Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Antikitet

PELLAZGËT NË MIT DHE DIJE

(përsiatje)

Edhe pse tashmë e vjetruar dhe e kthyer në mit edhe brenda vetë albanologjisë, teoria e prejardhjes pellazgjike të shqipes dhe të shqiptarëve vazhdon të ngacmohet herë pas here nga studiues amatorë dhe pseudologë. Kjo hipotezë prejardhjeje nuk mund të përjashtohet megjithatë krejt, sa kohë që edhe pre-historia e shqiptarëve mbetet e mbështjellë me mjegull, edhe natyra dhe ekzistenca e pellazgëve vetë mbeten të paqarta.

Ndryshe nga pellazgët, popull gjysmë mitik me mbetje që mund të qëmtohen vetëm tërthorazi, ilirët dhe trakët janë dy popuj indoeuropianë, që kanë jetuar me siguri në Ballkanin e lashtësisë. Prejardhja e shqipes nga një dialekt ilir dhe e shqiptarëve nga një fis ilir i paromanizuar u patën pranuan përgjithësisht nga dija në Europë, në bazë argumentesh të përgjithshme – sa kohë që ilirishten si gjuhë ende nuk e njeh kush (gramatikën, leksikun, etj.). Në mënyrë të ngjashme u pat vepruar edhe për hipotezën trake – sa kohë që edhe trakët kanë qenë rrotull gjatë sundimit romak të Ballkanit. Edhe pse ilirishtja dhe trakishtja mbeten gjithashtu madhësi të panjohura, hipotezat përkatëse të prejardhjes e ruajnë një farë legjitimiteti, të bazuar në dijen indoeuropiane; sidomos në rrethanat kur natyra indoeuropiane e shqipes është konfirmuar, njëlloj si edhe e ajo e ilirishtes dhe e trakishtes.

Çfarë e dallon hipotezën pellazge, nga këto dy të tjerat, është se ajo nuk kënaqet me vijueshmërinë indo-europianë > ilirë > shqiptarë (ose anasjelltas, indo-europianë > trakë > shqiptarë, etj.), por mëton të përfshijë një element të ri, më të lashtë në ekuacion: pellazgët.

Tani, për pellazgët dimë edhe më pak se ç’dimë për ilirët – por mendimi mitologjik ka aftësinë që ta shndërrojë mosdijen në forcë; meqë hipoteza e prejardhjes nga një entitet i panjohur vërtet nuk mund të konfirmohet, por njëherazi edhe nuk mund të përgënjeshtrohet. Merita e hipotezës pellazgjike, në raport me atë ilire, është se e vendos shqipen dhe rrënjët e saj në një prerje kohore edhe më të lashtë – duke i nxjerrë shqiptarët më të lashtë se grekët e vjetër në Ballkan.

Tek e fundit, a nuk mbaheshin pellazgët, prej historianëve të Greqisë së lashtë, si pararendës të grekëve?

Karakteristikë kryesore e pellazgëve dhe pellazgjishtes është lashtësia e madhe; ose më saktë, aftësia për të qenë më të hershëm se çfarëdo gjymtyre tjetër të ekuacionit parahistorik në Ballkan. Kjo do të thotë se prejardhja e shqipes dhe e shqiptarëve nuk po shpjegohet në mënyrë racionale, por vetëm brenda një sistemi të tillë abstrakt, që synon t’i vëjë edhe shqipen, edhe shqiptarët, në fillim të gjithçkaje.

Sikurse dihet, ka më se dy shekuj që historia e gjuhëve në Europë dhe gjetiu studiohet me metodën krahasuese, e cila ka shpënë edhe në formulimin e hipotezës indo-europiane, sipas së cilës shumica e gjuhëve në Europë dhe një pjesë e atyre që fliten në Azi e kanë prejardhjen nga një gjuhë e përbashkët: indoeuropianishtja, e cila mund edhe të rindërtohet, deri në një farë shkalle.

Por teoria pellazgjike në formën e saj klasike (filologjike) nuk pajtohet aq lehtë me hipotezën indoeuropiane, sa kohë që natyra indo-europiane e pellazgëve nuk është konfirmuar, përkundrazi (njëlloj siç nuk është konfirmuar natyra jo-indoeuropiane e tyre). Kjo do të thotë se pellazgët, nëse kanë ekzistuar si popull i mirëfilltë dhe jo si një variabël për gjithçka paragreke në Ballkan dhe në Egje, mund të kenë qenë indo-europianë, por mund edhe të mos kenë qenë. Prandaj interesi i kulturës shqiptare për këtë popull, pellazgët, lidhet drejtpërdrejt me natyrën e tij mitike; ose përtej së vërtetës dhe përgënjeshtrimit.

Filologët e letërsisë antike i njihnin mirë referencat kaotike ndaj pellazgëve dhe gjuhës së tyre, në kulturën greke të lashtë, ku këta përmendeshin ose si të parët e grekëve, ose si popullsia vendëse që kishin gjetur grekët kur kishin ardhur në trojet e tyre, ose si fise të prapambetura dhe të pagdhendura, që ende mbijetonin në zonat e thella të Greqisë. Por ishte një dijetar arbëresh, Ëngjëll Mashi, dhe një gjeograf frëng, me origjinë daneze – Conrad Malte-Brun-i – që filluan të përsiatin një lidhje mes pellazgëve mitikë dhe origjinës së hershme të shqiptarëve. Këtë hipotezë e konsolidoi pastaj Johann Georg von Hahn-i, në Studimet shqiptare të vitit 1854. Hahn-i ishte i pari që specifikoi se pellazgjishtja, si gjuhë e pellazgëve, nuk ishte ndonjë variant i greqishtes, por diçka tjetër, mbase edhe më e lashtë.

Noel Malcolm-i ka shkruar se funksioni parësor i teorisë pellazgjike për lëvizjen kombëtare shqiptare në fillim të shekullit XX ishte konsolidimi i një pretendimi për përparësi – dhe veçanërisht, për përparësi ndaj grekëve, çfarë kish të bënte drejtpërdrejt me autoktoninë dhe disputet territoriale me Greqinë. Versioni arbëresh-shqiptar i teorisë pellazgjike i nxirrte grekët modernë edhe si pasardhës të “shqiptarëve” të lashtë, edhe si të ndryshëm prej këtyre.[1]

Ky interes i kulturës shqiptare për pellazgët, i cili në forma të ndryshme vazhdon edhe sot, nuk duhet ngatërruar me interesin e indoeuropianistëve të shekullit XX, për pellazgjishten dhe marrëdhëniet e saj me greqishten e vjetër. Një numër studiuesish, mes të cilëve Georgiev dhe Van Vindekens, u përpoqën të heqin paralele dhe të vendosin lidhje midis shtresës jo-greke në leksikun e greqishtes së vjetër (përfshi këtu edhe toponime) dhe një gjuhe të substratit, ose alternativisht të adstratit, e cila ia pat dhënë ato fjalë greqishtes në periudha para-historike; për lehtësi, këtë gjuhë e kanë quajtur “pellazgjishte”, edhe pse, siç e ka specifikuar mes të tjerësh edhe Van Vindekens vetë, terma të tillë si “pellazgë” dhe “pellazgjishte”, në hulumtimin e shtresës jo-greke, para-greke të leksikut të greqishtes së vjetër, nuk kanë të bëjnë me kuptimin e këtyre fjalëve në tekstet e autorëve grekë të vjetër. Në kuptimin praktik, që edhe na intereson këtu, ata që u përpoqën të përshkruajnë karakteristikat e asaj gjuhe që i parapriu greqishtes së vjetër, në trojet ku kjo u shfaq në (proto-)histori, i përdorën ato terma vetëm për lehtësi (konveniencë).[2] Sot këto përpjekje shihen si të pasuksesshme, dhe interesi për kontaktet para-historike të greqishtes me gjuhë dhe kultura të tjera është zhvendosur drejt Azisë së Vogël.[3]

Në formën e vet klasike, teoria e prejardhjes pellazgjike të shqiptarëve gjen mbështetje, tërthorazi, në teorinë e lidhjeve midis shqipes dhe etruskishtes, të mbrojtur nga disa autorë, mes të cilëve edhe etruskologu Mayani. Siç mund të merret me mend, etruskishtja – kjo gjuhë e folur pak a shumë në Toskanën e sotme – mbetet edhe ajo e panjohur; mbishkrimet e shumta etruske lexohen (sepse janë me alfabet latin) por nuk interpretohen dot; përgjithësisht dijetarët kanë pranuar se etruskishtja nuk ka qenë gjuhë indo-europiane.

Qartazi, edhe pellazgjishtja, edhe etruskishtja, i përkasin një rrafshi të kithtë, në raport me atë të lidhjeve dhe prejardhjes indoeuropiane të shqipes.

Karakteristikë edhe e pellazgjishtes, edhe e etruskishtes, është se të dyja janë jo vetëm të panjohura, por edhe e sidomos se janë më të hershme (këtu krahasimi duhet marrë në sensin paradoksalisht absolut: më të hershme se gjithçka tjetër me të cilën krahasohen). Që këtej vjen fare i lehtë kalimi, ose rrëshqitja tek teoria tjetër, këtë herë mitike, se shqipja është “gjuha më e lashtë në Europë”, ose “gjuhë unike”, etj. (“gjuhë kozmike”, “gjuhë mesianike”); e cila e kundërshton haptazi kornizimin indo-europian dhe konceptin e familjeve të gjuhëve.

Madje, madje, as pellazgjishtja as etruskishtja nuk duhen, për të arritur te ky unicitet i origjinës – mjafton shprehja në dukje e pafajshme, se shqipja është “gjuha më e vjetër në Europë”, për ta nxjerrë këtë gjuhë nga raportet me gjuhët e tjera, duke e vendosur në burimin e tyre. Ashtu, edhe pellazgjishtja, edhe etruskishtja rrjedhin prej shqipes.

E gjithë kjo lëvizje mendimi synon ta shtyjë origjinën e shqipes përtej, derisa relativja të shndërrohet në absolute; dhe vetë shqipja të riparaqitet si një objekt që i paraprin Big Bang-ut indoeuropian, çka do të përligjte edhe irracionalitetin e çdo teorie ose hipoteze të prejardhjes.

Asgjë shkencore nuk ka në këtë mes; sa kohë që kemi të bëjmë me një lloj doktrine mitike, e cila nuk lëviz nga e njohura drejt së panjohurës, por në kah të kundërt – nga e panjohura drejt së njohurës. Madje këtë lloj gjakimi albanologjik mund ta quanim, të paktën në format e veta të kulluara, si një lloj okultizmi; sepse ai nuk kërkon njohjen, por adhurimin e së panjohurës, në trajtat e së panjohshmes.

Nga pikëpamja tipologjike, mistifikime të tilla u ngjajnë teorive të komplotit, të cilat me përkufizim shtresohen mbi një thelb të paverifikuar, ngaqë të paverifikueshëm. Dëshira nuk prodhon dot logos, por vetëm mythos.

Diçka të ngjashme gjejmë në teoritë e etnogjenezës, të cilat kombinojnë të dhënat e historisë së gjuhës me ato të arkeologjisë. Kështu, shumë prej albanologëve vendës që rrëmojnë në vendbanimet parahistorike, të neolitit e të paleolitit, e kanë të pamundur të gjejnë gjë tjetër, veç vijueshmërisë – çka u shërben pastaj për të provuar autoktoninë.

Ndonjë skeptik këtu do të thoshte se ata gjejnë atë çfarë kërkojnë; po të kërkonin ndërrueshmëri, do ta kishin gjetur edhe atë. E megjithatë, të vërejmë si edhe në këtë fushë të dijes albanologjia patriotike priret ta shpërfillë, në mos ta sfidojë, hipotezën indoeuropiane dhe përkatësinë e shqiptarëve në popujt indoeuropianë.

Natyrisht, nuk është e thënë që hipotezat e prejardhjes së shqipes të përkojnë me hipotezat për “prejardhjen e shqiptarëve”; madje, në bazë edhe të së dhënave gjenetike, duket sikur ka më shumë të ngjarë që shqiptarët të jenë autoktonë si “popull”, sesa që proto-shqipja të jetë folur pikërisht në trojet ku flitet sot.

E megjithatë, të gjithë ata që e përjashtojnë “ardhjen” e bëjnë këtë sepse vetëm një teori që e përjashton ardhjen ka aq dinjitet, sa të pranohet si skripturë albanologjike; sepse duke u mohuar ardhja, lihen jashtë – në mënyrë implicite – edhe lidhjet e afërisë me popujt e tjerë, në kuptimin që shqiptarët vijnë e përftohen si popull unik, i pakrahasueshëm – me karakteristika absolute, atje ku të tjerët i kanë, të njëjtat karakteristika, relative.

Kornizimi këtu nuk është racional por mistik.

Sërish, kjo nuk ka të bëjë me dijen, metodën shkencore dhe racionalitetin – është më tepër një lloj sëmundjeje atavike e mendimit, ku përzihet magjia me okultizmin dhe që ka në themel misticizmin, të mishëruar në trajtën e disa “të vërtetave” të pacenueshme.

Kjo patologji, sepse e tillë është, i përgjigjet një nevoje të psikologjisë kolektive të kombit, prandaj vështirë se mund të kurohet thjesht nëpërmjet arsimimit, ose kultivimit të mendimit kritik. Madje edhe sikur të vërtetohej, nesër, se pellazgjishtja ose etruskishtja nuk janë veçse forma të hershme të shqipes; ose që indoeuropianët janë formuar si popull diku në zonën e Matit, kjo nuk do të sjellë si rezultat veçse zhvendosjen e hipotezës së re të radhës drejt një hapësire kohore më të hershme; edhe një herë, krahasimi me Big Bang-un do të ndihmonte për ta kuptuar dukurinë dhe mekanizmin psikologjik që e mbështet.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 


[1] Noel Malcolm, Rebels, Believers, Survivors, Studies in the History of Albanians, kapitulli 12, Myths of Albanian National Identity.

[2] Shih për këtë: D.A. Hester, “Pelasgian” – A New Indo-European Language?Lingua 13 (1965), f. 335-336.

[3] Kjo, edhe pa marrë fare parasysh përpjekjen titanike të Martin Bernalit, për ta rishkruar historinë e marrëdhënieve të Greqisë së Hershme me kulturat semitike, nga Egjipti i Lashtë te fenikasit (Black Athena). Sipas Bernalit, pellazgët ose nuk ishin veçse grekët indoeuropianë origjinalë, para se këta të transformoheshin dhe të akulturoheshin nga kontaktet me Egjiptin (siç lihet të kuptohet në veprat e Eskilit dhe të Euripidit); ose një popull indoeuropian i vendosur në Argos, i kolonizuar dhe, deri diku, i asimiluar kulturorisht nga pushtuesit egjipto-fenikas. Bernali shpjegon edhe se pellazgët kishin imigruar në Palestinë nga Kreta dhe atje njiheshin si filistinë; dhe se vetë emri pelasgoi vjen nga një formë *pelast, për shkak të një gabimi në leximin e T-së fundore si G (greqisht: Γ). Teoritë e Bernalit nuk janë pranuar nga dija.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin