Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim / Botime / Libri Shqip

ILUSTRIMI I LIBRIT

Rëndësia e ilustrimeve në letërsinë për moshën parashkollore dhe shkollore. Rasti – libra me ilustrime të shkrimtares Natasha Poroçani

nga Alma Dema

Thuhet shpesh se “një fotografi vlen sa qindra fjalë”, dhe nuk ka dyshim se ilustrimet e të gjitha llojeve kanë luajtur një rol jetësor në historinë e komunikimit njerëzor.

Pranohet gjerësisht se, njerëzit e kanë përdorur fotografinë gjatë gjithë ekzistencës së tyre. Për ta ilustruar, ata filluan të përdorin fotografitë si një mënyrë për të dërguar dhe marrë mesazhe shumë kohë më parë. Thuhet se, ilustrimet e egjiptianëve të lashtë ishin forma e parë e gjuhës së shkruar; ata ilustronin shkronjat duke përdorur simbole dhe figura në vend të shkronjave dhe fjalëve. Në Egjiptin e Lashtë dhe jo vetëm, njerëzit vizatonin shkronjat, kujtimet dhe problemet e tyre përpara se të përdornin shkronjat e fjalët. Kështu, përgjatë shekujve, njerëzit, kanë besuar se fjalët në librat e shkruar ishin burimi i njohurive.

Më pas, shkrimtarët filluan t’i “zbukuronin” librat e tyre me elementë për të tërhequr vëmendjen e lexuesve. Një nga metodat kryesore që u përdoren për të tërhequr vëmendjen e lexuesve qe shtimi i fotove dhe ilustrimeve të lidhura me tekstin.

Sipas Segun, M. (1988), fotot mund t’i ndihmojnë të rriturit të kuptojnë dhe imagjinojnë temën, por për fëmijët ilustrimet luajnë një rol më të rëndësishëm vizual, sepse ata i lejojnë fëmijët të kuptojnë ngjarjen e një historie edhe para se të mësojnë se si të lexojnë.[1]

Ilustrimi është një pjesë shumë e rëndësishme e librit për fëmijë. Përmes imazheve fëmijët mësojnë dhe kuptojnë botën përreth tyre, identifikojnë gjërat që hasin në jetën e përditshme, ndaj qëllimi kryesor i ilustrimit mbetet përcjellja e një mesazhi tek lexuesit.

Tregimi dhe e gjithë narrativa e tij është një mjet i shkëlqyer për të edukuar fëmijët. Që ata ta kuptojë mirë historinë në një libër që i drejtohet atyre, kjo do të kërkojë shumë imazhe dhe ilustrime, aq sa mund të ketë raste që numri i ilustrimeve të përdorura të jetë më shumë se teksti përbërës.

Ilustrimi përdoret për ta bërë lexuesin të kuptojë kontekstin e një tregimi, sepse ilustrimet janë në gjendje të transformojnë një histori të thjeshtë në një histori emocionuese dhe magjepsëse.

Kur një fëmijë fillon të mësojë të lexojë, nëse libri do të ketë figura në të, ai ose ajo do ta ketë më të lehtë të kuptojë më lehtësisht kuptimin e ngjarjes dhe do të lidhet me historinë.

Fëmijët u përgjigjen figurave në një libër më me lehtësi sesa fjalët. Ata madje arrijnë ta kujtojnë historinë e treguar duke përdorur më shumë ilustrime sesa fjalë.

Ilustrimi është një nder komponentët të me rëndësishëm për të transmetuar, paraqitur dhe komunikuar ide, emocione, fakte, ngjarje dhe për të zgjuar ndjenja të fjetura a të tjetërsuara. Ilustrimi bashkon në një poetiken, narrativen dhe dramatiken duke i bere fëmijët dhe të rriturit të përçapen më lehtë ndaj fantazisë së drejtuar dhe arsyes së shëndoshë. Librat me ilustrime të shkrimtares N. Poroçani janë të drejtuara kah dëlirësisë, sinqeritetit dhe përgjegjësisë ndërkomunitare dhe atdhetare. Librat e marrë si subjekt të këtij punimi janë: libri me poezi Splash, Bëmat e Estes dhe Kokosë në tre vëllime, Bëmat e Estes dhe Kokosë (ditari i Estes), Ne jemi superskuader, Kalendari i ëndrrave të mollës.

Rëndësia e ilustrimeve në librat për fëmijë

Gjatë gjithë historisë njerëzore, fotografitë janë përdorur si mjet komunikimi dhe përcjellje mesazhesh. Shumë forma pikturale janë përdorur gjatë historisë njerëzore; për shembull, piktura e shpellave, shkrimi i shenjave, arti dhe skulptura ishin përdorur kryesisht mijëra vjet më parë. Kështu, kur librat e shkruar kanë filluar të botohen, fotografitë janë përdorur për të sqaruar kuptimin e tekstit. Pa dyshim, fotografitë janë shumë të rëndësishme veçanërisht në librat për fëmijë. Waymack dhe Hendrickson zbuluan se “fëmijët preferojnë libra me më shumë se njëzet e pesë për qind të hapësirës në fotografi” (cituar në Stewig, 1972, f.273)[2]. Ilustrimet luajnë role të ndryshme në librat për fëmijë.

Duke folur për punën e ilustrimit (latinisht Illustratio – ndriçimi, imazhi vizual) te librat për fëmijët, është e nevojshme të përmendim veçoritë e tij.

Për një fëmijë, ilustrimi është elementi më i rëndësishëm i njohurive dhe informacionit, i cili padyshim që ka vlerë edukative. Falë kësaj, fëmija mëson shumë për realitetin që e rrethon, natyrën dhe botën e kafshëve, mënyrën e jetesës së njerëzve. Prandaj, qasja e artistit ndaj përshkrimit të librave për fëmijë duhet të jetë i veçantë, shumë i përgjegjshëm, i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë.

Komunikimi me librin ndikon në formimin e botës së brendshme të fëmijës. Ndërmjet leximit fiction, fëmija mëson të analizojë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e botës, duke formuar vlerat morale, ndaj kur vizatoni ilustrime për libra për fëmijë, është e rëndësishme të mbani mend se fëmijët ende jetojnë në një botë lojërash, argëtimi, aventurash dhe shkëlqimi. Këtë duket që jo vetëm nuk e ka harruar, por e ka përçuar më së miri ndërmjet punës së saj edhe shkrimtarja N. Poroçani në te gjithë vëllimet e saj qoftë me poezi qoftë më prozë.

Libri me poezi Splash rend pas një grupi fëmijësh që emrin e kanë të identifikuar në ngjyra: Flori – ngjyra e florinjtë, Kaltrina – ngjyra e kaltër, Blerti – ngjyra e blertë, Flakëza – ngjyra e flakës herë e kuqe e herë e verdhë.

Që në faqet e para të paraqiten skenat didaktike të ekzekutimit të një orari të një dite në plotë ne shkollë. Ilustrimet paraqesin fëmijë të gëzuar që shkruajnë bukur gjuhen shqipe, që përdorin bazën didaktike të nevojshme, që flasin me leje dhe me respekt, që vizatojnë e që kërcejnë, të bëjnë eksperimente në shkencë e zgjidhin ushtrime matematikore me dëshirë. Ilustrimet janë në proporcion me moshën dhe masën e tyre trupore. Gjë tjetër që të bie ne sy e të kënaq është diversiteti i fëmijëve; duket se janë të të gjitha racave dhe ngjyrave. Ideja e barazisë gjinore dhe respektit reciprok jepet më së miri te poezia Rrethi i paqes (fq. 42), ku i thuret himn jo vetëm barazisë gjinore por edhe fqinjësisë së mirë. E gjithë ideja ilustrohet me duart e fëmijëve të të gjitha racave.

Në këtë kontekst lind pyetja: Çfarë është fëmijëria?

Për Ariès, (1962), fëmijëria është një kategori njerëzore e formuar nga vlerat shoqërore dhe përvoja historike ndaj është e rëndësishme të kujtojmë se, modernistët kishin një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në përcaktimin e konceptit modern të fëmijërisë.[3]

Formimi i vlerave etike, morale dhe shoqërorë ndërmjet ilustrimit ne librat e N. Procanit, vërehet te Splash me Çdo gjë ka një emër (fq. 12), ku autorja ndërmjet vargjeve dhe ilustrimeve u mëson fëmijëve se çdo gjë dhe gjithkush ka një emër, të cilin duhet ta përdorim me respekt dhe dashuri. Nga ana tjetër në këtë poezi, fëmija merr nocionin linguistik të emrit si pjesë ligjërate e ndryshueshme (emër konkret, abstrakt, i përveçëm, i përgjithshëm), duke ndikuar kështu në formimin e një segmenti të ndërgjegjes linguistike. Por të gjithë këtë informacion linguistik e merr mënyrë globale, duke e ngulitur në ndërgjegjen e tij si shqipfolës. Kështu që kur të njihet me emrin si pjesë e ndryshueshme e ligjëratës në klasë të tretë, leximi i Splash, do ia bëjë më të lehtë identifikimin, receptimin dhe përvetësimin.

Poezia Punë e madhe (fq.16) e te njëjtit vëllim, ndërmjet ilustrimit të një topi të grisur dhe fytyrave të djemve të merakosur, jep mesazhin se në lojë nuk duhet të grindemi, por të luajmë e të kënaqemi dhe ta ruajmë njeri – tjetrin.

Ilustrimi i ndihmon fëmijët të kuptojë tekstin letrar, të japin një ide për temën, idenë, për personazhet e tij dhe gjithashtu të vlerësojnë ngjarjet dhe shenjat e lëvizjes letrare. Ilustrimi i ndihmon fëmijët të hyjnë në botën letrare dhe ta ndjejnë atë, të bëjnë miq, t’i duan ata. Meqenëse fëmija ka pak përvojë në jetë, për të është më e vështirë që të rikrijojë atë që “ka” shkrimtari në mendjen e tij. Ai duhet të shohë dhe të besojë për të imagjinuar. Ndaj, një ilustrues duhet të zhytet në përmbajtjen e librit dhe ta portretizojë atë me një botëkuptim fëmijëror.

Të gjithë librat e marrë në shqyrtim i shërbejë më së miri këtij botëkuptimi, sepse i gjithë materiali letrar zbërthehet ndërmjet aparatit pedagogjik duke i pajisur fëmijët jo vetëm me përvojë jetësore por edhe shqisa gjuhësore, letrare dhe eksperimentale. Në shumë raste ndërmjet një shenje grafike apo një sasie më të shtuar ngjyrash, tërhiqet vështrimi e vëmendja ndaj pyetjes: A je një lexues i vëmendshëm?

Ilustrimi i librit është i rëndësishëm për fëmijët e vegjël. Libri për fëmijën lipset të fillojë me një ilustrim dhe shërben si nxitje që fëmija ta zotërojë atë. Tek fëmijët e moshës 5-6 vjeç, aftësitë e të lexuarit janë më pak të zhvilluara prandaj, ilustrimet janë të nevojshme duke marrë në parasysh veçoritë e njohurive të fëmijëve rrisin interesin e tyre për librat dhe duke lexuar hapen e zgjerohen horizonte të pafundme. Këtë funksion e kryen më së miri libri Kalendari i ëndrrave të mollës, cilësuar nga autorja për fëmijë mbi 4 vjeç. Që në kopertinë lexuesi i vogël dallon një vajzë të vogël me laps në dorë e me një copë letër, me gishtin mes buzëve mendueshëm sikur do të ftojë lexuesit e vegjël ta ndihmojnë të kuptojë kalendarin e ëndrrave të mollës. Ilustrimet e natyrës përqark ftojnë edhe të rriturit ta bëjnë këtë. Aftësimi që përftojnë fëmijët shkon përtej atij letrar dhe gjuhësor duke dhënë informacione zinxhir për diturinë e natyrës dhe shkencën e tokës. I gjithë ky informacion kalon qetësisht dhe këndshëm te fëmijët e moshës mbi 4 vjeç pa e kuptuar për llojin e aftësimit që po përfitojnë.

