Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

ME ALFABET TË CUNGUAR

Për shkak të një aksidenti mirëfilli teknologjik, shkrimi i shqipes sot është destabilizuar – edhe pse kjo nuk ka të bëjë fare me standardin dhe as me lëkundjen e parimit drejtshkrimor. E kam fjalën për shqipen me alfabet të reduktuar, pa <ë>-të dhe <ç>-të, që po mbush faqet në Internet dhe jo vetëm, dhe që imponohet nga përdorimi i tastierave të anglishtes, të cilat nuk i kanë këto shkronja.[1] Të vërehet që në krye se një zhvillim i tillë – që e ka futur sistemin shkrimor të shqipes në krizë – nuk ka ardhur nga ndonjë nevojë e brendshme e gjuhës a nga ndonjë pamjaftueshmëri e standardit shkrimor, por nga mospërgatitja e duhur e shtetit përballë një hopi dramatik në teknikat e të shkruarit, si ai i shfaqjes së teknologjive të kompjuterit, të telefonisë celulare dhe, tërthorazi, edhe të Internetit (që i vuri njerëzit të shkruajnë masivisht). Për ta thënë ndryshe – a perfect storm.[2]

Përtej sfidës praktike dhe rrezikut që ende askush nuk e ka matur ndaj funksionimit normal të ligjërimit të shkruar, situata e krijuar paraqet edhe interes teorik, meqë dëshmon si reagon një masë e madhe shkruesish, përballë një “katastrofe” të kodit alfabetik – pamundësisë për të përdorur disa nga shkronjat në komunikim. Ndryshe nga çfarë ndodh kur një gjuhë shkruhet për herë të parë, ose kur zgjedh alfabetin e vet (ose ndërrimin e alfabetit), këtë herë nuk pati ndonjë institucion a forum elitar që të vendosë se si do të veprohej – përdoruesit vepruan me intuitë dhe, çuditërisht njëzëri, duke iu përshtatur mungesës së shkronjave “natyrshëm” dhe njëzëri.

Vendimi për t’i shkruar /ë/-të si <e>, dhe /ç/-të si <c> mund të shihet si i vetvetishëm – shkruesit e zëvendësojnë një shkronjë që i mungon tastierës, me një tjetër të ngjashme grafikisht, e cila përndryshe përdoret me funksion tjetër.[3] Në fakt, <ë>-ja dhe <e>-ja janë aq të ngjashme vizualisht (ikonikisht), sa e para mund të interpretohet si një variant grafik i së dytës[4], me shenjë “diakritike”[5]; e njëjta gjë vlen edhe për <ç>-në dhe <c>-në.[6]

Megjithatë, në rrafshin fonematik, nuk flasim dot për variante, sepse fonema /ë/ nuk është variant i fonemës /e/, dhe fonema /ç/ nuk është variant i fonemës /c/; dhe aq e vërtetë është kjo, sa çiftet përkatëse i ndesh rëndom si çifte minimale, sidomos të parin.[7] Prandaj, që shkruesit kanë zgjedhur, pothuajse pa ngurrim dhe njëtrajtshëm, që ta zëvendësojnë një shkronjë me një tjetër të ngjashme grafikisht, kjo mbase mund të ndriçojë disi edhe mënyrën si e shkruajmë shqipen.[8]

Ndryshe ndodh në gjuhë të tjera, si në italishte – ku rëndom ka qenë përdorur dhe vazhdon të përdoret apostrofi në vend të zanoreve me theks diakritik, duke shkruar, p.sh. e’ tardi, në vend të è tardi, ose sara’ tardi, në vend të sarà tardi, pasi në raste të tilla apostrofi shënjon theksin fundor ose e shumta shërben për të dalluar mes tyre forma homonimike.[9] Shumë shkrues informalë të portugalishtes[10] dhe të spanjishtes, veçanërisht online, nuk i përdorin “theksat” e këtyre gjuhëve; në rastin e spanjishtes, dukuria mund të ketë shkaqe të ngjashme me të shqipes, dhe pikërisht përdorimin e tastierave të anglishtes nga spanjisht-folësit që jetojnë në SHBA.[11] Për portugalishten, arsyet kanë të bëjnë edhe me sistemin relativisht barok të diakritikëve në shkrimin e asaj gjuhe.[12]

Pyetja që po dua të bëj, është se mos vendimi i shkruesit për të shkruar <eshte> në vend të <është> konfirmon një farë pavarësie relative të shkrimit ndaj të folurit; dhe veçanërisht, mos lë të kuptohet se kur e shkruajmë një fjalë i referohemi jo formës së saj fonematike (ose trajtës që ajo ka në ligjërimin e folur), por mënyrës si e kemi shkruar më parë, ose si e kemi parë të shkruhet, ose traditës shkrimore.

Problemi që shtroj është në thelb psikolinguistik dhe ka të bëjë me mënyrën si i memorizojmë trajtat e shkruara – në vetvete, apo në marrëdhënie me trajtat e folura.

Në parim, kushdo që vihet të shkruajë një gjuhë nga e para, përfshi këtu edhe fëmijën që mëson të shkruajë në shkollë, nuk ka nga çfarë të niset, përveçse nga ligjërimi i folur dhe forma fonematike e fjalëve (edhe pse mund të mbështetet në konvencione grafematike të gjuhëve të ngjashme, siç veproi p.sh. Buzuku me italishten). Tek e fundit, të mësosh të shkruash, veçanërisht për gjuhë që ndjekin parimin fonematik si shqipja, do të thotë të mësosh të vendosësh korrespondenca midis fonemave dhe grafemave, pa dalë nga niveli i dytë i artikulimit (në kuptimin që këtij i jep André Martinet, Eléments de linguistique générale, Colin, Paris, 1960 dhe gjetiu).

Megjithatë, shkrimi nuk është transkriptim i të folurit dhe as synon të jetë; dhe pohimi se “fjala peshk shkruhet kështu, me grafemat <p-e-sh-k> në këtë renditje specifike, sepse kështu është shkruar edhe më parë” mund të jetë po aq i vërtetë sa edhe pohimi se “fjala peshk shkruhet kështu, me grafemat <p-e-sh-k> në këtë renditje specifike, sepse kjo paraqitje grafematike i përgjigjet formës fonematike të fjalës”.

Ideja ime – ende në fazë embrionale – është se pikërisht lehtësia me të cilën shkruesit e shqipes i zëvendësuan shkronjat munguese të tastierës me shkronja grafikisht të ngjashme, provon se, gjatë produksionit të ligjërimit të shkruar, shkruesit replikojnë imazhet grafematike të fjalëve, dhe nuk i ndërtojnë këto sipas ndonjë parimi fonologjik (ose ndonjë teknike të analizave dhe përkimeve fonologjike që kanë përvetësuar në shkollë). E shumta, përkimi fonologjik ndihmon, sidomos kur është fjala për të shkruar fjalë që deri atëherë shkruesi vetëm ua ka dëgjuar të tjerëve.

Ashtu <eshte> do të funksionojë si version minimal i <është>, në kuptimin që grafia <eshte> evokon mendërisht një grafi tjetër <është> (tradita shkrimore ose modeli “i thellë”) nëpërmjet analogjisë (ngjashmërisë), e cila grafi pastaj formalisht përfaqëson trajtën e folur /është/. Me fjalë të tjera: kush shkruan <eshte>, nuk ka imediatisht në mendje trajtën e folur /është/, por trajtën e shkruar <është>.[13]

Që shkrimi i shqipes me alfabet të thjeshtuar përfton inercinë e vet specifike, këtë e dëshmon edhe pamundësia e disave që ta shkruajnë shqipen me 36 shkronja edhe atëherë kur duan ose u duhet që ta bëjnë – çfarë sjell si rezultat tekste “hibride”, ku shumë fjalë përdorin ende <e>-të në vend të <ë>-ve. Për shembull, “Janë perdorur fjalë te huaja të panevojshme”, ku <e>-të në vend të <ë>-ve tani nuk janë më efekt anësor i një tastiere të mangët, por thjesht gabime shkrimi që i detyrohen forcës së zakonit.[14]

