Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Shkencë

SEKRET, PADIJE, PARANOJË

Duke folur për problemin e përjetshëm të shërbimeve sekrete “të devijuara” në Itali, Umberto Eco-ja vërente (në 1994) se këtyre shërbimeve nuk u lejohet të jenë transparente, për vetë natyrën e punës që bëjnë. Atyre qytetari nuk ka rrugë tjetër veçse t’u besojë – sepse nuk i kontrollon dot. Kjo mbyllje, ky opacitet, ky izolim nga syri verifikues i popullit nuk janë gjë efekt i autoritarizmit apo arbitraritetit të pushtetit, por rrjedhin drejtpërdrejt nga sekreti si hapësirë ku këto shërbime veprojnë.

Këto fjalë të Eco-s më kujtohen shpesh, kur lexoj fjalët revoltuese të një turme të përzier entuziastësh, konspiracistësh, turbologësh dhe oportunistësh, kundër një institucioni publik si Akademia e Shkencave; të cilën e akuzojnë 24/7 se u është shitur të huajve dhe armiqve të shqiptarisë, se drejtohet nga “komunistët”, dhe se u shërben, në thelb, interesave të “serbëve” dhe të “grekëve”.

Natyrisht, puna që bën Akademia e Shkencave – si tërësi institucionesh kërkimore-shkencore – nuk është sekrete; por mbetet megjithatë po aq e padepërtueshme për publikun e gjerë, ngaqë kryhet nga specialistë të fushave përkatëse, të cilëve u janë dashur vite studimi dhe eksperience, për të bërë çfarë pritet prej tyre: shkencë. Dikush mund ta kapërcejë urën me hap ose me triçikël pa problem, por pa zotëruar algjebrën, nuk do të arrijë t’i rrokë ekuacionet diferenciale që i janë dashur inxhinierit për ta ndërtuar urën. Kapërcyesi i urës ia beson jetën e vet inxhinierit, sepse e respekton autoritetin e tij profesional, jo sepse ia ka gjykuar ekuacionet.

Në përgjithësi, qytetari jospecialist mund të ketë interes të vetvetishëm për shkencën dhe dijen, siç mund të ketë edhe pritje ndaj atyre që me shkencë merren profesionalisht; por, si rregull, nuk është në gjendje të gjykojë nëse ky apo ai shkencëtar apo dijetar po e bën punën mirë. Nëse shërbimet sekrete janë të detyruara t’i mbajnë të fshehta gjërat që bëjnë, puna e shkencëtarëve dhe dijetarëve është e padepërtueshme jo ngaqë është e rrethuar me mur, por ngaqë nuk mund të kuptohet lehtë nga kushdo.

Prandaj, si edhe në shembullin e Shërbimeve sekrete, që sjell Eco-ja, edhe Akademisë së Shkencave i duhet dhënë mirëbesim, me bindjen se puna e këtij institucioni nuk mund të kuptohet dhe as të kontrollohet, siç mund të kuptohet dhe të kontrollohet puna e Shërbimeve komunale. Akademia e Shkencave nuk zgjidhet me votë të lirë dhe popullore; dhe as i jep llogari drejtpërdrejt qytetarit.

Akuzat (groteske) se Akademia u është shitur serbëve dhe grekëve hyjnë drejtpërdrejt në territorin e spiunazhit dhe të kundërspiunazhit; edhe pse është afërmendsh që institucione të caktuara të shteteve fqinje të interesohen për orientimin e përgjithshëm të institucioneve publike në Shqipëri, me keto lloj interferencash duhet të merreshin shërbimet e kundërspiunazhit, jo llafazanët e portaleve. Këta të fundit mund të lëshojnë akuza për shitje dhe blerje jo ngaqë i shtyn përgjegjësia qytetare, por përkundrazi – ngaqë e dinë se nuk do t’i mbajë kush të përgjegjshëm, për çfarë nxjerrin nga goja. Ato akuza hidhen dhe qarkullojnë në një hapësirë të përkufizuar nga papërgjegjshmëria.

Arsyet e këtij mllefi të madh kundër Akademisë dhe, në një rrafsh më abstrakt, studimeve albanologjike, nuk janë të lehta për t’u kuptuar: duken më shumë si një përzierje e pasioneve identitare, padijes, ksenofobisë, anti-intelektualizmit dhe titullimit që u ka dhënë disave mundësia për t’u shprehur sipas qejfit në rrjetet sociale. Ata që akuzojnë Akademinë nuk është se ndjekin punën e institucioneve kërkimore dhe politikat e kërkimit shkencor; por më shumë irritohen ngaqë Akademia – si autoriteti certifikues i seriozitetit dhe i profesionalizmit shkencor – nuk ua njeh asnjë meritë albanologëve alternativë, folk-etimologëve, turbologëve dhe me nder autodidaktëve (për ta thënë me Shvejkun), që kanë përmbytur hapësirën publike me libra, dalje televizive dhe polemika në rrjetet sociale. Tani që i kanë pushtuar mass mediat, i janë vërsulur edhe një bastioni të rëndësishëm, si Akademia, që ende u reziston. Kjo dëshirë mbase shpjegon edhe pse këta njerëz duan njëherazi që të certifikohen prej Akademisë dhe ta rrëzojnë atë.

