Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Totalitarizëm

PAMJE TË VDEKJES NË OLIMP (II)

Ceremonia funebre për Sergo Orxhonikidzen, ku morën pjesë 250 mijë vetë, të sjell në mendje varrimin madhështor të Hysni Kapos në Tiranë, në shtator të vitit 1979 në Tiranë. Kapoja vinte i dyti në hierarkinë e PPSH-së, fill pas Enver Hoxhës, dhe konsiderohej si një nga shokët më “besnikë” – vdekja e tij i prishi ekuilibrat delikate brenda udhëheqjes dhe lajmëroi fillimin e larjes së hesapeve, që do të vazhdonte pastaj me vetëvrasjen e Mehmet Shehut dhe më tej me eliminimin e Kadri Hazbiut, Feçor Shehut dhe të tjerëve, për të lënë Ramiz Alinë si trashëgimtarin e vetëm, de facto, të Enverit. Natyrisht, edhe për vdekjen e Hysniut – zyrtarisht nga kanceri, në një klinikë të Parisit – ka pasur spekulime të shumta se atë e eliminuan; sipas disa burimeve edhe nga vetë e shoqja e Hysniut, Vito Kapoja.[1] Ditën e funeralit, eulogjinë me tone prekëse deri në patetizëm e mbajti kryeministri Mehmet Shehu. Gjithsesi, edhe varrimi aq i madh i Kapos shërbeu si katarsis, në mbyllje të një dekade që i kish terrorizuar qytetarët anembanë vendit, me fushata arrestimesh, internimesh, burgosjesh e pushkatimesh të njëpasnjëshme – nga ajo kundër liberalizmit, tek ajo kundër deviacioneve në ushtri dhe ajo tjetra kundër sabotimit në ekonomi.

Shtetet totalitare të majta i sundon vërtet determinizmi (edhe historik), por ky determinizëm, i çuar në skaj, shndërrohet në paranojë konspirative. Në këtë kontekst, është gjithnjë e vështirë, për lidershipin dhe historianët që ia rrëfejnë lidershipit bëmat, që të pranojnë diçka si vdekjen e natyrshme të një lideri të madh, për shkaqe mirëfilli natyrore, si një infarkt në zemër ose kanceri. Aq e fortë është paranoja, sa vdekje të tilla jo vetëm nuk ndodhin, por edhe nuk duhet të lejohet që të ndodhin – njerëzit e mëdhenj dalin nga skena të vrarë; meqë vrasja, sado e supozuar dhe e pagjasë, e mbush edhe vdekjen e tyre me kuptim.

Aq më i fortë bëhet ky dyshim, në rrethanat e një shteti totalitar, ku gjithçka pritet të ndodhë në fshehtësi dhe informacioni që lihet të qarkullojë shpesh nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën. Prandaj edhe ka ndodhur rëndom që vdekje burrash shteti, për arsye jo-politike si mosha e shtyrë, sëmundjet dhe aksidentet, t’i atribuohen gjithnjë një agjencie të jashtme.

Fotoja e fundit e Leninit, maj 1923

Në Bashkimin Sovjetik, edhe pse dihej prej kohësh që Lenini ish sëmurë rëndë me sklerozë cerebrale, vdekja e tij u përcoll nga dyshime të forta se e kishin “helmuar”; mes atyre që dyshonin ishte edhe Trocki. Për bolshevikët e vjetër që vdiqën gjatë viteve 1924-1953, por edhe më pas, gjithnjë qarkulluan fjalë se mund t’i kishin eliminuar me helm, ose mund t’i kishin vrarë mjekët – si në rastin e Maksim Gorkit dhe të Zhdanovit, por edhe të Kujbishevit dhe, më herët akoma, të Frunzes që vdiq gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale banale. Mund të sillet një listë shumë e gjatë. Për njerëz me pushtet të jashtëzakonshëm, rreziku i eliminimit me dhunë ishte real, çfarë edhe përligjte masat e forta mbrojtëse – por të gjithë këta ishin të pambrojtur, përballë mjekëve. As Stalini nuk u besonte mjekëve dhe filloi t’i likuidonte në vitet e fundit të jetës, edhe pse atë vetë, Stalinin, ka mundësi që ta kenë vrarë kolegët e vet të afërt, ndoshta Beria ose Hrushovi. Vrasja “me mjek” ishte mënyrë e sigurt për të nxjerrë nga skena një figurë që po krijonte probleme, por që nuk mund të eliminohej me proces politik.

Ashtu mjeku – dhe veçanërisht mjeku personal – është një i tretë që e çrregullon disi funksionimin e sekretit brenda qarqeve të ngushta të pushtetit totalitar: sepse i thirrur të vizitojë i pari një skenë vdekjeje a vrasjeje a vetëvrasjeje ai sheh gjëra që nuk duheshin parë, paçka se pastaj detyrohet të rrëfejë gjëra që nuk i ka parë, për t’iu bindur diktatit të skenaristit përkatës; por, nga ana tjetër, në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me pacientin V.I.P., ai mund t’ia shkurtojë këtij jetën pa e vënë re të tjerët, dhe ashtu të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimet politike. Në çdo rast, regjimi e ka të pamundur të kontrollojë atë çfarë di mjeku – që këtej edhe fati i keq i shumë mjekëve të kupolës, të cilët janë likuiduar thjesht për të garantuar mbijetesën e një versioni të gënjeshtërt të ngjarjeve. Kujtoj këtu dr. Llambi Ziçishtin, të cilin enigmatikisht e pushkatuan pas vdekjes së Mehmet Shehut.[2]

Vitet 1970 në Shqipëri ishin edhe dekada kur shëndeti i liderëve të kupolës totalitare erdhi dhe u shndërrua në çështje politike të dorës së parë, meqë këta burra i përkisnin praktikisht të gjithë brezit që kish dalë nga Lufta dhe kishin të njëjtën moshë. Regjimin në Tiranë – tashmë të izoluar nga bota – filloi pra ta rrezikonte edhe ora biologjike.

Nuk duhet të ketë qenë rastësi që kthesa në politikën e brendshme dhe të jashtme të regjimit, e shoqëruar me spastrimet e mëdha dhe terrorin politik që prej vitit 1973, përkoi me një infarkt të miokardit që goditi vetë Enver Hoxhën. Edhe pse i mbajtur gjysmë i fshehtë, infarkti e aktualizoi, madje e shtroi për zgjidhje vetë mortalitetin e liderit, brenda një sistemi politik të organizuar rreth strumbullarit të permanencës. Nuk thuhej kot, haptazi në publik, se njerëzit ishin gati t’i jepnin udhëheqësit ditë muaj e vite nga jeta e tyre, në mënyrë që ai “të rronte sa malet.” Aq më tepër që, në atë masë që “ne thoshim Enveri dhe nënkuptonim Partia” dhe vice-versa, shëndeti i njeriut Enver mbetej i lidhur ngushtë me vijueshmërinë e pushtetit të PPSh-së.

E megjithatë, udhëheqësit e lartë të shtetit mu në atë kohë filluan të amortizohen dhe të sëmuren seriozisht; dhe me shfaqjen e sëmundjeve, vetë natyra e ushtrimit të pushtetit ndryshoi – sikurse ndryshoi edhe përbërja e oborrit, ose e njerëzve me të cilët këta udhëheqës e rrethonin veten.

Derisa rreziku kryesor personal, për udhëheqjen, vinte nga një atentat i organizuar prej armikut, arma e Sigurimit të Shtetit kish për detyrë që ta parandalonte këtë me çdo kusht; por kur këtij rreziku iu shtua edhe sulmi ndaj trupit të udhëheqësit prej një sëmundjeje serioze ose edhe thjesht moshës, atëherë vetëm arma e Sigurimit nuk mjaftonte: bodyguard-ëve, ose truprojave (rojave të trupit – e thotë vetë emri) iu shtua një kategori tjetër profesionale, ajo e mjekëve dhe e infermierëve.

Edhe pse kupola totalitare gjithnjë kish pasur mjekë të besuar në dispozicion, këta mjekë u pranuan si pjesë e oborrit vetëm kur sëmundja e trupit të udhëheqësit avancoi nga mundësi në realitet. Ashtu mori gjallëri edhe “klinika speciale”, ku ofroheshin shërbime shëndetësore për krerët e Partisë dhe të shtetit; teksa shumë mjekë të njohur u përzgjodhën dhe u rekrutuan që t’u shërbejnë këtyre pacientëve V.I.P. në sekret të plotë.

Së bashku me rojat, infermieret, fotografët (truproja të imazhit), sekretarët personalë (truproja të fjalës), kopistët, kuzhinierët, rrobaqepësit dhe shërbyesit, edhe mjekët u bënë tashmë pjesë e atij grupi laraman që do të mbante kontakt pothuajse të përditshëm me trupin e udhëheqësit, teksa këta vinin duke u plakur dhe trupi u zbythej para patologjive të lidhura me moshën.

Për marrëdhënien unike që vendoset mes një lideri dhe atyre që “ia kanë jetën në dorë” është folur dhe shkruar shumë; e megjithatë, mendësia e shefave historikë të partisë dhe të shtetit, në Shqipëri, ishte më e gatshme të pranonte varësinë nga një rojë personale a nga shoferi, se nga një mjek; meqë për këto kuadro të dalë të gjithë nga Lufta, plumbi ishte gjithnjë kërcënim më i pranueshëm e më burrnor se sëmundja.

Vitet 1970 ishin edhe dekada kur brezi i udhëheqësve të Luftës u përball me vdekjen jo vetëm për shkak të moshës; por edhe si rezultat i spastrimeve rrënjësore që ndërmori Enver Hoxha brenda partisë dhe shtetit; në kuptimin që ata që i shpëtuan skuadrës së pushkatimit ose burgut aso kohe, filluan të sëmuren: kush me zemër, kush me tension, kush me Parkinson, kush me shiatik e me spondilioartrozë e kështu me radhë.

Megjithatë, deri atëherë për Hoxhën dhe njerëzit e tij të afërm, sëmundja dhe revolucioni kishin qenë dukuri të papajtueshme; aq sa edhe koncepti i revolucionarit të sëmurë do të interpretohej si oksimoron. Sëmundja mund të ndikonte në vendimmarrjen politike të liderëve ose në vetëmohimin e tyre dhe “vënien e interesit të përgjithshëm mbi atë personal”; nga ana tjetër, për liderin e sëmurë nuk kursehej asgjë, për ta kthyer në shëndet ose, në rastin më të keq, për ta mbajtur gjallë.

Aq më vlerë kish kjo, kur bëhej fjalë për “lodhje” – një eufemizëm për sëmundjen ose çrregullimin mendor, ankthin, depresionin ose ndonjë problem tjetër të ngjashëm, që duhet të jenë shfaqur shpesh, ndër udhëheqësit ose familjarët e tyre, gjatë viteve të spastrimeve të mëdha.

Një tjetër problem i madh politik ishte si të veprohej, në qoftë se sëmurej ndonjë prej liderëve kryesorë – siç ndodhi me Hysni Kapon dhe siç po ndodhte edhe me vetë Enver Hoxhën. Sëmundjet e tyre vërtet mund të sulmonin trupin, por trupi i udhëheqësit ishte edhe politik; dhe çdo rrezik ndaj trupit politik duhej trajtuar në mënyrë politike. Ashtu, edhe vendimi për ta dërguar Hysni Kapon për kurim në Paris, sado i pazakonshëm, i shërbente jo vetëm shëndetit të Kapos, por edhe shtetit totalitar dhe kupolës. Arsyet me natyrë thjesht personale ose sentimentale, si miqësia e ngushtë që mund të kish Hoxha me Kapon, plekseshin me arsye më të thella, shtetërore, që kishin të bënin me integritetin e udhëheqësisë totalitare.

Kapoja do të vdiste pak më vonë, zyrtarisht për shkak të komplikacioneve prej një operacioni kirurgjikal praktikisht të dëshpëruar; dhe që nga ajo kohë, teoria e komplotit se numrit dy të regjimit ia gjetën anën dhe e eliminuan nuk ka reshtur së qarkulluari në publik. Kjo teori i ka rrënjët, në analizë të fundit, në bindjen irracionale se udhëheqësi i lartë politik asnjëherë nuk vdes në mënyrë të natyrshme – por gjithnjë e vrasin.[3]

Paradoksalisht, kjo do të tingëllojë aq më me gjasë, kur udhëheqësi në fjalë është sëmurë rëndë; sepse vrasjen e një të sëmuri rëndë mund ta maskosh më lehtë, që të duket si vdekje e natyrshme. Për shkak të së njëjtës paranojë, edhe udhëheqësi jeton me dyshimin, në mos me frikën, se po duan ta heqin qafe duke e helmuar; ose duke i dhënë mjekimin e gabuar – çka do të përthyhet në kujdesin maniakal me të cilin përzgjidheshin mjekët, por edhe në ndëshkimin e këtyre të fundit, nëse dyshohej në “tradhtinë” e tyre.

Për udhëheqësin e sëmurë kujdesen zakonisht dy grupe – shoqëruesit, mjekët, infermierët, rojat personale, shoferët dhe shërbyesit që ia ka vënë shteti nga njëra anë; familja nga ana tjetër. Në historitë e thurura rreth udhëtimit fatkeq të Hysni Kapos në Paris, lexohet se një rol të dorës së parë luan gjithnjë Vito Kapoja, si palë e pavarur dhe ndonjëherë jashtë kontrollit politik; siç do të luajë rol të dorës së parë edhe Nexhmije Hoxha, gjatë viteve të fundit të jetës së Hoxhës.

Mes këtyre grave, dhe shpurës së mazhordomëve, shambellanëve dhe heqimëve të oborrit ka pasur jo rrallë konflikt herë të heshtur e herë më pak të heshtur, i cili ende mbetet për t’u sqaruar deri në fund.

Fill pas vdekjes së Enver Hoxhës, njëri prej mjekëve të tij, dr. Isuf Kaloja, mbajti një numër bisedash publike në Tiranë dhe ndoshta edhe gjetiu në Shqipëri, ku fliste për përvojën e tij si mjeku i Atij. Një nga hollësitë që pat sjellë dr. Kaloja atëherë, dhe që mua më ka mbetur në mendje, ishte se Enver Hoxha e kontrollonte hap pas hapi protokollin terapeutik të vendosur nga ekipi i mjekëve, duke dhënë deri edhe këshilla farmakologjike.

Çfarë m’u duk mua atëherë si një orvatje jo shumë origjinale për ta lavdëruar intelektin poliedrik të Hoxhës që nuk paskësh lënë jashtë as mjekësinë, tani po më shfaqet më shumë si provë e mosbesimit të këtij ndaj mjekëve; mosbesim që nuk kish bazë tjetër, veç faktit të pashmangshëm që mjeku ta kishte në dorë trupin; dhe ishte i vetmi që edhe mund të ta zgjaste, edhe mund të ta shkurtonte jetën. E gjithë kjo, pa e cekur akoma mundësinë e gabimit, nga pasiguria ose për shkak të imperativit për të mos gabuar.

Ka shumë gjasë që sovraniteti i Hoxhës ndaj trupit të vet, i shprehur në një farë autonomie ndaj këshillave të mjekëve, të ketë pasur gjithnjë natyrë politike; sepse lideri ishte i vetëdijshëm për rolin e tij edhe në histori, edhe në përditshmëri. Vëmendja dhe kujdesi ndaj shëndetit, në rastin e një homo politicus, do të përshtatej, kështu, si një formë e miratuar e vetëmohimit, ose e vënies së interesit të përgjithshëm (politik) mbi atë personal (biologjik).

Për t’u kthyer tani te vdekja e Kapos, kjo ndodhi “në dhé të huaj”; dhe siç del edhe nga rrëfimet e gjithfarshme të rojeve, shoqëruesve dhe mjekëve, këtyre u mbeti, edhe pas vdekjes, detyra për t’u kujdesur për trupin e udhëheqësit, në mënyrë që ky të mbërrinte – shëndoshë e mirë, nëse mund të shkojë kjo shprehje – në atdhe. Ky ishte konteksti ku u përhap edhe thashethemi se një agjenturë e huaj – UDB-ja ose KGB-ja – do të orvatej “për ta grabitur trupin.”

Po ç’mund të bënte armiku, me kufomën e një udhëheqësi të PPSh-së? Të përgënjeshtronte arsyet e dhëna për vdekjen dhe të provonte se kjo kish qenë vrasje; të mbulonte arsyen e vërtetë të vdekjes, me frikë se kjo do të zbulohej nga një autopsi e nesërme; apo thjesht t’u bënte shantazh atyre kolegëve të Kapos, që ishin ende gjallë?

Në fakt, kjo legjendë urbane, ndoshta edhe thjesht operacion psikologjik i Sigurimit të Shtetit, konfirmon natyrën mistike që fiton, pothuajse vetvetiu, trupi i udhëheqësit të vdekur – sa kohë që vdekja nuk është përmbyllur me varrimin. Në kuptimin që armiku, pavarësisht se si dhe kush, mund ta godiste “shokun Hysni” edhe të vdekur.

Krisja në logjikën e reales pothuajse u përsërit, natën që u vetëvra kryeministri Shehu; dhe pikërisht gjatë periudhës që kaloi midis momentit kur Shehun e gjetën të vdekur në shtrat dhe momentit kur publiku u lajmërua zyrtarisht për “vetëvrasjen.” Vendimi për ta paraqitur ngjarjen si vetëvrasje, sado t’i jetë përgjigjur realitetit, ishte edhe ai krejtësisht politik; meqë Hoxha dhe të vetët nuk u nisën aq nga ndonjë detyrim moral për të thënë të vërtetën, sa nga një domosdoshmëri politike. Përndryshe mund të kishin gënjyer dhe të thoshin se “i shkrepi arma në duar”: Shehu ua kish paskësh dhënë gënjeshtrën të gatshme, në tabaka.

Në fakt, edhe vetë verdikti i shpalljes së Shehut si armik dhe poli-agjent u përcaktua pikërisht në atë moment, kur vdekjes së tij iu bashkëngjit një arsye – lidhja me të vërtetën, në ato rrethana, nuk kish ndonjë rëndësi të madhe; në kuptimin që edhe sikur ta kishin vrarë kryeministrin, shpjegimi do të ishte i njëjtë.

Pa folur pastaj për atë që, disa nga njerëzit që u gjendën të pranishëm, në momentin kur vdekja ende nuk ishte “identifikuar” zyrtarisht, e pësuan pastaj keq, njëlloj si ata arkeologët që i zuri mallkimi i faraonit, kur ia hapën sarkofagun. I vrau kufoma e Shehut, që vazhdoi njëfarësoj të tmerronte edhe pas kapërcimit përtej.

Është thënë se, në Bashkimin Sovjetik, vetëvrasja e një personi me status politik, sidomos për t’i shpëtuar arrestimit, marrjes në pyetje dhe dënimit, me gjasë pushkatimit, filloi të shihej me sy të keq veçanërisht në vitet 1930, kur do të damkosej si goditje e Partisë, nga një njeri i pandershëm. Stalini në 1936: “Një person arrin në vetëvrasje ngaqë ka frikë se gjithçka do të dalë në shesh dhe nuk dëshiron që të jetë dëshmitar i poshtërimit të tij publik… Kjo [vetëvrasja] është një nga mënyrat më të thjeshta që ka dikush në dispozicion që, para se të largohet nga kjo botë, t’i pështyjë partisë për herë të fundit, të tradhtojë partinë.”[4]

Enver Hoxha, për Mehmet Shehun, pas mbledhjes së Byrosë Politike, ku e kishin kritikuar ashpër dhe i kishin kërkuar të tregojë motivet që e kishin shtyrë për “këtë veprim të dënueshëm” të fejesës së djalit:

Ajo që i thashë e alarmoi Mehmetin, ai kujtoi se mos ishte zbuluar krimi që përgatiste [për të vrarë Enver Hoxhën, me urdhër të jugosllavëve, qoftë edhe sikur të vritej ai vetë, AV]. “Trimi” Mehmet Shehu u mendua për tërë natën si të shpëtonte nga kjo darë dhe mendoi e zbatoi një plan të vetin. Ai siç duket gjykoi kështu: “I vdekur se i vdekur jam, më mirë të shpëtoj ç’mund të shpëtoj” dhe vendosi të bëjë si shoku i tij Nako Spiru, të vriste veten, duke menduar se Partia këtë farë “burrë shteti”, “udhëheqës legjendar”, “partizan e luftëtar i Spanjës” do ta varroste me nderime… dhe kështu nuk humbiste e kaluara e tij dhe nuk i pësonte gjë familja.[5]

U fol ato ditë në Tiranë se Enver Hoxha qau me të madhe, kur mori vesh për “vetëvrasjen” e Shehut, edhe pse kjo nuk mund të provohet. Por kjo histori e të qarave, edhe në qoftë e vërtetë, nuk i ndryshon gjë dinamikës së likuidimit të ish-kryeministrit. Për krahasim, po kujtoj çfarë ka shkruar Edvard Radzinsky lidhur me mënyrën si reagoi Stalini, ndaj vetëvrasjes së mikut dhe vëllamit Orxhonikidze:

“Shefi, besoj unë, e vajtoi sinqerisht Sergon, njëlloj siç kish vajtuar më parë Kirovin. Ky ishte një tipar i frikshëm i karakterit të tij – ai ishte në gjendje t’i vajtonte, me sinqeritet, ata që i kish vrarë vetë… Si të mos e bënte këtë, për besnikun Sergo? Kaq shumë kujtime të tij lidheshin me Sergon. Kaq shumë nga kujtimet e tij më të mira. Për fat të keq, Sergoja ishte pjesë e asaj Partie, që tani duhej të zhdukej […] dhe për këtë arsye duhej sakrifikuar. Si Abrahami, që sakrifikoi të birin, Isakun.”[6]

Ideja se kush kryen vetëvrasje, në rrethanat kur pozita e tij përballë shtetit totalitar, dikatorit ose partisë unike është komprometuar ose rrezikon të komprometohet, është relativisht më e lehtë për t’u kuptuar: teorikisht, një i pandehur që i shpëton hetimit dhe gjykimit formal duke dalë nga skena në mënyrë kaq dramatike mund të tregojë, veç frikës nga organet represive dhe metodat e tyre, ndjenjës së izolimit nga grupi a dëshirës kompulsive për të mos e humbur kontrollin ndaj fatit individual, edhe se vetëvrasësi e ka kuptuar se “krimi” i tij është zbuluar dhe se nuk do të mund t’i shpëtojë drejtësisë. Sipas kësaj logjike, vetëvrasja e konfirmon fajin.[7]

Më vështirë është të interpretohet zemërimi – i shprehur edhe nga Stalini dhe sejmenët e tij, edhe nga Hoxha, ndaj një shoku armësh a kolegu që kryen vetëvrasje. Zemërimi i llojit “si guxove të ikësh, pikërisht kur ne po ta çirrnim maskën?” Ky zemërim jo vetëm e sheh vetëvrasjen si provë të krimit, por edhe aktin vetë të vrasjes së vetes si krim ndaj partisë, ndaj atdheut, ndaj shokëve, ndaj popullit, ndaj idealit. Pështymë ndaj partisë, e quante Stalini.

Një arsye për këtë reagim kaq bizarr, do të lidhej me dëshirën e liderit suprem për t’i parë të konfirmuara në skenën publike paranojat e veta për tradhti, spiunazh dhe komplote. Gjyqet e mëdha të viteve 1937-1938 në Moskë, ku një mori udhëheqësish bolshevikë deri dje nga më të respektuarit pohuan në publik faje nga më të paimagjinueshmet, provuan në sipërfaqe paranojat e Stalinit kundër bashkëpunëtorëve të vet; edhe pse në thelb nuk ishin veçse vënie në skenë të një skripti të shkruar nga Stalini vetë dhe që pastaj hetuesit ua imponuan të pandehurve, përkundrejt kërcënimeve të rënda, torturave dhe manipulimit psikik. Kur bolshevikë të nivelit të Zinovievit, Kamenevit dhe Buharinit pranuan, para botës mbarë, gjëra të pabesueshme, Stalinit iu konfirmua fantazia e tij paranoide, edhe pse nëpërmjet një farse. Ashtu lideri i Kremlinit pati shansin ta shkruajë sipas midesë historinë e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, duke i lëvizur personazhet në tryezë si gurë shahu; në thelb, duke i privuar këto personazhe nga agjencia dhe duke e rishpikur veten si autor të ngjarjeve.

Të njëjtën përshtypje ta lë famëkeqja tablo sinoptike që hartoi Enver Hoxha, për të përmbledhur veprimtarinë armiqësore të kujt kish qenë, deri dje, miku dhe bashkëpunëtori i tij më i afërt – Mehmet Shehu. E bazuar në disa pak fakte historike dhe dokumente të mirënjohura, tabloja sinoptike ishte një ri-rrëfim fantastik i rolit të Shehut në histori.

Kadareja te parathënia e memuarit të Bashkim Shehut:

Loja tragjike me Shehun [Enverit] i jep pa dyshim një kënaqësi per­verse. Ka ëndërruar gjithë jetën të bëhet shkrimtar, dhe ç’është e vërteta herë-herë, kur i largohet politikës, tregon se mund të shkruajë jo keq. Vitet e fundit të jetës ka kënaqësinë e mprehtë që të bëjë një lloj letërsie unikale në botë: skenare, ku krimet pasi janë skicuar në kokën e tij, njëmendësohen në jetë. Bisedat që ka bërë me viktimën e vet gjatë asaj vjeshte të tmerrshme, (një pjesë të tyre e jep Bashkim Shehu në librin e tij), janë një minierë e vërtetë për analistët për të kuptuar stërhollimet në skutat e fshehta të trurit të tij, përpjekjet për ta shtyrë viktimën në krime të tjera përpara se të rrëzohet, stili i njohur i tij, kur atë që do të dënojë e shfrytëzon gjer në fund për ndonjë shërbim të fundit, përpjekja për të futur si bashkëpunëtorë në krim djalin e madh dhe me siguri gruan e viktimës; përpjekja për të zhdukur me këtë rast disa nga intelektualët e njohur të vendit.[8]

Edhe pse Shehu nuk ishte më gjallë për t’i konfirmuar këto paranoja para gjyqit, regjimi i mori të gjitha masat që fantazia komplekse e Hoxhës (“tok me të shoqen, hodhën helmin në WC”) të gjente konfirmim në deponimet dhe dëshmitë e të gjithë atyre që mori me vete Shehu kur u rrëzua nga piedestali. Natyrisht, ish-kryeministri nuk i shpëtoi dot dënimit publik pas vdekjes, dhe as shpëtuan dot nga përndjekja familjarët e tij; por tërbimi i Hoxhës, nëse mund ta quaj kështu, ishte që nuk arriti dot ta poshtëronte vëllain e djeshëm kur ky ishte ende gjallë, nuk arriti dot ta bëjë të kërkojë falje dhe të konfirmojë me shkrim e me gojë paranojat e shefit të madh.

Këtej merr rëndësi tjetërlloj edhe çfarë do të vendosë udhëheqësi, kur viziton skenën e një vdekjeje të dhunshme të një kuadri të lartë, fill pasi ka ndodhur, kur natyra e saj ende nuk ka marrë formë, kur allçia ende nuk ka ngrirë, dhe kur ende nuk dihet nëse vdekja do të lajmërohet si nga shkaqe natyrale, si aksident, si vetëvrasje, apo si atentat i kryer nga armiku.

Ja si e arsyeton këtë Ismail Kadareja, tek e njëjta vepër:

Ka dy fakte ndërkaq tepër të sakta. E para: qysh të nesërmen e vdekjes [së Mehmetit, A.V.] u përhap fjala (me sa duket nga vetë policia e fshehtë), se natën e 17 dhjetorit është parë ‘hija e një të madhi – anëtar i Byrosë Politike’ që ka hyrë në shtë­­pinë e kryeministrit. Që kjo thashetheme nuk quhej e dëmshme është dëshmia më e sigurt se ajo ishte një ‘thashethem zyrtar’. E dyta: në mars të vitit 1982, pra tre muaj pas dramës, një ekip mjekësh legalë u thirr nga ministri i Brendshëm H. Isai në shtëpinë e braktisur për të dhënë një mendim se ç’mund të ketë ndodhur dhe përse nuk është bërë autopsia e kufomës. Njëri nga mjekët pjesëmarrës më ka treguar revoltimin e ministrit të Brendshëm për skandalin e mosbërjes së autopsisë dhe hedhjen hapur të dyshimit se këtu diçka fshihej.

Këto dy fakte dëshmojnë qartë se Enver Hoxha qysh në fillim kishte disa skenarë rezervë për shpjegimin e vdekjes së pasardhësit të vet. Në rast se opinioni zyrtar dhe ai botëror pra­non variantin zyrtar shqiptar të vetëvrasjes, ai do të mbetej tek ky variant. Në rast se dyshimi do të bëhej zotërues, do të vihej në lëvizje varianti rezervë i vrasjes. Për këtë ishin marrë masat. E para: nuk u fol për hijen e ‘një anëtari të Byrosë Politike që hyri në mesnatë te Shehajt’? E dyta: a nuk kërkoi vetë shoku Enver shpjegime përse nuk u bë autopsia? Përfundimi: Kryemi­nistri shqiptar nuk ka vrarë veten, por e vrau një nga komplo­tistët (‘hija’), për të mbuluar gjurmët e komplotit. Pra thelbi mbe­tej (tradhtia e tij), lëvizte vetëm lëvozhga (mënyra e elemi­nimit). Pak kohë më pas, mjeku legalist që merrte pjesë në anketën e autopsisë më ka thënë se, për habinë e tij të madhe, ‘ajo punë u la’. Me sa dukej diktatori ishte kthyer prapë te ske­nari fillestar. Sidoqoftë rezervën e ‘hijes’ e la. Megjithëse trupi i kryeministrit pasi ishte çvarrosur disa netë më pas, ishte shka­tërruar krejt, dyshimi se mund të ngrihej ndonjë ditë çështja e autopsisë, nuk e linte të qetë Enver Hoxhën. Si arkitektët e pira­midave që një pjesë të dijes e harxhonin për të gjetur mekaniz­min mbyllës, ashtu dhe diktatori shqiptar i kushtonte një vëmendje të madhe mbylljes të të gjitha portave të mund­shme drejt së vërtetës. Pasi hapi pëshpërimën se ‘hija’ e natës së 17 dhjetorit ishte ministri Kadri Hazbiu, disa muaj më pas e arres­toi edhe atë si bashkëkomplotist. Përpara se ta dëno­nte me vdekje, shpejtoi t’i bëjë një gjilpërë në gjuhë për t’i hequr mundë­sinë e të folurit. Pas pushkatimit të ‘hijes’ diktatori duhet ta ketë ndjerë veten disi më të qetë. Tani çfardolloj ver­sio­nesh të ngri­heshin për vdekjen e Shehut, vetëvrasje ose vra­sje, ai nuk rrezi­kohej më. Gjithçka do të binte mbi ‘hijen’».[9]

Te ky rindërtim, Hoxha del në rolin e një master-narratori, që ende nuk ka vendosur se si do t’ia rrëfejë vetes, “shokëve” (atyre që i kishin mbetur), Partisë dhe popullit historinë e vdekjes së Mehmet Shehut; që ende nuk di se cili verson do të ishte më i dobishëm politikisht për atë vetë dhe sundimin e tij, tashmë në grahmat e fundit. Nga pikëpamja e efektit në realitet, ngjarja mund të ketë ndodhur tashmë, por e vërteta ende jo. Madje ngjarja do të mund të shndërrohet në histori vetëm pasi të rrëfehet nga autoriteti suprem, i cili do t’ia japë trajtën e duhur.

Stalini, kur mori vesh që diçka e rëndë kish ngjarë me “shokun Orxhonikidze”, shkoi në apartamentin e tij, i hodhi një sy skenës së vetëvrasjes, dhe dha urdhër që kjo të trajtohej si vdekje nga një atak kardiak. Vëren historiani Stephen Kotkin se me atë porosi Stalini vendosi që të mos e përdorte vdekjen për t’i çuar më tej akuzat e tij se agjentët e armikut vepronin kudo. Përndryshe, asgjë nuk e pengonte që ta kish paraqitur vetëvrasjen si vrasje, dhe pastaj të kish vepruar siç veproi me vrasjen e Kirovit, vite më parë, që shërbeu si eshkë për zjarrin e madh të spastrimeve dhe terrorit të madh.[10] Që Stalini e vendosi këtë, kjo tregon edhe që atij nuk i interesonte që kolegu i tij Orxhonikidze të rezultonte i komprometuar me grupet armiqësore – siç do të ndodhte pashmangshëm, po të lajmërohej publikisht vetëvrasja. Në një kuptim, e fali Orxhonikidzen e vrarë.

Pjesa I

(vijon)

© 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Funerali i Maksim Gorkit, në Moskë. Molotovi, Stalini, Yagoda, Kaganoviçi, Zhdanovi, Dimitrovi.


[1] Vito Kapo: Kadri, pse ma vratë Hysniun?, te Shqiptarja.com

[2] Shih për të gjitha këto Jonathan Brent and Vladimir P. Naumov, vep.cit., passim.

[3] Kjo ndoshta shpjegon, në mënyrë poetike, edhe pse udhëheqësit e Partisë dhe të shtetit që vdisnin për shkaqe të natyrshme, i shtinin në dhé në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

[4] Cituar nga J. Arch Getty, Oleg V. Naumov, The Road to Terror, Stalin and the Self-Destruction of the Bolsheviks, 1932-1939, 2010 Yale University Press, f. 252.

[5] Titistët, vep. cit. f. 577.

[6] Radzinskii, vep. cit. f. 366.

[7] Vetëvrasja është dënuar tradicionalisht, dhe sidomos nga personat që kanë kryer një krim dhe duan t’u shpëtojnë pasojave, përfshi këtu edhe ndëshkimin sipas ligjit. Nuk ka asgjë moderne, as mirëfilli autoritare a totalitare, dhe as laike ose afetare te ky qëndrim – sepse ndeshet që në antikitetin pagan dhe kombinohet me qasjen e Krishterë ndaj aktit; madje deri vonë dënimi i vetëvrasjes edhe në vendet perëndimore relativisht të emancipuara shpesh parashikonte edhe “ndëshkimin” e kufomës, nëpërmjet refuzimit të varrimit në truall të konsakruar, ose më keq, përdhosjes ose shkatërrimit. Shih për këtë George Minois, History of Suicide, Voluntary Death in Western Culture, The John Hopkins University Press 1999.

[8] Bashkim Shehu, Vjeshta e ankthit, Albinform, Tiranë, 1994, f. 20.

[9] Bashkim Shehu, vep. cit, f. 13-14.

[10] Stephen Kotkin, vep. cit., f. 385.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin