Ata që shkruajnë sot tekste shqip, në formatin elektronik, mund të përdorin lirisht kontrollin drejtshkrimor automatik, me pagesë ose falas.
Kush ka Microsoft Office, mund të shkarkojë dhe të instalojë paketën e gjuhës shqipe, e cila vjen me këtë funksionalitet.
Ashtu, mjafton të cilësohet gjuha e përdorur në skedar si “Albanian”, për ta shfrytëzuar kontrollorin drejtshkrimor të Office. Që nuk është pa të meta, por megjithatë ndihmon mjaft, dhe mund të përmirësohet, në përdorim e sipër.
Ata që nuk e kanë Office të instaluar ose refuzojnë ta përdorin, mund të shfrytëzojnë – FALAS – kontrollin drejtshkrimor të shfletuesit Chrome.
Për ta vënë këtë në punë, duhet shkuar te cilësimet e shfletuesit:
chrome://settings/languages
Dhe atje të shtohet shqipja si gjuhë, pastaj të bëhen ndryshimet përkatëse.
Pas kësaj, çdo teksti shqip që shkruani në shfletues (përfshi tekstet në gmail) do t’i kontrollohet drejtshkrimi vetvetiu.
Nëse keni një tekst të shkruar gjëkundi dhe doni t’ia kontrolloni drejtshkrimin, kopjojeni dhe ngjiteni në një dritare të pastër të gmail-it.
Shfletuesi do t’jua kontrollojë tekstin dhe do t’ju tregojë fjalët problematike.
I ngjashëm me këtë, duhet të jetë kontrolluesi drejtshkrimor i Firefox:
https://addons.mozilla.org/en-US/firefox/addon/albanian-dictionary/
Por nuk e njoh dhe nuk e garantoj dot.
Një opsion i tretë, është të përdorni një app palë të tretë, si Sapling:
https://sapling.ai/lang/albanian
I cili e përfshin edhe shqipen.
Ka edhe produkte të tjera, me pagesë ose falas, që ofrojnë këtë shërbim, por që unë nuk i kam përdorur ndonjëherë.
Në këto rrethana, nuk ka arsye që tekstet e destinuara për përdorim publik të kenë gabime drejtshkrimore. Këtë e them edhe për materialet që na dërgojnë për botim te Peizazhe të fjalës – dhe që së shpejti do të fillojmë t’i refuzojmë, nëse na rezulton se autorët nuk ua kanë kontrolluar drejtshkrimin (në thelb, nuk i kanë larë duart, pasi kanë kryer punë në banjë).
Ajo punë dhe ai mundim që autorët kursejnë, duke na dërguar tekste të papastra, u kalon redaktorëve të revistës, të cilëve u duhet të korrigjojnë gabimet e të parëve, si të ishin mësues të tetëvjeçares.
Për ata që nuk dinë ose nuk duan të kontrollojnë drejtshkrimin e teksteve që dërgojnë për botim, ekziston edhe opsioni që çdo dërgesë për botim ta shoqërojnë me një kontribut prej të paktën 50 USD, të cilin ne si redaksi do ta përdorim për të paguar korrektorin teknik (real ose virtual).
(c) 2023 Peizazhe të fjalës™.
Shënim: sa më lart, u drejtohet atyre që përdorin kompjuter për të shkruar dhe redaktuar tekste.