i këtij shkrimi është për ta trajtuar letërnjoftimin në tërësi, jo vetëm elementin fetar. Do të evidentojmë disa të dhëna befasuese, disa të rëndomta, disa pikëpyetje dhe gabime etj., shumica prej të cilave nuk janë vënë në dukje deri tani. Zbulim i një dokumenti të tillë meriton vëmendje shkencore me të gjitha të dhënat e tij, jo vetëm elementin fetar.
Në fund, do të jap dy fjalë për elementin më të rëndësishëm dhe befasues të letërnjoftimit, i cili është fotografia e panjohur e Sevasti Qiriazi-Dakos. Kjo fotografi u diskutua gjatë ceremonisë së dhurimit, por u theksua më shumë zbulimi i fotografisë (arritje vërtet për t’u lavdëruar), sesa vetë fotografia.
Po trajtojmë të dhënat e letërnjoftimit një nga një:
- Viti i letërnjoftimit. Në ceremoninë e dhurimit, nuk është përmendur data e lëshimit të letërnjoftimit. Nuk kam dalluar ndonjë vit lëshimi në faqet e publikuara të dokumentit. Vërejmë në kopertinë: “Republika Popullore e Shqipërisë”, që do të thotë se është lëshuar pas vitit 1946, nga qeveria e sapoformuar staliniste-enveriste. Dr. Ardit Bido, drejtori i AQSH-së, në një postim personal në Facebook më 13 qershor 2024, ka shkruar që letërnjoftimi “daton në vitet 1950”, domethënë pas vdekjes së Sevastisë më 1949. Por besojmë se pa dashje dr. Bido ka bërë një lapsus. Dokumenti duhet të jetë prodhuar para vdekjes së Sevastisë, nga vitet 1946–1949.
- Të dhëna fizike. Në faqen e parë është shtypur “Ser V” dhe është stampuar numri 85203. Besojmë se bëhet fjalë për serinë e pestë të letërnjoftimeve, kurse numri i dokumentit duhet të jetë unik për Sevastinë. Do të ishte interesante të gjejmë regjistrin zyrtar që korrespondon me këtë seri, si dhe të studiohet praktika e lëshimit të letërnjoftimeve.
- Tri pulla të shkatërruara: Në një faqe të letërnjoftimit, dallohen mbetjet e tri pullave të afishuara, të cilët janë gërvishtur dhe hequr, me disa fjalë të rëna përsipër me bojë të zezë (shih imazhin në faqen tjetër). Edhe këto kanë rëndësi për letër-njoftimin, sepse lindin pyetjet se çfarë ishin këto pulla, të cilit vit ishin, dhe në ç’kushte vendosi dikush t’i hiqnin ato nga letërnjoftimi. Identitetin e njërës pullë e gjetëm nga studimi i një dokumenti tjetër në AQSH (F. 490, V.1945, D.373, fleta 128-131), pra një letër e trishtueshme nga motrat Qiriazi më 21 gusht 1945, për Kryesinë e Këshillit Antifashist Nacional–Çlirimtar, duke iu lutur që të mos dëboheshin nga banesa e tyre në Kamëz. Tek kjo letër zbulojmë pullën e njëjtë, por të plotë: një pullë “40 qindar”-she që nderon Kryqin e Kuq Shqiptar. Kjo organizatë u themelua në vitin 1921[3] dhe kishte lidhje të drejtpërdrejta me amerikanët si Charles T. Erickson[4], klerik dhe misionar protestant në Shqipëri. Eriksoni kishte lidhur në martesë Sevastinë me Kristo Dakon në Manastir në verën e vitit 1910[5] (vërejmë këtu që sikur t’i përkisnin vërtet Kishës Ortodokse më 1910, vendimi për t’u martuar nga një klerik protestant do të shkaktonte telashe me Kishën, mundësisht deri në shkishërim). Dy pullat e tjera të letërnjoftimit, besojmë, janë pullat e ish-Mbretnisë Shqiptare, që kishin ngelur në përdorim në fillimet e shtetit të ri shqiptar. Shteti (si duket) i kishte modifikuar këto, duke u rënë me vizë të zezë fjalëve dhe simboleve të Mbretërisë. Dihet se më 1937 Kristo Dako, bashkëshorti i Sevastisë, kishte shkruar librin Shënime historike nga jeta dhe vepra e Nalt Madhërisë së Tij Zogu i Parë Mbreti Shqiptarvet (u botua edhe në anglisht), fakt që solli rreziqe për motrat Qiriazi kur ra mbretëria. Meqë shteti komunist, me kalimin e viteve, shfrytëzonte gjithçka mundej për të ngritur akuza padrejtësisht, nuk duhet të habitemi nëse, më vonë, Parashqevia apo Skënder Dako (i biri i Sevastisë) t’i ketë shkatërruar pullat për të eliminuar ndonjë pretendim të lidhjeve të tyre me amerikanët apo zogistët. Sigurisht, ka mundësi që edhe një fëmijë, matrapaz apo koleksionist t’i ketë hequr pullat, kështu kjo mbetet enigmë.
- Në faqen e parë emri i saj regjistrohet “Z. Sevasti Dhimitër Dako”, shkruar me dorë, duke përdorur emrin e babait dhe mbiemrin e martesës, pa përmendur emrin e nusërisë, i cili, gjatë historisë, është shkruar Kyrias, Qiriazi, Qiriaz dhe Qirias. Emri nuk ka gjasa të jetë shkruar nga vetë Sevastia, së pari sepse zakonisht qytetarët nuk plotësojnë dokumentet e veta shtetërore, vetëm i firmosin, e së dyti sepse ka dallime të konsiderueshme me firmën e saj të kohës, si p.sh. te letra e 21 gushtit 1945, përmendur dhe evidentuar më lart.
- Nënëshkrimi i mbajtësit. Për nënshkrimin e mbajtësit ka dy vija bosh për firmë, por ka ngelur e pafirmosur. Mund të pyesim nëse ka vdekur Sevastia para se ta firmoste dhe ta tërhiqte letërnjoftimin.
- Kryetar’ i Zyrës. Letërnjoftimi mban firmën e Kryetarit të Zyrës së Gjendjes Civile, por emri nuk dallohet.
- Vula. Disa faqe janë vulosur me një vulë të rrumbullakët, me fjalët: “REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË – ZYRA E GJENDJES CIVILE – KASHAR”. Fjala “Kashar” mezi dallohet, por besojmë se aty motrat Qiriazi duhet të kishin marrë letrat në vitet 1946–1949.
- Kaligrafia e dokumentit. Në faqen e dytë të letërnjoftimit, gjeneralitetet e Sevastisë janë shkruar me dorë. Besojmë se kaligrafia i përket nëpunësit/ses të Gjendjes Civile në Kashar.
- Emri i t’et, Emri i s’ëmës. Shkruhen Dhimitri dhe Maria, si prindërit e Sevastisë. Asgjë të re nuk kemi këtu. Kjo përputhet me burimet e tjera.
- Data e lindjes. Këtu kemi një gabim. Ditëlindja jepet si 24 shkurt 1876, kurse te varri i Sevastisë jepet viti 1870, vit që u pranua edhe nga studiuesi i ndjerë Dhimitër Dishnica, i cili bashkëpunoi nga afër me Aleksandër Dakon, djalin e Sevastisë.[6] Viti i gabuar 1876 del disa herë në dokumentet e shtetit shqiptar për lindjen e Sevastisë.[7] Ku qëndron problemi? Diploma e Sevastisë nga shkolla e mesme protestante amerikane në Manastir daton në vitin 1888, kurse në vitin 1891 ajo diplomohet nga Kolegji Amerikan për Vajza në Kostandinopojë, i cili ishte edhe ai kolegj protestant.[8] Domethënë, sikur t’i zihet besë këtij letërnjoftimi, del që Sevastia ka shkuar në Stamboll për universitet kur paska qenë vetëm 12 vjeç dhe mori leje zyrtare nga Sulltan Abdylhamiti për të hapur Shkollën e Vashave kur ajo paska qenë 15 vjeç. Del se ajo ishte vetëm 15 vjeç kur mbërriti në Korçë për të hapur shkollën me Gjerasimin! Por ka një detaj tjetër: dikush më vonë ka bërë një korrigjim me dorë, duke hequr me vizë shifrën “6” e duke shkruar në cep shifrën “2” (pra, duke e korrigjuar vitin e lindjes nga 1876 në 1872), por prapëseprapë ka mospërputhje, meqë disa shkrime, dhe varri, japin 1870-ën për vitin e lindjes. Para disa vitesh, ne kemi botuar një dokument amerikan, te zbuluar prej nesh, qe i takon vitit 1904, kur Sevastia udhëtoi në ShBA me anije (shih më poshtë). Kur ajo e plotësoi dokumentin e mbërritjes për zyrtarin e imigracionit, e përshkroi veten si “misionare” dhe “mikeshë e dr. Henry House” (misionar protestant i Bordit Amerikan në Selanik, me të cilin kishte bashkëpunime rajonale). Për “moshë”, e ka shkruar “32”, që përcakton vitin 1872 si vitin e lindjes. Viti i saktë i lindjes mbetet për t’u konfirmuar, 1870 apo 1872, por me siguri nuk ishte 1876.
- Vëndi i lindjes. Manastir, dhe ky nuk vihet në dyshim.
- Gjendja civile. Shkruhet “e ve” dhe kjo është e saktë. Kristo Dako ndërroi jetë në vitin 1941 dhe u varros në tokë private. Sevastia nuk u rimartua.
- Adresa: Për Vend-banimin, shkruhet “Kat. Kamëz”, pra për Katundin e Kamzës (quhej edhe “Kodra e Kamzës”, por këtu del “Kat.” jo “Kod.”). Rruga e nr. na del “20/II” ose “10/II” (mezi dallohet) dhe N-Prefektura jep “Qendra–Tiranë”.
- Besimi jepet si “Orthodokës”. Nuk ka asgjë të re as këtu. Me sa dimë, askush, asnjëherë, nuk e ka mohuar prejardhjen ortodokse të familjes Qiriazi, as trashëgiminë ortodokse të shumë familjeve shqiptare të Manastirit. Megjithatë, gjatë jetës së tyre, disa anëtarë të familjes Qiriazi përqafuan një rrymë tjetër të krishterimit, besimin ungjillor-protestant, me theksin e tij mbi përkthimin e Biblës dhe predikimet në gjuhët amtare, jo në gjuhë të huaja. Nga vitet 1990–2021, përkatësinë protestante të Gjerasimit, Gjergjit, dhe dy motrat Qiriazi nuk e ka mohuar askush nga familja Qiriazi apo Dako, përfshirë Aleksandër Dakon (djalin e Sevastisë), as ndonjë historian, e as ndonjë zyrtar i Kishës Ortodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Vetëm pas vdekjes së Viktoria Dakos (mbesës së Sevastisë) në vitin 2021, doli teza, o fantazia, që asnjëri nga familja Qiriazi, as edhe Rev. Gjerasim Qiriazi, themeluesi i Bashkësisë Ungjillore Shqiptare, nuk kishte qenë kurrë protestant, por vetëm se deshën të hapnin një kishë ortodokse shqiptare! Për trajtimin e plotë të kësaj narrative, me imazhe dhe qindra burime, botuam: “A ishin protestantë vëllezërit dhe motrat Qiriazi, Kristo Dako dhe Shkolla e Vashave e Korçës?”.[9]
- Profesioni kryesor dhe Profesioni i sotëm: Këtu kemi një çudi tjetër. Për “profesionin kryesor”, shkruhet “shtëpiake” dhe për “profesionin e sotëm” shkruhet “idem” (latinisht, d.m.th. përsëri shtëpiake). Mund të pranojmë fjalën “shtëpiake” apo “pensioniste” për pyetjen e dytë, por për pyetjen e parë jemi dakord me mbesën e Sevastisë, Diana Dako-Hoxha, e cila, kur e pa këtë cilësim, shprehu: “Në asnjë mënyrë nuk mund ta quash ‘shtëpiake’! Ishte mësuese, prej vitesh.”[10] Por në atë kohë, vërejti Diana, dhe në atë kontekst politik, ndoshta askush nuk e përfilli më Sevastinë si pionierja e arsimit të gruas. A duhet ta pranojmë letërnjoftimin lidhur me profesionin kryesor të Sevastisë? Nëse del që ishte vetë Sevastia që e ka shpallur profesionin e saj kryesor si “shtëpiake”, nuk do të habitemi po të kujtojmë se në ato kohë po eliminoheshin intelektualë. Ndoshta, si intelektuale, ajo parashikoi se nuk ishte në interesin e saj të deklarohej intelektuale (mësuese), sepse sa herë që do t’i duhej ta nxirrte letërnjoftimin, mund të ngrihej pyetja, “Ku ke studiuar?”. Dhe atehere si do te ishin pasojat për të sikur të përgjigjej “Në shkollat protestante amerikane”?
- Shërbimi ushtarak: “—”. Ajo ka luftuar gjatë gjithë jetës së saj, por sigurisht jo si ushtare.
- Fotografia. Siç thamë më lart, për ne fotografia është elementi më i rëndësishëm i gjithë letërnjoftimit dhe meriton shqyrtimin historik, kontekstual dhe njerëzor.
- Gjetja e fotografisë. Në ceremoninë e dhurimit u shpjegua se letërnjoftimi ishte ruajtur prej vitesh në arkivin personal të familjes Luarasi, por pa fotografi. Jemi të gëzuar që ajo doli në dritë më në fund për publikun. Rozi Dako (e bija e Robert Dakos dhe e Zana Shehut) sqaroi: “Historiania Zana Shehu[11], e cila me një inteligjencë të jashtëzakonshme duke pasur këtë punë mbi supe, … bëri këtë matching [bashkim], fotografinë e humbur që ndodhet tashmë në Arkivin e Shtetit dhe librezën që e kishte miku jonë, i madhi i familjes Luaras” Pastaj, më 14 qershor 2024, në Facebook, z. Petro Luarasi sqaroi më shtruar situatën: “Kur u kryen procedurat postmortum, letërnjoftimit të Sevasti Qiriazit iu hoq fotografia e cila së fundmi përfundoi në Arkivin Qendror të Shtetit, ndërsa letërnjoftimi i saj u gjend në arkivin e Skënder Luarasit, i cili kishte kryer procedurat dhe pagoi shpenzimet e ritualit në kishën ortodokse të Shën Prokopit. Përputhja e gjurmës së vulës provon që fotografia e cila gjendet në arkiv, është e këtij letërnjoftimi.” Me sa kemi analizuar, kjo duket e saktë, madje edhe shenjat e vrimave të kapëseve në fotografi e në letër na duken sikur përputhen plotësisht. Mendojmë se nuk ka asnjë arsye të mos pranojmë që kjo fotografi i përket letërnjoftimit origjinal. Ne e përgëzojmë çdo njeri e çdo institucion që ka luajtur një rol në këtë proces. Gjetja, bashkëpunimi dhe dhurimi për publikun janë për t’u lavdëruar.
- Koha e krijimit të fotografisë dhe ndjenjat që të ngjall ajo. Siç arsyetuam më lart, letërnjoftimi daton nga viti 1946–49. Ai përkon me kohën më të zezë të jetës së Sevastisë, kur dy djemtë e saj, Aleksandri dhe Gjergji, po dergjeshin në burgun e armiqve të popullit (u burgosën rreth fundit të 1946-ës ose fillimit të 1947-ës, për arsye të ndryshme lidhur me spiunazhin dhe bashkëpunimin me amerikanët dhe anglezët, ndër disa akuza të tjera). Ka shumë mundësi që koha e fotografisë është pas vdekjes së Gjergjit në burg (18 shkurt 1949), dhe pas humbjes përfundimtare të trupit të tij (se nuk u gjet). Ky është një detaj tepër i rëndësishëm, sepse imazhi i saj, për aq sa na gëzon si gjetje, na hidhëron nga çfarë shohim nga ajo. Sa e dobësuar duket, sa e trishtuar, sa e rrënuar shpirtërisht. Fotografia na kujton një fotografi tjetër të Sevastisë me stafin e Shkollës së Vashave dhe atë të Shoqërisë Biblike, rreth vitit 1894, pak kohë pas vdekjes së parakohshme të vëllait të saj më të dashur, Gjerasimit, kur edhe aty fytyra e Sevastisë dukshëm zbulon një trishtim të thellë (shih faqen e mëparshme). Është koincidencë e rëndë që Gjerasimi, vëllai i saj, si pastaj edhe Gjergji, biri i saj, që të dy ndërruan jetë rreth moshës 35 vjeç.
Përfundime
- Zbardhja e letërnjoftimit, dhe sidomos e fotografisë së Sevastisë, është një arritje për t’u lavdëruar. Çdo studiues duhet t’i jetë mirënjohës familjes Luarasi, Zana Shehut, Arkivit të Shtetit dhe çdo njeriu tjetër që ka punuar për këtë projekt.
- Nuk shohim asnjë arsye për ta dyshuar vërtetësinë e dokumentit apo të fotografisë përkatëse.
- Përveç fotografisë, dokumenti nuk sjell pothuaj asgjë të re, të pabotuar, o të patrajtuar më përpara. Rëndësia është kryesisht simbolike dhe arkivistike.
- Dalin disa enigma, si heqja e pullës së Kryqit të Kuq dhe të Mbretërisë, apo cilësimi i profesionit të Sevastisë si “shtëpiake”, por këto nuk kanë ndonjë rëndësi tepër të madhe historike përtej kureshtjes dhe plotësimit të kontekstit. Mjafton të kihet parasysh që kushtet aktuale ishin të ndërlikuara dhe të rrezikshme, sidomos lidhur me çështjet fetare dhe raportet e familjes me amerikanët, anglezët dhe italianët.
- Viti i lindjes i Sevastisë është shkruar gabim, si në dokumente të tjera shtetërore. Pra, rrëzohet ndonjë pretendim që duhet pranuar çdo e dhënë në këtë dokument si e pagabueshme, pa asnjë aparat kritik, pa shqyrtuar kontekstin dhe pa bërë studime krahasimore me burimet e dorës së parë që u prodhuan gjatë gjithë jetës së familjes Qiriazi, sidomos kur kishin liri në të shprehur dhe para se Sevastia të ishte e traumatizuar.
- Në Shqipëri, përkatësia fetare u regjistrua në bazë të fesë së lindjes. Prandaj, dokumenti është i saktë përderisa Sevastia lindi ortodokse. Sigurisht, shteti nuk njihte lirinë fetare, as lirinë e fjalës, as bashkësinë ungjillore. Në Tiranë nuk kishte asnjë kishë apo varrezë protestante. Në kushtet traumatike në të cilën pleqëroi Sevastia, a mund të mendohet seriozisht se ajo do të deklaronte para shtetit se në rini ajo kishte qenë misionare protestante dhe pjesëtare e kishës ungjillore në Manastir e në Korçë, në bashkëpunim me amerikanët? Si do të ishin pasojat për të? Për familjen e saj? Ajo ishte kthyer protestante, po, por jo mazokiste e pamend. Historiani i mirëfilltë vlerëson e krahason tërësinë e dokumenteve dhe, në rastin e familjes Qiriazi, i kemi burimet me bollëk. Sevastia ishte mësuese, ishte ortodokse nga lindja, ishte protestante nga zgjedhja dhe nga formimi teologjik, dhe, sipas jetëshkrimit të saj, ishte mbi të gjitha shqiptare.
- Së fundmi, zbardhja e fotografisë së fundit të Sevasti Qiriazi-Dakos përbën një gëzim të madh, por edhe një trishtim të thellë kur vështrohen sytë e saj. Madje, një ditë, kjo mund të njihet si fotografia më ikonike e fillimit të diktaturës, një vështrim gati profetik nga “nëna e kombit” dhe “mësuesja e popullit”, një vështrim ogurzi për fatin e ardhshëm të kombit, mu në agim të natës së gjatë të komunizmit dhe ateizmit.
© 2024 David Hosaflook. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Ndalohet rreptë riprodhimi pa lejen e autorit.
[1] https://www.facebook.com/share/v/kc7Nouu6dYAw5biP/ (lexuar më 20 qershor 2024).
[2] https://www.facebook.com/share/p/35PmKWZD8Rjrfxjj/ (lexuar më 20 qershor 2024).
[3] https://www.kksh.org.al/historik-i-kksh-se/
[4] Charles Erickson to Phineas Kennedy, 19 janar 1919, ISSHP BIN03 033 (fondi i Edwin Jacques) (me letrën e “American Red Cross” në Rome).
[5] Edwin Jacques, “To Albania With Love – the Evangel”, IAPS-EJ, 136, 142–143. Shih edhe: Mal Berisha, Jeta e jashtëzakonshme e amerikanit Charles Telford Erickson kushtuar Shqipërisë (Tiranë: Edualba, 2012), f. 64.
[6] Dishnica, Dhimitër. Kristo Dako, Jeta dhe vepra, përballë të vërtetës. Tirana: Erik, 2004, f. 323.
[7] P.sh. shih Certifikatë vdekjeje, lëshuar më 17.06.1994, ku jepet viti 1876 “në bazë të regjistrit themeltar fshatit Kamëz nr. 7, të vitit 1945.
[8] AQSH, F52 D18. Për kolegjin, shih: Hosaflook, David. Lëvizja Protestante te shqiptarët, 1816–1908. Tiranë: ISSHP, 2021, f. 302–306.
[9] https://www.academia.edu/97572355/.
[10] Bisedë me Diana Dako-Hoxhën, 14 qershor 2024.
[11] Zana Shehu është ish-gruaja e Robert Dakos dhe autorja e librit e disa artikujve për Kristo Dakon, Çarlz Krejn etj.