Kjo nuk shpjegon, megjithatë, akuzat se Akademia u është shitur serbëve dhe grekëve dhe u bën jehonë “tezave” të tyre – akuza që janë infantile, të pabazuara në ndonjë fakt, dhe thjesht synojnë të aktivizojnë disa mekanizma primordialë në mendjet e të gjithë atyre që e orientojnë jetën e tyre publike sipas aksit kombëtarist folklorik. Lehtësia me të cilën bëhen këto akuza dhe me të cilën ato pranohen, bie fjala, nga drejtuesit e emisioneve televizive populiste, tregon – të paktën për mua – se funksioni i tyre është të sinjalizojnë, jo të ndëshkojnë.

Edhe më infantile – por po aq toksike – janë edhe premisat e akuzave të tilla; ose ai grumbullim kaotik dijesh gjysmake dhe pseudo-dijesh, që i orienton këta njerëz, në errësirën e padijes. Teza të çuditshme dhe fantastike, për lashtësinë e shqipes, vlerat e saj, virtytet e saj, origjinën e saj hyjnore, statusin e saj karshi gjuhëve të tjera, e kështu me radhë përftojnë një program – sado kaotik – që i kundërvihet Akademisë dhe që herët a vonë i duhet imponuar; në mënyrë që ky institucion ta lëshojë monopolin e derisotëm ndaj albanologjisë dhe ashtu të mundësohet heqja e vellos së sekretit që mbulon të vërtetat e mëdha të shqiptarisë. Dhe ja ku erdhëm prapë te sekreti.

Për turbologët, misioni kryesor i dijes zyrtare – të blerë dhe të paguar nga serbët dhe grekët – është që të mashtrojë “popullin” dhe t’i japë këtij një version të rremë, madje poshtërues, të origjinës së vet; duke e mbajtur kështu në errësirë. Ashtu turbologët shfaqen në rolin mesianik të sjellësve të dritës, ose bartësve të së vërtetave; zbulimet e tyre vijnë me pasionin karakteristik të shpëtimtarit; dhe paraardhësit e tyre të pafat përshkruhen si viktima të inkuizicionit ideologjik.

Edhe pse Akademia pikturohet si bastion i komunizmit në dije, na fakt janë të tjerët, kundërshtarët, alternativët, turbologët, konspiracistët që e duan dijen t’i shërbejë ideologjisë; për ta albanologjia – si tërësi e studimeve për historinë dhe kulturën shqiptare – nuk mund të jetë veçse një vegël në shërbim të ideologjisë kombëtariste. Në këtë pikë, masa e detraktorëve gjen truall të përbashkët me një numër të madh intelektualësh “sqimatarë”, të sunduar nga pragmatizmi edhe kur nuk janë thjesht hipokritë, dhe që e përqafojnë etnocentrizmin si modalitet të politikave identitare. Kjo martesë konvenience – që kremtohet çdo ditë në ekrane dhe në portale – i ka edhe ajo themelet në amatorizmin; ose të paktën në idenë se pasioni i duhur mund të kompensojë për padijen.

Kjo e fundit – jo aq si mangësi sa si refuzim i njohjes, i racionalizmit dhe i ndershmërisë intelektuale – është edhe flamuri i zi i revoltës së tanishme. Dhe padija, në këtë rast, do marrë si kundërpeshë e sekretit – imagjinar – me të cilin perceptohet sikur e rrethon veten dija e mirëfilltë; edhe pse kufijtë mes moskuptimit dhe keqkuptimit nuk janë gjithnjë aq të qartë. Njeriu i rrugës, ai që tani kënaqet me tingullin e zërin e vet në rrjetet sociale dhe që përkëdhelet dita-ditës nga politika, kujton se është e drejta e tij qytetare që të kuptojë me çfarë merren institucione të tilla si Akademia, të cilat tek e fundit mbahen me taksat e tij; madje jo vetëm të kuptojë, por edhe të marrë atje pjesë drejtpërdrejt, si palë. Që kjo ndodh, varet – në analizë të fundit – nga kriza e autoritetit, e cila ka përfshirë në mënyrë kapilare shoqërinë shqiptare, dhe jo vetëm. Çështja është se një Akademi e Shkencave nuk mund ta bëjë dot punën e vet dhe as të gëzojë të shumëpërfolurën liri akademike, në qoftë se nuk gëzon më autoritet ndaj qytetarëve.

Kontestimi i përditshëm, që i bëhet sot Akademisë dhe albanologjisë, nga amatorë të së gjitha llojeve, e ka “fragjilizuar” edhe më tej statusin e atij institucioni; sepse i krijon publikut (këtij versioni mas-mediatik të qytetarit) iluzionin se dija nuk qenka pra dhe aq e pakuptueshme; sa kohë që diskursi turbologjik kuptohet për bukuri edhe nga ai me “dy klasë shkollë”; duke ia hapur kështu rrugën idesë paranojake se synimi i elitave, edhe në dije, është që t’ia mbajë popullit sekret të vërtetat e ndryshme të mëdha, sidomos ato për identitetin, origjinën dhe armikun.

Dhe kështu u kthyem sërish te sekreti.

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim: imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading