Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi / Shkencë

SHTETI LAIK, PLANI INTELIGJENT, BIG BENGU

nga Spiro K. Duka

Temat “Evolucioni Darvinian” dhe “Big Bengu” janë dy tema mjaft të rrahura, ndaj, duke lënë më një anë diskutimet akademike, ndoshta ngjall interes dhe thellon njohjen e tyre paraqitja e dy historive që kanë prekur institucione dhe mendimtarë të klasit të veçantë.

PLANI INTELIGJENT

Pjesë  themelore e shkencës sot është teoria e Evolucionit Darvinian, se jeta në Tokë zhvillohet nëpërmjet seleksionimit natyral dhe bimët e kafshët kanë ndryshuar gjatë kohës në përpjekjen për t’iu përshtatur mjedisit.

Ndryshe nga kjo, fetë monoteiste kanë si bazë Biblën dhe besimin në forcën e Zotit dhe e shpjegojnë në mënyrën e tyre si ka lindur fillimisht universi dhe pastaj si janë përhapur dhe zhvilluar qëniet e gjalla. Mbi këtë bazë është përpunuar ideja e Planit Inteligjent (PI, angl. intelligent design), besimi që jetën e gjallë, ashtu si dhe botën e tërë, e ka krijuar Zoti apo një forcë inteligjente e mbinatyrshme dhe se evolucioni darvinian apo seleksionimi natyral është thjesht një shfaqje e jashtme e tij.

Në këtë diskutim midis evolucionit darvinian dhe planit inteligjent, Distrikti Shkollor i Komunës Dover, Rrethi York, Pensilvania, SHBA në Tetor 2004 vendosi që në orën e biologjisë të klasës së nëntë, në trajtimin e temës të krijimit të qenieve të gjalla sipas evolucionit darvinian, mësuesi të shpjegonte edhe Planin Inteligjent, se jeta është aq shumë komplekse për të lindur vetëm në bazë të proceseve natyrore, se një forcë e jashtme, mbase hyjnore, duhet të ketë luajtur një rol të qenësishëm në krijimin dhe zhvillimin e jetës së gjallë.

Mësuesit e Biologjisë refuzuan praktikisht ta bënin këtë plotësim, u përpoqën pa sukses t’ia lënin si detyrë ndonjë ndihmësi, dhe më në fund 11 prindër menduan ta zgjidhnin këtë situatë në mënyrën amerikane: duke iu drejtuar gjyqit.

Gjyqi i bujshëm u zhvillua në fund të 2005 nga gjykatësi federal John E. Jones me prirje republikane, frekuentues i rregullt i kishës, i emëruar në detyrë nga Presidenti republican Xhorxh W. Bush. Ishte një gjyq i veçantë, sepse vinte në diskutim Planin Inteligjent dhe raportin e edukimit publik me Zotin!

Natyrisht për çështjet kardinale Amerika i drejtohet vetëm Kushtetutës. Amendamenti i Parë i Kushtetutës  deklaron: “Kongresi nuk nxjerr ligje për vendosjen [ngritjen-S.D.] e një feje apo për ndalimin e ushtrimit të lirë të saj…”

Si duhej atëherë të trajtohej nga shkolla publike Plani Inteligjent? Sipas Kushtetutës, në se Plani Inteligjent plotëson mendimin shkencor, ai mund të reflektohej në edukim shkollor. Por, nëse PI është pjesë arsyetimi e një feje çfarëdo, Amendamenti i Parë i Kushtetutës e përjashton nga kurrikula e një institucioni publik siç është shkolla. Nga një çështje e thjeshtë e planit mësimor, trajtimi i PI u kthye në një problem kardinal: si duhet ta trajtojë shkolla problemin e ndikimit të Zotit në kuadrin e shkencës darviniane.

Përfundimisht pas 6 javësh diskutimesh të gjata, më 20 Dhjetor 2005 gjykatësi jep vendimin.

Plani Inteligjent nuk është një teori shkencore pasi dështon në tre drejtime:

(1) duke aktivizuar dhe përdorur shkakësinë mbinatyrore PI bie ndesh me rregullat bazë shekullore të shkencës dhe evolucionit darvinian,

(2) ideja qëndrore e tërësisë unike dhe e pazbërthyeshme e PI-së përdor të njëjtin pseudodualizëm të palogjikshëm e plotë të meta.

(3) Sulmet e qëllimshme të PI ndaj evolucionit janë hedhur poshtë nga komuniteti shkencor. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se PI ka dështuar në orvatjen për t’u pranuar nga komuniteti shkencor, nuk gjen vend në botimet shkencore, as nuk ka qenë objekt testimi dhe kërkimi shkencor. Argumentet e ekspertëve vënë në dukje se, që nga revolucioni shkencor i shekujve 16 dhe 17, shkenca shpjegon fenomenet natyrore duke u mbështetur vetëm në kërkimin e shkaqeve natyrore.

Vendimi përmend disa oponentë që argumentojnë se është më mirë që studenti të njihet me idetë e Planit Inteligjent. “Kjo taktikë, shpjegon vendimi, është, në rastin më të mirë e pasinqertë dhe në rastin më të keq një gënjeshtër, sepse qëllimi i Planit Inteligjent nuk është të inkurajojë mendimin kritik, por të nxisë një shtjellim që do të çonte në zëvendësimin e teorisë evolucionare prej Planit Inteligjent”.

Kështu sipas vendimit gjyqësor Plani Inteligjent është komponente e një feje dhe si i tille nuk mund të shtrihet në edukimin publik, pasi sipas Amendamentit të Parë të Kushtetutës Amerikane zyrtarët e shkollave publike nuk mund të predikojnë ose promovojnë besime fetare tek nxënësit!

BIG BENG

Materializmi klasik e përfytyron universin të pafund në kohë dhe hapësirë, në një monotoni pa moment krijimi e pa kufi e për këtë arsye nuk e njeh idenë e krijimit dhe ndikimit të jashtëm prej Zotit.

Përkundrazi, fetë i referohen krijuesit të gjithësisë, forcës që e mendoi dhe realizoi shpërthimin e madh, -Big Bengun. Vjen mjaft interesant fakti që në shkencën moderne pranohet dhe studiohet mbi një material mjaft të bollshëm dukuria e një shpërthimi gjigand “krijues” 13.7 miliard vjet më parë, i cili na jep sot këtë univers të kufizuar e dinamik që na rrethon. Atëherë pa hezitim na paraqiten në përballje ideja e Zotit krijues të gjithësisë dhe idea e shpërthimit të madh që shkenca studion sot!

Stephen Hawking është një nga astrofizikanët më të njohur të shkencës moderne.

Në librin tij “A Brief History of Time”, ai përmend që në një konferencë të Vatikanit të vitit 1981 mbi Kozmologjinë Papa Gjon Pali II shprehet se “është  normale të studiohet evolucioni i universit pas Big Bengut, por ne nuk duhet të hetojmë vetë Big Bengun sepse ai ka qenë momenti i Krijimit dhe rrjedhimisht vepër e Zotit.”

Në fakt shprehja e saktë e Papa John Paul II ka qenë: “Çdo hipotezë shkencore për origjinën e botës, si p.sh. ajo që thotë se ekziston një atom bazë nga i cili rrjedh i gjithë universi fizik, e lë pa përgjigje problemin në lidhje me fillimin e universit. Vetë shkenca nuk mund ta zgjidhë një problem të tillë.  Kjo kërkon njohuri njerëzore që ngrihen mbi ato fizike, astrofizike, njohuri që ne i quajmë metafizike; ajo që lypset është mbi të gjitha dija që vjen nga zbulesa e Zotit.”

Për ta bërë më të kuptueshëm problemin le të quajmë moment zero të kohës momentin e shpërthimit të madh. Kohën që vjen duke u shtuar ta shtrijmë në boshtin e kohës pozitive që nis nga momenti zero i shpërthimit. Papa Voitila thotë se, në se fenomenet që zhvillohen në kohën pozitive pas shpërthimit të madh mund të studiohen nga shkenca, dukuritë e kohës para shpërthimit, përfshi dhe momentin zero të shpërthimit, janë punët e Zotit dhe i shpjegon feja.

Duke u nisur prej viteve 80-të, Hawking e studioi Big Bengun matematikisht në përputhje me arritjet e astrofizikës dhe fizikës në përgjithësi. Përveç të tjerash, ai donte t’u përgjigjej ideve të shtjelluara nga Papa John Paul II. Më në fund Hawking arrin në hipotezën shkencore që sqaron se universi i zgjeruar me kohë do të rimblidhet prapë, duke u ngjeshur drejt një pikë të vetme. Por shkenca e Relativitetit të Përgjithshëm vërteton se ngjeshja e masës në një zonë  gjithnjë e më të vogël, gradualisht ngadalëson ritmin e kohës, shkon duke ndaluar fare, cik çastin zero, për të shpërthyer më pas në një Big Beng të ri e në një shtjellim të ri kohor të universit! Universi hapet e mblidhet si një tullumbace që thuajse nuk e prek momentin zero e aq më tepër kohën negative. Për Hawking kjo është një paraqitje materialiste e zhvillimit të universit, që lë kështu jashtë shpjegimit ndikimin e qenësishëm të krijuesit apo të një force jo materiale. Universi materialist monoton i lë vendin një universi materialist monoton-pulsues që nuk ka nevojë të krijohet.

Jeta dhe vendi i njeriut në këtë univers janë tmerrësisht të papërfillshëm, por mendja e tij ka forcën ta përfytyrojë, ta skicojë jetën e këtij universi dhe të arrijë deri në njohjen e shpërthimi “krijues”. Asnjë njeri nuk ka për ta parë tërësinë e zhvillimit të këtij procesi miliarda-vjeçar, por secili është i lirë të pranojë shpjegimin biblik, ose, në të kundërt, të pranojë, për shembull, astrofizikën e gjeniut Stephen Hawking që e trajton Big Bengun si një dukuri krejt natyrore.

Fitimi i vetëdijes primitive nga njeriu i lashtë ka nisur me pranimin se ka një zot, një forcë të mbinatyrshme që e ka krijuar atë dhe gjithçka shihet. Më vonë kjo përshtypje haset në librat e shenjta. Me fitimin e vetëdijes, pra me përparimin e dijeve shkencore, kozmologët kanë shpjeguar natyrshmërinë e dukurive, duke modifikuar ose duke kundërshtuar kështu forcën e zotit dhe të fesë.

Skema që e ka krijuar njeriu Zotin apo Zoti njeriun, të kujton skemën formale logjike: bën veza pulën apo pula vezën. Çdo njeri është i lirë të njohë dhe të pranojë variantin më bindës për të: (1) Zoti ka menduar dhe ka ndezur Big Bengun, ose, (2) kjo është thjesht një dukuri natyrore shpjeguar gjithnjë e më mirë nga shkenca.

Po të jetë për astronominë si lëndë në shkollën e mesme amerikane, varianti “Zoti shpërtheu Big Bengun” është një variant fetar i papajtueshëm me Amendamentin e Parë të Kushtetutës dhe si i tillë nuk ka vend në kurrikulën e shkollës publike. Ashtu si dhe Plani Inteligjent.

(c) 2024 Spiro K. Duka. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Shënim: imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney. Imazhi ilustrues në tekst me Dalle.3.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin