(Në vazhdim të temës, pas edhe ndërhyrjes të Edon Qesarit)
U bënë vite që televizione të mëdha kombëtare, si Top Channel, Euronews, ABC News, RTV Klan, Euronews, Ora News ftojnë në emisione të formatit “talk show” përfaqësues të një dijeje alternative, anti-establishmentare dhe me tone të forta paranojake, të cilët shokojnë dhe/ose argëtojnë publikun me historitë që sjellin. Ata paraqitin gati on demand prova dhe argumente se anglishtja, latinishtja, gjermanishtja dhe italishtja rrjedhin nga gjuha shqipe; se grekët janë “artificialë” ndërsa etruskët dhe frigasit flisnin gjuhën tonë, sikurse edhe vetë Krishti, i cili mbante plis në kokë; se alfabeti latin dhe ai grek edhe ata “flasin shqip” dhe shqipja është “mesianike” dhe çelësi i gjuhëve të tjera, nëna dhe hambari i gjuhëve europiane ose, alternativisht, “rrënja” e gjuhëve të lashta europiane dhe gjuhë kozmike ose gjuha e Zotit dhe se gegnishtja është “nëna” e të gjitha gjuhëve ose të paktën e greqishtes homerike, meqë e vetmja që lejon deshifrimin e Iliadës dhe ndoshta edhe të Odisesë; dhe se qytetet franceze “janë të shkruara në shqip” (sic) ndërsa lufta e Trojës ishte luftë “pellazgo-ilire” ose luftë mes “ancient Albanians” dhe në varrin e një faraoni shkruhej “tavë kosi”; se Vatikani fsheh qëllimisht dokumente për ne; se kryeministri i Shqipërisë Rama është me origjinë “nga Afganistani”; se Napoleoni dhe Robert De Niro janë arbëreshë; se babai i Aleksandrit të Madh është me origjinë nga Mati dhe se Picasso-ja, Napoleon Bonaparte dhe Kleopatra kishin gjithashtu origjinë shqiptare, njëlloj si George Washington-i dhe George Bush-i.
Të gjitha këto i dëgjon të thuhen në programe televizionesh të mëdha, me fjalën news të përfshirë në emër dhe me drejtues e regjisorë që e dinë mirë se çfarë pasojash ka ky lloj kundër-informacioni ndaj publikut tuhaf, por nuk duket të ndiejnë megjithatë përgjegjësi se po i amplifikojnë këto kundër-narrativa madje duke i barazuar me qëndrimet e profesionistëve të fushës, në emër të një “demokracie” të fjalës – pra, duke presupozuar një lloj ekuivalence thjesht ngaqë edhe këta edhe ata flasin për të njëjtat tema. Dhe televizionet e bëjnë këtë, sepse e kanë të qartë se në në Shqipëri dhe më tutje (veçanërisht në diasporë) ekziston një publik që i ndjek më interes të madh këto trajtime dhe elukubracione.
Madje ky publik vjen duke u rritur dhe duke fituar vetëbesim, ngaqë (1) shkollat publike përgjithësisht po dështojnë që t’u mësojnë fëmijëve të menduarit kritik dhe kriteret elementare të metodës shkencore (aq më tepër që shkolla para 1990-ës nuk pat krijuar ndonjë traditë për këtë); (2) dija historike, veçanërisht ajo për shqiptarët, po shihet më fort si atribut dhe armatim i identitetit kombëtar, dhe ashtu fiton justifikime të reja, të cilat tolerojnë anashkalime të fakteve; (3) ligjërimi publik, falë edhe rrjeteve sociale, po shërben si palestër i paranojës kombëtariste të tipit “na kanë lënë pa histori”, “na kanë fshehur të kaluarën”, e cila kundërpeshohet me vijimin e saj logjik, megalomaninë etnocentrike (“shqipja kozmike”); (4) Akademisë së Shkencave në Tiranë i është lëkundur statusi, prestigji dhe autoriteti dhe ajo vetë, si institucion, është vënë haptazi në shënjestër si fole “komunistësh” dhe e dijes “antishqiptare”, po të gjykosh nga humoret e anonimitetit në rrjet; (5) publiku i ekspozohet i pambrojtur natyrës raciste të disa prej këtyre interpretimeve dhe provave kontroversiale, mbase ngaqë racizmi maskohet pas narcisizmit dhe pozave prej viktime; (6) njerëzit e përvetësojnë më lehtë kundër-dijen, kur u ofrohet në trajta dëfryese dhe ndonjëherë dramatike; (7) kundërvëniet mes së vërtetës dhe gënjeshtrës, arsyes dhe bestytnisë, dijes dhe fantazisë papërgjegjshëm po konsiderohen – nga operatorët e mediave – si konflikte mes palëve të debateve politike (“unë të dëgjova ty tani më dëgjo ti mua”).
Ndoshta për këtë arsye edhe personazhe të tilla vetvetiu pikante po joshen tani të shqiptohen për çështje të ndryshme nga ato mirëfilli historike, duke u rreshtuar me ata që në Perëndim i njohin si konspiracistë dhe denialistë – siç ka ndodhur në disa emisione për vaksinat dhe pandeminë, kur këta janë ballafaquar me mjekët profesionistë; ose në emisione të tjera për rrjetet 5G e kështu me radhë. Kjo më bën të dyshoj se po kristalizohet, mu në sy të publikut sylesh, një kategori eksperti jo në këtë apo në atë fushë të dijes, por pikërisht në refuzimin e dijes së pranuar, pavarësisht nga lloji i saj; dhe se virtyti intelektual i këtyre nuk është njohja kompetente e kësaj apo asaj fushe, por vullneti autodidaktik – nuk po them guximi – për t’u pozicionuar kundër.
Kundër-narrativat historike ende nuk janë njëjtësuar me denializmin; por konvergjenca herët a vonë do t’ia hapë rrugën njëjtësimit. Këto dy pseudo-epistemologji kanë të përbashkët jo vetëm frymën anti-institucionale dhe mosbesimin ndaj dijes së konstituuar, por edhe konspirativizmin, ose besimin se – në fushat përkatëse – e vërteta mbahet e fshehtë nga grupe interesash okultë, të cilat mund të jenë qarqet shoviniste fqinje, në rastin e origjinës “hyjnore” të shqipes dhe të shqiptarëve; ose establishmenti mjekësor a korporatat farmaceutike, në rastin e vaksinave a të barnave të thjeshta kundër COVID-it (si ivermektina). Ndonjëherë madje sheh të njëjtët persona që në një emision të thonë se piramidat e Egjiptit flisnin shqip, ndërsa në një emision tjetër se vaksinimi kundër COVID-it është urdhëruar nga illuminati.
Kritika ime këtu dhe gjetiu nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me këta njerëz; aq më tepër, duke qenë këta zakonisht jo-profesionistë, në thelb inkompetentë në fushat që ju interesojnë, e kam të vështirë që t’i marr seriozisht ato që thonë – për shembull, ngaqë e kam studiuar gjuhësinë historike, e kam të qartë se vetë koncepti i “shqipes çelës të gjuhëve të tjera” është foshnjor madje argëtues, por i tillë që nuk ia vlen të humbësh kohë për ta hedhur poshtë dhe aq më pak të debatosh me ata që e kanë përqafuar dhe e shesin në tezgat televizive. Problemi im është me këmbënguljen e mass mediave, dhe veçanërisht të televizioneve, për të relativizuar funksionin mirëfilli argëtues të ndërhyrjeve të tilla dhe për ta barazuar kundër-narrativën me narrativën historike institucionale; sepse kështu relativizojnë edhe funksionin e kërkimit të së vërtetës, që ka dija profesioniste. Kjo ndodh veçanërisht në ato programe të formatit talk show, ku amatorët nisin të përplasen drejtpërdrejt me profesionistët, nën bekimin sa të vetëkënaqur aq edhe dinak të moderatorëve.
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.