nga Edon Qesari
1.
Në prill të vitit 1995, në një auditor të Universitetit të Harvardit, Umberto Eco mbante një kumtesë mbi gjithëpraninë e fashizmit në botën bashkëkohore. Prej fjalës së tij do të rridhnin një përkufizim me shije borgesiane (Ur-Fascism), si dhe një artikull i qëmtueshëm në fejtone intelektuale. Disa muaj më vonë, kjo përsiatje fillestare do të shndërrohej në një vëllim të imët, por përmbajtësisht të ngjeshur, që do ta popullarizonte që në titull njësinë sintaksore të prurë prej Eco-s[1]Umberto Eco, Totalitarismo fuzzy o Ur-Fascismo, Firenze: La Rivista dei Libri, 1995..
Për kohën kur u hodh në tregun e industrisë akademike, sidoqoftë, u duk sikur shtjellimi që Eco-ja i bëri fashizmit e kishte burimin tek e shkuara e afërt e vendit të tij; atje ku, veç një vit përpara, një parti e damkosur si neofashiste kishte mundur të merrte për herë të parë ca prej levave të pushtetit.
Më 1994, drejtuesi i zgjedhur i koalicionit të qendrës së djathtë, z. Silvio Berlusconi, fitues i zgjedhjeve parlamentare italiane, kishte përfshirë në skuadrën e vet qeverisëse një formacion politik që bartte siglën MSI-Alleanza Nazionale. Kjo përfaqësonte një trashëgimi jo pak të rëndë: atë të MSI-së (Movimento Sociale Italiano), një parti që për 40 vite ishte vetëdeklaruar si pasuese e Benito Mussolini-t, që ishte themeluar nga ish-zyrtarë dhe kadetë të këtij të fundit, të cilët nuk i rrudhnin aspak buzët nëse u drejtohej gishti si fashistë, e që kishin qenë përfaqësues të një force politike e cila, në botën perëndimore, ishte më e madhja e llojit të vet për sa u përket përqafimeve elektorale.
E pavarësisht se po kjo parti, në një hark kohor shumë të shkurtër, kishte kryer një meremetim të pamjes së saj – duke nisur që nga emri, prej të cilit shpejt do të hiqej, njëherë e përgjithmonë, ajo MSI-ja, si dëshmi e një të shkuare ndjellazezë – sërish, ngjante sikur vendi në të cilin fashizmi kishte lënë pas rrënoja dhe kasaphanë, nuk i kishte përvetësuar mirë mësimet e historisë.
2.
Prapë së prapi, jehona e Ur-fashizmit të stilosur nga Umberto Eco u duk si e lokalizueshme vetëm në rastin italian; se në dekadën fill pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, së paku në botën perëndimore – e cila asokohe, me pak siklet e deri diku bezdi, niste të mësohej me rendin e ri të gjërave, se edhe pjesa lindore e kontinentit evropian ishte pjesë e saj tashmë – kategoritë politike të groposura që në vitet 1940 ishin ndryshkur nën dhé; e se, pavarësisht gjallimit të disa formacioneve tërësisht të papërfillshme nëpër ankandet elektorale (rasti i Front National në Francë, për shembull), që me vullnet të tyre a me pahir mediatik stigmatizoheshin si neofashiste, trend-i politik nuk shfaqte gjëkundi ndonjë mundësi që ato t’i qaseshin ndonjë karrigeje ekzekutive.
Përkundrazi. Mesi dhe fundi i viteve ’90 do të shndrisnin nga llamburitjet e një socialdemokracie të re, që nën formulimin e Third Way-t do të mbyllte në qivur çfarëdolloj dallimi midis kategorive tradicionale të së majtës dhe së djathtës. Tashmë të gjitha palët politike ishin njësoj, majtas e djathtas e gjenin veten në qendër të boshtit: e kush nuk e pranonte një njësim të tillë, telendisej në ekstremitete, majtas apo djathtas, ku i lejohej që të bënte gër-game antisistem me ato dy-tre çika elektorat që ia dëgjonte fletërrufetë.
Me përjashtim të Italisë, natyrisht, ku Alleanza Nazionale konsolidohej në mbështetje, por edhe ndryshonte për pasojë; duke përftuar tipare që i shkonin më përshtat një partie konservatore të llojit anglofon, a më saktë të një catch-all party, e yshtur sidomos nga një drejtues si Gianfranco Fini, i cili pak vite nga koha kur përshëndeste anëtarësinë e vet me krahun e shtrirë alla romana, do të deklaronte, në agun e shekullit të ri, se fashizmi kishte qenë për Italinë një përvojë historike e barasvlershme me “të keqen më të madhe” (il male assoluto).
Ende në fillim të viteve 2000, përshtypja që linte kumtesa e Eco-s ishte ajo e një ushtrimi, në mos ludik, së paku erudit; një vramendje akademike e cila dukej se pak e ndiqte paradigmën e zhvillimeve politike nën kullën e fildishtë. Në realitet, jo vetëm që nuk dukej kurrfarë rreziku fashist, por edhe aty ku mund të kishte pasur një të tillë, koha tregonte se mund të zbutej, të moderohej dhe madje të vetëmohohej, sa më pranë t’ia qasje pushtetin.
Mbresat ishin se Eco-ja po zmadhonte, apo globalizonte, Italinë e tij të vogël, ku një parti e vogël neofashiste, tashmë postfashiste, ishte bërë pjesë e një qeverisjeje – ajo e drejtuar nga Berlusconi më 1994 – e cila sidoqoftë kishte pasur një jetë më pak se 1-vjeçare, déjà të bitisur në momentin kur Ur-fashizmi ligjërohej në Harvard[2]Qeveria e parë e drejtuar nga z. Berlusconi qëndroi në pushtet vetëm tetë muaj (maj 1994 – janar 1995). Shkak i drejtpërdrejtë i rënies së saj ishte marrëdhënia e vështirë dhe gati e … Continue reading.
3.
Pastaj erdhi kriza zulmëmadhe financiare e vitit 2008, acarimi i peizazheve politike të vendeve të përfshira prej saj, vërshimi emigrues nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, si dhe dalja në skenë e shumë partiçkave që deri asokohe molepseshin me gjithfarëlloj parullash radikale, por që nuk u kushtonte kush rëndësi pasi, siç shprehej Eco-ja me një boutade, askush nuk ia var budallait të katundit që sokëllin i dehur në pijetore. U deshën rrjetet sociale, të cilat morën vrull pikërisht në atë kohë, që shumë budallenj të zbulonin që s’ishin vetëm dhe të bëheshin bashkë në një katund global.
Në dekadën që ndoqi vitin 2010, dalëngadalë dhe jo gjithmonë në dritë të diellit, “fashizmi” nisi të lakohej si emërues i përbashkët për një sërë personazhesh dhe ndodhish politike, që shumëkush i diktonte tek shfaqja e Agimit të Artë në Greqi, tek integralizmi katolik i Partisë për Ligj dhe Drejtësi në Poloni, tek qeverisja e hekurt e Victor Orbán-it në Hungari, tek antievropianizmi i Nigel Farage-it në Britaninë e Madhe (flamurtari më zëmadh i Brexit-it, më 2016), tek ngadhënjimi elektoral i Donald Trump-it në Amerikë, ai i Jair Bolsonaro-s në Brazil, tek mbështetja në rritje që korrte sakaq Marine Le Pen në Francë, tek zhargoni i çartur i Matteo Salvini-t në Itali, tek AFD-ja që rriste karriget në parlamentin gjerman, tek Vox-i në Spanjë dhe deri tek jehona e madhe që mori një projekt, i përkufizuar si sovranist, nën drejtimin e Steve Bannon-it, që mëtonte ndërtimin e njëfarësoj “internacionaleje” të të gjitha lëvizjeve/partive, të cilat e gjenin veten tek shpalosja politike e shembujve të mësipërm.
Të lakuara dhe akoma më shpesh të anatemuara si “fashiste”, të atilla formacione, bashkë me udhëheqjet përkatëse – e jo më pak boshti ideor që me gjasë i ndërlidhte në një vëllazëri partish simotra – ngjanin sikur i jepte të drejtë vegimit ogurzi që Eco-ja kishte paraparë rreth njëzet vite pas në kohë.
Më 2018, dy vite pas ndarjes nga jeta të autorit të mirënjohur italian, kumtesa e hershme e Harvardit ribotohej, tashmë me një panoramë krejt të ndryshme globale dhe me një titull më goditës, “Fashizmi i përjetshëm”[3]Umberto Eco, Il fascismo eterno, Milano: La Nave di Teseo, 2018., duke marrë vlerën e një teze të mirëfilltë interpretuese të asaj dukurie që, prej fillimit të dekadës, kishte grirë nerva dhe kallamarë.
4.
Në përshkrimin që Eco-ja i bën fashzimit, ky i fundit përfton tiparet thuajse fizike të një lëngëzimi në historinë moderne perëndimore, që pavarësisht përvojave të caktuara historike (si ajo e Italisë në gjysmën e parë të shek. XX), dhe pjekurisë së mëvonshme të kulturës dhe shoqërisë liberale në këtë anë të globit, nuk rresht së qarkulluari në shtresat e ndryshme të ndërgjegjes dhe të pasioneve politike – ndonjëherë mbi tokë, në sy të kujtdo; edhe më shpesh nën dhé, duke ushqyer rrënjët e sjelljeve politike, që në dukje mund të mos kenë fare të bëjnë me fashizmin.
Sepse, si i tillë, fashizmi është pikërisht sjellje më shumë se referencë historike.
Në këtë kuptim, ka një fashizëm qartësisht historik, e që e gjen frymëzimin në një kohë të caktuar, duke vjelë prej kësaj të fundit ritualet, simbolet, ligjërimin, kategoritë abstrakte dhe deri patois-në; siç ka edhe një fashizëm të pakohë, të përhershëm dhe të përjetshëm, që nuk gjendet tek ndonjë skinhead i zakonshëm i ditëve tona, i cili veç mund të gajasë me look-un e tij prej xhambazi, por tek sjellje të caktuara morale dhe politike, të diktueshme në çdo kohë, edhe kur fashizmi ngjan dhe është një kapitull i mbyllur. Madje edhe tek ai individ apo kolektiv që nuk ka asnjë trashëgimi të përcjellë nga fashizmi, e madje mund të konsiderohet fare mirë antifashist.
Janë saktësisht 14 cilësitë që Eco-ja shtjellon në mënyrë didaskalike, me qëllimin për të përshkruar një sjellje fashiste. (Për një renditje të shpejtë, mund të këqyren në anglisht këtu.) Ato venë nga kulti që i ngrihet një të shkuare të imagjinuar (pra, shpesh të sajuar nga narrativa zyrtare e një subjekti politik), tek frika ndaj gjithçkaje që ngjan apo tingëllon si e huaj (jo domosdoshmërisht vetëm në kuptimin etnocentrik), tek mania për të konsideruar botën një çerdhe komplotesh, e deri tek përdorimi i një newspeak-u të posaçëm, i cili nënkupton përvetësim papagallçe të sloganeve më të përdorura dhe domosdo mungesën e shqueshme të çfarëdolloj qasjeje kritike.
Në këtë rast, sikundër vlen rregulli i përhershmërisë, nuk do të jetë më e nevojshme të prenotojmë një makinë kohe, e të zhvendosemi nëpërmjet saj në vitet mes dy luftërave botërore për të qenë spektatorë të një fashizmi live. Aq më pak mund të vlejë, gjithmonë sipas linjës së Eco-s, pohimi i ndokujt që e mat nivelin ekzistues të fashizmit me të dhëna të gjendjes civile (Giorgia Meloni, si shembull i ditëve tona, sa herë që pyetet mbi rrënjët fashiste të partisë së saj, përgjigjet se ajo vetë ka lindur në vitet ‘70, në një kohë, pra, kur fashizmi musolinian ishte varrosur prej tri dekadash, e kësisoj nuk ka se si të jetë fashiste). E mban apo jo bustin e Mussolini-t në altarin politik, është sjellja në përditshmërinë qytetare dhe politike që e bën apo jo dikë fashist, pavarësisht historisë që e paraprin apo e ndjek.
5.
Umberto Eco nuk e “pati fat” ta shihte shkërmoqjen e disatë të sistemit partiak të vendit të tij; atje ku shtrëngata e viteve 2010 mori me vete shumë subjekte politike, deri atëherë mbizotëruese, dhe prodhoi një skicë elektorale që, në shtator të 2022-ës, nxori në pah një parti, si Fratelli d’Italia, të kryesuar nga Giorgia Meloni.
Për nga vetë gjuha që Meloni përdor, e sidomos për nga mënyra se si e përdor – flet me një theks të fortë roman, i mëshon gjuhës së prerë dhe kategorike, ulërit slogane tipikisht përjashtuese, si “Zot, atdhe, familje” (Dio, patria, famiglia), parapëlqen përdorimin e termin “komb” ndaj atij “shtet”, duke anashkaluar mospërputhjen mes tyre, por edhe iu bën jehonë dallimeve “ne” dhe “ata” në marrëdhënie me kundërshtarët politikë, Bashkimin Evropian dhe në përgjithësi me çfarëdolloj subjekti që nuk paraqet trajta, le të themi, italike – kjo politikane e ka mbas qafe akuzën e të qenët fashiste. Veçanërisht kur mundohet ta përgënjeshtrojë identitetin që i bashkëngjitet, pasi në Itali ndalohet me kushtetutë krijimi i një partie me frymëzim fashist; veçanërisht kur elemente të trashëgimisë neofashiste janë aq të pranishme dhe të dukshme në historikun, semiotikën dhe identitetin e partisë së saj[4]Partia Fratelli d’Italia lindi si pasardhëse e drejtpërdrejtë e Alleanza Nazionale-s më 2013, duke trashëguar prej kësaj të fundit emblemën, programin, financat si dhe shpurën e … Continue reading.
6.
Rasti e donte që një vit pas ribotimit të Eco-s, më 2019, një prej historianëve më në zë të fashizmit botërisht, Emilio Gentile, të kishte dërguar për shtyp një libërth me titull “Kush është fashist”[5]Emilio Gentile, Chi è fascista, Roma: Laterza, 2019., në përpjekje jo dhe aq për të kundërshtuar tezat e Eco-s, sesa për ta kritikuar atë që autori e gjykon si tepri e përdorimit të termit “fashizëm” në botën e sotme.
Sepse, nëse kushdo që do të kallëzohej si fashist, “fashizmi” do të kthehej në një llaf goje.
Përdorimi vend e pavend i termin “fashizëm”, sipas Gentile-s, nuk përbën vetëm një filistinizëm gjuhësor, porse shpreh njëkohësisht një paaftësi të përgjithshme – e veçanërisht të kastës së studiuesve: atyre që, duke vëzhguar realitetin politik, u kërkohet t’i japin këtij shpjegim në terma të duhur për ta rrokur aktualitetin në tërë kuptimin e tij. Në njëfarë mënyre, sipas profesorit, inflacionizimi i “fashizmit”, si emërtesë apo dhe kallëzim, na shpie pashmangshmërisht në një cul de sac hermeneutik.
Në botën e sotme, të akuzosh dikë për fashizëm në ato që thotë dhe bën është të biesh në reductio ad Hitlerum. Përkundër Eco-s, historicizmi i Gentile-s e mëton që ta lokalizojë fashizmin në kohë dhe në hapësirë, duke ia vënë kufijtë në atë përvojë historike që si e tillë mbetet e papërsëritshme.
Pastaj, a jemi vërtet të sigurt se zëri “fashist” do t’i shkonte çfarëdolloj regjimi që i mëshon qeverisjes nëpërmjet një dore të hekurt, nënvizimit të fortë të nocionit të kombit, sovranitetit nëpërmjet retorikës së populizmit, ndalimit me çdo kusht të kritikës dhe/ose shumë tipareve të tjera që mund t’i shtohen e mund t’i hiqen cilësdo qeverisjeje të cilën, nga afër apo nga larg, e gjykojmë si në kundërshtim me disa stereotipa të demokracisë liberale (edhe këto vetë të papërcaktuara ndonjëherë përfundimisht)?
Nëse do të na duhet ta kualifikojmë dikë – një funksionar, një të zgjedhur, një udhëheqës, një despot – si “fashist” vetëm në bazë të disa cilësive apo sjelljeve të tij, mund të vëmë re fare mirë se një kallëzim i tillë do t’u vinte përshtat shumë leadership-eve të sotme nëpër glob: leadership-e që paradoksalisht bartin frymën e një antifashizmi militant (si qeverisja e Putinit në Rusi), por edhe ata që konsiderohen krejt të kundërt me fashizmin, qoftë edhe ideologjikisht, që nga Koreja e Veriut deri në Kubë. Dhe kjo nuk vlen vetëm për kohën tonë, por gjithashtu për forma qeverisjeje tashmë të perënduara, pasi gjurmë të një sjelljeje fashistoide, ku më shumë e ku më pak, mund t’i gjejmë patjetër tek shembuj paradigmatikë, si: frankizmi në Spanjë dhe korporativizmi në Portugali, por edhe tek periudha e De Gaulle-it në Francë dhe pse jo, tek ajo e Margareth Thatcher-it në Britaninë e viteve 1980. Pa folur pastaj për Kinën postmaoiste, Republikën Islamike të Iranit, autoritarizmat në vendet arabe dhe deri tek regjimi erdoganist në Turqi. Dhe si të mos shtojmë mandej Jugosllavinë e Milošević-it (por demokratë të qelibartë, sigurisht, nuk mund të konsiderohen kundërshtarët e tij të drejtpërdrejtë, Franjo Tudman në Kroaci dhe as Alija Izetbegović në Bosnje-Hercegovinë) apo Serbinë e tanishme të Aleksandar Vučić-it…
Në këtë vazhdë, sipas vëzhgimit kritik të Gentile-s, fashizmi nuk do të ishte më një përjashtim (eccezione), ndërsa antifashizmi i Luftës së Dytë Botërore, prej fitores të së cilit rrodhi bota e mëvonshme dhe i ka rrënjët kjo e sotmja, do të ishte, keq ta themi, një loser i përhershëm. Akoma më e mundur, “fashist!” do të kthehej në një kallëzim komod, drejtuar çfarëdolloj kundërshtari me të cilin nuk ndahen gjykime, por ndaj të cilit përdoren anatemime të cilat, do të thoshte Pier Paolo Pasolini, do ta shtynin antifashizmin në batakun e fashizmit verbal: do ta shndërronin në një antifashizëm fashist.
Se nëse gjithkush është fashist, atëherë kurrkush nuk është. Dhe vetë fashizmi, ai i Italisë së viteve 1920-1930, kthehet kësisoj në një përvetësim elektoral e në një abuzim populist.
7.
Dhe në fund: a është apo jo Giorgia Meloni, si krijesë e rrënjëve të saj partiake, një fashiste? Përgjigjja është, si gjithmonë, pak më komplekse se një lokucion i thjeshtë.
Gentile e hedh për shtyp librin e vet përpara exploit-së zgjedhore të Fratelli d’Italia, parti e cila, në më pak se 10 vite nga themelimi, kaloi nga 2% mbështetje elektorale në 26%, duke u kthyer në forcën e parë, e të padiskutueshme të panoramës politike italiane – pavarësisht se në: “Kush është fashist”, autori parathotë gjithë ngarkesën polemike që një ngjarje e tillë do të mund të sillte. Dhe mund të përfytyrohet se si kritika e Gentile-s ndaj lehtësisë së përdorimit të thagmave terminologjike, bashkërisht me thirrjen për ta mënjanuar historinë prej politikës, do të sillte yçkla semantike.
Sepse, kam përshtypjen, vijimi i përplasjes politike është tregues i faktit se shpesh ngatërrohet historia me kujtesën, mendimi me përjetimin – por kjo do të lypte një trajtesë më vete, e që do të vlente po aq për “komunizmin”, si rrafsh i cili zgjon, në Shqipëri për shembull, po aq kallëzime dhe abuzime terminologjike sa fashizmi dokudo.
Sepse, në një linjë me Gentile-n, më duket se në ditët e sotme sëmundjet e demokracisë, problematikat goxha serioze që kanë acaruar marrëdhëniet ndërkomunitare në botën liberale – e që nuk është e tepërt të themi se prej kohësh shënojnë një krizë të gjerë kulturore, veç asaj socio-ekonomike – po emërohen me kategori gjuhësore të ndryshkura, sa për thjeshtësi komunikimi. Giorgia Meloni, ngadhënjimi i saj përmes një oratorie që mund të tingëllojë si e ngarkuar me apostrofa të pazakonta, apo dhe mbytëse, për një shoqëri të ushqyer me bashkëjetesë dhe harmoni shumëkulturore – më shumë se një mbetje nostalgjike e marshimit mbi Romë apo ithtare e ndërtimit ex novo të perandorisë musoliniane, shëmbëllen me simptomën e një turbullire gjithëpërfshirëse, e cila e ka burimin tek mungesa e ekuilibrave socialë në Perëndim, tek kriza e thellë që ka mbërthyer establishmentin politik tradicional – shpesh të identifikuara si qendër e majtë dhe e qendër e djathtë – e sidomos tek zbërdhulja e pambarimtë e kulturës politike; çka merr përpara, si uragan, besimin tek mekanizmat elektoralë, tek institucionet rregulluese të marrëdhënieve mes qeveritarëve dhe të qeverisurve, si dhe tek vetë kontrata shoqërore.
E për të gjitha këto, fatkeqësisht, termi “fashizëm” është i pamjaftueshëm – pavarësisht se znj. Meloni dhe ndjekësit e saj i shkelin syrin përdorimit të tij, pasi çdo devijim nga norma, nga e lejueshmja, mund ta shtyjë qytetarinë e pakënaqur kundër një normaliteti që përftohet si i padrejtë.
Se abuzimi me fashizma nga e majta është veç një hap larg sokëllimave për konspiracionizma nga e djathta. E pavarësisht se situata të tilla, të një pakënaqësie që shndërrohet në reaksion gjithëpopullor, i ngjajnë vitit 1922 në Itali apo atij 1933 në Gjermani, më duket se është mungesa e një ndërgjegjësimi të mirëfilltë mbi aktualitetin, që i hap shteg shpërdorimit terminologjik dhe sharlatanizmave që e ndjekin pas.
Sepse, siç nuk nguronte të pohonte një sqimatar i hershëm i dijes historiografike “për fatin e keq të historianëve, njerëzit s’e kanë zakon ta ndryshojnë fjalorin gjithë sa herë ndryshojnë doket”[6]Marc Bloch, Apologie pour l’histoire ou métier d’historien, në id., L’Histoire, la Guerre, la Résistance, édition établie par Annette Becker et Etienne Bloch, Paris: … Continue reading, apo jetesën e tyre në një kontekst të caktuar kulturor.
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa leje. Kopjuesit do të përndiqen ligjërisht.
References
↑1 | Umberto Eco, Totalitarismo fuzzy o Ur-Fascismo, Firenze: La Rivista dei Libri, 1995. |
---|---|
↑2 | Qeveria e parë e drejtuar nga z. Berlusconi qëndroi në pushtet vetëm tetë muaj (maj 1994 – janar 1995). Shkak i drejtpërdrejtë i rënies së saj ishte marrëdhënia e vështirë dhe gati e pamundur e kryeministrit me partnerin tjetër të koalicionit fitues, Lega Nord, një parti rajonaliste me prirje separatiste. |
↑3 | Umberto Eco, Il fascismo eterno, Milano: La Nave di Teseo, 2018. |
↑4 | Partia Fratelli d’Italia lindi si pasardhëse e drejtpërdrejtë e Alleanza Nazionale-s më 2013, duke trashëguar prej kësaj të fundit emblemën, programin, financat si dhe shpurën e “kolonelëve”– siç quheshin, në zhargonin politik italian gjithë personalitetet e forta të partisë së vjetër, të cilët shpesh kishin pasur role të rëndësishme qeveritare deri në kabinetin e fundit të drejtuar nga Silvio Berlusconi (2008-2011). |
↑5 | Emilio Gentile, Chi è fascista, Roma: Laterza, 2019. |
↑6 | Marc Bloch, Apologie pour l’histoire ou métier d’historien, në id., L’Histoire, la Guerre, la Résistance, édition établie par Annette Becker et Etienne Bloch, Paris: Gallimard, 2006, f. 872. |