Një mundësi teorike alternative, do të ishte që shkronjave <e> dhe <c>, të alfabetit shqip, t’u njihej një valencë e dyfishtë: si grafema për fonemat /e/ dhe /c/, dhe si variante grafematike të fonemave /ë/ dhe /ç/. Por ekzistenca e këtyre varianteve të papërligjshme nga pikëpamja thjesht funksionale, do të shpjegohet vetëm nëpërmjet trysnisë së traditës – ose një “derdhjeje” të diakronisë në sinkroni, sa kohë që lexuesit e formës <eshte> e interpretojnë këtë saktë, sepse ajo u kujton formën korrekte <është>.[15]

Shkrimi i shqipes me alfabet të gjymtuar u jep studiuesve një mundësi unike për të kuptuar më mirë si e shkruajmë gjuhën, por të mos harrojmë se ashtu janë përftuar dhe vazhdojnë të përftohen probleme potencialisht serioze në funksionimin e gjuhës së shkruar, para së cilave të njëjtët studiues nuk mund të rrinë indiferentë; dhe aq më pak në rrethanat e zhbërjes graduale të normativitetit gjuhësor.

(c) 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Për t’u shënuar, qoftë edhe në anëshkrim, se ky aksident është “i dënuar” të jetë i përkohshëm: tastierat virtuale, sot të adoptuara gjerësisht nga Google, Samsung dhe sisteme të tjera të UI në telefonat dhe tabletat, lejojnë kalimin nga tastiera e anglishtes në atë të shqipes me një klik të vetëm; mbase shtrëngimi do të mbijetojë më gjatë për shqipen e shkruar në PC, përmes një tastiere fizike, zëvendësimi i së cilës kushton. Mbetet për t’u parë nëse dëmi destabilizues do të përthithet, apo do të çojë në ndonjë shtresëzim të normës shkrimore, ose normalizim të shqipes së cunguar në nivelet informale – pa folur për masën e madhe dhe gjithnjë në rritje të shqipshkruesve, që e kanë të vështirë të përdorin <ë>-të dhe <ç>-të, sepse tashmë janë mësuar me tastierën e anglishtes (ose të ndonjë gjuhe tjetër perëndimore). Në çdo rast, edhe pak vite na ndajnë nga momenti kur do të përgjithësohen softuerët e “njohjes zanore” edhe për shqipen dhe shumë shkrues nuk do të kenë më nevojë të shkruajnë, meqë do t’u mjaftojë që t’ia thonë tekstet softuerit në mikrofon; por unë nuk jam i sigurt nëse kjo risi teknologjike, në kombinim me përdorimin e AI-së asistuese në hartimin e teksteve, do të na “çlirojnë” të gjithëve nga nevoja për të shkruar. Për brezin tim, të shkruarit është edhe një mënyrë për t’i artikuluar mendimet, madje për të përftuar ide të reja dhe organizuar ide ekzistuese.

[2] Në anglishten e sotme, metafora a perfect storm përdoret për të shënjuar një krizë që vjen pas një kombinimi faktorësh negativë të pavarur dhe të paparashikueshëm. Për shkrimin e shqipes, problemet që sollën tastierat e importuara të gjuhëve të tjera, të cilave u mungonin ë-të dhe ç-të e vogla dhe të mëdha, u kombinuan me statusin tradicionalisht të paqëndrueshëm të shkronjës <ë> në shqipen standard. Shumë shkrues të shqipes përjetonin tashmë luhatje dhe vështirësi në shkrimin e <ë>-ve që pa u shfaqur tastierat e mangëta. Aq më tepër që, me gjasë, ka pasur në shqipe një traditë informale të shkrimit të <ë>-së si <e> në materiale të daktilografuara me makina shkrimi të cilave u mungonte <ë>-ja. Mbetet për t’u hulumtuar sa e përhapur ka qenë kjo traditë, e cila – në vetvete – i paraprin në më shumë se një mënyrë kësaj të sotmes. Për t’u shënuar këtu edhe një konvencion i vjetër tipografik, i cili lejonte zëvendësimin e Ë-së me E, në tituj, parulla dhe tekste të tjera me shkronja të mëdha – por ky konvencion nuk shtrihej deri te Ç-ja.

[3] Pas gjase, vendimi për ta shkruar ə-në e shqipes si ë, së bashku me vendimin tjetër për ta shkruar ʧ-në si ç, u ndikuan doemos nga nevoja thjesht praktike; dhe pikërisht nga fakti që këto dy shkronja, ë-ja dhe ç-ja, gjendeshin lehtë në tipografitë që vinin nga Europa perëndimore (meqë të dyja i përdor frëngjishtja), prandaj edhe do t’ua lehtësonin punën shtypshkruesve të teksteve shqip.

[4] Edhe kur i shkruajmë këto shkronja me dorë, nisemi nga varianti bazë (<e>, <c>) dhe këtyre u shtojmë një shenjë diakritike, si dy pikat, në rastin e <ë>-së, ose një bisht të vogël, në rastin e <ç>-së, çfarë duket sikur e përforcon bindjen intuitive (por në thelb të gabuar), se të dytat janë versione “të shtuara” të së parave.

[5] Kjo shkronjë, e cila njihej dikur si “shkronja e De Radës” në shqipe, në fakt – po t’i referohemi një artikulli tëFrancesco Altimarit, në lidhje me historinë e shkronjës ë në alfabetin e  shqipes (Il grafema-bandiera “ë”. I lunghi legami shqiptaro – arbëreshë attraverso la breve storia di una semplice lettera, STUDIA ALBANICA, 2008/1, f. 11-21). është përdorur fillimisht nga Padre Giorgio Guzzetta, i seminarit greko-arbëresh të Palermos në Sicili, në një vepër të mesit të shekullit XVIII, e cila mbeti dorëshkrim dhe praktikisht e panjohur për studiuesit deri vonë; dhe më pas edhe nga kolegë të tij që e pasuan, në po atë seminar. E njëjta shkronjë ndeshet, së bashku me versione të tjera të fonemës /ë/, në dorëshkrimet e Nicola Brancati-t, dhe sidomos të Nicolò Chetta-s. Në fakt, veprat e autorëve të mësipërm mbetën të gjitha dorëshkrime, për të qarkulluar vetëm brenda rrethesh të ngushta studiuesish dhe klerikësh arbëreshë; por kjo nuk e pengoi /ë/-në arbëreshe të Sicilisë të “ligjësohet” edhe në variantin arbërisht të lutjes “Ati ynë”, botuar në librin e njohur të Lorenzo Hervas y Panduro, Saggio pratico delle lingue (1787). Më në fund, gjithnjë sipas Altimarit, ishte Giuseppe Crispi, rektor i seminarit arbëresh të Sicilisë (dhe ungji i kryeministrit italian Francesco Crispi), që e përdori për herë të parë grafemën <ë> në një vepër të botuar. Nga Crispi, shkronja u adoptua nga rrethet arbëreshe të Napolit, dhe që andej përfundoi në Kalabri, e përdorur nga Santori dhe Dorsa; dhe pastaj për t’u rikthyer në Sicili, nga Kalabria, në studimet gjuhësore të Camarda-s. Ashtu e gjeti edhe De Rada, i cili pastaj e popullarizoi më tej, falë edhe autoritetit dhe personalitetit të tij. Duke iu referuar pastaj një studimi të T. Osmanit, Altimari vëren se këtë shkronjë ndër shqiptarët në Ballkan duket ta ketë përdorur pastaj i pari Luigj Gurakuqi, në alfabetin e tij të vitit 1901 – dhe jo rastësisht, sa kohë që Gurakuqi kish qenë nxënës i De Radës në Kolegjin e Shën Adrianit. Edhe përfshirja e kësaj shkronje kaq të rëndësishme, në alfabetin e njësuar të shqipes pas Kongresit të Manastirit, do të ketë ndodhur falë ndërhyrjes së Gurakuqit vetë, i cili e kërkoi shkronjën <ë> në kujtim dhe nderim të De Radës dhe të kontributit të tij të jashtëzakonshëm për kulturën kombëtare. Edhe Bardhyl Demiraj, në një artikull të botuar në STUDIA ALBANICA 2008/2 (f. 89-97), me titullin La lettera <ë> come testimone della tradizione scritta albanese- arbëreshe e alcuni problemi riguardanti la sua odierna ortografia, merr shkas prej zbulimeve të fundit të filologjisë arbëreshe, dhe veçanërisht të studiuesit Mandalà, të cilat hedhin dritë të re në origjinën e kësaj shkronje të shqipes. Duke iu referuar dorëshkrimit të Guzzetta-s, i cili ishte i pari që e përdori shkronjën <ë> në shqipe (arbërishte), B. Demiraj vëren se ky e sajoi këtë shkronjë me idenë për të përmirësuar sistemin shkrimor që përdornin autorët katolikë të Veriut dhe që nuk përkonte me shqipen e folur. Çuditërisht, Guzzetta e përshkruan këtë zanore si me “timbër hundor”, sikurse shqiptohet ajo sot e kësaj dite, deri-diku, në Horën e Arbëreshëve, në Sicili; dhe Demiraj gjen, në veprën e autorit arbëresh, raste kur dypikëshi është përdorur edhe me grafema zanoresh të ndryshme nga e-ja – p.sh. grafi të tilla si Kämbë, Ämblë, Mämë, Äm dhe Küshtu. I nisur nga grafi të tilla, Demiraj mendon se dypikëshi te Guzzetta përfaqëson një orvatje për t’i shkruar fjalët shqipe duke marrë parasysh edhe origjinën e tyre, ose format fonetike paraprirëse; duke shënjuar, nëse kjo vërtet qëndron, modifikimin e zanores bazë – me ç’rast ë-ja nuk do të ishte veçse një e e modifikuar (e qendërzuar, në artikulim + e hundorëzuar); në një kohë që ë-ja e arbërishtes (dhe e shqipes) me prejardhje nga qendërzimi i zanoreve të tjera (p.sh. ëmbël nga ambël, dhe mëmë nga mamë) do të shkruhej, idealisht, ndryshe. Dhe, gjithnjë duke ndjekur shpjegimin e Demirajt, dypikëshi në këtë alfabet të Guzzetta-s (hipotetik) nuk do të ishte doemos i bashkëlidhur me e-në, por do të shënonte një proces fonetik (të ngjashëm, për nga funksioni, me umlaut-in e gjermanishtes); çka e bën disi më të logjikshme formën e shkronjës ë, pa çka se më pas kjo ide në thelb praktike, do të harrohej krejt. Lexoni edhe Dy pikat mbi <ë> nga Bardhyl Demiraj, botuar së fundi në Peizazhe të fjalës.

[6] Në gjuhësi, shenja të tilla që shoqërojnë shkronjat e alfabetit, por pa i zëvendësuar ato, quhen diakritikë, dhe kryejnë funksione të ndryshme. Në frëngjishte, për shembull, pullazi sipër o-së dhe zanoreve të tjera, i njohur si accent circonflexe, shënjon zakonisht faktin që rrokja ka pasur dikur një s, e cila pastaj ka rënë (p.sh. italisht festa, frëngjisht fête; italisht finestra, frëngjisht fenêtre; italisht ospedale, frëngjisht hôpital); por ka edhe funksione të tjera. Gjuhët që shkruhen me alfabet latin i përdorin rëndom diakritikët, në mënyrë që alfabeti t’u përshtatet më mirë sistemeve të tyre të shkrimit. Për shembull, krahas shkronjës a, ndeshim në á, à, ã, ä, ă, ą, â, å, ā. Dhe, meqë alfabeti latin u jep një emërues të përbashkët të gjitha gjuhëve që e përdorin, ndonjëherë këto shkronja me diakritikë vijnë dhe e përfaqësojnë gjuhën si të ishin simbole “kombëtare”, ose “etnike” – për shembull å për suedishten dhe ø për danishten; ose ñ për spanjishten.

[7] Në shqipen e shkruar, shkronjat <ë> dhe <ç> nuk janë ornamentale, as opsionale; por të domosdoshme – të paktën për mënyrën si komunikon sot shqipja e shkruar me shqipen e folur. Mjaft të kujtoj këtu se dallimi <ë>/<e> është i domosdoshëm për të dalluar midis rasave emërore/kallëzore dhe rasave gjinore/dhanore/rrjedhore të emrave femërorë të pashquar të tipit mollë, punë, shkollë, etj., dallim që vjen e rrafshohet, që nga momenti kur vendosim ta zëvendësojmë ë-në me e në të shkruar. I njëjti dallim është themelor dhe i vetmi, për çiftet (minimale) të fjalëzave të/te, më/me, së/se, lë/le, në/ne, kë/ke, që/qe, që kanë denduri përdorimi jashtëzakonisht të lartë në gjuhë.

[8] Ma merr mendja se të njëjtët shkrues që i lënë rregullisht jashtë <ë>-të dhe <ç>-të kur shkruajnë me tastierë, i përdorin ato rregullisht, kur i kthehen të shkruarit me dorë.

[9] Të krahasohet edhe umlauti i gjermanishtes: <ä>, <ö>, <ü> dhe ekspedienti i zëvendësimit të atyre shkronjave me <ae>, <oe> dhe <ue>, kur mungojnë grafemat përkatëse në tastierat, p.sh. fühlen vs. fuehlen. Por umlauti në shkrimin e gjermanishtes nuk mund të krahasohet drejtpërdrejt (për nga funksioni) me umlautin e <ë>-së shqipe dhe as me diakritikët në alfabetin e shqipes. Në shqipe, njëlloj si në gjuhë të tjera të cilave u daton shkrimi relativisht vonë, shkronjat me diakritikë u përdorën thjesht si grafema plotësuese, që u përgjigjeshin fonemave specifike të sistemit fonematik, jo varianteve pozicionale, morfofonematike etj. të fonemave ekzistuese. Një zgjidhje alternative do të ishin dyshkronjëshat, që alfabeti i shqipes i ka me shumicë (dh, gj, nj, ll, sh, xh, zh).

[10] Duke e përshkruar këtë dukuri për portugalishten (heqjen e plotë ose të pjesshme dhe zëvendësimin e diakritikëve), John B. Jensen flet për një “reformë drejtshkrimore spontane” (spontaneous spelling reform); https://doi.org/10.2307/345160.

[11] Nuk kam të dhëna për reduktimin e theksave dhe të diakritikëve nga shkruesit informalë të gjuhëve të tilla si kroatishtja, çekishtja, polonishtja, ose edhe rumanishtja e turqishtja. Të shihet, për një tablo më të detajuar të efekteve të shkrimit online ndaj alfabeteve dhe drejtshkrimeve, The Multilingual Internet: Language, Culture, and Communication Online, nga Brenda Danet (Editor) dhe Susan C. Herring (Editor), Oxford University Press 2007.

[12] Siç e shoh te Jansen-i (art. cit.), shkruesit thjesht “përtojnë” që të ndjekin rregullat drejtshkrimore në kontekste shkëmbimesh informale, edhe kur i kanë mundësitë teknologjike (tastierat harduer) për t’i përftuar diakritikët: humbasin shumë energji, në një kohë kur janë të sigurt se koncesionet e tipit stenografik (reduktimi i diakritikëve) nuk e pengojnë dekodimin e tekstit nga pala marrëse. Të njëjtin arsyetim bëjnë edhe shqipshkruesit, kur shkruajnë  <eshte> duke qenë të sigurt se marrësi do ta dekodojë këtë si <është> (shih edhe shënimin 13 më poshtë).

[13] Kjo supozon që lexuesi ta dijë paraprakisht që <eshte> duhej shkruar <është>, në rrethana shtypshkrimi ideale.

[14] Përgjithësisht, kjo ndodh kur shkruesi është mësuar tashmë që të shkruajë shqipen me alfabet të thjeshtuar dhe, kur ulet që ta shkruajë me alfabet të plotë, e zëvendëson <ë>-në me një shkronjë tjetër, p.sh. me <w>, e cila nuk përdoret në alfabetin e shqipes, dhe pastaj kryejnë një “kërko dhe zëvendëso” globale të <w>-së me <ë>-në. E megjithatë, shumë fjalë dhe trajta rezistojnë për shkak të inercisë shkrimore. Në Peizazhe të fjalës na vijnë shpesh artikuj dhe ese ku, megjithëse shkruesit janë përpjekur t’i përdorin të 36 shkronjat e shqipes, shumë fjalë ruajnë trajtat që do të kishin në sistemin e cunguar, me 34 shkronja.

[15] Pse e kemi të lehtë ta lexojmë shqipen e shkruar me alfabet të cunguar? Kjo lidhet me dy faktorë. Së pari, me teprinë e kodit (redondancën), e cila është karakteristikë përcaktuese e gjuhëve natyrore dhe që na bën ta kuptojmë fjalën pavarësi edhe kur e shohim të shkruar si pavarasi, ose pavarsi. Së dyti, dhe kjo është më e rëndësishme, me faktin që ne, si përdorues, e dimë si shkruhen këto fjalë me 36 shkronja dhe i rindërtojmë format e tyre me mendje – që këtej edhe energjia e shpenzuar ekstra, gjatë dekodimit. Nga kjo pikëpamje, tekstet e shkruara me alfabet të gjymtuar ne, të alfabetizuarit me rrugë tradicionale, i lexojmë si të ishin lehtësisht stenografike. Vite më parë, në Romë, profesori im i glotologjisë, Walter Belardi, nga më të mëdhenjtë në Itali, kur fliste për redondancën e sistemit fonologjik të gjuhës, sillte si shembull që të gjithë ne jemi në gjendje të kuptojmë pëshpërimat, ose thëniet e shqiptuara dhe të shkëmbyera pa pjesëmarrjen e kordave vokale (teknikisht, pëshpërimat e anulojnë kundërvënien e zëshme/e pazëshme nga sistemi fonologjik). Për të qenë i sinqertë, unë Belardin s’e kam besuar as atëherë as tani; pëshpërimat ne i kuptojmë vërtet, por vetëm ngaqë jemi mësuar me format e shqiptuara normalisht, të cilat i rindërtojmë njëfarësoj në mendje. Gjithsesi, mekanizmat që ceka më lart veprojnë për të gjithë ata përdorues të gjuhës të cilëve instrumente shkrimi si tastiera e kompjuterit (me alfabet të cunguar) dhe ajo e celularit u janë ofruar pas alfabetizimit tradicional. Përkundrazi, brezat e rinj sot u ekspozohen këtyre mjeteve, gjithnjë e më shpesh, gjatë alfabetizimit – jo pas tij, si ne më të vjetrit. Për të gjithë këta, shqipja me 34 shkronja dhe konvencionet e tekstimit me celular (SMS) janë pjesë e edukimit gjuhësor, ose e stërvitjes për t’i formuluar mendimet e tyre me shkrim. Por sistemi i shkrimit me alfabet të reduktuar, që paraziton si free rider mbi sistemin me alfabet të plotë, nuk e ka teprinë (redundancën) e të dytit, prandaj nuk mund të funksionojë veçse në mënyrë parazitare.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin