Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

MODELIMI I NGJIZJES SË FJALËVE

nga Albert Riska

(një çerdhe fjalësh shqipe me burim të përbashkët dhe skema e përftimit)

Nisur nga gjykimet e etimologëve, mund të pranohet se fjalët shqipe me, (ndër)mjet, mes, mot, moshë, muaj, mat/mas, madje edhe i madh, shfaqin lidhje etimologjike midis tyre.

Dhe, në fakt, një analizë e përbërësve semantikë të përmbajtjes së tyre nuk do të pengonte që ato të supozoheshin si përbërëse të një çerdheje fjalësh me lidhje etimologjike, veçse, dallimet fonematike do të kërkonin detyrimisht shpjegimet e nevojshme.

Normalisht, nga njëra anë do të duhet të shpjegohen diferencat që vihen re në zanoren rrënjore dhe, nga ana tjetër, do të duhet të përligjen dallimet në bashkëtingëlloren tematike të fjalëve.

Përsa i përket dallimeve në zanoren rrënjore të temave, ato nuk do të mund të shpjegoheshin veçse si zhvillime të shkallëve të ndryshme apofonike që janë zbuluar faktikisht në masë të mirë edhe nga rindërtimet etimologjike të deritanishme.

Për bashkëtingëlloret tematike mund të vihet re se nga analizat etimologjike do të evidentoheshin dy arsye që kanë krijuar diferencat: normalisht, njëra, në analizë të nivelit të parë, që ka të bëjë me zhvillimet fonetike specifike të bashkëtingëlloreve të gjuhës shqipe, kuptohet, edhe thjesht për shkak të rrethimit fonetik, si /t/ > /s/, /s/ > /sh/, /n/ > /j/; dhe tjetra që duhet të përligjet me përdorimin e mjeteve burimore të ndryshme, në rastin tonë *-t-, *-s-, *-n-, -gh-, të cilat i shtohen një leme indoevropiane për formimin e bazave tematike parashqipe, me shumë gjasa ilire.

E rëndësishme që për të gjitha fjalët e çerdhes gjenden përkime perfekte edhe në gjuhët e tjera të familjes.

Kështu, për foljen mat, mas Çabej shkruan se dihet që nga G. Meyeri (f. 262v., AS III 25) e këtej (shih më parë dhe Kamardën I 35), mat bashkë me mot e me moshë është e afër me latinishten mētior “mat”; greqishten metron “masë” metrio “i matur”; gjermanishten Mass “masë”, messen “mat”; lituanishten matju, “mat”; sllavishten e vjetër kishtare m˘era “masë”; indishten e vjetër māti “ai mat” etj.

Për mot “kohë, vit edhe qiell” Çabej shkruan se lidhet brenda gjuhës me moshë e më tej me mat e me muaj, e në fushën indoevropiane në mënyrë të veçantë me lituanishten metas “kohë, mot, vit”, letonishten mets “kohë”; prusishten e vjetër mettán “vit” etj.

Për mjet Çabej pranonte, pas Joklit, se, si fjalë më vete e te kompozitat midis e mjedis, lidhet përbrenda shqipes me mes e me parafjalën me, më tej me ilirishten metu‑ “mes” në kompozitën Metubarbis Metubarris “ndër këneta”, emri i një ishulli të Savë të poshtme, dhe në lëmin indoevropian me latinishten medius, greqishten μέσ(σ)ος “i mesmë, mesatar”, gjermanishten Mitte, sllavishten e vjetër kishtare me˘zda, indishten e vjetër mádhyas “medius” etj.

Normalisht mund të themi se fjalët shqipe me, (ndër)mjet, mes, mot, moshë, muaj, mat/mas dhe i madh mund të bashkohen për nga burimi te lema e supozuar indoevropiane *me-.

Në këto rrethana mund të organizohet një skemë fjalëpërftimesh.

Pra, lemës së përbashkët indoevropiane *me- do t’i shtoheshin bashkëtingëlloret tematike –t, –s, –n, -gh dhe do të kishim:

Lema indoevropiane *me-

  • trajta tematike *me-t-
  • trajta tematike *me-s-
  • trajta tematike *me-n-
  • trajta tematike *me-gh

dhe për secilën prej tyre mund të supozohen disa shkallë vokalike, si:

  • *me-t-, *mē-t-, *mo-t-, *mō-t, apo edhe *ma-t;
  • *me-s-, *mē-s-, *mo-s-,*mō-s-,*ma-s-;
  • *me-n-, *mē-n-, *mo-n-,*mō-n-,*ma-n-;
  • *me-gh-,*mē-gh-, *mo-gh-, *mō-gh-, *ma-gh-.

Nga zhvillimet e mundshme të tyre në përputhje me normat e zhvillimit fonetik të gjuhës shqipe do të kishim:

nga trajta tematike *me-t-

  • me shkallë vokalike normale *me-t- do të prisnim fjalët mjet e mes;
  • me shkallë vokalike të zgjatur *mē-t- do të prisnim fjalën mot;
  • me shkallë vokalike cilësore *mo-t- do të prisnim fjalën mat/mas;
  • me shkallë vokalike cilësore të zgjatur *mō-t- do të prisnim fjalën mes;

nga trajta tematike *me-s-

  • me shkallë vokalike /e/ të gjatë, *mē-s-, do të prisnim fjalën moshë;

nga trajta tematike *me-n-

  • me shkallë vokalike /e/ të gjatë, *mē-n-, do të prisnim *mon-, nga ku fjala muaj;

nga trajta tematike *me-gh

  • me shkallë vokalike /o/, *mo-gh-, apo me /a/, *ma-gh-, do të prisnim i madh.

 

Tabela e fjalëpërftimeve

Lema indoevropiane *me-

Shk. apofonike Lema e modifik Zhv. parashq. Zhv. shqipe Fjalë shqipe
Shkalla   /e/     *me-t-/-s/-n /e/>je, /t/>/s/ mjet, mes
Shkalla   /ē/     *mē-t-/-s/-n/-gh /ē/ > /o/ /s/>/sh/,

/o/>ua, /n/>/j/

mot, moshë,

muaj

Shkalla   /o/     *mo-t-/-s/-n/-gh /o/ > /a/

/gh/ > /dh/

/t/ > /s/ mat/mas

i madh

Shkalla   /ō/     *mō-t-/-s/-n/-gh /ō/ > /e/ /t/ > /s/ mes?

 

Është për t’u vënë në dukje se nga një hetim i thjeshtë në kolonën e tabelës që përmban fjalët shqipe mund të evidentohet fakti se midis fjalëve mund të lexohen qëndrojnë raporte fonetike sipas dy rrafsheve të ndryshme që po i emërtojmë konvencionalisht rrafshi vertikal dhe rrafshi horizontal.

Në rrafshin vertikal mund të shihet se nga lema me bashkëtingëllore tematike -t, *me-t-, janë përftuar minimalisht tri fjalë, sipas tri shkallëve të ndryshme apofonike të zanores rrënjore, mjet/mes, mot dhe mat/mas; ndërsa në rrafshin horizontal mund të shihet se nga lema me shkallë vokalike të gjatë /ē/, *mē-, janë formuar tri fjalë të ndryshme, sipas tri mjeteve të shtuara tematike mot, moshë, muaj.

Në përfundim do të thoshim se gjuha shqipe ka një bazë të qartë indoevropiane dhe mund të ndihmojë, edhe me pak fjalë, për njohjen e hershmërisë së familjes.

 

© 2023 Albert Riska. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.

3 Komente

  1. Nëse fjalët i shohim nga këndvështrimi i parimit morfologjik (pa injoruar parimin fonetik, me të cilin operon prof. Riska), shohim se disa nga fjalët e më sipërme ndahen në kuptime edhe më të vogla.
    Koncepti MASË në të shquarën MASA tregon se sa njësi unike ka një lëndë. Kështu masa në litra e një ene apo masa në peshë e saj tregon se sa njësi të njohura mban. Ndaj kemi:
    MASA = MA SA < SA MA = SA M(b)A.
    Përndryshe masa tregon:
    MbA SA? = MA SA = SA M(b)A?
    Në gegnisht kemi MA për MbA = mba(j).
    A nuk tregohet me konceptin MASA se SA MA (SA njësi MbAn brenda saj një lëndë?).

    Le të kthehemi te etimologjia e fjalës MJET, në kuptimin MJET = (ndër)MJET= MES. Këtu do do merrja në konsideratë edhe gr. μεσα = MESA e që në shqip ka kuptimin [brenda]. Ne mund të themi kuptimisht se ajo që ndodhet (ndër)MJET dy gjërave mund të quhet se është [brenda] hapësirës së dy gjërave. Ndaj gr. MESA (brenda) ≈ ndërMJET = në MES = MIDIS = Më-DY-Z (sh:s).
    Mjafton metafonientizmi s:t (si te masë : matë) dhe kemi që greqishtja
    MESA = META = MË TA = MË Të A = MË Të Asht = asht brenda = brenda.
    Nga logjika e mësipërme shohim se fjala shqipe MJET në kuptimin (ndër)MJET, pozon:
    MJET = M-JE-T = Më JE Të = JE Më Të = je brenda = je brënda dy a disa gjërave = është midis.
    Nga sa fjala MJET në kuptimin ndërMJET ngjan me fjalën MJET (vegël pune) edhe pse kanë të njëjtën formë, shënojnë realie të ndryshme, porse mund të themi me bindje se kemi të bëjmë me një homonimizëm pasi mjeti (vegla) ndodhet midis, (ndër)mjet, përmidis subjektit (përdoruesit të mjetit) që mban veglën e punës dhe objektit të punës. Kështu kazma është një MJET (vegël) që ndodhet (ndër)MJET njeriut e tokës që ai punon.

    Përsa MJETi ia lehtëson punën njeriut, gjuhësisht, me metafonientizmin j:l (si te ujk : ulk), fjala pozon edhe:
    MJET
    MLET ≈ M'LE(h)T = Me LE(h)T(ësu) punën.
    M'LUT = Me LU(j)T.
    Në greqisht mjetin e quajnë ergalio = erg-lu = e-ngj-lu = e lu gjënë = ME LU(j)T.

    Me logjikën se e vërteta e fjalës ndodhet brenda fjalës e brenda çdo fjale, ne mundemi të harmonizojmë të dy parimet etimologjike (morfologjik e fonetik) dhe të gjejmë etimologjinë e origjinën e fjalëve.

  2. Prania e fonemës [m] brenda çdo fjale nuk është për arsye fonetike se sa për shkaqe morfologjike. Fjala shpreh kuptim dhe artikulimi i saj vjen pas një logjike të lidhjes së formave minimale kuptimore për të ndërtuar e shprehur një koncept.
    Kur hasim një fonemë [m] brenda një fjale, ajo mund të kamuflojë një trajtë të shkurtër të përemrit, një përemër, një ndajfolje, një parafjalë, një pronor, një folje etj.
    Te fjala MAL e hasim si ndajfolje sasie të gegnishtes MA-AL = MA-ALT dhe e barasvlefshme me trajtën MA-LA që e gjejmë edhe te trajta MALAs.

    Te fjala MAGNET fonemën [e gjejmë brenda foljes [ma] = mba të gegnishtes dhe dhe gjuha me fjalën magnet emërton një funksion:

    MA-N-NGJIT = MA GJë’Në’Të =
    MbA Gjë Në Të =
    Ma G’ Ne T = MAGNET.

    Te folja LUTEM, që tregon aktin e përuljes ndaj dikujt, anagrama na jep:
    LUTEM > METUL = ME T’U UL ose ME T(ë) UL. Në këtë rast, pjesëza [me] është parafjalë dhe është ngjizur brenda në konceptin (fjalinë) gegnishte “me t’u ul”, ku brenda saj kemi katër kuptime minimale (embriomorfe) që formojnë një koncept, të cilin e hasim të anagramuar në trajtën e foljes [lutem].

    Te fjala MJESHTËR, që pranohet si e prejardhur në shqip prej italishtes, etimologjia na tregon të kundërtën. Në rumanisht fjala gjendet në trajtën MAESTRU. Dihet se mjeshtër bëhet ai / ajo që është MA i/e USHTRU, ndaj shqipja pozon:
    MA e USHTRU =
    MA E SHTRU =
    MA E STRU = MAESTRU > MAESTRO.
    Por shqipja pozon edhe drejtpërdrejt:
    MJESHTËR =
    Ma-JE-SHTRU = Më JE SHTRU = Je SHTRUar (ushtruar) Më në një profesion = Më JE SHTRU = MJESHTËR > MAESTRO > MAESTRU.

    Kuptimet e mësipërme nuk i nxorra nga kutia e prestigjatorit. Ato ekzistojnë si “materie” ngjizëse brenda çdo fjale dhe injorimi i tyre e ka bërë etimologjinë krahasuese një shkencë që nuk e gjen kurrë më etimologjinë e fjalës.

    Konceptet gjuhësore (fjalët) janë përgjithësisht fjali embriomorfesh të ngjizura në një proces sipas një forme logjike matematikore, ku veprojnë gjithë rregullat e ndryshimet fonetike të njohura (parimi fonetik) që e sjellin fjalën në formën e klishesë gjuhësore siç e njeh gjuhësia konvencionale e sotme.
    Mjeshtëria e etimologut është, që duke njohur e zbatuar në regres ndryshimet fonetike, ta sjellë fjalën në origjinën e saj kur ishte një fjali e papërngjitur embriomorfesh që ka të njëjtën semantikë me klishe-konceptin që njohim sot si të pazbërthyeshëm në mofemën e tij.

    1. Si administrator, ju lutem kufizojini sa më shumë këto lloj komentesh në faqet e revistës. Nuk e kanë vendin këtu. Këtu mund të komentoni për shkrimin përkatës, por gjithnjë pa e kaluar MASën.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin