Sado të mira t’i kemi dëshirat dhe qëllimet, faktet gjuhësore tregojnë se teoria që shqipja e njësuar e kohës së komunizmit u varfërua qëllimisht prej policisë gjuhësore totalitare, e cila përjashtoi forcërisht prej përdorimit dhe fjalorëve një pjesë të madhe fjalësh të vyera s’është gjë tjetër veçse legjendë urbane.
Burimi i kësaj legjende urbane është një studim i shumëpërfolur, por përgjithësisht subjektiv i kritikut letrar dhe historianit të letërsisë Arshi Pipa, i cili u orvat, ndër të tjera, të analizonte strukturën e fjalësit të Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe, për të zbuluar origjinën mundësisht krahinore të fjalëve.
Arshi Pipa vërejti se pjesa më e madhe e fjalëve të atij fjalori janë me prejardhje toske, ndërsa vetëm një përqindje shumë e vogël janë me prejardhje gege. Këtu nuk është vendi për të gjykuar veprën e atij kritiku, por nuk mund të le pa thënë se studimi i mësipërm duket se nuk merr parasysh të gjitha ato fjalë që kryedialektet e shqipes i kanë të përbashkëta mes tyre.
Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, i botuar në vitin 1980, përmban 41 000 fjalë. Të gjithë atyre që e qortojnë sot këtë vepër, duke sjellë argumentin se 41 000 fjalë janë shumë pak për një gjuhë moderne, dua t’u kujtoj se problemi kryesor i atij Fjalori nuk është se ka lënë jashtë fjalë të vyera, por se e ka shtuar artificialisht numrin e fjalëve të shqipes, duke llogaritur dhe trajtuar si të tilla edhe forma të rregullta fjalëformuese.
Kritikëve u shpëton edhe fakti i thjeshtë që Fjalori i vitit 1980 kërkonte të ishte një fjalor i gjuhës së sotme, ose të pasqyronte përdorimin e shqipes gjatë viteve të regjimit totalitar në Shqipëri. Për këtë arsye, nuk mund të kritikohet pse ka lënë jashtë fjalë të veprave të letërsisë së vjetër ose të Rilindjes, ose gjithfarë historizmash dhe arkaizmash që ndeshen në fjalorë të ndryshëm të shqipes, por që nuk përdoreshin më në kohën kur u hartua Fjalori.
Nga ana tjetër, të gjithë e kanë të qartë se totalitarizmi solli një varfërim të frikshëm në kulturën e shqiptarëve, i cili varfërim dashur pa dashur u pasqyrua edhe në leksik; sepse në qoftë se jeta e njerëzve është kulturorisht e varfër, atëherë edhe numri dhe cilësia e fjalëve të përdorura do të lënë për të dëshiruar.
Por është natyrisht absurde të qortohet Fjalori për mëkatet e regjimit totalitar.
Kush merr mundimin të njihet me parimet teorike për hartimin e atij Fjalori, të përgatitura nga Androkli Kostallari, do të marrë vesh, një herë e mirë, se politika gjuhësore komuniste në fushën e leksikografisë ishte e natyrës përfshirëse (inkluzive); çka do të thotë se, edhe pse shqipja e njësuar mbështetej kryesisht mbi toskërishten, përsëri mbetej krejtësisht e hapur ndaj fjalëve me prejardhje nga gegërishtja, për të cilat ekzistonin edhe modele të sakta të përshtatjes.
Siç e vëren edhe vetë Arshi Pipa në studimin e vet, një procedurë tipike e standardit ishte toskëzimi i fjalëve gege; p.sh. merrej një fjalë si shtatzanë dhe shndërrohej në shtatzënë, për t’u integruar morfologjikisht me format e foljes zë (pikërisht me pjesoren toske zënë).
Nga gegërishtja, shqipja e njësuar kishte marrë edhe trajta me grupin zanor ue, dhe pikërisht emrat e vepruesit dhe mbiemrat e tipit mësues (të cilat u parapëlqyen ndaj toskërishtes mësonjës), dhe mbiemrat e trajtës i mrekullueshëm.
Metaforikisht, kjo veprimtari mund të konsiderohet e ngjashme me shtetëzimin ose shpronësimin; sepse fjalët nxirreshin nga konteksti i tyre i natyrshëm, për t’u shartuar në kontekste të tjera, shpesh artificiale ose virtuale.
Vetë puna për hartimin e Fjalorit ishte e tëra e rrënjosur në atë arkiv të pasur të fjalës shqipe të shkruar e të folur, që ishte Kartoteka e Leksikut të Shqipes; ku ruheshin me miliona skeda që dëshmonin përdorime të fjalëve shqipe në kohë dhe në hapësirë.
Edhe pse Androkli Kostallari, si teoricieni kryesor i leksikografisë totalitare shqipe, ishte stalinist i bindur dhe zbatues i zellshëm i vijës së Enver Hoxhës në politikën gjuhësore, parimet e hartuara prej tij, për përzgjedhjen e fjalësit të fjalorit dhe trajtimin leksikografik të fjalëve të zgjedhura nuk parakuptonin as mund të parakuptonin përjashtimin diskriminues të fjalëve me prejardhje nga dialekti geg, ose të përdorura nga varianti letrar i gegërishtes. Përvetësimi i materialit leksikor nga gegërishtja ishte një nga kriteret themelore të përzgjedhjes së fjalësit.
Nuk ka dyshim se problemi kryesor me të cilin u ndeshën leksikografët e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë kishte të bënte drejtpërdrejt me varfërinë e leksikut të shqipes – siç dilte edhe nga të dhënat objektive të kartotekës.
Cilat mund të ishin arsyet e kësaj varfërie?
Disa nga këto arsye janë pa dyshim objektive, dhe lidhen me faktorë të njohur historikë, të tillë si:
- fakti që shqipja flitet nga një numër relativisht i vogël folësish, sidomos në krahasim me gjuhë të tjera;
- fakti që shqipja filloi të shkruhej për herë të parë gjatë shekujve XV-XVI; dhe sidomos që shkrimi shqip u normalizua vetëm duke filluar nga fundi i shekullit XIX;
- fakti që shteti shqiptar kishte ekzistuar, si shtet i pavarur, për më pak se një shekull; pa llogaritur traumat e mëdha historike të luftërave botërore, ndarjes së truallit kombëtar dhe ndërrimit të regjimeve.
- fakti që shqipja është degë më vetë e familjes indo-europiane, dhe nuk i përket ndonjë familjeje, siç i përket, bie fjala, rumanishtja gjuhëve romane, suedishtja gjuhëve skandinave, ose bullgarishtja gjuhëve sllave; kur gjuhët brenda një familjeje kanë nevojë për fjalë të reja, ato shpesh e kanë të lehtë të pasurojnë leksikun, duke huazuar në masë fjalë nga një gjuhë tjetër e familjes, siç ka bërë, bie fjala, rumanishtja me frëngjishten, gjatë shekujve XIX-XX.
- fakti që shqipja publike gjatë shekujve XIX-XX iu nënshtrua disa proceseve spastruese masive, gjatë të cilave u larguan nga ligjërimi një numër i madh fjalësh të huaja – turqizma gjatë Rilindjes, italianizma e në përgjithësi neolatinizma pas vitit 1945.
Prandaj nuk ka asgjë për t’u habitur që një gjuhë si shqipja, e folur nga pak miliona vetë, e shkruar vonë dhe pak, e studiuar në shkolla për vetëm një shekull, me një numër relativisht të vogël botimesh, shkrimtarësh, gazetash, revistash, universitetesh etj., dhe për më tepër gjuhë komunitetesh që deri dy-tre shekuj më parë jetonin në kushte të izolimit kulturor dhe material; e pra, një gjuhë në rrethana të tilla të ketë një leksik që të duket tepër i varfër, në krahasim me gjuhë të tjera.
Nga ana tjetër, është përsëri e gabuar të qortohet Fjalori i vitit 1980 për çka ajo vepër nuk pretendoi të ishte kurrë – muzeum ose koleksion fjalësh. Për fat të keq, kulturës sonë ende i mungon një Fjalor Historik i Gjuhës Shqipe, ku të mblidhen e të dokumentohen të gjitha fjalët e përdorura ndonjëherë në tekstet shqipe, që nga Buzuku e këtej; pavarësisht nga fati i tyre, ose nga aftësia e atyre fjalëve për t’u mbijetuar shekujve. Ky fjalor do të përmbante një numër të madh fjalësh të vjetëruara dhe historizmash, fjalësh të nxjerra nga veprat e autorëve të vjetër, por edhe nga folklori; fjalë të autorëve arbëreshë dhe bejtexhinj; fjalë të qëmtuara nëpër katundet e të arkivuara në fjalorët e fjalëve të rralla, ose në Kartotekën e Leksikut të Shqipes, e cila në këto momente do të jetë me siguri duke u shkatërruar përfundimisht. Për ta thënë ndryshe, ky fjalor do të përmbante shqipen në kohë dhe në hapësirë, jo shqipen e njësuar bashkëkohore që përmbante Fjalori i vitit 1980 dhe veprat pasuese që janë mbështetur në të.
Gjasat që një vepër e tillë të hartohet sot më duken shumë të ulëta; sepse trashëgimia teknike-leksikografike, ose ekipi i përkushtuar i specialistëve leksikografë që hartoi Fjalorët e viteve 1980, tashmë nuk ka mundësitë, moshën madje as dëshirën për t’iu përveshur asaj pune madhore (e cila, në kohën e vet, ishte menduar të kishte 12 vëllime).
Kritikët e Fjalorit të vitit 1980 duket se nuk arrijnë të kuptojnë as një të vërtetë tjetër elementare – që Fjalori as i shpëton, as i promovon fjalët. Fjalët kanë nevojë të përdoren shpesh dhe rregullisht, të kalojnë gojë më gojë dhe dorë më dorë, të dalin në vepra të shkruara dhe të dëgjohen në ligjëratë të folur, të përmenden në tekste shkollore dhe të gjejnë vend në gazeta, revista dhe televizion, të sugjerohen si terma prej specialistëve terminologë, të miratohen nga institucionet mbikëqyrëse dhe të adoptohen aktivisht nga të gjithë ata që e kanë pasion e zanat t’i flasin publikut. E vetmja mënyrë për leksikun që të pasurohet, është përdorimi i shumëllojshëm, në një kontekst kulturor të pasur dhe të shumëllojshëm. Fjala në fjalor është po aq e vdekur sa edhe flutura në vetrinë të koleksionistit, e shpuar tej për tej nga thumbi leksikografik.
Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe ka rreth 41 000 fjalë, nga të cilat rreth 30 000 mund të konsiderohen si të mirëfillta. Nga këto 30 000 fjalë, ndoshta rreth 10 000 janë të natyrës etnografike dhe lidhen me një mënyrë jetese që tashmë është kapërcyer në tërësinë e vet. Mbeten kështu rreth 20 000 fjalë të përdorshme në masë. Sfida e madhe e kulturës shqiptare është si t’i çojë këto 20 000 fjalë te publiku, i cili përndryshe ka ngecur në batakun e një leksiku jashtëzakonisht të kufizuar, të cilin ia dikton varfëria kulturore dhe në përgjithësi e jetës që e rrethon.
Natyrisht, rritja e numrit të fjalëve në përdorim nuk mund të konsiderohet veçse si një tregues statistikor i shkallës së akulturimit të publikut; por nuk mund të shërbejë si pikësynim i politikave kulturore ose gjuhësore. Përkundrazi, qëllim i të gjithë atyre që merren me kulturën duhet të jetë që shqipja të funksionojë mirë në të gjitha sferat – në politikë dhe në shkollë, në shkencë dhe në letërsi, në kritikë dhe në filozofi, në liturgji dhe në mediat, në terminologji dhe në drejtësi.
Për fat të keq, diskutimi rreth çështjeve të ligjërimit publik dhe të standardit të shqipes ka mbetur peng i politizimit, revanshizmit, amatorizmit dhe të gjithë atyre që kërkojnë të lajnë hesapet e tyre meskine, pa u shqetësuar për funksionet jetike që luan standardi, në funksionimin e shtetit dhe në kohezionin kombëtar. Si edhe shumë çështje të tjera madhore, e ardhmja e shqipes si gjuhë e përbashkët e shqiptarëve dhe formë e patjetërsueshme e kulturës sonë kombëtare rrezikon të mbetet në duar të barbarëve.
Xhaxha ju pergezoj per kete shkrim dhe bashkohem dhe une me ndjesine tuaj.Eshte vertete per tu perbuzur ky fakt.
Eshte cilesia dhe forca shprehese ajo qe e ben nje gjuhe te fuqishme.Eshte forca lidhese mes popullit te vet qe e ben nje gjuhe te rendesishme dhe me vlere.Bejne mire ta vene ujin ne zjarr per keto te fundit dhe jo per sasira.
Falemderit qe e shqyrtuat ketu ketu teme ,megjithse me keqardhje them se do te bjere serish ne vesh te shurdher:(
pershendetje
Po bëj një krahasim me greqishten. Akademia Greke kishte filluar hartimin e një fjalori historik të greqishtes në gjysmën e viteve ’30 të shekullit të kaluar. Sot, pas 70 viteve ka arritur në gërmën Delta (gërma e katërt e alfabetit grek). Me këto ritme fjalori do përfundojë pas 350 vitesh (!), në një kohë që greqishtja do ketë ndryshuar si gjuhë.
Duke mbajtur analogjitë, më duket se në Shqipërinë totalitare bëhej një punë më serjoze në këtë drejtim, pra do thoshja se kritikat janë disi të padrejta.
Kam lexuar referatin kryesor të Kostallarit në Kongresin e Drejtëshkrimit të 72-shit. Thellësisht komunist në parathënie. Më pas shpjegonte se në çfarë kriteresh teorike ishte mbështetur drejtëshrimi dhe sa i përfaqësuar ishte lexsiku Geg. Aty thoshe se rreth 30% e spektrit leksikuror të shqipes ishte me bazë Gege, diçka më shumë Tosk.
Shkrim i shkelqyer, ashtu si dhe e gjithe seria “Shqipja Totalitare”. Faleminderit!
Nje pyetje kisha une: Ne kategorite qe ke ne kollonen djathtas nen “Kripera” nuk ka nje link qe te permbledhe artikujt mbi gjuhesine, gje qe duket e cuditshme po te marrim ne konsiderate gjithe kontributin e vazhdueshem qe ke dhene gjithe keto vite ne te kuptuarit e logjikes leksikore te shqipes. Apo ka nje link ne artikujt e gjuhesise ne kete blog dhe une nuk po e ve re?
Eni dhe Era, ju falënderoj për vlerësimin. Era, gjithnjë gëzohem kur dukesh ndonjëherë këtej – sinqerisht.
Sa për lidhjen që kërkon, besoj se afishohet në fund të shkrimit (Posted in gjuhësi).
Pershendetje Xha Xha. Si gjithmone shkrim i shkelqyer ky profesionaliteti dhe mendimi i thelle gershetohen ne menyre te jashtzakonshme. Shume faleminderit per gjithcka dhe ne vecanti per: “Fjalori as i shpëton, as i promovon fjalët. Fjalët kanë nevojë të përdoren shpesh dhe rregullisht, të kalojnë gojë më gojë dhe dorë më dorë, të dalin në vepra të shkruara dhe të dëgjohen në ligjëratë të folur, të përmenden në tekste shkollore dhe të gjejnë vend në gazeta, revista dhe televizion, të sugjerohen si terma prej specialistëve terminologë, të miratohen nga institucionet mbikëqyrëse dhe të adoptohen aktivisht nga të gjithë ata që e kanë pasion e zanat t’i flasin publikut. E vetmja mënyrë për leksikun që të pasurohet, është përdorimi i shumëllojshëm, në një kontekst kulturor të pasur dhe të shumëllojshëm”
Nese me lejohet kam nje pyetje: A e keni trajtuar ndonjehere ceshtjen e perkthimeve dhe rolin qe keta te fundit kane per pasurimin ose varferimin e gjuhes shqipe? Kjo pyetje me sillet neper mend sa here qe lexoj perkthime jo te mira dhe sidomos ndersa po lexoja disa ligje te Kosoves te perkthyera ne shqip (dhe cfare perkthimi!!!). Me vjen keq kur mendoj se tashme Shqiperia dhe Kosova, fale perkthimeve “fjale-per-fjale” te ligjeve, flasin dy “gjuhe” krejt te ndryshme “ligjore”.
Falenderimet e mia te thella per punen tuaj te vyer dhe, sic e ka thene Eno me siper, shpresoj te mos bjere ne vesh te shurdher
Aida, të falënderoj për fjalët e mira që thua.
Çështjen e përkthimeve e provoj vetë në lëkurë çdo ditë, meqë jo rrallë më qëllon të më duhet të vlerësoj përkthime të ndryshme të kryera, me pagesë, nga njerëz të cilët shkruajnë në nivelin e një shqipeje të klasës së katërt fillore.
Ti ma konfirmon tani se edhe dokumente aq të rëndësishme sa ligjet e Kosovës janë trajtuar nga këta zhgarravitës, të cilët përveçse u heqin bukën nga goja përkthyesve profesionistë, i bëjnë dëm të pallogaritshëm kulturës, duke sjellë pështjellim dhe keqkuptime të mëdha në të kuptuarit dhe interpretuarit e ligjit.
Nuk kam dyshim se shqipja në shkollat në Shqipëri asnjëherë nuk është studiuar si duhet, të paktën këto 30-40 vjetët e fundit; sikurse nuk kam dyshim edhe se niveli i mësimdhënies së gjuhës ka ardhur duke rënë nga viti në vit, së bashku me prestigjin e standardit dhe të aftësisë për të shkruar dhe për t’u shprehur bukur dhe qartë.
Megjithatë, kam frikë se situata është edhe më katastrofike në shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë, një pjesë e mirë e të cilëve për arsye të njohura nuk kanë mundur dot të marrin arsimin e duhur në lëmin e gjuhës; dhe tani shkruajnë jashtëzakonisht keq, me një gramatikë të ngathët dhe plot gabime, e sidomos me një sintaksë e cila nuk është e shqipes, por e serbokroatishtes.
Përvetësimi i mjerueshëm i shqipes së shkruar nga ana e brezave të rinj kosovarë është përdorur si argument nga të gjithë ata kritikë të standardit, të cilët kanë mbrojtur tezën se kosovarët nuk e mësojnë dot standardin, meqë nuk e njohin dot si “të tyrin”. Për mua kjo tezë është poshtëruese për kosovarët vetë, sepse njerëzit që mësojnë e flasin e shkruajnë gjuhë të huaja për bukuri, madje edhe mbrojnë diploma, master-a dhe PHD apo doktoratura me to, si nuk paskan mundësi të mësojnë një version, sado “artificial”, të gjuhës së tyre amtare?
Mangësitë gjuhësore përkthehen vetvetiu në mangësi të mendimit. Gjymtimi gjuhësor është rrezik real për shoqërinë, në Shqipëri dhe në Kosovë. Shenjat e para të kësaj katrahure janë shfaqur tashmë; dhe asgjë nuk po bëhet për ta ndalur çka po afrohet gjithnjë e më kërcënueshëm.
Me sa kemi vene re pak a shume te gjithe, ne ditet e sotme ka nje rritje te papare fjalesh e termash qe rrjedhin nga fusha te ndryshme te teknologjise, politikes, ekonomise e shume shkencave te tjera. Poashtu ky numer i madh fjalesh ka si pike origjine vendet me te zhvilluara te botes si psh SHBA-ja, Anglia, Franca, etj. Fjale e terma qe po behen dita-dites pjese e komunikimit te perditshem kudo ne bote. Nese per keto vende, qe permenda me lart, pasurimi i fjalorit te tyre eshte natyral, si po reagojne pjesa me e madhe e vendeve te tjera te cilat po i adoptojne keto fjale te reja?! Me kete nuk kam parasysh Shqiperine, meqenese eshte gjendur disi e papregatitur per ti bere balle ketij fluksi fjalesh, por vendet e tjera si psh ato te Ballkanit ose dhe asaj pjese te botes qe nuk u prek nga rregjimet totalitare. A po “dorezohen” keto vende perpara kesaj dyndjeje barbare, apo kane kohe qe kane vene ne jete strategji mbojtese per gjuhen?! Me kete dua te di nese bota ne pergjithesi po e pranon ne heshtje kete ndryshim te shpejte gjuhesor, apo ndodhet ne nje situate alarmante sikurse ne Shqiperi?!
Xhaxhai e ka trajtuar me kreativitet te jashtezakonshem ceshtjen e leksikut te shqipes. Gjithcka e shkruar ka nje logjike te paperballueshme, ndersa argumentet topi si luan.
Jam mrekulluar me trajtimet e ngjashme. Kam pershtypjen se pikerisht ne keto ceshtje sociokulturore dhe linguistike, te cilat i trajton Xha Xhai ngec tmerresisht shoqeria shqiptare. Une vetem po shfaq habine time se si eshte e mundshme qe nje njeri te kete nje logjike kaq te shendosh dhe si mundet qe me kaq elegance dhe dituri t’i qemtoj “vrimat e zeza” te realiteteve shqiptare. Perndryshe jam nga Maqedonia. Xha Xhai ka ploteisht te drejte per gjuhen e perdorur “ksajde”. Eshte nje gjuhe gjysmake, e pakonsoliduar si standard dhe ceshte me e rendesishmja nuk shfaqet nje pasion me i vogel per nje ringritje gjuhesore dhe kulturore. ja po shfaqi edhe une nje dileme timen. Si mund nje njeri te kete nje bote te veten, kur ka nje gjuhe tmerresisht dhe te reduktuar?!
Albi, gjuhë të ndryshme reagojnë ndaj huazimeve teknologjike në mënyra të ndryshme. Edhe po të marrësh terminologjinë kompjuterike, do të shohësh se, bie fjala, frëngjishtja dhe spanjishtja janë shumë më refraktare ndaj anglicizmave se italishtja; atje ku frëngjishtja thotë fichier dhe spanjishtja archivo, italishtja thotë file. Kjo nuk varet nga struktura gramatikore e këtyre gjuhëve, meqë të trija janë gjuhë neolatine, që e kanë humbur lakimin emëror, prandaj fjalët e huaja mund t’i pranojnë edhe si cungje, ose forma të pandryshueshme. Italishtja, për shembull, thotë un file, due file, duke refuzuar formën anglishte files madje edhe në shkrim. Për shqipen, nga ana tjetër, integrimi i formave të huazuara në sistemin emëror është problem shumë serioz – në të folur dhe në të shkruar. Unë vetë kam mendimin se shqipja nuk i ka mjetet, as mundësitë për të tretur një numër kaq të madh anglicizmash; prandaj urgjentisht duhet marrë një vendim, i arsyetuar, për të ndjekur dhe përshtatur format dhe zgjidhjet gjuhësore të frëngjishtes, të cilat tradicionalisht kanë qenë shumë më të pranueshme për strukturën e gjuhës. Për shembull, anglishten software nuk e përtypim dot si softuer (megjithëse disa e kanë futur), por si logjiciel mund ta futim për bukuri (version të tejshkruar të frëngjishtes logiciel). Pse pikërisht frëngjishtes? Sepse frëngjishtja ka një sistem të centralizuar të kontrollit terminologjik dhe një traditë të shkëlqyer të përballimit të trysnisë terminologjike nga anglishtja; por edhe sepse shqipja e shkruar librore, që në fillimet e veta, është zhvilluar duke i marrë modelet e veta leksikore nga frëngjishtja dhe duke ua përshtatur fonetikisht strukturave të veta.
Xhaxha, a nuk mendon se edhe pershtatja e terminologjive te reja me gjuhen shqipe do te sjelle nje dite nje lloj kreolizimi te gjuhes sone?!Me kete marr parasysh se edhe nese baza e gjuhes ruhet me fanatizem, vete realitetet e ardhshme kohore do te sjellin nevojen e perdorimit gjithmone e me te shpeshte te fjaleve te nje natyre te nderkombetarizuar. Pra nese per hir te pershtatjes se gjuhes ne pranojme format me te mira te fjaleve prej gjuheve te tjera (si ne rastin logjicel me prejardhje frenge), atehere ne serisht vazhdojme te ngarkojme fjalorin shqip me huazime duke lene gjithmone e me shume ne hije bazen shqipe te fjaleve. E kuptoj qe nje zgjidhje i duhet dhene kesaj ceshtjeje ne menyre qe te ecim paralel me boten, por nese qellimi mbetet te ruhet gjuha shqipe, ndoshta te tjera rrugezgjidhje duhet te kerkojme. Rrugezgjidhje qe do i pershtatnin termat e reja te komunikimit me ato fjale shqipe qe zoterojme. Cfare dua te them me kete?! Psh, fjala “Software”, ne vend te adoptimin ne shqip te kesaj fjale nepermjet nje huazimi komplet te ri si ne rastin “Logjiciel”, mund te perdoret fjala “Llogjikues”. Kjo e fundit, edhe pse baza e saj eshte e huazuar prej kohesh, ruan nje forme me shqiptare se forma franceze e propozuar prej jush. Mendoj se pershtatja e termave te rinj me fjale te konsoliduara prej kohesh ne fjalorin tone, do ta ruante me mire vecantine dhe mbarevajtjen e gjuhes shqipe, e ne te njejten kohe do ta mbante shoqerine shqiptare ne koherence te plote me realitetin e kohes. Sigurisht qe jo cdo term i ri do te gjente zgjidhje ne sasine e fjaleve shqipe te zoterueshme qe kemi sot, por te pakten le te perpiqemi te gjejme sa me shume perputhje qe te jete e mundur per te evituar maksimalisht errozionin e gjuhes.