nga Hajro Emiri
Ka një fjalë në anglishte, ENDORSEMENT, që duhet praktikuar më shpesh. ENDORSEMENT-i është formë e mbështetjes dhe e miratimit publik që u jepet politikanëve dhe produkteve, por gjithnjë e më shpesh, që figurinat e një karnavali ia bëjnë njëra-tjetrës, për t’u ndier pjesë e diçkaje “më të madhe”.
Për shembull, një personalitet i fuqishëm televiziv, një VIP, një influencer mund t’i japë ENDORSEMENT-in e vet një kandidati për poetin laureat, ose një produkti për shfarosjen e mushkonjave, duke u shprehur publikisht.
ENDORSEMENT-i është një formë pak e trashë e reklamës.
Rrënja e kësaj fjale është latinishtja dossum/dorsum, me kuptimin “shpinë, kurriz”: ai që i jep tjetrit ENDORSEMENT, e e bën të vetin duke e marrë, si me thënë, në shpinë; duke e ngritur lart siç i ngremë kalamajtë në një koncert, që të shohin skenën, madje edhe kur këngëtarët në skenë e kalojnë kohën duke soditur publikun poshtë.
Shqip mund ta japim si “miratim, mbështetje”, por asnjë nga këto nuk e ka fuqinë e ENDORSEMENT.
Që dikush të bëjë një ENDORSEMENT, duhet të jetë vetë i famshëm: si figurë publike, si “celebrity”, si V.I.P., të cilin publiku e njeh menjëherë dhe të cilit ia beson fjalën dhe fytyrën.
Ndryshe nga ç’ndodh me qokën, të cilën mund t’ia kërkosh edhe berberit, që të ta japë në Facebook, fuqia e një ENDORSEMENT-i specifik varet nga prestigji ose forca e rrezatimit mediatik të personit që e bën – sa më i ndritshëm të jetë ky, aq më pak rëndësi marrin karakteristikat e produktit që mbështetet ose miratohet.
Për shembull, heroi i një programi televiziv që ndiqet nga qindra mijëra shikues mund t’ia bëjë ENDORSEMENT letrës zumpare dhe t’ia lëvdojë virtytet si letër higjienike.
ENDORSEMENT-i është forma më primitive e reklamës: për personin a produktin e “endorsuar”, për publikun, për vetë apostullin mediatik që e merr në sy ta bëjë.
Tek e fundit, kush nuk do ta lexonte një roman, që po e lexon dhe shijon Leo Mesi?
Ndonjëherë, “celebrity” që angazhohet në këtë operacion marketing-u – qoftë ky edhe marketing moral ose estetik – kujton përnjëmend se e ka kapacitetin për t’u shprehur teknikisht; ekspertizën e duhur; autoritetin.
Për shembull, konduktorja e një salloni televiziv të pasdites, që lëvdon një programin e vet një produkt për zhbllokimin e nevojtores.
Natyrisht, kushdo mund ta provojë nëse ky produkti i zhbllokimit punon apo jo, në momentin që i duhet ta përdorë: do ta lirojë apo nuk do ta lirojë vrimën?
Për ca produkte është megjithatë e vështirë që ta bësh vetë provën – ta zëmë, kur një konspiracist i sprovuar i bën ENDORSEMENT-in një produkti kundër gromësimave, ose e kundërta, kur një artist fenomenal i playback-ut ia bën ENDORSEMENT-in një marke altoparlantësh koncertalë.
(Shumë më rrallë ndodh që një hidraulik VIP-ash të dalë dhe të lëvdojë ndonjë laksativ për zorrët e plogëta të atyre që u kanë marrë të pasmet formën e ndenjëseve të avionit.)
Pyetja që ia bën njeriu vetes në këto raste është më shpesh: a do të bëhesh edhe ti pjesë e kësaj bote, ku të mëdhenjtë e të ndritshmit japin e marrin mes tyre, dhe i lëvdojnë njëri-tjetrit veshjet, librat, shtëpitë, udhëtimet në Dubai dhe kirurgjinë plastike?
Ka pastaj edhe ca që i ngatërrojnë këto ENDORSEMENT-e me kritikën: vlerësimin profesional të produktit. Te kjo ngatërresë e kanë shpresën të ata që duan t’i ngjitin shkallët e suksesit dhe famës qoftë edhe thjesht duke u kapur pas bishtave të fustaneve të prima donna-ve të karnavalit të sotëm mediatik.
Ç’të bësh, tha, kur “nuk ke kritikë”, që t’u besosh? Madje më keq akoma, kur profesionistët e gdhijnë dhe e ngrysin ditën, duke mirëmbajtur tema të sigurta dhe të pagabueshme, të tipit “figura e Skënderbeut në letërsinë belge bashkëkohore”?
Kritikë (në shumës) kemi, tha ai tjetri, por nuk kemi KRITIKË (në njëjës).
Shqipëria është e vogël dhe elitën kulturore mund ta mbyllësh brenda një autobusi urban, nga ata me “fizarmonikë”. Të gjithë e njohin njëri-tjetrin, të gjithë hanë në të njëjtin çanak dhe ndonjëherë edhe ndërrojnë lugët, për variacion.
(Ky autobus në formë restoranti nuk është se po shkon gjëkundi.)
ENDORSEMENT-i është forma e natyrshme e komunikimit, brenda një kulture që e ka humbur frymën e brendshme; tipologjikisht, i përket së njëjtës kategori me atë që bëjnë majmunët, kur i qërojnë morrat njëri-tjetrit (anglishtja e quan GROOMING).
Ç’peshë ngre dallimi mes asaj që vlen dhe asaj që nuk vlen, tha i treti, përballë dallimit themelor “NE dhe ATA”?
(c) 2023 Hajro Emiri. Të gjitha të drejtat janë të autorit.