Gerwig goes Mattel, but also Lacan and misses de Beauvoir.
(Ky shkrim përmban spoiler)
nga Irma C.
Marketingu i tejfryrë i filmit blockbuster Barbie që prej prillit të 2022, mbushi plot shpresë shumë feministe, vajza, gra, se më në fund Greta Gerwig po na sillte një komedi të mirë mbi patriarkatin, pasi si mos të na dukej shumëpremtues slogani «She’s everything. He’s just Ken»? Në fakt, javët e para të shfaqjes së filmit u mbushën sallat me sold out dhe xhepat e producente/ëve me të ardhura, duke cilësuar kështu Gerwig si regjisoren grua me fillimin më të suksesshëm të një filmi ndonjëherë. Këtë vit, vetëm Super Mario Bros e ka tejkaluar Barbin me 377 milionë dollarë përkundrejt 337 milionë (Barbie) në fundjavën e shfaqjes së secilit. Por prej pak ditësh Barbie është filmi me të ardhurat më të larta për këtë vit, duke ia kaluar Super Mario Bros, apo Oppenheimer. Në gazeta, revista, rrejtet sociale, shpirtrat feministë u ndanë në pro, apo kundër Barbit. Konservatorët u ankuan me kujë në Twitter se filmi na qenkësh kundër burrave.
Personalisht, përveçse më kishin tejngopur e lodhur sytë të gjitha nuancat e rozës (si gjithçka që është tepër në një moment – jo më kot kemi termin e ri Barbiecore, nga hardcore, kur e ekzagjerojmë me diçka), nuk guxoja të kisha një mendim mbi filmin, që nuk doja ta shihja domosdosmërisht në kinema – sepse mendoj se disa filma fare mirë mund të shihen në streaming pas shfaqjes në kinema. Por. Disa feministe, mendimi i të cilave më është shpesh i vyer, brohoritnin për këtë film blockbuster dhe konservatorët nxirrnin tym, andaj dhe u orvata të shkoj në kinema para disa ditësh. Ishte ende sold out aty ku shkova unë dhe çdokush përveç meje, ishte veshur me çdo nuancë rozë të imagjinueshme. Ulem dhe pi një gllënjkë birrë: isha gati të admiroja matriarkatin hiperbolik e pa komplikime ne botën e Barbit.
Gerwig e fillon filmin me një homazh të 2001: A Space Odyssey: disa vajza të vogla në moshë, të veshura me modën e viteve ’30 luajnë me kukulla në një fushë Kubrickiane. Duket se këto kanë mësuar që në moshë të mitur vendin që u ka caktuar patriarkati: të jenë nëna dhe të kujdesen për shtëpinë. Në momentin kur shfaqet Margot Robbie (në vend të monolitit tek A Space Odyssey) diçka thyhet në universin e vogëlusheve: këto magjepsen prej figurës madhështore të Barbit, era e së cilës fillon këtu, për të ndryshuar diçka përgjithmonë. Barbi është e bukur, perfekte dhe dëshiron të emancipojë vajzat e vogla përgjithmonë[1]. Po a ia del dot? Nëse sot, në 2023 mendojmë për Barbin, të gjithë imagjinojmë kukullën perfekte, tej mase të hollë, bionde, me flokë të gjata dhe me «diçka» rozë. Kjo, edhe përtej faktit që Mattel, që prej vitit 2015 e në vazhdimësi ka prodhuar kukulla të tjera në gamën e diversity[2]. Por kukulla curvy në fakt, vërtet që nuk hyn më në rrobat XXS të Barbit të ashtuquajtur stereotipike ne film, por maksimumi ka një numër rrobash tek M-ja. Duket disi si tallje, apo jo Mattel? Kukullat me sindromën Down, me vitiligo, me protezë në vend të këmbës janë vetëm një pjesë e gamës së Mattel. Vendin kryesor e zë ende sot stereotipikja Barbi. Këtë dominancë e kish vënë re dhe nëntëvjeçarja me ngjyrë Claudia MacTeer, në romanin The bluest eye të Toni Morrison, botuar më 1970: «Adults, older girls, shops, magazines, newspapers, window signs – all the world had agreed that a blue-eyed, yellow-haired, pink-skinned doll was what every girl child treasured.» Pra, kujt i lejohet të jetë Barbi? A nuk është Barbi një fantazi e bardhë? Në Shtetet e Bashkuara pretendohet se imazhi i Barbit është i politizuar që prej Roe v. Wade, andaj dhe ky Barbiecore në këtë mënyrë: por në Europë kjo frymë e politizuar e Barbit nuk arriti kurrë deri tanimë.
Por çka arriti tek unë nëpërmjet filmit, ishte një marketing i pafytyrë, një product placement pas tjetrit (për të evituar të them se ndoshta filmi ishte një product placement tërësisht) – herën e fundit që kontrollova, vëllimi i shitjeve të Birkenstock (shapkat rozë që Barbi zgjedh në vend të këpucëve me taka) kish arritur shifra jo indiferente dhe në shtator kjo ndërmarrje flirton me idenë të futet në bursën e Wall Street-it me një vlerë prej 8 miliardë dollarësh.
Po këtë vit pashë në kinema me mbesën dhe nipin Super Mario Bros – nuk është e fshehtë që ky film është një marketing i mirëfilltë për Nintendon. Krijuesit e filmit kanë përshtatur p.sh. figurën e princeshës Peach, e cila këtu është e zonja e vetes dhe e emancipuar – (pasi audienca ka ndryshuar dhe ata e dinë mirë) duke na ofruar kështu një purple-washing, por nuk sillet si film feminist. Nuk luaj me Nintendo dhe nuk do kisha hyrë në kinema po të mos ishte për dy të vegjlit, por ky film nuk më la shijen e hidhur të Barbit, pasi nuk pretendon te jetë çka nuk është. Super Mario Bros është marketing nën formën e një përralle. Kaq. Ndërsa Barbie pretendon të na çlirojë nga patriarkati, ndërkohë që Gerwig përqafon metoda hiperkapitaliste përgjatë paraqitjes së filmit, nga publiciteti i Birkenstock, tek disa nga produktet e Barbit vetë, apo çantat Chanel – dhe gjithashtu na vë në qendër të filmit një ëndërr patriarkale: Barbin e hollë, të lëmuar, me përmasa trupi asfare realiste, pa një të metë minimale fizike.
Ndoshta unë i jap një shans filmit duke e parë me gjyzlykë Lacanianë, pasi sipas leximit që i bën studiuesi Julian de Medeiros, mësojmë diçka: dhe pikërisht, se për të qenë të lirë duhet t’i nënshtrohemi transformimit nga psikoza në histeri.
Në fillim të filmit, Barbi është prè e fantazisë së saj, e Barbieland-it, ajo jeton nën ideologjinë e Barbit. Ky perfeksionizëm i saj është në një farë mënyre një detyrim etik në emër të grave dhe vajzave në botën e «vërtetë». Por ky perfeksionizëm ngacmohet nga ajo çka në terma Lacaniane e quajmë «realja»: mendimet intrusive të Barbit mbi vdekjen. Simptomat jo vetëm shfaqen, por sado që Barbi mundohet t’i shtypë, bëhen gjithmonë e më të forta, derisa janë të padurueshme. Ky fakt i lejon Barbit të mundohet të «ndreqë», apo «shërojë» vetveten duke hyrë në botën e «vërtetë» e duke kuptuar që subjektiviteti femëror është pothuajse i pamundur, tejet kontradiktor, se gratë duhet të jenë njëkohësisht perfekte, por edhe jo, duhet të sillen si virgjëresha, por edhe të dinë të joshin, etj., etj. Barbi kupton se i vetmi subjektivitet human i mundur është ai i histerisë, i të vënit në pyetje në mënyrë radikale të ekzistencës, i të pyeturit se çfarë jemi, kush jemi – dhe pikërisht këtu qëndron dhe (para)kushti për emancipimin e Barbit: mënyra sesi ajo shndërrohet nga subjekti psikotik, e zhytur në një kornizë fantazie të imponuar ideologjikisht, në zgjimin e saj nëpërmjet pamundësisë së të qenit krejtësisht grua në botën «e vërtetë».
Por, le të vëmë gjyzlykët feministë: a mund ta shpëtojmë botën nga patriarkati me një figurë që inkorporon krejt fantazinë patriarkale? Me një figurë hyper-femërore? E pamundur. Në Opus Magnum-in e saj Seksi i dytë, Simone de Beauvoir analizon rrënjësisht betejat e grave, të cilat janë të prakahasueshme me «betejën» reduktuese të Barbit, shkruan filozofja feministe Stephanie Garcia. Këtu de Beauvoir shtron temat kaq të rëndësishme të margjinalizimit të grave, objektivizimin dhe nënshtrimin e tyre përgjatë historisë. Emancipimi i Barbit përgjatë filmit është thuajse bosh[3] në krahasim me çka vajzat dhe gratë duhet të përballen dhe të luftojnë për një emancipim të vërtetë. Në film nuk shohim aspak problemin ekonomik të grave, i cili i detyron të shumtat të gjunjëzohen. Problemi patriarkal i Barbit është thjesht socio-kulturor: nuk ndeshim askund në kritikë kapitaliste, kur ky i fundit favorizon patriarkatin!
Shumë (do të) ironizojnë se Barbi është thjesht një kukull më të cilën luajnë fëmijët, por të dini se prej vitesh Barbi luan një rol të rëndësishëm në kërkimet akademike kulturore të Doll Studies apo Thing Theories, me kërkues si Bruno Latour, Bill Brown apo Jane Bennett.
Ndërsa gëzohem për Gerwig dhe Robbie-n, të cilat arritën të bëjnë një volum monetar prej një miliard dollarësh (shuma deri tani të destinuara vetëm regjisorëve burra) pak a shumë vetëm në dy javë prej daljes së filmit, mendoj se ndoshta unë nuk jam pjesë e auditorit target të Barbit[4], siç nuk janë në përgjithësi feministet, që i dedikohen rrënjësisht kësaj çështjeje, por ndoshta filmi mund të jetë një hap i parë për t’u afruar me feminizmin për të tjerë e të tjera. Shpresoj së fundmi, që asnjëra nga të dyja të sipërpërmendurat, të mos ketë shitur shpirtin për purple-washing.
© 2023 Irma C. Të gjitha të drejtat janë t:e autorit.
[1]Analizë nga Pietro Bianchi
[2]Diversity washing, kuptohet.
[3]Stephanie Garcia
[4]Përsa i përket figurës incel të Ken, e evitova të flas këtu për arsye tejzgjatjeje, pasi kjo temë nga njëra anë meriton një shkrim më vete, por nga ana tjetër them, mjaft u kemi dhënë hapësirë personazheve mashkullorë.
Filmat nuk shihen me gjyzlykë : as Lacanianë, as feministë (deBeauvoiristë do thosh me te drejte autorja), as… as… : shihen me sy dhe stomak (por edhe kete, autorja e di). Barbie eshte teresisht një ‘product placement’ dhe “point barre”.
ps: në fakt, KA VEND (falje per shkronjat e medha, por në mungese të nenvizimit) per te folur per Ken-in, falë lojës paradoksalisht interesante të nje ‘endive’ si puna e Ryan Gosling sepse, “edhe burre edhe incel” por me bukurinë e nje endive, ka diçka interesante në kete mes.
Në fakt, në fakt, më duket se ti shkrimin, e ke lexuar fare pa gjyzlykë. Të ftoj përzemërsisht të zgjerosh njohuritë mbi metaforat në vend që të më shpjegosh SI t’i shikoj filmat.
Po, shpjegomë dhe që në shkrimin tim ka vend për Ken-ërat.
I’m always, in fact for some mansplaining, por vetëm kur kam kokoshka.
Një kritikë e qëlluar dhe e nevojshme! Faleminderit Irma!
Nëse familjen patriarkale e përkufizojmë, për aq sa na intereson, si një njësi ku burri merr përsipër kryesisht ose ekskluzivisht sigurimin e mjeteve të jetesës dhe negocimin me botën e jashtme, drejtpërdrejt ose nëpërmjet strukturave po burrnore të fisit ose të komunitetit, duke bërë të mundur që ambienti familjar të ketë gjithmonë një kujdestare tek gruaja e ndoshta tek një kolektiv femëror fisnor apo komunitar, ideja se kapitalizmi e favorizon apo e mbështet një gjë të tillë më duket shumë e çuditshme, gati si magji. Sepse me sytë e ballit mua më duket sikur një familje e tillë, falë ndërveprimit të mirëfiltruar me botën e jashtme dhe falë kolektivitetit që krijon kulturën e vet autonome sipas shtrirjes strukturore, në radhë të parë është e mbrojtur kulturalisht nga joshja dhe manipulimi kapitalist. (“Në radhë të parë” sepse mendoj se kapitalizmi mbi të gjitha është një fenomen kulturor – barbar në kulm.) Së dyti, kjo lloj familjeje, përveçe kulturalisht, i minimizon nevojat konsumatore edhe përmes përbashkësisë. Besoj nuk duhet të hajë debat parashtrimi se atomizimi social e shumëfishon konsumin duke qenë se çdo individ mundësisht do shtëpi më vete, makinë më vete e të gjitha të tjerat me radhë. Së treti, nuk më duket se kapitalizmi ka pësuar gjë regres me dobësimin e patriarkatit.
Po ashtu, gjithnjë me sytë e ballit, Barbie nuk përfaqëson gjë fantazitë eroto-estetike të patriarkatit, por ndoshta ato të pornoarkatit, që nuk është aspak vazhdim apo zgjatim organik i të parit, por e ka përmbysur atë.
E mer ti, e te thuash qe nje kohe MATRIARKATI….Eshte si puna e asaj kenges “Ne ato maja rripa – rripa”.