Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Antikitet

SHËNIME RRETH NJË LIBRI PËR BUTRINTIN (III)

(The Archeology of Mediterranean Placemaking – Butrint and the Global Heritage Industry – Bloombsury 2017)

nga Agron Alibali

1.Hyrje;  2. Antipatia ndaj “nacionalizmit shqiptar”; 3. Modeli “novator” i menaxhimit dhe “kërkesat absurde” të arkeologëve shqiptarë; 4. Konflikti me Shkollën Shqiptare të Arkeologjisë; 5. Parku Kombëtar i Butrintit [1998 – 2000] dhe paaftësia e drejtuesve vendas; 6. Vitet 2000 – 2007; 7. Objektet e grabitura, Livia, dhe “menaxhimi recidivist” i Butrintit. 8. Vitet 2008 – 2012?; 9. “Të drejta vendore” në Butrint?; 10. Qasja neo-liberale e Hoxhesit dhe kritikat vendase për “kolonializëm” kulturor; 11. Fondacioni Butrinti vdiq. Rroftë AADF-ja!

  1. Hyrje

Kreu 4 i librit të Hoxhesit përqendrohet tek historiku i Fondacioni Butrinti dhe angazhimi i tij në Shqipëri [ff. 79 – 112]. Me stil tërheqës dhe gjuhë të zhdërvjellët, ku nuk mungon toni i profesionistit, por as dozat e sinqeritetit e fantazisë, Hoxhesi natyrisht e ruan obsesionin e vet ndaj Hoxhës, ndaj Shkollës Shqiptare të Arkeologjisë si mashë e nacionalizmit shqiptar[1], dhe sigurisht ndaj doktrinës së “neo-liberalizmit”, gjithnjë duke nxjerrë fort në pah rolin e Fondacionit Butrinti dhe duke minimizuar rolin e vendasve.

Bazuar nga ky libër, i botuar nga një shtëpi prestigjioze, lexuesi i huaj i painformuar do të krijonte përshtypjen se gjithçka në Butrint pas “vitit zero” 1992 është arritur falë Fondacionit Butrinti dhe, me përjashtime të pakta, pala shqiptare ose ka qenë e paaftë, e painteresuar, e zhytur në nacionalizmin shqiptar dhe ëndrrat ilire të Hoxhës, ose e interesuar vetëm për të përfituar ekonomikisht nga Butrinti, ose të gjitha bashkë. Nuk ka dyshim që i takon Shkollës Shqiptare të Arkeologjisë, specialistëve, administratorëve a punonjësve vendas, ta thonë haptas dhe me guxim versionin e tyre të ngjarjeve, madje edhe në gjuhën angleze, qoftë në mediume të shkruara, qoftë në rrjetin gjithëbotëror (internet). Lexuesi i pavarur dhe i painformuar, përndryshe, do të marrë të mirëqenë versionin elokuent të Hoxhesit.

Hoxhesi e fillon kreun me rrethanat e “vitit zero” [1992], kur arkeologjia dhe arkeologët ishin ende “profesionistë të çmuar”, dhe shumë prej tyre u përfshinë në politikë, si Ceka, Meksi dhe Pollo. [f.79].

Hoxhesi na informon këtu se një ftesë e Neritan Cekës drejtuar Lordit Rothçajlld, bankierit dhe filantropistit britanik, “bëri që ai të bëjë një vizitë të beftë në Butrint, prej nga, me kalimin e kohës, lindi Fondacioni Butrinti”. [f. 80, bashkë me një foto të Neritan Cekës]. Ftesa e Cekës ishte për “krijimin e një projekti arkeologjik në Butrint”, dhe Lordi Rothçajlld, që zotëronte një vilë në Kasiopi, Korfuz, si dhe Lordi Xhon Seinsbëri [John Sainsbury], regjistruan si të besuar [trustees] në vitin 1993 një fondacion në Londër me mision “kërkimin, mbrojtjen dhe prezantimin” e Butrintit. [f. 81]. Në korrik 1994 u nënshkrua “Memorandumi i Mirëkuptimit” me Kryeministrin Meksi dhe në shtator filloi puna. Në themel të projektit Butrinti Hoxhesi fut, natyrisht edhe konceptin e “kapitalizmit neo-liberal”, që siç duket e ka shumë për zemër, dhe që do ta shtjellojë më pas për të mbështetur idenë e marrjes në dorë nga AADF-ja të menaxhimit të Butrintit. Mirëpo “qysh në ditën e parë patëm vështirësi”, shkruan Hoxhesi. [f. 81]. “Çdo nismë e propozuar para bashkëpunëtorëve shqiptarë ishte bllokuar”, vijon më tej ai. [f.83].

  1. Antipatia ndaj “nacionalizmit shqiptar”

Periudhën e parë të jetës së Fondacionit Butrinti – vitet 1994 – 1996, Hoxhesi e përshkruan si periudhën e mospajtimit, apo të “ballafaqimit të kulturave shkencore”.

Pasi thekson se “konflikti ishte për burimet, dhe jo për praktikat”, Hoxhesi bën një pranim sa të rëndësishëm, aq edhe shqetësues në lidhje me Fondacionin Butrinti dhe marrëdhëniet e tij me historinë dhe kulturën indigjene të vendit ku do të operonte. Shkruan Hoxhesi: “Programi i Fondacionit ishte në heshtje i ushqyer me një antipati ndaj një nacionalizmi shqiptar me përdorimin prej tij të arkeologjisë si kapital simbolik për një regjim autoritar”. [f. 82].

Edhe pse i sinqertë, pohimi është jashtëzakonisht problematik. Së pari, jemi në vitet 1994 – 1996, dhe Shqipëria – pavarësisht nga problemet – ka hyrë në rrugën e demokracisë e  pluralizmit, me një kushtetutë të re, demokratike e moderne. Pra, këqyrja me syzet e Hoxhës, që i bën Hoxhesi Shqipërisë së pas viteve 1995 është e tërësisht e shtrembër.  Së dyti Hoxhesi natyrisht e ka hallin tek puna shumëvjeçare e Shkollës Shqiptare të Arkeologjisë dhe konkluzionet e saj lidhur me traditën indigjene dhe me vazhdimësinë iliro-shqiptare që, me sa duket binte ndesh me formimin arsimor dhe prirjet personale të tij. Dhe së treti, është rrallë, në mos unikale, të vëresh një qasje të tillë të mbrapshtë ndaj kulturës dhe historisë indigjene nga ana e një Fondacioni që pretendon të ketë për mision hulumtimin, mbrojtjen dhe prezantimin e saj në botë.

Duke risjellë në vëmendje shembullin e dhënë në Pjesën II për trashëgiminë e banorëve indigjenë të Amerikës, pyetja hipotetike që mund të bëhej do të ishte kjo:  cili do të ishte reagimi nga qeveria, shoqëria dhe popullsitë indigjene amerikane nëse ndonjë Fondacion Britanik me mision “kërkimin, mbrojtjen dhe prezantimin” e kulturës së këtyre të fundit do të kishte “ushqyer një antipati të heshtur ndaj nacionalizmit të banorëve indigjenë amerikanë”?

  1. Modeli “novator” i menaxhimit dhe “kërkesat absurde” të arkeologëve shqiptarë

 Hoxhesi shkon edhe më tej. Duke sulmuar haptazi Shkollën Shqiptare të Arkeologjisë,  ai shprehet më poshtë se “praktika e arkeologjisë synonte të mbështeste shtetin komb me mitin e përjetshëm të themelimit”. [f. 84].[2]

Hoxhesi më tej bën edhe dy pohime të tjera me interes.  Së pari, Hoxhesi thekson se Fondacioni Butrinti e bazonte strategjinë e vet arkeologjike “tek menaxhimi”, [f. 82], më saktë sipas modelit novator të arkeologut të njohur italian, Rikardo Frankoviç [Riccardo Francovich], dhe të zbatuar në Parkun Arkeologjik të Roka San Silvestros [Rocca San Silvestro] në Itali. Këtu lipset të bëhen dy vëzhgime: së pari, është thënë vazhdimisht, edhe nga studiues shqiptarë, se Fondacioni Butrinti ka kontribuar ndjeshëm në Butrint, por asnjëherë nuk ka mëtuar të ndërhyjë në menaxhim. Por ky pasazh nga libri i Hoxhesit na mëson se, të paktën ai vetë mund të ketë pasur në mëndje vënien dorë mbi menaxhimin e Butrintit.

Së dyti, parku në Roka San Silvestro nuk është model i qasjes neo-liberale në administrimin e parqeve kombëtare dhe ndryshon katërcipërisht nga modeli i Hoxhesit për Butrintin, i miratuar në korrik 2022 nga Kuvendi i Shqipërisë, pavarësisht nga shkeljet e shumta të karakterit kushtetues dhe ligjor. Modeli i Hoxhesit në thelb e zhvesh shtetin shqiptar si shprehës dhe garant i interesit publik, nga të gjitha prerogativat e veta sovrane, dhe ia kalon menaxhimin e Butrintit një fondacioni privat, të kontrolluar nga një fondacioni i huaj. Kurse aktet e themelimit dhe statuti i shoqërisë së kompleksit të Parkut të Val di Kornias [Val di Cornia], ku përfshihet Roka San Silvestro, qartësojnë se ajo “është një shoqëri me pjesëmarrje tërësisht publike e ngritur për administrimin e integruar të Parqeve dhe Muzeve të komunave të përfshira në Val di Cornia…”.[3] Me fjalë të tjera, as modeli i dhënë nga vetë Hoxhesi nuk mbështet argumentin dhe betejën e tij për marrjen në dorë të menaxhimit të Butrintit nga një fondacion privat.

Më tej Hoxhesi përcjell edhe ca akuza ndaj disa zyrtarëve shqiptarë, me të cilët ka pasë të bëjë gjatë 20 viteve të angazhimit të tij. Natyrisht u takon atyre të japin versionin e vet për ngjarjet. Hoxhesi pohon, në kllapa, se “shumicën e ekipit të vet Fondacioni e mbështeti financiarisht sipas standardeve të pagave në Mbretërinë e Bashkuar”. [f. 82]. Në vijim Hoxhesi shkruan se “drejtuesi i ri i Institutit Arkeologjik Namik Bodinaku pranoi me sinqeritet se ai dhe kolegët e tij donin që të pasuroheshin”.[4] A ishte bërë pa dashur Hoxhesi dëshmitar i një shfaqjeje korruptive, apo mos vallë po ballafaqohej me një kërkesë deri diku të ligjshme të specialistëve vendas për shpërblim të barabartë për punë të barabartë? Pyetja merr një përgjigje të çuditshme në faqet më pas. Pasi thekson se “bashkëpunëtorët shqiptarë…kontrollonin lejet për të praktikuar arkeologjinë, dhe besonin se atyre u takonin pagesa të mira për lejimin e Fondacionit Butrinti që të operonte në fushën e tyre më të privilegjuar”, Hoxhesi hedh një akuzë që anon më shumë nga fantazia. Shkruan ai: “Baza e tyre fillonte me tre apartamente në Paris dhe me pesë vetura Mercedes”. [f. 84][5]

Natyrisht ua lemë arkeologëve shqiptarë të shprehen më tej për vërtetësinë e këtij deklarimi të bërë në një botim me pretendime akademike.

  1. Konflikti me Shkollën Shqiptare të Arkeologjisë

Mirëpo me sa duket “përplasja” me Shkollën Shqiptare të Arkeologjisë ishte më e thellë. “Përpjekjet tona për të futur praktikat moderne europiane”…u rezistuan nga “partnerët shqiptarë” që besonin “se ishin arkeologë të dorës së parë në botë”, shkruan Hoxhesi [f. 84]. Përplasje pati edhe për qasjen ndaj Butrintit, si dhe për rindërtimin e muzeut. Hoxhesi përmend se pala shqiptare paraqiti rezistencë ndaj çdo strategjie konservimi, duke iu referuar pa emër një ish-Drejtori të Institutit të Arkeologjisë, që e konsideronte me përçmim strategjinë si “arkeologji turistike”. [f. 84]. Lidhur me muzeun e ri të Butrintit, Hoxhesi përmend se kolegët shqiptarë menduan se ata duhet të përcaktonin projektin, “që të mbështeste narrativën nacionaliste të ekspozitës së vitit 1988…” [f. 84].

Për periudhën 1994 – 1996 Hoxhesi, me të drejtë, ngre shqetësimin për një projekt porti jahtesh në Butrint, investim i sipërmarrësit maltez Anxhelo Ksuareb [Angelo Xuareb}, që fatmirësisht mbeti në letër. [f. 83] dhe përmend pozitivisht punën e punonjësve të Institutit të Monumenteve, Valter Shtyllës dhe Telemak Llahanës, “i cili loboi tek ne për nismën e parë konservuese me Fondacionin”, të financuar nga World Monuments Fund, që lidhej me mbrojtjen e mureve nga bimësia si dhe ndërmarrjen e disa projekteve për gjendjen e monumenteve dhe të mozaikut. [f. 85]. Po ashtu, Hoxhesi shprehet i kënaqur që një projekt i Institutit të Arkeologjisë drejtuar Bashkimit Europian për ngritjen e një strukture mbrojtëse mbi Pagëzimore nuk u miratua. [f. 85], ndërkohë që, pasi thekson se Instituti i Arkeologjisë nuk i dha atij leje gërmimi për 5 projekte në terren, atmosfera u përmirësua nga një vizitë e Presidentit të Bankës Botërore, që tërhoqi “vëmendjen” e Presidentit Berisha, dhe nga ky moment, sipas Hoxhesit, projekti për kthimin e Butrintit në park mori jetë. [f. 85].

Në vijim Hoxhesi përshkruan punën konkrete në Butrint, si për shembull, vendosjen e tabelave shpjeguese, çka solli kritikën cinike ndaj tyre të shkrimtarit britanik Robert Karvër [Robert Carver], por edhe një incident kurioz kur ekipi i arkeologëve britanikë “u ndalua shkurtimisht për spiunazh”, por që me sa duket, ishte për shkak se ekipi i Hoxhesit s’kishte pasur miratimin e Institutit të Arkeologjisë. [f. 87]. Edhe për këtë incident i takon palës shqiptare të japë versionin e vet.

Në betejën e vet, imagjinare ose jo, me Institutin e Arkeologjisë, Hoxhesi pranon se u përpoq të bëjë për vete agjencitë turistike në Sarandë dhe vetë fshatarët vendas [to seek constituency for our work in the face of ongoing obstacles mounted by the Institute of Archeology]. Duke filluar nga viti i dytë, shkruan Hoxhesi, ekipi i tij u ngul në Vrinë, ndryshe nga “arkeologët nga Tirana, që ngujoheshin si sardele (crammed) në kullën e kalasë në akropol”, dhe që “merrnin dieta” meqë ishin larg shtëpive të tyre.

Tensionin midis Fondacionit Butrinti dhe Institutit të Arkeologjisë në vitet 1994 – 1996 dhe qasjen neo-liberale të të parit Hoxhesi e përshkruan me një pohim të sinqertë si të vendosur “në kufijtë e kripto-kolonializmit [i referohet Herzfeldit], pasi ne i injoruam, në vend që t’i përfshinim kolegët shqiptarë në vendimmarrjen menaxheriale”.  “Sipas këndvështrimit tonë”, vijon më tej Hoxhesi, “meqë ne nuk u paguam tarifat që ata pretendonin, ata nuk pranuan të përfshiheshin në ndonjë bashkëpunim të mirëfilltë strategjik”. [f. 87]. Gjithsesi, rezultatet e punës “bashkëpunuese” të Fondacionit Butrintit në fund të vitit të tretë [1996] Hoxhesi i përmbledh kësisoj:

1 – ekzistenca në vija të trasha e një ideje të Butrintit arkeologjik;

2 – ekzistenca në vija të trasha e një plani menaxhimi për parkun arkeologjik, dhe

3 – ndërtimi i 15 nevojtoreve ndër 100 shtëpitë e Vrinës “si pasojë e qirave të paguara për të strehuar ekipin e Fondacionit atje”. [f. 87]. 

  1. Parkut Kombëtar i Butrintit [1998 – 2000] dhe paaftësia e drejtuesve vendas

Në faqet e mëtejshme Hoxhesi përshkruan hapat e krijimit të Parkut Kombëtar të Butrintit, “të orkestruara nga Fondacioni Butrintit”. Ai përmend një “nismë” të mbështetur nga Banka Botërore dhe Getty Grant Program, si dhe nga qeveria Nano dhe ministrja e Kulturës Dade. Në prill 1998 u mbajt një seminar i rëndësishëm në Sarandë ku, sipas Hoxhesit, synohej “një strategji menaxhimi që do të çonte në krijimin e Parkut Kombëtar të Butrintit [f. 89-90].[6] Me sinqeritetin e vet karakteristik Hoxhesi deklaron se “shumë pjesëmarrës shqiptarë të nivelit të lartë (dhe nga fusha të ndryshme), ndofta të menaxhuar me mjeshtëri nga pjesëmarrësit e huaj, konkluduan se shpirti magjik i Butrintit, para së gjithash, ishte pasuria e tij më e rëndësishme”. [f. 89]. Pyet më tej Hoxhesi: “Po pse vallë kolegët tanë shqiptarë arritën në konkluzionin tonë gjatë diskutimeve në grupet e fokusuara”. Përgjigja e Hoxhesit, “e pranuar prej tyre”, lidhet me nostalgjinë që ata kishin për Butrintin, të cilin e vizitonin si zonë kufitare gjatë periudhës së komunizmit. Dhe këtu Hoxhesi lëshon një xhevahir tjetër: “Përpara vitit 1990 shqiptarët duhet të pajiseshin me vizë për të vizituar Butrintin” [f. 89].[7]

A është ky lapsus i Hoxhesit, apo tjetër shfaqje e imagjinatës së tij  se i ashtuquajturi “Epirus Vetus” kishte qenë i pavarur rreth vitit 1914?  Gjithsesi, më tej Hoxhesi e korigjon termin dhe përdor “leje”.

Hoxhesi përshkruan pastaj punën e bërë për hartimin e një plani peizazhi [landscape plan] për Butrintin, të kryer nga Xhejms Buhanan [James Buchanan],[8] që u pasua nga propozimi formal për ta zgjeruar parkun duke përfshirë edhe zonën rrethuese, gjithsej në një sipërfaqe prej 29 km katrorë. Propozimet u afishuan në zyrën e postës, “vendi më i rrahur në Sarandë”. Sipas Hoxhesit, ky ishte në thelb projekt version i planit të menaxhimit të Butrintit. [f. 90]. Në dhjetor 1999 parku në hapësirën e zgjeruar u inskriptua formalisht në UNESCO në mbledhjen e mbajtur në Fez të Marokut.

Deklaron më tej Hoxhesi: “Përparimi i vizionit të ri të Butrintit u përshpejtua me emërimin tim si këshilltar i Ministrit të atëhershëm të Kulturës, Edi Rama, falë një granti të Fondacionit amerikan Shoqëria e Hapur [të Xhorxh Sorosit – George Soros]”. [f. 90]. Rrjedhimisht, Parku arkeologjik i Butrintit , i pari në Shqipëri, u çel zyrtarisht në mars 2000. [Po aty].[9]

Sipas Hoxhesit, krijimi i Parkut u prit me kritika dhe rezistencë nga “përfaqësues vendas [nga qyteti i Sarandës, dhe jo nga fshati]”, si dhe me akuza se PS-ja po ia shiste qendrën arkeologjike “Princit Rothçajlld”, apel i cili i drejtohej edhe opinionit publik të huaj “që ishte i ndjeshëm ndaj moskorrektësisë politike të neo-kolonializmit në republikën e brishtë ballkanike”. [f. 91]. Sipas Hoxhesit, këta përfaqësues vendas, që donin të ndërtonin porte jahtesh dhe fusha golfi, gjetën si aleat Drejtorin e ri të Institutit Arkeologjik [emri nuk jepet], që kundërshtonte çfarëdo zvogëlimi të sferës së tij influencës si pasojë e ngritjes së parkut.  Kundërshtimet u fashitën nga Edi Rama [overruled the dissenters], i cili “autorizoi ngritjen e parkut të parë arkeologjik në vend”, bazuar në një kompromis: Fondacioni Butrintit inkurajohej të mbështeste formësimin e parkut, kurse institucionet e trashëgimisë kulturore do të mund të përfitonin fonde nga të ardhurat e turizmit në Butrint. Në ndërtesën e doganës në Sarandë u çelën zyrat e Parkut të ri, ku u vendos edhe administrata e tij. [ff. 91-93].

Hoxhesi më tej pretendon se qeveria e atëhershme nuk kishte vullnet politik apo dëshirë që të përfshinte komunitetet lokale në Parkun e Butrintit. Kjo i hapi rrugë CISP-it, një OJQ italiane të ndërmerrte një program të vogël zhvillimi në Butrint, objektiva të cilat u përshtatën nga Fondacioni Butrinti pasi CISP-i u mbyll në vitin 2005. Sipas Hoxhesit, ky qëndrim i administratës së Tiranës ishte “normal”, edhe si reflektim i marrëdhënieve qendër-periferi (dhe etnike) nga periudha e Hoxhës.  Dhe këtu Hoxhesi na përcjell një xhevahir tjetër. Pa përmendur emra, ai shkruan: “kjo u theksua nga caktimi prej ministrisë i një drejtori të parkut në vitin 1999 (me mbështetjen e Fondacionit) i cili nuk kishte afinitet ndaj komuniteteve vendase. Përkundrazi, angazhimi i tij [his agency] motivohej nga një qëllim i vetëm: që të përfitonte personalisht nga ky çmim i vogël politik”. [f. 93].[10]

Hoxhesi shprehet se Fondacioni Butrinti caktoi burime të kufizuara “për ndërtimin e kapaciteteve në krijimin e një drejtimi të ri manaxherial për Parkun Kombëtar të Butrintit”. Hoxhesi përmend ardhjen në Butrint të një specialist britanik, të mbështetur nga Banka Botërore, i cili për 18 muaj u përpoq të trajnojë dhe mbikëqyrë etapat e para të administratës së re. “Por, thekson Hoxhesi, administratës shqiptare qartazi i mungonin shprehitë e duhura për të menaxhuar një entitet në përputhje me standardet ndërkombëtare të konservimit dhe pritshmëritë e vizitorëve ndërkombëtarë”. [f. 94].[11] “Në retrospektivë – shprehet Hoxhesi, këta zyrtarë të rinj duheshin çuar për kurse instruktive jashtë…”. [f. 94]. Pavarësisht nga kjo, në prill 2000 Fondacioni Butrinti mori një infuzion të rëndësishëm fondesh nga Instituti Pakard për gërmime, që u përdor për dy qëllime: (i) përkufizimin e një paradigme të re historike për sitin, dhe (ii) trajnimin e një brezi të ri arkeologësh shqiptarë. [f. 94].

  1. Vitet 2000 -2007

 Thelbi i përshkrimit të Hoxhesit për periudhën 2000 – 2007 është se gjithçka e mirë në Butrint u krye nga Fondacionit Butrinti ose me frymëzimin e tij, kurse administrata vendase e parkut ka dredhur zinxhirin.

Këtu fillimisht Hoxhesi na informon për planin e parë të menaxhimit të Butrintit (2001 – 2005), që kishte si objektiv themelor “kthimin e Butrintit në një vend trashëgimie të nivelit botëror”. Ndër 14 objektivat e tjera të tij theksojmë objektivin nr. 4: ngritjen e një sistemi efektiv të menaxhimit vendas. Pra, ndryshe nga ç’do të synonte 20 vjet më vonë, Hoxhesi i vitit 2001 të paktën teorikisht nuk mëtonte të merrte në dorë menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit. Edhe sikur të donte, këtë nuk do t’ia lejonin autoritetet shqiptare, por as Fondacioni Butrinti.  Mirëpo, sipas tij, disa specialistëve vendas nuk u pëlqeu Plani i Menaxhimit, pasi u kujtonte planet pesë-vjeçare të periudhës së komunizmit. “Thuajse të gjithë anëtarët e bordit të Parkut Kombëtar të Butrintit e trajtuan atë si një tërësi rregullash të hartuara nga të huajt dhe për të huajt”. [f. 95].

Hoxhesi mandej përshkruan ardhjen në detyrë të një ministri të ri të kulturës [v. 2002, pa ia përmendur emrin], që synonte jo vetëm ngritjen e statusit të Butrintit, por edhe të të ardhurave të tij, çka solli “konflikt” me Fondacionin Butrintit dhe debat në Kuvend në vitin 2003. [ff. 95-96].

Më tej Hoxhesi përshkruan punën “për të lobuar” për mbrojtjen e Butrintit nga projekte të ndryshme. Një përpjekje e tillë kishte të bënte me rrugën deri në Qafë Botë, të financuar nga BE-ja ku, sipas Hoxhesit, u desh madje ndërhyrja e Lordit Rothçajlld tek Berluskoni “pasi projekti i ndërtimit të rrugës ishte nën jurisdiksonin Italian…”!? [f. 96].

Një tjetër përpjekje e suksesshme, sipas Hoxhesit, ishte edhe ruajtja e zonës rrethuese [buffer zone] të parkut të Butrintit, më saktë të Kepit Stillo, nga synimet e reja” të oligarkëve gjithnjë e më të pasur të Tiranës”. [po aty].

Hoxhesi përshkruan edhe punën gërmuese dhe konservuese në Butrint e përreth, ku përmend projektet e Riçard Endrjuz [Richard Andrews], të zbatuara nga Albana Hakani, si dhe trajnimet e ndryshme “ku u përgatitën rreth një duzinë spoecialistë shqiptarë të konservimit”, çeljen e shtigjeve të reja si dhe zgjerimin zonës së mbrojtur mjedisore bazuar në Konventën Ramsar, përfshirë Liqenin e Butrintit. [ff. 98-99].

Projekte të tjera të Fondacionit Butrinti, sipas Hoxhesit, ishin një dokumentar pre 30 minutash për RTSH [v. 2003], përmirësimi i muzeumit dhe i komoditeteve të nevojshme të parkut, përfshirë “pas një lobimi të gjatë, të nevojtoreve të para në Butrint [v. 2007], vendosjen e shenjave dhe materialeve ilustruese nga StudioLink në Firence [v. 2003, 2005], ngritja e faqes së internetit, përgatitja e broshurave të ndryshme, përgatitja e guidave turistike nga Saranda, dhe lidhja turistike e Butrintit me Gjirokastrën “pas ndërhyrjes personale të Presidentit Meidani”. [f. 99].

Hoxhesi flet edhe për përfshirjen e Butrintit në planet turistike të Korfuzit, për organizimin dhe transmetimin televiziv të koncerteve të ndryshme, madje edhe të Miss Albania-s, etj. Nga përshkrimi i mësipërm Hoxhesit kuptohet se gjithçka në Butrint po kryhej tashmë nga Fondacioni Butrinti ose nën frymëzimin dhe nxitjen e tij, dhe nuk del i qartë kontributi i drejtuesve dhe administratës së parkut. Mirëpo edhe këtu Hoxhesi nuk mungon të ofrojë komentet e veta cinike. Të gjitha aktivitetet e mësipërme kërkonin investime dhe angazhim mirëpo aty u shfaq një pengesë [impasse]. “Menaxhimi i ekipit të parkut për të arritur vetëqëndrueshmërinë e tij nuk ishte më pak sfidues”, shkruan ai.  “Duke pasur udhëzime të kufizuara, ose pa udhëzime fare nga autoritetet e parku, Fondacioni Butrinti u ndje i detyruar që të marrë përsipër [ventriloquize] ecjen përpara…[f. 100].

  1. Objektet e grabitura, Livia, dhe “menaxhimi recidivist” i Butrintit

Tjetër shembull i “rolit vendimtar” tê Fondacionit Butrinti, sipas Hoxhesit, është kthimi në Shqipëri i objekteve të grabitura në Butrint, si për shembull, skulpturave romake, “një portreti të rikuperuar nga një koleksionist në Manhatan”, dhe tre të tjerë të gjetur në Greqi. “Në të dyja rastet aftësia e Fondacionit Butrintit për të inkurajuar Ministrinë e Kulturës për të marrë veprime specifike procedurale rezultoi në riatdhesimin e shpejtë…” mburret Hoxhesi, pa harruar të përmendë në krye të paragrafit “mungesën e angazhimit të administratorëve të parkut”… [f. 100]. Me fjalë të tjera, edhe për kthimin e objekteve të grabitura merita i takonte Fondacionit Butrinti… Këtu Hoxhesi i referohet një artikulli të Oliver Gilkes të vitit 2002. [12] Referenca për “portretin e rikuperuar nga një koleksionist në Manhattan” natyrisht ka të bëjë me Livian.[13] Mirëpo po të shkojmë drejtpërdrejtë në burimin që përmend Hoxhesi, vërejmë me habi se Gilkesi ia jep kryesisht Hoxhesit në vitin 2000 meritat për kthimin e Livias në Shqipëri.[14] Në fakt, arkeologu tjetër britanik, David W.J. Gilles, përmend se qysh në vitin 1998 Auron Tare kishte parë korrespondencën për Livian në institucionet shqiptare. Livia u kthye në atdhe me 2 nëntor 2000, e pritur në aeroport nga vetë Tare, Drejtor i atëhershëm i Parkut Kombëtar të Butrintit.[15]

Sipas Hoxhesit, Fondacionit Butrinti i takon merita edhe për projektet e ndryshme në mbështetje të komunitetit vendas, si për shembull: (i) hapja e dyqanit ku zanatçinjtë dhe prodhuesit vendas të mund të shisnin produktet  e tyre; (ii) punësimi i rreth 50 vendasve në vende të ndryshme në park dhe (iii) dhënia e lejeve të kultivimit dhe peshkimit për bujqit dhe peshkatarët vendas brenda territorit të parkut, si dhe (iv) programi për shkollat vendase, etj. [f. 101].

Kritikat e fundit në këtë pjesë Hoxhesi i rezervon sërish për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit. Si edhe më parë, Hoxhesi sjell në vëmendje Hoxhën, duke bërë pyetjen retorike: “A po përshtatej Shqipëria me momentin post-komunist si pasojë e zbatimit të modelit të Butrintit”. Hoxhesi përgjigjet negativisht, duke bërë një tjetër koment të pashembullt: “Në fakt, menaxhimi recidivist [me fjalë të tjera, me mendësinë komuniste, A.A.] i Parkut Kombëtar të Butrintit e kufizoi në minimum investimin ministerial shqiptar. Askush nga ministrat e Kulturës që erdhën pas largimit të Edi Ramës në vitin 2000 nuk mori nismën për të frenuar [rein in] manaxherët e Butrintit ose për ta promovuar vendin si një projekt ndërtimi kapacitetesh.” [f. 102].

  1. Vitet 2008 – 2012?

Faza e katërt e historisë së Parkut të Butrinti përfshin vitet 2008 – 2012?, me synim një të ardhme të qëndrueshme. Fondacioni Butrinti, në vitin 2009, mori vendimin e arsyeshëm për t’u tërhequr nga Butrinti. “Fondacioni i takonte një periudhe tranzicioni dhe nuk duhet të bëhej i përhershëm.” [f. 103]. Stafeta duhet t’u kalonte përfundimisht vendasve.  Gjërat ndryshuan, sipas Hoxhesit, me kthimi në pushtet të Berishës në 2009, që u pasua me një rritje të “interesit për zhvillimin e zonën rrethuese” që përbënte një “këmbanë të mirëfilltë alarmi”, edhe për shkak të frikës që qeveria mund t’ua shiste zonën klaneve të Tiranës për zhvillimin e  konglomerateve anës detit”. Sipas Hoxhesit, të gjitha këto detyruan UNESCO-n që të kërkonte një plan të ri menaxhimi. [f. 104].

Kemi mbërritur në vitin 2012. Dhe pikërisht këtu Hoxhesi na prezanton Fondin Shqiptar Amerikan të Ndërmarrjeve [Albanian American Enterprise Fund – AAEF] , që në bazë të një marrëveshjeje me qeverinë shqiptare, kishte filluar të mbështeste Butrintin me projekte të veçanta. “AAEF-ja ishte dhe është një formë e re OJQ-je në Shqipëri”, shprehet Hoxhesi, qartazi duke ngatërruar AAEF-në me AADF-në. “Ndërkohë që mbështetet nga një bord të besuarish kryesisht në Nju Jork, drejtimi dhe menaxhimi lokal është në duar të shqiptarëve të trajnuar”, vijon më tej ai, [po aty], duke përmendur nismën “kundër korrupsionit” për sistemin e biletave, sipas të cilit 90% e të ardhurave i mbetej Butrintit.  Këtë “hap të decentralizimit ministerial” Hoxhesi e konsideron të ndërmarrë “nën trysninë e dy OJQ-ve”, duke patur parasysh Fondacionin Butrinti dhe AADF-në.

Në fund të “historikut” të gjatë, Hoxhesi diskuton tre aspekte të përvojës së fituar, ku përvijohen edhe synimet e ardhshme të tij për ta transferuar menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit nga institucionet e shtetit shqiptar në duart e një fondacioni privat të huaj. Sipas Hoxhesit, Fondacioni Butrinti ia arriti qëllimit të vet të dyfishtë: (i) gërmimet dhe botimet e ngurtësuan (established) rëndësinë e Butrintit duke i dhënë një dukshmëri afatgjatë (lasting) shkencore dhe (ii) duke përcjellë një histori të re rrëfimi të vendit” [ff 104-105].

Së pari ai përqendrohet tek “konservimi i qëndrueshëm”. Këtu, në antitezë me qëndrimin e vet konstant për të anashkaluar arkeologët, studiuesit dhe specialistët vendas, Hoxhesi ngre në qiell rolin e Telemark Llakanës.[16] Opinioni i Hoxhesit natyrisht është gjest i vlerësueshëm dhe ai ruan të drejtën të ketë mendimet e tij. Megjithatë, me të drejtë mund të ngrihet pyetja nëse, në historinë shumëvjeçare të Butrintit, a ka pasur edhe “heronj të heshtur” të tjerë që e kanë gërmuar, ruajtur, mbrojtur dhe konservuar atë vend?

  1. “Të drejta vendore” në Butrint?

Më tej Hoxhesi ndalet edhe tek marrëdhënia e “qendrës me bashkësinë vendore”.  Duke iu referuar autorit amerikan Dagllas Komer [Douglas Comer], drejtues i US/ICOMOS, Hoxhesi vlerëson pozitivisht sistemin amerikan të menaxhimit të parqeve kombëtare, ku shteti luan rol ekskluziv në financim dhe menaxhim, dhe ku ndërthuren lidhje të ngushta midis qendrës dhe bashkësive vendore. Hoxhesi përmend me të drejtë rolin thelbësor të Shteteve të Bashkuara në hartimin dhe miratimin e Konventës së Trashëgimisë Botërore, të nënshkruar pikërisht në 100 vjetorin e themelimit të parkut të parë kombëtar në botë në Gurin e Verdhë [Yellowstone] [ff. 106-107]. Mirëpo Hoxhesi pretendon se në Butrint nuk u realizua një lidhje e ngushtë midis Parkut (qendrës) dhe bashkësive lokale, dhe për këtë ai i referohet një sondazhi të antropologes amerikane Dana Felps [Phelps] në v. 2010. Sipas këtij sondazhi, shumica e banorëve të Shëndëllisë dhe Vrinës pohuan se ata kishin të ardhura nga Butrinti, por banorët e Xarrës mendonin ndryshe. Duke iu referuar punimit në dorëshkrim të Felpsit, Hoxhesi bën një akuzë tjetër ndaj drejtuesve të Parkut Kombëtar të Butrintit. “Shumë banorë të Xarrës shprehën indinjatë ndaj drejtuesve të Parkut (Hoxhesi fut në kllapa “Tiranën”, jo fort qartas) që nuk e angazhuan më tepër komunitetin për ta ndihmuar atë që të përfitonte më shumë nga turizmi në Butrint”. [f. 107].

Hoxhesi këtu e lëshon lirshëm pendën. Ai flet për një “ndarje” [separation] midis Tiranës dhe këtij rajoni “të largët” kufitar “me minoritetet e veta të shumta etnike”. Kjo gjë, nënvizon ai, duke iu referuar sigurisht vetvetes, i vendos “në pozitë të vështirë” arkeologët “e trajnuar në Perëndim dhe që kanë një qasje të larmishme ndaj së kaluarës” [with a multi-vocal view of the past]. Duke e personalizuar më tej mendimin, sërish Hoxhesi shfaq tërthorazi obsesionin e vet ndaj Hoxhës, duke iu referuar me eufemizëm “nacionalizmit recidivist” si dhe “qasjes së palëkundshme homogjene” ndaj Butrintit. “…[C]itati i Hoxhës mund të mos shfaqet më në Butrint” – spekullon Hoxhesi – “edhe pse thelbi i ideologjisë së tij i ka mbijetuar pllakës”].[f. 108].

Përpara v. 2010 të drejtat vendore (local rights) u hodhën poshtë prerazi nga përfaqësues të Ministrisë së Kulturës si dhe nga organizatat e trashëgimisë kulturore”, shkruan Hoxhesi. Për çfarë “të drejtash vendore” e ka fjalën Hoxhesi në kontekstin e fshatrave përreth Butrintit? Për të drejtat ekonomike të fshatarëve të Xarrës, apo për fantazitë radikale që lidhen me të ashtuquajturin “Epir autonom” dhe ngjarjet përkatëse të vitit 1914, për të cilat Hoxhesi, sikurse është shprehur tjetërkund në librin e tij, gabon trashë?

10. Qasja neo-liberale e Hoxhesit dhe kritikat vendase për “kolonializëm” kulturor

Me sa duket, akrobacitë arkeologjike të Hoxhesit dhe ndërhyrjet e tij në politikat kulturore të Shqipërisë, u refuzuan prerazi dhe me vendosmëri nga autoritetet e kohës të cilat, sipas Hoxhesit, e akuzuan atë “rregullisht për (qëndrime) kolonialiste. [“..for internal purposes we were regularly accused of being colonialists.”] [f. 107].

Në fund, Hoxhesi përqendrohet tek roli i OJQ-ve në vende të trashëgimisë arkeologjike dhe marrëdhëniet midis tyre dhe arkeologjisë tradicionale (të katedrave universitare). Këtu Hoxhesi shprehet edhe më eksplicit për pikëpamjet e veta “neo-liberale”, për të mos thënë ekscentrike.[17]

“Ne jetojmë në një periudhë të turbullt në arkeologji”, shprehet Hoxhesi. Dhe vijon bomba: “Industria neo-liberale e trashëgimisë kulturore ka nevojë për vende gjerësisht të gërmuara [në shkallë të gjerë} që të tërheqë vizitorët”, deklaron ai si profet. Kjo filozofi neo-liberale na sjell në mëndje planet e AADF-së, të përcjella në ligjin famëkeq të miratuar nga Kuvendi, për menaxhimin ekskluziv 10-vjeçar të Butrintit. Hoxhesi tashmë flet për “industri”, për “gërmime në shkallë të gjerë” gjatë brezit tonë, dhe për numra “vizitorësh”. Sikurse ka theksuar me të drejtë deputetja e Sarandës, Ina Zhupa, kjo qasje “neo-liberale” në fakt e kthen trashëgiminë kulturore në mall tregtar. Dhe natyrisht kjo gjë është në antitezë të hapur me parimet, frymën dhe germën e Konventës së Parisit, por edhe me Kushtetutën, interesat strategjike dhe politikat afatgjata të shtetit shqiptar.

Dhe këtu “pa dashur” shkruan Hoxhesi, Fondacioni Butrinti “u kthye në një eksperiment organik në këtë fushë të re të arkeologjisë”. [f. 108]. Argumenti i Hoxhesit është i qartë. Fondacioni Butrinti bëri punë thelbësore në ruajtjen dhe promovimin e Butrintit, dhe tani që doli nga skena, modeli i tij duhet replikuar nga një OJQ tjetër, dhe pikërisht nga AADF-ja.

Këtu Hoxhesi, me sinqeritetin e vet të njëanshëm, përmend dy elemente të tjerë me interes: (i) akuzat e përsëritura për “kolonializëm” dhe (ii) “shqetësimet” e brezit të ri të arkeologëve shqiptarë, nxënës të Hoxhesit [trained by the Foundation]. [f 110].

Lidhur me “kolonializmin” Hoxhesi pranon se ndërhyrja e Fondacionit Butrinti jo gjithnjë u pa me besim nga shqiptarët, por përkundrazi, për shkak të “ndërhyrjes së vet morale” u pa si “forca ballore e shpikjes imperialiste (imperialist invention).” [f. 110].[18]  Ai përmend shkrimet në shtypin shqiptar të v. 1998 se “princi” Rothçajlld kishte blerë Butrintin, dhe ngjarjet në mars 2003, kur Fondacioni “u ballafaqua me korrupsion në Park,” çka solli debate në Kuvend dhe që “nxitën një kundërsulm të rreptë ku personeli i Fondacionit (por jo të besuarit e vet) u akuzuan se ishin kolonialistë”. [f. 110].

11. Fondacioni Butrinti vdiq. Rroftë AADF-ja!

Lidhur me “shqetësimet” e nxënësve të vet Hoxhesi bën një hyrje të çuditshme. Ai e ngre problemin në kontekstin e strategjisë së largimit [exit strategy] të Fondacionit Butrinti, gjë mëse normale. Mirëpo më tej ai përmend “negocimin e një të ardhmeje shqiptare të Parkut Kombëtar të Butrintit” a thua se kjo gjë ishte vënë ndonjëherë në pikëpyetje qysh nga themelimi i Parkut. Në fakt, në VKM-në përkatëse për themelimin e Parkut të Butrintit, Nr. 82. dt. 2.3.2000, të nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm Ilir Meta, nuk përmendet fare Fondacioni Butrinti. Gjithshka, përfshirë menaxhimin, ishte në dorë ekskluzivisht të autoriteteve shqiptare.  Këtu Hoxhesi duket se nënkupton se Parku Kombëtar i Butrintit, si vepër ekskluzive e Fondacionit Butrinti qysh në origjinë, po kalonte në duart e shqiptarëve “me negociata”. Dhe pikërisht në këtë moment, dhe në kontekstin e “korrupsionit të hapur politik”  shfaqet “shqetësimi i “atyre shqiptarëve të trajnuar nga Fondacioni”, d.m.th. nxënësve të Hoxhesit. Vijon më tej Hoxhesi: “Shumë prej tyre ishin të shqetësuar për të ardhmen e Parkut dhe të parimeve të tij. Këta shqiptarë nuk mund të mendonin për ndonjë organizatë që mund ta zëvendësonte atë” [d.m.th. Fondacionin Butrinti].[19]

Pjesa përmbyllëse është tjetër tiradë plot frazeologji bombastike, ku Hoxhesi i hap rrugën prezantimit në kreun e fundit të librit, të rolit shpëtimtar të AADF-në në Butrint.

Hoxhesi përmend “gjithshka: “synimet neo-liberale në 1993”, “strategjinë kripto-koloniale në trashëgimi”, “ndërtimin e kapaciteteve në menaxhim” [ku dështuam, thotë ai], “sfidimin e sistemit komunist”, dhe nevojën që “komuniteti i trashëgimisë kulturore të ushtronte më shumë kontroll në arenën kokëfortësisht reaksionare ku punonin”, apo “kundërshtimin intelektual dhe politik me të cilin ne u ballafaquam”, dhe që duhet thyer nga “bashkësitë vendore”.

Me fjalë të tjera, Fondacioni Butrinti vdiq, ku Hoxhesi kishte rol të kufizuar dhe të kontrolluar nga të besuarit [trustees];  rroftë AADF-ja dhe krijesa e saj Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, ku Hoxhesi është vetë i besuar.

(vijon në Pjesën IV dhe të fundit.

Pjesa (I) dhe Pjesa (II) mund të lexohen përkatësisht këtu dhe këtu).

(c) 2022 Agron Alibali. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Cluverius – Harta e Kaninës me Gjirin e Butrintit, v. 1711. Koleksioni privat i autorit.


[1] Hoxhesi nuk është i vetëm në obsesionin e tij ndaj Hoxhës. Pikëpamje të tilla shfaq gjerësisht edhe Oliver Gilkes, në artikullin How the Goddess Lost Her Head,: The Myth and Reality of the Looting of Butrint, 1927 -97’, Culture without Context, 10: 9-10. https://traffickingculture.org/app/uploads/2012/07/CWC-10.pdf  Shkruan ndër të tjera GIlkes për programin “nacionalist” të Hoxhës: ‘The chosen theme was that of Albanian continuity from the prehistoric IIlyrians, a hypothesis that had been under discussion as a political and scientific idea since the later nineteenth century (Wilkes 1992).”

[2] “… the practice of archeology was intended to sustain the nation-state myth with a timeless foundation myth.” Kurse referenca e “antipatisë” tri paragrafe më lart, në origjinal është: “The Foundation’s programme was tacitly fuelled by an antipathy to an Albanian nationalism with its use of archeology as symbolic capital for an authoritative regime”. (duke cituar edhe një punim të Hamilakis, Y dhe Yalouri E., të vitit 1996).

[3] Neni 4 i Statutit. Për më tepër shih:

https://www.parchivaldicornia.it/wp-content/uploads/2021/04/Statuto2020.pdf

[4] “The new Director of the Institute of Archeology…candidly admitted that he and his colleagues wanted to become rich”. [f. 82].

[5] “Their negotiating rate started with three apartments in Paris and five Mercedes”.

[6] Hoxhesi këtu u referohet edhe një punimi të M. Demas, “Planning for Conservation and Management of Archeological Sites: Values-based Approach”, në librin e J. M. Teutronico dhe G. Palumbo (editorë) Management Planning for Archeological Sites, 2002, ff. 27-54, L.A. Getty Conservation Institute.

[7] “Before 1990, Albanians needed a visa to visit Butrint”.

[8] Sipas Hoxhesit, Buhanan, arkitekt peizazhesh, kishte projektuar parkun e Roka San Silvestros në Toskanë. [f. 90].

[9] Hoxhesi i referohet me siguri VKM-së Nr. 82, dt, 2.3.2000 “Për shpalljen Park Kombëtar në mbrojtje të shtetit të zones arkeologjike të Butrintit”, nënshkruar nga Kryeministri Ilir Meta. Parku Kombëtar i Butrintit do të ishte “nën mbrojtjen e shtetit”, me sipërfaqe 25 km katrorë, e administruar nga Zyra e Administrimit dhe e Koordinimit e qytetit antik të Butrintit, në varësinë e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Pra, qysh në fillesat e tij Parku kombëtar i Butrintit ishte nën mbrojtjen dhe nën kontrollin e plotë të shtetit shqiptar, përfshirë administrimin apo menaxhimin e tij – në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit si dhe me Konventën e Parisit për Trashëgiminë Botërore.

[10] “However, it was accentuated by the ministry’s appointment of a park director (with the Foundation’s support) who had no affinity with the local communities. On the contrary, his agency was motivated by one purpose only  – to benefit personally from this minor political prize.”

[11] “But the Albanian administration plainly lacked the requisite skills to manage an entity in line with both international conservation standards and the expectations of an international visitorship.”

[12]  How the Goddess Lost Her Head,: The Myth and Reality of the Looting of Butrint, 1927 -97’, Culture without Context, 10: 4-12.

[13] Portrete të ndryshme të Livias, përfshirë Livian e Butrintit, jepen në lidhjen këtu.

[14] Shkruan Gilkes: “Matters may have remained thus but for the chance meeting of academics in the United States in 2000, when Professor Richard Hodges was told of Bartman’s identification. Thereafter the matter was taken up by Dr Iris Pojani, Director of the International Centre for Albanian Archaeology and other Albanian authorities who contacted Mr Hecht directly. A generous offer to return the head followed and on 3 November 2000 Livia returned to Tirana”. Po aty, f. 11.

[15] Referenca për Gilles: PR Newswire Press Releases and Looting Matters, David W. J. Gill, –  11. Looting Matters: Where Are the Sculptures Stolen from Albania, www.academia.edu; GIlles madje përmend aty edhe kontributin personal financiar të Igli Tares për kthimin në Shqipëri të objekteve të grabitura.  Kurse për riatdhesimin e Livias referenca është: Ja si u kthye Livia, tek Shqiptarja.com, https://shqiptarja.com/lajm/Ja-si-u-kthye-busti-i-Livias

[16] Shkruan Hoxhesi: “…Butrinti ishte me fat sa i takon menaxhimit të vet lokal nga vitet 1970 e deri në shekullin XXI. Telemark Llakana (në shumë mënyra modeste, dhe pa rënë në sy, një pasardhës i admirueshëm i mbikëqyrësve të Ugolinit në periudhën 1928 – 1936, Xhiakomo Franx [Giacomo Franz} dhe Alfredo Nuçiteli [Alfredo Nuccitelli], Llakana menaxhoi operacionet e Institutit të Monumenteve në Butrint për 30 vjet, nga 1970-tat deri në 2001, duke dhënë një vijimësi thelbësore dhe inteligjente gjatë fillimit të viteve destabilizuese 1990, kur po merreshin në shqyrtim projekte të shumëllojshme ekscentrike dhe të papërshtatshme ”. [f. 105]

[17] Për tatëpjetën me të cilën po ballafaqohet “neo-liberalizmi” sot në SHBA, por edhe tjetërkund, ia vlen të shihet artikulli The new rules for business in the post neo-liberal world, nga Rana Foroohar në gazetën Financial Times të 10 tetorit 2022.

[18]“ It is scarcely surprising then, that like other NGO-s the Butrint Foundation has been seen by way of its moral intervention as the frontline force of imperialist invention”, duke cituar Hardt M dhe Negri A. (2000) Empire, Cambridge, Cambridge University Press .

[19] . “Me këtë vakuum, mbi parkun arkeologjik mund të binte rezultati më i keq i mundshëm, pasi autoritete shqiptare duket se reagojnë vetëm ndaj forcave ekzogjene. Koha do ta tregojë”, përfundon Hoxhesi. [f. 110].

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin