Kam lexuar këto ditë disa kontestime të forta qëndrimeve “zyrtare” ndaj këngës polifonike shqiptare, përkatësisht elaborimeve të muzikologut Vasil Tole dhe vetë termit iso-polifoni të mbështetur prej tij – nga Aleksandër Peçi, Fitim Çaushi dhe Artan Fuga (ky i fundit, me statuse në Facebook).
Tole akuzohet, mes të tjerash, se “ka tjetërsuar identitetin e këngës shqiptare” (Çaushi), “[ka tjetërsuar] trashëgiminë shpirtërore të popullit shqiptar… dhe [e ka paraqitur] si huazim nga krijimtaria e popullit grek” (Çaushi); se tezat e tij janë “antishqiptare të ndryshkura” (Peçi), e të tjera si këto.
Tole kritikohet edhe se, me shpjegimet që ka dhënë për polifoninë shqipe, i ka bërë koncesione shovinizmit grek, duke injoruar qëllimisht lashtësinë e kësaj forme të kënduari ndër shqiptarët e Jugut; dhe se këmbënguljes së tij për të futur në lojë traditën bizantine i mungon jo vetëm logjika, por edhe motivimi metodologjik.
Autorët që kritikojnë, nga ana e tyre, mendojnë se polifonia shqipe është “e vjetër” (“e lashtë”), i paraprin Bizantit dhe muzikës bizantine dhe është po aq “autoktone” sa edhe shqiptarët në Epir.
Ka një gjë që më vret keq veshin te ky kontestim pasionant: pala që kundërshton Tolen dhe vetë elaboratin teorik të iso-polifonisë ka marrë atë që në anglishte e quajnë high moral stand, një pozicion të epërsisë morale, duke e denoncuar teorinë (hipotezën) e atij autori si antishqiptare, prandaj jo vetëm të gabuar, por edhe të dënueshme (!).
Këtu ka diçka të madhe që nuk shkon.
Origjina e formave dhe praktikave të muzikës folklorike është temë studimi legjitime, por shpesh e vështirë për t’u lëvruar – ngaqë këto forma kalojnë shumë lehtë nga një kulturë në tjetrën, dhe shpesh modifikimet që pësojnë, gjatë kalimeve, bëhen po aq pjesë integrale e identitetit të tyre, sa edhe çfarë kanë ruajtur nga e kaluara.
Është normale, nga ana tjetër, që studiuesit të mos bien dakord për çështje dhe tema kaq spekulative sa ato të origjinës. Madje jo vetëm normale, por edhe dëshmi e shëndetit të një fushe të dijes. Diferencat dhe dallimet në pikëpamje, hipoteza dhe teori përbëjnë një premisë të pasur, për zhvillimin e njohjes.
Unë vetë nuk jam në gjendje të kem një mendim timin të pavarur, lidhur me prejardhjen e polifonisë shqipe; por besoj se, në çdo rast, origjina e kësaj forme të kënduari nuk është përcaktuese, për funksionet e saj kulturore, brenda hapësirës folklorike kombëtare ose të atyre zonave ku kjo formë të kënduari praktikohet.
Për ta thënë thjesht: ata që këndojnë “labçe” ose “me iso”, nuk është se e vrasin mendjen se nga e ka prejardhjen mënyra si këndojnë; këndojnë sepse ashtu ua kanë mësuar që fëmijë, dhe sepse e gjejnë atë formë të kënduari të përshtatshme për botën e tyre dhe sepse kënga në grup u jep kënaqësi të madhe shpirtërore dhe estetike, i bën të ndihen më të mirë, dhe i ndihmon fort që të jenë pjesë e komunitetit.
Çështja e origjinës së formave muzikore, si temë dhe problematikë, është bërë aktuale dhe popullarizuar sidomos brenda ideologjizimit të dijes – ose nevojës për t’i dhënë një mbështetje akademike ideologjisë kombëtariste. Në vazhdën e romantizmit të shekullit XIX dhe të lëvizjes për zgjim dhe zhvillim kombëtar, disa prej nesh vazhdojnë të ngulin këmbë se, në fushë të kulturës, çështjet e origjinës duhen marrë detyrimisht parasysh, madje me përparësi, kur na duhet të japim vlerësime ose gjykime.
Ashtu e vjetra shihet si më e vyer dhe “gjenuine” se më pak e vjetra; e papërziera si më e vyer dhe “gjenuine” se e përziera; e ruajtura si më e vyer dhe “gjenuine” se risia; autoktonia si më e vyer dhe “gjenuine” se e ardhura; e pahuazuara si më e vyer dhe “gjenuine” se e huazuara, e kështu me radhë. E gjithë kjo këmishë ideologjike, e cila është qepur e qëndisur sipas një modeli historicist romantik, kërkohet t’i vishet me çdo kusht dijes edhe në nivelin e saj më të lartë, paçka se dija procedon me metoda të tjera.
Prandaj më duket e papranueshme, madje e pafalshme, që debatet përndryshe normale, rreth një çështjeje të diskutueshme brenda një fushe të caktuar të dijes, të kornizohen me terma kombëtariste dhe kundërshtari të akuzohet deri edhe si “antishqiptar”. E papranueshme, jo thjesht ngaqë forma të tilla debati janë në thelb primitive dhe dëshmojnë mungesë profesionalizmi dhe serioziteti; por edhe ngaqë akuzuesit lënë të kuptohet se, brenda një fushe të dijes, ka pozicionime që janë më kombëtariste se të tjerat, më pro-shqiptare se të tjerat, e kështu me radhë.
Qëndrime të tilla, kur i dëgjon të shprehen haptazi edhe në forume me pretendime serioze, mund ta shpien dijen kombëtare në udhë pa krye, duke e paralizuar.
Është përndryshe absurde që një studiues, që vihet të analizojë – të themi – polifoninë e Jugut, për të formuluar një hipotezë rreth prejardhjes së saj, në kuadrin e folklorit ballkanik dhe më gjerë, të kushtëzohet nga nevoja (ideologjike) që hipoteza e tij të përmbushë një formulë të caktuar (p.sh. duke e nxjerrë polifoninë shqipe si të vjetër, autoktone, të pavarur nga muzika bizantine, etj.). Po të kushtëzohej kështu, studiuesi ynë nuk do të bënte më shkencë, por ideologji, në mos thjesht propagandë.
Për të njëjtën arsye, dijes që merret me çështje të historisë së kulturës, të gjuhës dhe të institucioneve, nuk mund t’i jepen e aq më pak t’i imponohen objektiva paraprakë, të kushtëzuar nga “nevojat kombëtare” – sepse ajo dije u shërben nevojave kombëtare thjesht duke ruajtur pavarësinë, integritetin shkencor dhe përkushtimin ndaj së vërtetës dhe objektivitetit.
Për fat të keq, jo rrallë kam vënë re që edhe vetë Akademia e Shkencave të tundohet nga ky pseudo-mision – duke e parë veten si institucionin që do t’u shërbejë interesave kombëtarë jo aq duke punuar me integritet dhe përkushtim, sa duke synuar të provojë, me veprimtarinë e vet, disa teza që ideologjia kombëtariste i ka bërë të vetat me kohë; ose duke sekretuar ideologji kombëtariste.
Dhe ashtu është krijuar ndonjëherë bindja se dija institucionale në Shqipëri e ka për detyrë (“të shenjtë”) që të mobilizohet për “mbrojtjen” e ideologjisë kombëtariste, në luftë me tezat “anti-shqiptare” të armiqve shekullorë të kombit tonë. Kjo bindje, nëse nuk luftohet haptazi dhe parimisht, mund ta gërryejë dijen nga brenda dhe ta shndërrojë, gradualisht, në dogmatizëm.
Natyrisht, një hipotezë çfarëdo, për prejardhjen e polifonisë shqipe mund të lërë për të dëshiruar, ose edhe të jetë në thelb e gabuar; por kjo nuk e bën ipso facto antishqiptare, as e pozicionon si në kundërshtim me interesat kombëtarë. Është mjerane të kërkosh t’i fitosh debatet dhe të imponosh tezat e tua, duke e denoncuar kundërshtarin tënd si “antishqiptar” ose “antikombëtar”.
Prej Akademisë do të prisja që të rreshtohej haptazi dhe vendosmërisht kundër këtij përçudnimi të etikës së debatit – dhe jo vetëm ngaqë tani rezulton i prekur një prej drejtuesve të saj të lartë, Vaso Tole.
Kjo që ndodh këto ditë me polifoninë e Jugut dhe studimin e origjinës së saj vetëm sa rimerr dukuri të ngjashme që kam vënë re, për shembull, në gjuhësinë historike – ku ka ndodhur që të denoncohen, të merren në pyetje, të sulmohen kolegë me integritet, vetëm ngaqë hipotezat e tyre, shpesh të kuptuara shtrembër ose keq, nuk e kanë kënaqur kriterin e “interesit kombëtar” dhe të “shqiptarisë”. Me gjasë, kështu është vepruar edhe në lëmin e etnogjenezës dhe të formimit të popullit shqiptar në kapërcyellin mes lashtësisë dhe Mesjetës së hershme.
Ka njerëz, shpesh pa ndonjë status të përcaktuar përtej atij të ligjëruesit publik, që po ngrenë zërin me të madhe, për ta mbrojtur gjuhësinë historike, historinë, folklorin dhe fusha të tjera të dijes sociale, nga… dija; shpesh duke i diskredituar kundërshtarët e tyre si “antishqiptarë”. Këtyre njerëzve, të kapardisur në petkat e mëndafshta të priftërinjve kombëtarë, u hapen dyer dhe u ofrohen kolltuqe në presidiume e kolegjiume, karrige të përhershme në borde “strategjike” të kulturës dhe kamera e mikrofonë në studiot televizive të kombit. Jetojmë në kohë kur të deklarohesh patriot vlen më shumë se të jesh patriot. Jetojmë në kohë kur për një takëm personalitetesh publike patriotizmi paguan mirë, si profesion.
Efekt i menjëhershëm i këtij deformimi ideologjik në dije është që studiuesit ligështohen e tuten, e humbin dëshirën për kërkim të pavarur, dhe binden se mund të bëjnë përpara, në institucionet e dijes dhe në profesionin e tyre, duke u konformuar deri edhe me tezat më banale, më foshnjore dhe më skematike, të një kombëtarizmi rudimentar, romantik dhe intolerant. Dhe nëse këtë e bëjnë studiuesit, çfarë mund të presësh nga popullarizuesit e dijes, menaxherët e kulturës dhe liderët e opinionit publik?
Dikush duhet të ngrihet, pra, dhe të shpjegojë se dija nuk është as mund të jetë demokratike dhe nuk synon që të nginjë me përralla një publik, të cilin shkolla nuk arrin ta formojë as edhe me rudimentet e të menduarit kritik; dhe se përkundrazi, dija që kërkon të jetë e tillë nuk funksionon dot pa integritetin profesional dhe moral të atyre që e krijojnë dhe e riprodhojnë.
Një diskutim i hapët dhe i shëndetshëm, pa paragjykime dhe pa akuza, për çështje ende të pazgjidhura të historisë dhe të origjinës së polifonisë shqipe, mund të shërbente edhe si model, për rrugën që duhet të ndjekë dija, në përpjekje për të kapërcyer një ngadalësim, pellgëzim ose pengesë. Specialistët për ta çuar përpara këtë diskutim nuk mungojnë, sikurse nuk mungojnë forumet dhe formatet e sprovuara si produktive.
Institucioneve u mbetet tani të provojnë se nuk u mungon as integriteti.
(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Ju lumtë. Me këtë dëshmon në radhet të pare dijen dhe kulturën tuaj të gjërë dhe atdhetarinë. Respekte
pershendetje
disa mendime pasi artikulli me pelqeu shume!
Etnomuzikologjia ose kerkimi folklorik bazohen kryesisht tek kerkimi ne terren dhe se cfare ndodh me kenget ne aktualitet. Duke u nisur nga kjo kame pershtypjen se asnjeri nga emrat e permendur te debatit, nuk jane aktualizuar me te tanishmen e kenges shqiptare ose te themi nuk kane reflektuar nese eshte e drejte te flasesh akoma per vjetersi, shqiptar apo anti, iso ose polifoni.
Psh. ne kete fushe ky lloj i te kenduari quhet kenge me shume zera ose shumezereshe (multipart music) dhe jo Polifoni.
Polifonike eshte muzika e psh e Bachut pra muzika e kompozuar dhe jo ajo popullore.
kur flet me kengetaret lab ose i degjon ne provat e tyre ata nuk thone fare iso por i therrasin njeri tjetrit „mbama“ pra sipas rregullave te ethnomuzikologjise duhet ti thonim „kenge me te mbajtur“ pasi ashtu e titullojne dhe te zotet e kenges.
E thjeshtezuar ethnomuzikologu vrojton dhe pershkruan ate qe i tregon mbartesi i kenges. Rrjedhimisht dhe kenga duhej quajtur kenge shumezereshe „me te mbajtur“.
Mendoj se debatet duhet te behen per funksionin aktual te kengeve dhe u duhet treguar mbartesve. qe jane ata VLERA ME E MADHE qe kemi per te mirembajtur kerkimin folklorik dhe kerkimin etnomuzikologjik. Pra specialistet e fushes duhet te orientohen nga mbartesit. Teoria me tej shkruhet kollaj.
Jane shume sinonime per Ison, si “burdon”, “mbama”, “bëjmë e”, “mbajmë Kaba”, “ja mbushin”, “zukasim” etj, etj. U zgjodh ISO si fjala më e përhapur, si në Toskëri ashtu edhe në Labëri, fjalë e permendur edhe ne Fjalorinne Gjuhes Shqipe. Sa i përket “multipart singing” ështē një zgjidhje nga halli, që tregon sasinë, por jo cilësinë dhe veçoritë e zërave. Fjala Polifoni mbetet e pakonkurueshme ne fjalesin muzikor.
Termi polifoni duket shume i ngurte per nje te kenduar te tille. Pra te jep pershtypjen qe kenga bazohet te logjika e harmonise funksionale ose qe kjo e fundit ka influencuar krijimin e saj. Gje qe nuk qendron.
Terminologjia popullore pra ajo e mbartesit mund te jete shume e vlefshme per ta ripare nje terminologji, e cila korrespondon me mire me menyren specifike te te berit dhe te shprehurit ne muzike.
Ndoshta kaluam ne detaje… Mendoj thjesht ne rastin e etnomuzikologjise duhet te orientohemi nga mbartesit dhe funksioni i shprehimit muzikor ne nje kontekst te caktuar. I ka ikur koha debateve nacionaliste.
Ne disa qarqe ende mendohet se studimi i historise eshte nje mjet per te rritur e forcuar krenarine kombetare e jo per te mesuar te verteten ashtu si ka ndodhur , pavaresisht se mund te mos na pelqeje ajo qe degjojme.Sindrome zakonisht e theksuar ne vendet qe s’kane shume arritje me te cilat te te mburren e mundohen ta rrisin vete respektin kombetar duke zbukuruar historine.Polifonia eshte e pranishme edhe ne vende te tjera te ballkanit .Nuk eshte e qarte nese eshte nje variant i vulgarizuar i koreve bizantine apo koret bizantine jane nje variant i perpunuar i polifonise se vulgut.
Ne shkrimin e vet, botuar ne te perditshmen “Panorama”, prof Aleksander Peci nder te tjera thote: “Që të arrijë këtë perfeksion që ka sot kjo marrëdhënie e katër zërave, nuk mjaftojnë 1000 vjet, por duhen disa mijëvjeçarë e pse jo, mund të jetë pellazgjia fillesa e polifonisë.” Mua vete, ndonese nuk kam ndonje dije te vecante per polifonine, me mjafton ky percaktim per te dale ne perfundimin se profesori i nderuar i ka teper te vagullta (per te mos thene ajrore) kategorite e mendimit historik. Si mund te jene nje mije vjet shume pak per te “perfeksionuar marredhenien e kater zerave”, a thua se kjo (persosja e kater zerave) nuk eshte proces kulturor por gjeologjik! Pastaj c’kuptim ka ta vendosesh fillesen e polifonise sone ne nje entitet krejt te panjohur si “pellazgjia”! Pervecse ne ideologjine kombetariste, sic veren me te drejte Ardiani, shkrimi i profesor Pecit eshte i zhytur edhe ne mitologji.
Disa të dhëna për polifoninë te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, marrë nga revista “Përparimi” (1959, 1960)
Këndimi populluer – Trifonija
Trifoní quhet të kënduemit në tre zane. Nji pjesë e vogël rreth liqenit të Prespës si dhe ana e majtë e Drinit të Zí i takon nji tipit folkloristik muzikuer krejt tjetër. Muzika e tyne dallohet pothuejse në të gjitha elementet e saj prej muzikës sonë. Ndërsa na këndojmë në monofoní, me nji zâ, ata këndojnë edhe me tre zane, në trifoní. Kjo mënyrë të kënduemi âsht tepër e vjetër. Josip Sllavenski n’artikullin e vet: „Kangët e Shqiptarëve në Jugosllaví” shkruen për kët mënyrë të kënduemi, kështu:
„Në bjeshkët e nalta, midis barijve shqiptarë, kur ngrohen dhe këndojnë përrreth zjarmit, kam ndëgjue shpeshherë heterofonín trizanesh, si nji polifoní popullore, tronditsse, rudimentale, por shum tërheqse. Kjo ndeshje e vijave melodike më ka kujtue pa dashtë — vetëm nji gjâ kësodore ka mundë me tingllue në kohët e lashta të Greqís së Vjetër — ndeshjen muzikore (Agon-mausicos)”.
Kët mënyrë të kënduemi ata e quejnë: „me iso, me kaba, me të mbajtur, me nandë dhe me të rënkuar”. Ajo përbâhet prej zanit të parë, që e këndon vetëm njani, zanit të dytë që e këndon poashtu vetëm njani dhe zanit të tretë, që e këndon nji grup njerzish. Zani i parë ka melodín dhe këndon prej fillimit e deri në mbarim të kangës. Zani i dytë, që populli e quen „zani që e pret”, nuk fillon kurr me zanin e parë, por gjithmonë mâ vonë, mbas frazës ose fjalís së parë muzikore. Ky shpeshherë hyn edhe në mes të fjalës dhe me zanin e parë ban njifarë polifonije popullore. Ndërsa zani i tretë hyn në kangë poashtu bashkë me zanin e dytë e ndonjiherë edhe mâ vonë dhe e mban nji tingull të palëvizshëm në zanoren „E”. Ky tingull i mbajtun âsht njikohsisht tonus finalis dhe tonika.
Para se të fillojë kanga, zakonisht, bâhet n’unisono njifarë hymje e vogël, që mund të jetë në dy mënyrë. Mënyra e parë âsht e thjeshtë dhe përdoret mâ tepër. Ajo përbâhet prej nji zani që e këndon vetëm njani ose edhe të gjithë dhe nji glisandos prej tij deri në nji sekundë të madhe te poshtë ose edhe mâ tepër. Ky zâ âsht gjithmonë tonika ose tingulli i mbajtun, që e këndon zani i tretë. Mënyra e dytë âsht si nji farë kadence që e këndon vetëm njani, solisti. Me zanoren „E” kangtari ban disa dredha zani simbas disponimit të tij. Pastaj solisti fillon vetë kangën dhe mbas nji kohe të shkurtë fillon dhe zani i dytë. Zani i tretë fillon me të dytin ose edhe mâ vonë. Mbasi të këndohet nji pasus i tekstit të kangës prap bâhet njifarë mbarimi, që âsht i njajtë me hymjen me glisando, por këtê e këndojnë gjithmonë të gjithë. Shpeshherë ky mbarim bâhet vetëm në fund të kangës e jo mbas çdo pasusi. Mbarohet edhe vetëm me glisando prej finalisit — tonikës për nji sekundë të madhe ose edhe mâ tepër te poshtë.
(Lorenc Antoni: Këndimi populluer, “Përparimi”, 1959, Nr. 9, f. 605/606)
Rexhep Zajazi, Mjeshtër i kangës popullore
Mbas paraqitjes së Rexhep Zajazit nuk vlen mâ rregulla se Gegët këndojnë vetëm në nji zâ, në njizaní, monofoní, meqë Shqiptarët e Kërçovës janë Gegë dhe, përveç në nji zâ, këndojnë të shumtën në dy zana, në dyzaní, diafoní, e cila paraqet formë polifonike. Megjithse shumzanija ose polifonija âsht tipike për Toskët (te ne në rrethinat e Prespës dhe Strugës) qe edhe Gegët na paraqiten me kangë dyzâshe. A mos do të thotë kjo gjâ se vetëm këta e paskan ruejtë kët mënyrë të të kënduemi, ndërsa Gegët tjerë e kanë zevendsue me kangë njizâshe? Tashpërtash vetëm mund të sypozohet, meqë nuk kemi fakte të plota mirëpo, n’anën tjetër shkenctarisht dihet, madje âsht edhe afër mendjes, se të kënduemit shumzanuer, polifonik, shpreh mënyrën kolektive të pjesëmarrjes së njerëzve në kangë, çka ka të bâjë me ritet dhe zakonet e lashta te shoqnís primitive. Natyrisht, kët problem vetëm e kemi cekë për të qitë në pah arkaizmin e të kënduemit shumzanuer, dhe përkitazi me këtê, randsin e madhe kulturore që ka.
Si e ndërton Rexhep Zajazi melodín dyzâshe? Atij i nevojitet vetëm nji ose dy bashkëkangtarë, të cilët mund ta ndjekin, dhe për nji çast ai të bâjë mrekullina. Mjafton që i biri i tij, Tahiri, ose me ndërrime herë Isa Krasniqi, herë Gani Grubi e herë Naxhi Ndoci ta ndjekin me zâ të rrafshtë (të qëndrueshëm) e Rexhepi mbi tê të thurë melodín: e merr e fërfllon zanin tenaltë, e zbret teposhtë, e mban rrafsh me dridhje diskrete, e dredh dhe e përdredh. Ngandonjiherë ai zanin e përdredh aq dhimbshëm, sa që buron nji dënesë vajtimi — asi dënese, e cila prek në thelb të zemrës. Por, Rexhepin e kap edhe ashku, njashtu si të jetë kanga, dhe në kët rast duket se, prej gëzimit e ahengut, po fluturon mbi tingujt e rrafshtë. Atbotë zani i sillet dhe i përdridhet, e mbasi të formojë vija melodike të lakueme, kthehet prap aty ku âsht nisë, zani i puthet dhe pajtohet me tingullin e rrafshtë pra, si kishim me thanë me termën muzikore, kangtari i ynë e mbaron kangën n’unisono.
(Shefqet Pllana: Rexhep Zajazi, Mjeshtër i kangës popullore, “Përparimi”, 1960, Nr. 10, f. 699/700)
Ju rekumandoje te lexoni Etnomuzikologun Prof.dott.Beniamin Kruta i cili ka dhene shume ne fushe e muzikologjise dhe konkretisht ne ate te Polifonise se jugut me botimet e tije