Roli kryesor i ilustrimeve në një libër me figura është që ta çojë historinë e shkruar në një nivel të ri argëtimi, të vendosë një ritëm joshës, të vendosë një hierarki të elementeve, duke krijuar një rrjedhë të lehtë të tregimit duke inkurajuar lexuesin përmes paraqitjes dhe veprimit të përshkruar në të faqe për të vazhduar ta shijojnë narrativën deri në fund.

Një fëmijë shpesh përpiqet të vendosë veten në vendin e një heroi ose një objekti në një përrallë. Kjo është arsyeja pse fëmijët nuk janë të interesuar të portretizojnë realitetin në skena reale.”[4]

Ilustrimi i librit si një lloj i veçantë i arteve të bukura ka një ndikim të madh në formimin e perceptimit dhe zhvillon ndjeshmërinë estetike tek fëmija, gjë që reflektohet në dëshirën e fëmijës për bukurinë. Ilustrimi në një libër shënjon takimin e parë të fëmijëve me botën e artit figurativ. Ilustrimi i librit luan një rol estetik në zbulimin e përmbajtjes së një libri, në ngjalljen e emocioneve te fëmijët dhe, së fundi, në pasurimin dhe zhvillimin e imazheve të tij.

Cilat janë disa nga qëllimet që përmbush arti i ilustrimit në librat e N. Poroçanit?

Së pari, imazhet në libër janë një nga veprat e para të artit figurativ që një fëmijë ndesh, dhe mësimet ndihmojnë në zhvillimin e interesit të tyre për librin dhe i mësojnë ta trajtojnë me kujdes atë si një vepër arti. Këto elemente gjenden te Kalendari i ëndrrave të mollës dhe Ne jemi superskuadër.  Në librin e parë atyre u duket se po administrojnë ëndrrat e mollës dhe kujdesi ndaj tij është i dukshëm. Në të dytin empatia ndaj kafshëve merr një vend të dukshëm e fëmijëve u duket se janë bashkë ndihmës të Hanes dhe të Kroit në aventurën e tyre për të ndihmuar kafshët.

Së dyti, ilustrimet ndihmojnë në formimin e shijes artistike të fëmijëve, duke e ndihmuar fëmijën të shohë, kuptojë dhe vlerësojë mjetet artistike që nuk janë gjithmonë të dukshme në piktura dhe që janë më të vështira për t’u kuptuar. Ngjyra, ritmi, kompozimi dhe konceptet e tjera në vizatime do të kuptohen nga fëmijët. Kjo gjë nis që me Splash me ritmin gazmor, rimën herë – herë të përputhur, figurat e këndshme letrare dhe shprehjet frazeologjike si dhe puna e udhëhequr e propozuar nga autorja e cila ka shprehur aftësi shumë të mira didaktike, i shtyn fëmijët të vizatojnë, ngjyrosin dhe vazhdojnë vargun.

Së treti, ilustrimet krijojnë mundësi të mëdha për zhvillimin e të folurit tek fëmijët: zgjerojnë fjalorin, duke krijuar histori që përshkruajnë situata të ndryshme emocionale, siç me shumë krenari autorja e paraqet në të tre vëllimet e Bëmave të Estes dhe të Kokosë dhe sidomos në Ditari i Estes, ku fëmijët e moshës mbi 8 vjeç ndjekin me shumë vëmendje “rrokopujën” e përditshme te Estes për t’u shprehur dhe për të komunikuar, për të transmetuar dhe sistemuar njohuri së pari gjuhësore, më tej letrare, të edukimit mbi shoqërinë, të ndërtimit të marrëdhënieve të shëndosha njerëzore dhe të rregullave të qarta të edukimit qytetar.

Shumë interesant në këtë monolog – dialog të Estes me veten dhe ditarin janë lojërat e fjalëve, fjalët e reja që ajo ia mëson vetes dhe lexuesve të vegjël, si në rastin e Tungjatjeta.

Ditar, vetëm për një tungjatjeta po të takoj sot. Hë, të pëlqen si fjalë? E mësuam sot në shkollë. “Tungjatjeta” është një përshëndetje. Përdoret edhe kur sapo e takon një njeri, edhe kur largohesh. Më dëgjo me vëmendje, që të mos harrosh. Kjo “tungjatjeta” nuk ka qenë gjithmonë kështu si fjalë. Ka qenë e ndarë në disa fjalë “t’u zgjattë jeta”, që do të thotë “u bëftë jeta jote edhe më e gjatë” (fq. 31).

Për më tepër kjo lloj qasje, i edukon fëmijët edhe me teoritë animistike, ndaj edhe ilustrimet në këtë libër janë më te kursyera dhe më të përmbledhura

Së katërti, përdorimi i ushtrimeve speciale, lojërave që ndihmojnë për të punuar me ilustrimet e zhvilluara në libër aktivizojnë të gjitha proceset mendore njohëse: kujtesën, të menduarit, vëmendjen, imagjinatën dhe ndihmojnë zhvillimin e tyre.

Kjo, ashtu si e përmendëm edhe me lart pasqyrohet më së miri te Kalendari i ëndrrave të mollës, ku fëmijët e ciklit parashkollor do të rendisin dhe katalogizojnë informacione e njohuri mbi lindjen, zhvillimin e mollës, do të memorizojnë ciklin e saj jetësor. Një gjë e tillë haset natyrshëm edhe te Ne jemi superskuadër, ku fëmijët e të njëjtit cikël duhet të mbajnë mend llojet e kafshëve që Hana e Kroi ndihmon, t’i klasifikojë sipas klasës së tyre zhvillimore dhe duke u ushqyer nga ilustrimet e bollshme të ndezë imagjinatën e tij ndër shtigje të pashkelura më parë.

Së pesti, njohja me stilin krijues të artistëve që punojnë në ilustrimin e librave i inkurajon fëmijët të vizatojnë dhe u jep mundësinë të përmirësojnë aftësitë e tyre vizuale.

Ata që nga kopertinat kanë vizatime me djem të vegjël, ose heronj të librave, që ngjajnë si vajza, të veshur me ngjyra që janë tipike për femrat, në ato libra, në një faqe të vetme i gjen të gjitha ngjyrat e ylberit dhe për çudi ka elemente, fallike dhe erotike në çdo faqe të këtyre librave, me përmbajtje dhe fjalor për ta dashur, simpatizuar dhe për ti imituar ata. Përse fëmijët e moshave parashkollore? Sepse kjo është mosha e pjekurisë emocionale dhe formimi i personalitetit dhe ajo që lë gjurmë emocionale, shpirtërore në këtë moshë mbetet për gjithë jetën dhe është shumë vështirë, ose e pamundur për tu kthyer në normalitet.[5]

Ajo që të bie në sy në të gjithë krijimtarinë e N. Poroçanit, të cilën e cekëm edhe më lart, është simetria estetike në paraqitjen artistike të personazheve, qofshin ata të vegjël apo të mëdhenj, të mjediseve sa më reale dhe të identifikushme nga fëmijët si dhe mjediset habitate të kafshëve të ndryshme. Fëmijët e Natasha Poroçanit janë fëmijë të shëndetshëm e të bukur, fëmijë me kurajo dhe intrigues, interesant dhe të etur për dituri.

Studiuesja kosovare Emine Shabani, duke përqafuar mendimin tonë, do të shprehet se nuk e kuptonte përse në moshën tre, pesë, e shtatë vjeçare fëmijët të kenë nevojë të mendojnë për trans gjinorët, orientimet për gjininë e njëjtë dhe se atyre në vend të këtyre librave pa shije, tu ofrohen përralla me përmbajtje edukative, letrare artistike normale, të jetojnë në një botë normale, të lihen të lirë të edukohen nga prindërit e tyre dhe të edukohen e orientohen nëpër institucione, se si të bëhen të dobishëm për familjen dhe shoqërinë, të bëhen, mjekë, inxhinierë, shkencëtarë e shkrimtarë të zotë dhe ta bëjnë botën një vend më të bukur e më të qetë për të jetuar.[6]

Konkluzione

Gama e gjerë didaktike e librave për fëmijë të shkruara nga shkrimtarja Natasha Poroçani paraqet një shumëllojshmëri tipash dhe karakteresh, situatash dhe ngjarjesh gazmore, edukuese dhe artistike.

Që një vepër e letërsisë për fëmijë të quhet e tillë, duhet të identifikohet për 4 vlerat kryesore: vlerat njohëse, vlerat artistike, vlerat argëtuese dhe vlerat etiko – morale, cilësi të cilat, ashtu si e pamë gjatë rrugëtimit tonë, librat Splash, Bëmat e Estes dhe Kokosë, Ne jemi superskuadër, Kalendari i ëndrrave të mollëve i kishin të kultivuara me shumë kujdes dhe në përputhje me të gjitha grupmoshat.

Ajo që vlen për t’u theksuar është që e gjithë gama e aftësimit ndijor dhe emocional të tematikave, masazheve dhe personazheve mbështillen si në një aureolë nën magjinë e ilustrimit, i cili luan një rol shumë vendimtar si ndërmjetës mes shkrimtares dhe lexuesve të vegjël.

I gjitha punimi u përpoq të nxirrte në pah rëndësinë që ka ilustrimi në librat për fëmijë, llojin e tij, mënyrën sesi përçapet drejt psikikës së fëmijës, si i ndihmon ata në arrijnë më lehtë te kuptueshmëria, argëtimi dhe artikulimi i saktë dhe i qartë.

Një theks i veçantë iu vu ndihmës që jep ilustrimi edhe në përvetësimin e gjuhës amtare, në kultivimin e arteve të bukura dhe të edukimin estetik të fëmijëve.

Shënim: Punimi nuk do të kishte pasur frymëmarrjen që ka nëse nuk do të isha konsultuar gjatë gjithë kohës me Hanën, bijën time, e cila është njohur me librat e teta Poroçanit që në kohën kur shfletonte abetaren. Ajo ka preferuar që mes tre bashkimeve të shenjave grafike, të përdorë vetëm ato që japin Poroçani, si më afër tingëllimës argëtuese të fëmijëve.

(c) 2024 Alma Dema. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

[1] Segun, M. (1988). The importance of illustrations in children’s books. Retrieved February 17, 2010, from http://www.mabelsegun.com/Illustrating.pdf
[2] Stewig, J. (1972). Children’s preference in picture book illustration. Retrieved February
[3] Të tillë ishin Locke, Rousseau, puritanët, romantikët dhe viktorianët.
[4] K .V. Makarova. Features of children’s book illustration and its differences from the adult. Culture and education.https://cyberleninka.ru/article/n/osobennosti-detskoy-knizhnoy-illyustratsii-i-ee-otlichiya otvzrosloyberleninka.ru/article/n/osobennosti-detskoy-knizhnoy-illyustratsii-i-ee-otlichiya-ot-vzrosloy
[5] Emine Shabani. “Tendenca të reja në librat me ilustrime për fëmijë”. Albanologjia International Journal of Albanology 17-18:270-273
[6] Po aty

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin