Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji

TË THËNA E TË PATHËNA NË NJË BISEDË TELEVIZIVE

nga Bardhyl Demiraj

Isha edhe unë i ftuar në një bisedë në emisionin ADN (RTSH) që drejton kolegu Ilir Yzeiri, e cila u transmetua në mbrëmjen e datës 07.04.2024. E pranova me dëshirë, jo vetëm në shenjë solidarizimi me kolegët dhe miqtë e mi Ardian Vehbiu dhe Aristotel Spiro, që ishin ftuar më parë, por edhe si mbështetje sado e brishtë e një emisioni televiziv shqiptar, i cili synon të emetojë prurje intelektuale që i thërrasin ende arsyes. Prashtu, lexuesit të Peizazheve i bëhet tash më se e qartë se edhe kjo bisedë tematizonte ‘turbologjinë’, një dukuri kjo aspak e re në mjediset intelektuale shqiptare e në botë, porse për nga përmasat e përhapjes dhe të brutalitetit që ka marrë ndërkohë, rrezikon të shndërrojë injorancën dhe papërgjegjësinë morale në një epidemi të pashërueshme të kulturës dhe shkencave kombëtare shqiptare. E kjo për disa arsye:

  1. Padija dhe injoranca kanë krijuar ndërkohë strukturat e tyre administrative me të ashtuquajturën “Akademi alternative” dhe programe të vetat gjoja patriotike-kombëtare e me synimin ideologjik afatgjatë për futjen e padijes dhe të injorancës në tekste alternative të arsimit shkollor në të gjitha nivelet, madje edhe në atë universitar e të kërkimit akademik;
  2. Janë mediet televizive (sot për sot ndoshta vetëm sosh private) që me sa duket kanë rënë në ujdi me padijen dhe injorancën intelektuale në kohën tonë, duke u vënë në garë me njëra-tjetrën, se cila fiton ekskluzivitetin në emetimin e tyre qoftë në radhët e teleshikuesve, qoftë edhe, madje sidomos, në rrethe që ndjekin emisionet e tyre në rrjetet sociale të internetit, meqë me to arrijnë edhe një numër të konsiderueshëm ndjekësish me pëlqyer lart.
  3. Të dyja këto instanca lejojnë dhe frymëzojnë qoftë edhe tërthorazi rrugaçëritë e turbologëve që përdhosin me to trashëgiminë kulturore-kombëtare dhe institucionet shtetërore të mbarështimit të saj, siç është rasti sidomos sjelljet ndaj Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH), sikurse me elitën intelektuale shqiptare, siç është rasti i dhunimit dhe i përçudnimit të bustit të Eqrem Çabejt, i vendosur ky para ndërtesës së ASHSH-së, rreth 100 m vijë ajrore me ndërtesën e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë.

Pa dashur të plotësoj motivimin tim me arsye shtesë, lejohem t’i kumtoj lexuesit, se edhe këto mjaftuan, që biseda të tejkalonte shpejt minutazhin e parashikuar për emisionin në fjalë, andaj po përmbledh në këtë shkrim thukët të thënat e sidomos të pathënat në atë emision, të cilat i kam sistematizuar në disa rubrika që ndërlidhen me njëra-tjetrën, sa vijon:

  1. Turbologjia shqiptare si e tillë

Bartësit e saj në kohën tonë rreken ta përcjellin turbologjinë si ‘shkencë alternative’ që u kundërvihet gjithçkaje të arritur deri sot në shkencat e kulturës kombëtare, sidomos sa i përket hulumtimit të përbërësve themelore që rrokin së bashku matriksin e kulturës etnike shqiptare. Zgjidhjet alternative duket sikur rrudhen në pamje të parë veç dhe vetëm në çështje të origjinës së bashkësisë etnike shqipfolëse e për rrjedhojë edhe të gjuhës shqipe në kohë dhe hapësirë, çështje këto që i mbulojnë ase duhet t’i mbulojnë me rigorozitetin e duhur në aktivitetin e vet institucione shtetërore si ASHSH në Shqipëri apo ASHAK në Kosovë, apo qendrat përkatëse në universitetet e shumta që janë përhapur gjithkund në hapësirën shqipfolëse.

Dua të theksoj këtu kumtin “në pamje të parë”, sepse turbologët i tejkalojnë këto synime, duke u rrekur të japin zgjidhje alternative për çështje nga më të ndryshmet që lidhen deri me zhvillimin e qenies njerëzore e të qytetërimeve në Europë e në botë, të cilat sipas tyre arrijmë të zgjidhim lehtë, në rast marrim në analizë si shkop magjik vetëm gjuha shqipe dhe folësit e saj. Andaj edhe shqipen e përcjellim jo rrallë prej tyre si gjuhë e qendrës, gjuhë kozmike e që nëpërmjet saj zbërthehet gjithçka që ka të bëjë me gjuhët, shkrimet, mbishkrimet deri edhe qytetërimet e lashta e të stërlashta në Europë e në botë, ndër ta edhe ai pellazg, si pararendës i qytetërimit europian e botëror.

Parë nga kjo perspektivë, vështirë se gjen dot ndonjë pikë takimi midis turbologjisë shqiptare dhe shkencave albanologjike të djeshme dhe të sotme qoftë në mjedisin shkencor-intelektual shqiptar ashtu edhe, madje sidomos, në mjediset shkencore albanologjike ndërkombëtare, të cilat bashkëjetojnë nëpërmjet bashkërendimit të punës dhe ndërkomunikimit me njëra-tjetrën.

Ajo çka feks e bie në sy menjëherë në prurjet e turbologëve, është fakti që “shkencave alternative” u mungon jo vetëm metodika dhe sistematika në kërkimin shkencor, por edhe formimi albanologjik e ai intelektual në përgjithësi, andaj synohet në thjeshtimin naiv, deri në mosnjohje, të qerthullit problematik që ngrenë e që përbën vërtet objekt studimi në shkencat e mirëfillta albanologjike. Asnjë pinjoll i sotëm e turbologjisë shqiptare nuk njeh së paku shqipen, sistemin dhe mekanizmat e saj si mjet komunikimi në shoqëri. Ndonjë student i dikurshëm rastësor, sigurisht që mund të ketë sajuar edhe ndonjë diplomë studimi universitar, por kjo nuk është më vendimtare dhe kut matës i të bërit shkencë, sidomos në kushtet e studimeve të kësaj natyre në kohën tonë në hapësirën shqipfolëse.

Pra veçojmë vetëdijshëm si përjashtime të padëmshme do raste episodike në faza të mëparshme në historinë e kulturës shqiptare, siç janë p.sh. prurjet e Spiro Kondës apo Nermin Falaschi-t. Këtu mund të fusim edhe ndërhyrjet në albanologji të Petro Zhejit, i cili mbahet sot, pas gjase pa u kuptuar, si korifeu i shkencave alternative në kohën tonë.

  1. Turbologjia si atavizëm i politikave shtetërore ndaj shkencës

Ndryshe nga rastet episodike të cituara më lart, turbologjia (shqiptare) e kohës sonë rreket të konfigurojë qenësinë e saj si antipod i shkencave albanologjike që mbarështohen nga shteti, duke sendërtuar një gjueti shtrigash kryesisht ndaj ASHSH-së si institucion shtetëror. Kjo rrethanë tejet shqetësuese që stimulohet me ose pa dashje nga mediet televizive shqiptare në hapësirën shqipfolëse përkatësisht me praninë e tyre edhe në rrjetet e internetit, të krijon jo rrallë përshtypjen se po jetojmë e përjetojmë vërtet revolucionin kulturor të tipit kinez të viteve 70-të në shekullin e kaluar, kur gjithçka kulturore-intelektuale u vu në këndin e bodecit të “kllasës punëtore”, bash sipas motos “Shkëncën e bëjnë masat!”.

Shpresën që kjo dalldi antikombëtare nuk do të kaplojë qelizat e shëndetshme të shoqërisë e të kombit e mbështet deri diku rrethana që ajo të paktën sot për sot nuk gjen më përkrahje në politikat shtetërore. Por që rrethanat që përjetojmë sot, në një mënyrë a një tjetër janë promovuar dikur nga politikat sa të djathta aq edhe e të majta qofshin, këtë e dëshmon sistematika e damkosjes dhe sakatimit për 30 vjet me radhë e ASHSH prej partive të pozitës dhe të opozitës, çka ka bërë që ky institucion shtetëror të detyrohet të ndërrojë herë pas here e rast pas rasti gunën e vet strukturore organizative dhe programet e punës së tij.

Që instanca të caktuara shtetërore mund dhe duhet të nxisin sot parandalimin, që vjen me thënë popullarizimin e padijes dhe të injorancës intelektuale nëpërmjet medieve shqiptare, këtë e bën më se të qartë peticioni i fundit i një numri intelektualësh shqiptarë, që shfrytëzuan nëpërmjet tij një mundësi ligjore që u siguron kushtetuta e një vendi demokratik e që synon të bëhet pjesë e Komunitetit Europian.

  1. Linçimi i elitave intelektuale

Turbologët shqiptarë rreken të motivojnë zgjidhjet e tyre alternative, jo thjesht dhe vetëm në konfrontim me trashëgiminë e shëndetshme në shkencat e kulturës kombëtare, por sidomos duke damkosur dhe përçudnuar elitën intelektuale shqiptare si gjoja përçuese e politikave shoviniste dhe raciste të shteteve fqinjë, më saktë si e shitur në masë sidomos te serbi dhe greku, më pak te turku, në mos edhe te Perëndimi. Edhe në këtë rast operohet me metodën e njohur që u zbatua përgjatë revolucionit kulturor të tipit kinez e më pas në kohën e bunkerëve, kur gjithkund e gjithkur përballeshim me agjentët e imperializmit, të revizionizmit dhe të shovinizmit ndërkombëtar.

Shpresën që kjo dalldi antikombëtare nuk do të kaplojë qelizat e shëndetshme të kombit e mbështet deri diku rrethana që ajo të paktën sot për sot nuk gjen përkrahje nga politikat shtetërore. Gjithsesi është vërtet shqetësuese deri tronditëse kur sheh në rrjetet e internetit, se si, në emër të kombit dhe të bashkimit kombëtar përdhoset e përçudnohet elita kombëtare shqiptare prej turbologëve që minojnë çdo lloj politike të mirëkuptimit dhe të bashkëjetesës së shqiptarëve me fqinjët dhe popujt e tjerë të komunitetit europian.

  1. Gënje, gënje, se diçka mbetet!

Në përballjen e tyre me rezultatet e shkencave kombëtare albanologjike, turbologët përdorin si armë kryesore manipulimin dhe gënjeshtrën e informacionit, bash sipas motos “Gënje, gënje se diçka mbetet!”. Dhe vërtet diçka ka mbetur në mëtimet që përcjellin në varg turbologë në ndryshëm, sidomos në ato emisione televizive, ku ftohen. Për shëmbëllzim  dua të tërheq vëmendjen me të ashtuquajturin 93% e fondit të huazuar që gjen ndokush – sidomos turbologu Agron Dalipaj – në “Studimet Etimologjike” të Eqrem Çabejt dhe në “Fjalorin Etimologjik të Gjuhës Shqipe” me autor Kolec Topallin. Për këtë gënjeshtër me brirë është prononcuar shumë herë në shkrimet e tij në PTF Ardian Vehbiu, duke qartësuar si dita në diell se ky person me sa duket as nuk kupton se çdo të thonë “Etimologji” dhe as “Fjalor etimologjik” i gjuhës shqipe, edhe pse kumton gjithkund se ka shkruar e botuar deri sot nja tetë fjalorë të tillë. Kjo specie e veçantë brenda rrethit të turbologëve modernë, sigurisht që njëlloj si ata nuk ka formimin minimal albanologjik, andaj edhe mund të ketë vështirësi në ngjërimin e teksteve albanologjike. Për më tepër ka edhe vështirësi të theksuara në dallimin e huazimeve nga fjalët e vendit në këto vepra. Përndryshe nuk di as të numërojë, meqë e ka deklaruar hapur në mexhlis se nuk ia thekte në matematikë, andaj edhe mësuesit i shkulnin flokët e sot ka mbetur cullak në kokë.

Ose edhe thjesht gënjen dhe mashtron në mexhlis sipas rastit publikun ose lexuesin e thjeshtë. Pa dashur assesi të rrudh sadopak edhe diletantizmin e tij në punët e etimologjisë së gjuhës shqipe, po mjaftohem t’i përcjell lexuesit të PTF-së sa për ilustrim do të dhëna të kësaj natyre që kam nxjerrë gjatë vjeljes së bleut V (shkronjat K, L, LL, M.) në kryeveprën “Studime etimologjike në fushë të shqipes” me autor Eqrem Çabejn, duke i përmbledhur së pari në mënyrë tabelare si vijon:

Të dhënat e rrokura më lart vetëm për një vëllim të veprës madhore të Eqrem Çabejt janë pa dyshim domethënëse për gjithë produktin e punës së tij si gjuhëtari historian më i spikatur në studimet etimologjike në fushë të shqipes. Ato janë gjithashtu edhe një sinor orientues lidhur me përafërinë në rezultate të studimeve etimologjike ndër etimologët e tjerë shqiptarë dhe të huaj që janë marrë dhe merren intensivisht me studimin e leksikut historik dhe bashkëkohor të gjuhës shqipe në kohën tonë. Ato janë po aq domethënëse lidhur me gënjeshtrën, manipulimin e të dhënave dhe mashtrimin që trumbetojnë turbologët në kohën tonë gjatë linçimit të shkencave albanologjike shqptare.

  1. Manipulim dhe sharlatanizëm në emër të diasporës

Jo rrallë mësojmë prej medieve dhe internetit për suksesin e pazakonshëm të njërit apo tjetrit turbolog të diasporës ose qe vjen nga hapësira shqiptare me misionuar në diasporë, ku ia rrëmbyekan tefterët, sapo i nxjerr nga çanta. Të tjerë krenohen se si kanë mbaruar me kaq dhe aq sukses deri disa universitete të botës, se si promovojnë prurjet e tyre në to e se si po ua përkthyekan librat, që shërbyekan si lëndë e parë deri në sofistikimin e programeve të inteligjencës artificiale.

Mediet televizive shqiptare me moderatorët dhe moderatorët e tyre janë bërë në mënyrë qoftë edhe të pandërgjegjshme, por gjithnjë të papërgjegjshme, në zëdhënësit më efektivë të këtij sharlatanizmi të shfrenuar duke u shndërruar në leva manipulimi të mjedisit shoqëror-intelektual edhe në diasporë, sa kohë që emetojnë emisionet e tyre edhe në rrjetet sociale të internetit. Sigurisht e bëjnë këtë gjë me synimin afatshkurtër e dëshirën aspak fatlume për të ngadhënjyer sa sa qindra, në mos mijëra, pëlqyer lart (engl. likes), ndërkohë që mbyllin sytë për sa e sa komente në faqet e tyre, në të cilat është vështirë të dallosh se ku fillon vulgariteti e ku mbaron banaliteti si qëndrim naiv ndaj institucioneve shkencore në dheun amë e të punonjësve dhe specialistëve në to.

Nuk di sa të ndërgjegjshëm janë këta morderatorë, se ata pëlqyer sado të shumtë në numër e ato komente rrëqethëse për çdo njeri që e ka bërë së paku ndonjë klasë shkollë, nuk përfaqësojnë patjetër diasporën shqiptare në kohën tonë, e cila për nga numri e ka tejkaluar ndërkohë popullsinë anase në hapësirën shqipfolëse në Ballkan. Masa më e madhe e saj janë në gjendje të diktojnë manipulimin e medieve dhe sharlatanizmin e turbologëve, anipse nuk gëzojnë dhe kumtojnë të gjithë patjetër admirim ndaj shtetit me aparatin e tij burokratik-institucional.

6. Dy fjalë në përfundim

Në programet e disa medieve shqiptare (ABC, MCN, etj.) kanë hyrë në rendin e ditës promovimet e rezultateve groteske të turbologëve shqiptarë, siç janë sosh mbi shqipen si gjuhë e origjinës, që gjeka mbështetje të plotë në një punim të botuar së fundi në revistën “Science”; më tej se si Homeri kënduaka shqip me harpën e tij; se si Krishti me çetën e tij të apostujve komunikokësh dhe ata ungjillizokëshin shqip; se si Besëlidhja e Vjetër dhe ajo e Re, sikurse edhe liturgjia e krishterë janë shkruar e mbajtur së pari shqip; madje edhe një ungjill i parrokur deri sot në tekstet kanonike të Biblës së Shenjtë, bash ai i Shën Andreas, u ruajtka ende i pacenuar sot e gjithë ditën në Arkivin e Shtetit Shqiptar; se si gjuhët e ndryshme në Europë dhe në botë qenkan gjuhë plagjiate të shqipes; se si edhe toponomastika e shpërndarë në të gjitha kontinentet u shpjeguaka lirshëm dhe bindshëm vetëm me anën e shqipes; etj., etj., etj.

Në përhapjen dhe konsolidimin e kësaj plage shoqërore janë pikërisht mediet televizive që luajnë rol tejet negativ, duke promovuar në emisione të një natyre aspak komike tefterët që nxjerrin dita me ditë turbot e duke përcjellë kështu si konvejer të zezat kombëtare në letër të bardhë, në mënyrë që të përfitojnë përkrahës me pëlqyerin lart në rrjetet sociale të internetit. Moderatoreve dhe moderatorëve të emisioneve të kësaj natyre nuk mund t’u falet aspak, kur lajnë duart si Pilati e kumtojnë në çdo fillim emisioni se nuk kuptojnë e marrin vesh gjë në fushat e kompetencës së turbologëve të ftuar, sa kohë që këta i gëzohen vetëm injorancës, gënjeshtrës, mashtrimit dhe manipulimit të shikuesit dhe lexuesit të thjeshtë. Padija nuk mund të shfajësohet me padije, sepse është pikërisht ajo që i hap udhë sharlatanizmit në përmasa gjithëkombëtare. I vini gishtin kokës sa s’është vonë!

(c) 2024 Bardhyl Demiraj. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Shënim: imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin