(The Archeology of Mediterranean Placemaking – Butrint and the Global Heritage Industry – Bloombsury 2017)
nga Agron Alibali
Sikurse përmendëm në pjesën (I), libri i Hoxhesit për Butrintin është promovuar prej tij si njëfarë bible ku duhet të mbështetet e ardhmja e menaxhimit të Butrintit, por edhe interpretimi i trashëgimisë historike të tij.
Kjo theksohet më tej në kreun 3, “Identitet i Ri? Një rrëfim i gërmuar”. Këtu Hoxhesi parashtron në mënyrë më të përpunuar dhe profesionale tezat e tij, mirëpo sërish shfaq edhe obsesionin ndaj “projekteve arkeologjike nacionaliste”, duke cituar qysh në krye arkeologun amerikan, Xhek Dejvis (Jack Davis), që ka bërë hulumtime në Greqi, por edhe në Mallakastër e Apolloni.[1]
Respekt ndaj kulturës indigjene
Këtu na lejohet të bëjmë një digresion. Shpesh përmendet që SHBA-ja është shtet i ri, pa historinë dhe trashëgiminë kulturore të Europës. E thënë ndryshe, historia e SHBA-së fillon me Kristofor Kolombin. Kjo narrativë natyrisht shpërfill historinë dhe trashëgiminë e pasur e të lashtë të banorëve indigjenë amerikanë. Megjithatë, në të kaluarën, por edhe sot, janë ndërmarrë një numër projektesh madhore edhe nga qeveria amerikane për hulumtimin, njohjen, ruajtjen e studimin e kulturës së pasur e të jashtëzakonshme të popujve indigjenë të Amerikës. Natyrisht, respekti për këtë kulturë, por dhe për popullsinë që e bart atë, është rritur ndjeshëm. Sot as që mund të imagjinohet keqtrajtimi i saj, apo mungesa e ndjeshmërisë dhe mosvlerësimi i vlerave të bartura nga kjo kulturë. Kuptohet që mohimi i këtyre vlerave sipas sloganeve të “arkeologjisë nacionaliste” të Hoxhesit as që mund të merret me mend.
Po sjellim një shembull të freskët. Në maj të këtij viti u zbulua në shtratin e një lumi në Minesota një kafkë që shfaqte edhe një goditje fizike, e cila fillimisht, u mendua se i takonte një viktime të panjohur të kohëve tona. Mirëpo, pas ekzaminimit nga një antropolog forensik në laboratoret e FBI-së, u përcaktua se kafka ishte 8000 vjeçare, dhe se i takonte popullsisë indigjene indiano-amerikane të rajonit. Kur sherifi lokal publikoi në mediat sociale fotot e kafkës, kjo nuk u prit aspak mirë nga pjesëtarët e komunitetit indiano-amerikan, të cilët deklaruan se publikimi i fotove të eshtrave ishte fyes për kulturën e tyre. Rrjedhimisht, “sherifi… e hoqi foton nga faqja zyrtare, duke thënë se eshtrat do t’u kthehen drejtuesve të fisit Sioux [Upper Sioux]”.[2]
Shtrembërim i historisë së sotme të Shqipërisë së Jugut
Por le të kthehemi tek Hoxhesi. Në këtë kapitull Hoxhesi shpalos pikëpamjet e tij për Butrintin, fatkeqësisht pa hequr dorë nga falsifikimi i hapur i historisë së vendit ku është caktuar të shërbejë. Duke u ndalur tek procesi i certifikimit të Butrintit nga UNESCO si “vend i trashëgimisë botërore”, Hoxhesi shkruan:
“Në vitin 1991, me fundin e komunizmit minoriteti grek në jugperëndim të Shqipërisë sërish pati shpresë për pavarësinë që gëzuan për një kohë të shkurtër në 1913-1914” [f. 35, theksimi imi, A.A.].[3]
Pohimi është afërmendsh i rremë. Së pari, me përjashtim të ngjarjeve të lidhura me sulmin terrorist në Peshkëpi në prill 1992, në rrethet e Gjirokastrës dhe Sarandës në atë kohë nuk ka ndodhur asnjë veprim që do të mund të përafrohej me situatën e të ashtuquajturit “Epir autonom” të renegatëve Zografi dhe Duli në shkurt 1914. Këtu detyrohemi të risjellim në vëmendje Faik Konicën, që me stilin e vet të papërsëritshëm lakonik, i përshkruante kësisoj ngjarjet që lidhen me “Epirit autonom”.
Shkruante Faiku: “Duke përfituar nga fakti se një vit më parë Turqia i kishte çarmatosur shqiptarët, një ushtri e organizuar greke, e maskuar si civilë, u vërsul në Shqipëri dhe filloi një seri sistematike dhe të përgjithshme zjarrvëniesh e vrasjesh”.[4]
Pra ndryshe nga interpretimi i rremë i Hoxhesit për “pavarësinë” e minoritetit grek, sipas Konicës ngjarjet e vitit 1913 – 1914 në Shqipërinë e Jugut ishin rrjedhojë e ndërhyrjes së planifikuar dhe sistematike ushtarake të shtetit grek në trojet shqiptare.
Në përshkrimin e minoritetit grek të Shqipërisë së Jugut Hoxhesi bën edhe një spekulim tjetër. Ai e lidh rajonin me të ashtuquajturin “Epirus Vetus” (ff. 23, 35), një formacion administrativ i Perandorisë Romake e Bizantine të periudhës së Antikitetit të vonë (412 – 860) [5], pa asnjë lidhje me minoritetin grek, duke iu referuar edhe një punimi të një kolegu të vet.[6] Përse vallë ai përmend këtë term jashtë kontekstit historik, siç do ta shohim pak më poshtë, duke e lidhur me kinse “Epirin autonom” të vitit 1914?
Më tej Hoxhes futet në fushën e intepretimit të Butrintit, duke folur në emër të Fondacionit Butrinti. Ai jep tre interpretimet e deritanishme si më poshtë:
- Versioni diakronik i Ugolinit për “vijimësinë e pandërprerë”, i lidhur me Eneidën e Virgjilit, me koloninë romake, me qytetin e Antikitetit të vonë, dhe me portin mesjetar e otoman.
- Versioni diakronik “komunist”, që vinte në dukje “lidhjet e tij ilire” dhe “qëndresën e tij të gjatë si vend i fortifikuar ndaj kolonialistëve të shumë, duke nisur me Jul Qezarin e më tej”.
- Inskriptimi i “Unescos” (sic), që përcillte prejardhjet greke të Butrintit dhe fazat e tij bizantine “duke nënkuptuar një shërbim për minoritetin grek dhe kauzën e vet për pavarësinë e Epirus Vetus në vitin 1913 -1914”. (ff. 39 – 40).
Për t’i dhënë një ngjyrim “akademik” Hoxhesi citon këtu antropologun e Universitetit të Harvardit, Michael Herzfeld[7], si dhe arkeologun Dejvis.
Mirëpo “ne”, deklaron Hoxhesi pa modesti, “synuam të përdorim hulumtime të reja arkeologjike që t’i japim Butrintit një identitet të katërt, të mbështetur në lidhshmërinë (connectivity) e tij mesdhetare (të çveshur nga nacionalizmi), duke e bërë kështu vendin më të qasshëm ndaj vizitorëve ndërkombëtarë”. (f. 40).
Kryenarrativa apo Butrinti “mesdhetar” i Hoxhesit
Dhe këtu Hoxhesi fut konceptin e njëfarë “mesdhetarizmi” të Butrintit, duke iu referuar historianit britanik David Abulafia, dhe natyrisht duke theksuar se “ky identitet” i ri duhet të jetë i kuptueshëm për vizitorët e huaj të Korfuzit, por edhe për “shqiptarët e çliruar nga 50 vite totalitarizmi dhe nga miti i përjetshëm i ilirëve”. (f. 40).
Befas, dhe pa i marrë leje askujt në një vend sovran me kulturë të lashtë e identitet të konsoliduar kombëtar, Hoxhesi, duke folur gjithnjë në vetën e parë shumës (“ne”), e vendos veten në “rolin e arbitrit” [“…nëse kishim apo jo të drejtë të merrnim përsipër rolin e arbitrave në të ardhmen e këtij vendi…” (whether or not we were correct or not to assume the role of arbiters in the future of this site…”) f. 40]. Mirëpo ku është parë që një arkeolog i huaj të bëhet “arbitër” i hulumtimeve, studimeve e interpretimeve të një siti arkeologjik apo të trashëgimisë kulturore të një vendi sovran?
Dhe prandaj, sipas tij, duhet një rrëfim ose narrativë “e re” për Butrintin, që Hoxhesi e quan madje “krye-rrëfim” [master narrative]. Dhe pyetja që ngre Hoxhesi, a thua se Shkolla Shqiptare e Arkeologjisë nuk e ka bërë ose nuk e bën dot, është: “Si u përshtat një port i vendosur në një pozicion kritik në një rrugë të rëndësishme detare ndaj rrethanave historike në ndryshim të vazhdueshëm që ndodhnin në Mesdhe?” Duke folur në emër të Fondaconit Butrinti, Hoxhesi shpalos programin hulumtues, që nuk mbështetet “në studimin e monumenteve të izoluara në kontekstin e narrativës së paravendosur (established), por në shpjegimin e ndryshimeve breznore në indin urban të qytetit”. (f. 41).
Hoxhesi mandej përshkruan punën hulumtuese të Fondacionit Butrinti lidhur me studimet dhe hulumtimet pararendëse, natyrisht pa munguar të theksojë se studimet e periudhës para vitit 1992 “ishin kryer me motive të qarta nacionaliste”. Ai përshkruan hapat e ndërmarra me “bashkëpunëtorët”, d.m.th. Institutin e Arkeologjisë, për studimet e ndryshme topografike, mjedisore, stratigrafike në Butrint e në Fushën e Vrinës, dhe për konsultimin e burimeve arkivore në Shqipëri e Itali (f. 42-43).
Për metodologjinë e gërmimit Hoxhesi mbështetet në veprën e Martin Karvërit (Carver), sipas të cilit “metodologjia europiane (mbështetur në traditën historiografike verievropiane) mund të zhvendoset në kontekstin mesdhetar”. [f. 44]. Natyrisht i takon Shkollës Shqiptare të Arkeologjisë të shprehet për këtë gjë dhe, me sa duket, kjo qasje është kundërshtuar prej kësaj të fundit, çka pranohet nga vetë Hoxhesi, por me nota përçmuese, duke paraqitur argumentin e kinse “mitit kombëtar (komunist)”, koncept iluzor pas të cilit Hoxhesi shfaq një obsesion të pazakontë. (f. 44).[8]
Në vitin 2000 Hoxhesi arriti të marrë një lumë fondesh nga Instituti Pakard i Studimeve Njerëzore [Packard Humanities Institute], që vijuan deri në 2009, edhe pse ai nuk shpjegon se pse një fondacion filantropik britanik, i themeluar nga një Rothçajlld, që pritej të kishte në dispozicion fonde të veta të konsiderueshme, duhet të mbështetej tek fondet e një fondacioni tjetër filantropik në anën tjetër të botës.
Gjithsesi, i pajisur me këto fonde, Fondacioni Butrinti, sipas Hoxhesit, mblodhi “prova të reja arkeologjike” që “paraqesin një histori të ndryshme në tërësi”, mbështetur në historinë mjedisore”, si një “platformë për një histori të bazuar më shumë në eksperiencën, përfshirë kujtesën dhe mitin”. (f. 47).
Hoxhesi më tej parashtron se gjetjet në “historinë komplekse të lagunës” pasqyrojnë gjurmë të Paleolitit të Mesëm dhe të Sipërm, por “gjurmë të pranisë (occupation) gjatë Neolitit ende mungojnë dukshëm”. (f. 47). Gjithsesi, një gjurmë “e konsiderueshme” pranie njerëzore ekziston gjatë Epokës së Bronzit të Mesëm dhe të Vonshëm, ndërsa gjatë mijëvjeçarit të parë p.e.s. u krijua edhe Kanali i Vivarit. Hoxhesi përmend edhe ndryshimet tektonike që mund të kenë ndikuar në Butrint në shekujt IV dhe VI e.j, përfshirë tërmetet.
Pas një përshkrimi interesant të situatës topografike të Butrintit, Hoxhesi thekson një fakt, që me siguri është vërejtur edhe prej Shkollës Shqiptare të Arkeologjisë, se Butrinti ka pasur dy pika hyrëse. E para, për hyrjen në “qytetin e lashtë… qysh nga shekulli VI e deri në shekullin XX (kur u ndërtua rruga për vizitën e famshme të Nikita Hrushovit në maj 1959), ka shërbyer vetëm një vijë, Kanali i Vivarit”, që e quajmë si “qasja lindore” nga deti.
E dyta, ose “hyrja perëndimore” vinte nga kepi apo gjuhëza e Malit të Sotirës, ku nënkuptohet edhe rruga që lidhte Finiqin (Phoinike) me Butrintin (ff. 49-51).
Hoxhesi vijon më tej me një shpjegim tjetër interesant të rrugëve dytësore që mundësonin qasjen në zonën qytetëse (f. 52-53), dhe të historisë topografike të Butrintit (ff. 54-57), ku përmend gjetjen e “qeramikave të prodhuara në vend” dhe “tympaneum”, apo pjesën e sipërme ballore të një porte apo monumenti që në Butrint paraqet luanin që sulmon buallin, dhe që Hoxhesi mendon se “me siguri vjen nga tempulli i rëndësishëm arkaik në majë të kodrës”. (f. 55).
Pas një përshkrimi teknik të vendndodhjes së vendit të shenjtë në raport me akropolin, si dhe të një diskutimi rreth një shenje detare të mundshme (seamark) në pjesën perëndimore të kodrës që shikon nga deti dhe Korfuzi si “fillesa e vërtetë e historisë së gjatë të Butrintit si vend” në periudhën helenistike, që gjithsesi nuk tregon se “Butrinti ishte ndonjë farë vendbanim urban në këtë periudhë”, Hoxhesi shprehet se “kjo kundërshton pikëpamjen e Ugolinit…, të ripohuar më pas nga Neritan Ceka … se akropoli në këtë periudhë ishte tërësisht i rrethuar me fortifikime”. (f. 55).
Mandej Hoxhesi thekson punën e bërë në kuadër të “strategjisë së Fondacionit Butrinti” për vënien në pah të karakteristikave të tjera të Butrintit [f. 56], dhe deklaron se Butrinti “nuk ishte koloni greke[9], por vend i shenjtë që u zgjerua në një qytet të vogël me teatër, me hapësirë prej 8 hektarësh” si dhe “qendër administrative i një koinon-i që mbulonte luginën deri në Konispol. Si vendbanim Butrinti ishte dytësor në krahasim me Finiqin, por që gjithsesi kishte vendosur “kredenciale politike dhe të shenjta” nga rritja e tregtisë gjatë periudhës republikane në Romë si pasojë e “romanizimit të Epirit”, kurse si vend i shtenjtë, ishte zgjeruar, duke lënë paksa në hije Dodonën. (ff. 57-58).
Pasi ndalet tek periudha romake e Butrintit (ff. 58-63), Hoxhesi përshkruan shkurt “Bazilikën e Madhe” me fytyrë nga lindja, ku sipas tij “banonte Peshkopi, çka përcaktonte karakterin e shenjtë të qytetit”. [f. 6]). Mandej Hoxhesi rrëfen se në pjesën më të madhe, në Shekullin VI, Butrinti ishte braktisur, kurse qyteti kishte vetëm një popullsi të vogël në numër, dhe “trashëgimia qytetare e Augustit kishte mbetur vetëm në kujtesë”. (f. 64).
Më pas Hoxhesi ndalet më në fund tek kullat apo fortifikimet e Butrintit, subjekt sipas tij i preferuar i Shkollës Shqiptare të Arkeologjisë, duke supozuar se të dy kullat me pamje perëndimore që kontrollonin trafikun detar u shkatërruan gjatë shekullit VIII, me gjasë si rrjedhojë e “një sulmi të qëllimshëm e të vetëm” (f. 6), që mund të ketë qenë edhe kryengritje.
Po cilët ishin butrintasit?
Këtu Hoxhesi më në fund largohet nga përshkrimi i objekteve, dhe për herë të parë na përmend popullsinë që jetonte në Butrint. Natyrisht, këtu as që bëhet fjalë për vendasit indigjenë, por Hoxhesi hedh hipotezën se Butrinti në atë kohë duhet të ishte komanduar nga dikush i afërt me Bizantin, mirëpo rajoni, i njohur si Vagenetia, zotërohej nga një komunitet sllav, të cilin ai e emërton si “Baiounetai”.[10] (f. 64).
Duke iu referuar sërish fortifikimit të Butrintit në shekujt XIII-XIV, Hoxhesi vjen në përfundimin se ky fakt “tregon se ai ende kishte një popullsi aktive urbane”. (f. 70, pa dhënë ndonjë referencë nga arkeologë shqiptarë apo të tjerë).
Pasi përshkruan periudhën e mëvonshme të Butrintit, bashkë me gjetjet e rëndësishme të “tarracës së re” (f. 66), disa gjetje të tjera që e lidhin me Otranton, periudhën e Despotatit të Epirit, Anzhevinët dhe Venedikun, Hoxhesi pohon se “historia 600 vjeçare urbane përfundon, me gjasë, në vitin 1572, kur akropoli u braktis pas Betejës së Lepantos” (f. 70). Sipas tij, rënia kishte nisur kur Peshkopata u zhvendos në Gliqi[11] [Glykys] në vitin 1337/1338. (f. 70). Po atë vit, sipas tij, u mbyllën edhe kishat dhe puset e shenjta “duke u dhënë fund kësisoj dy mijëjvjeçarësh lidhjesh shpirtërore me këtë vend”. (f. 71).
Duke iu referuar gjithnjë gërmimeve të ndërmarra nga Fondacioni Butrinti për lidhjen e Butrintit me “prapatokën e afërt” (f. 71 – 73), Hoxhesi nënvizon se “narrative e re… sugjeron një rrjet kryekodrash (hilltops) të vogla të Epokës së Bronzit me theks në shfrytëzimin e përzier të lagunës” (f. 73)” që, në mijëvjeçarin e parë “u zëvendësuan nga “…një rrjet vilash helenistike të fortifikuara që mbështeteshin nga rritja e qytetit vend i shenjtë i Butrintit” (f. 73-74). Mirëpo provat nga “rënia e beftë e portit në shek. VI-VII” sugjerojnë se “prapatoka e Butrintit në pjesën më të madhe ishte braktisur”. (f. 74). Madje, sipas tij, edhe pas “rishfaqjes së Butrintit si port në shek. X- XI…”, qyteti “ishte në pjesën më të madhe i shkëputur nga prapatoka e vet e afërt”. (f. 74).
Hoxhesi i referohet sërish Ugolinit, që sipas tij “e përkufizoi Butrintin si një vijimësi urbane me bërthamën mbrojtëse të vet, e cila zinte akropolin, kurse pjesa e poshtme e qytetit ishte komponenti i vet kryesor qytetar” (f. 75). Dhe këtu Hoxhesi përsëri ia merr me të madhe Shkollës Shqiptare të Arkeologjisë. Shkruan ai:
“Arkeologët e pasluftës në Shqipëri, pa bërë ndonjë zbulim të ri e me vlerë, e përmbysën për qëllime nacionaliste interpretimin e Ugolinit për vijimësinë e Butrintit, duke identifikuar vijimësinë e vijave mbrojtëse të qytetit si tregues i rezistencës ndaj pushtuesve të shumtë që vinin nga deti” (ff. 75-76). Mirëpo “studimet e Fondacionit Butrintit treguan se vijimësia ishte një iluzion (chimera)”, thekson me ton autoritar Hoxhesi.
Faqet e fundit të kreut janë më interesantet, ku Hoxhesi paraqet konkluzionet e tij si profesionist, por edhe pranon se ato mund të rrëzohen në të ardhmen. Hoxhesi pranon se Butrinti, deri në njëfarë periudhe, shikonte nga lindja, d.m.th. nga prapatoke “epirote” dhe ishte e lidhur ngushtë me të. (f. 76). Kolonizimi romak e zgjeroi qasjen edhe kah perëndimi. Në një kohë të mëvonë, gjatë Mesjetës, orientimi apo “perspektiva” e Butrintit u zhvendos drejt perëndimit, “drejt Mesdheut”. Hoxhesi pranon se Shkolla shqiptare e Arkeologjisë si dhe Fondacioni Butrinti u ravguan (seduced) nga historia e pasur e Ugolinit për pjesën e ulët, jugore të qytetit, duke anashkaluar pjesën paeksploruar veriore të tij. (f. 76).
Hoxhesi konkludon se gërmimet e Fondacionit Butrinti, edhe pse është gërmuar vetëm 5 përqind e qytetit antik, “tregojnë një histori të ndërprerë dhe komplekse, pjesa më e madhe e së cilës ka të bëjë me lidhjet e tij mesdhetare” (f. 76-77).
Identiteti hoxhesian i Butrintit
Por “si mund ta përkufizojmë këtë identitet të ri të Shekullit XXI të Butrintit”, pyet Hoxhesi? “Para së gjithash, i qethur nga mitet, ai i detyrohet shumë pak agjendave nacionaliste”, deklaron ai. “Konkluzoni ynë, përfundon Hoxhesi, është më pak interesant apo i ylbertë, (colorful) por jo më pak i rëndësishëm”. “Është më se e qartë se Butrinti i takonte Detit Mesdhe dhe jo “pjatancës” [platter] epirotike”. Ai ishte kryesisht një vend detar i frymëzuar nga një palimpsest memoriesh, që u angazhua domosdoshmërisht me komunitetet e afërta të prapatokës si dhe të Detit Adriatik si Korfuzi, Saranda, Himara dhe Sopoti në afëri, si dhe me pika në veri në Salenton e Italisë juglindore”.
Në fund Hoxhesi reflekton edhe për rolin e lagunës e kënetës në jetën e Butrintit. Dhe nuk ka se si Hoxhesi të mos ta mbyllë kapitullin si gjithnjë duke ngritur rolin e “tjetrit” në raport me vendasit. Shkruan ai:
“Sot, këto këneta, të drenazhuara nga inxhinerët çekë sipas një plani kinez në vitet 1960, e kanë përcjellë Butrintin si vend me një sfond Homerik”. (f. 78). E thënë paksa hipotetikisht, në Butrint paskan dhënë kontribut të gjithë, që nga Ugolini (gërmimi), Hrushovi (rruga), çekët dhe kinezët (këneta), përveç shqiptarëve…
Natyrisht, për pjesën përmbajtësore dhe interpretative lidhur me Butrintin dhe aspektet historike-arkeologjike të tij, të përfshira në këtë kapitull, i takon Shkollës Shqiptare të Arkeologjisë të reagojë dhe të mbajë qëndrimin profesional.
Ajo çka mund të themi si përfundim është se, pavarësisht nga prurja e pamohueshme profesionale që del në pah në këtë pjesë, autori nuk del dot jashtë kornizës së një qasjeje që anashkalon punën, hulumtimet dhe studimet e arkeologëve dhe historianëve shqiptarë.
Po ashtu, teza hoxhesiane e karakterit “mesdhetar” të Butrintit, ku Mare Nostrum idealizohet si det idilik, që përçon qytetërim, kulturë, shkëmbime, tregti e progres, dhe që përcillet si tipar thelbësor në identitetin e ri të qytit antik është tejet ambicioze. Butrinti nuk ishte as Aulona dhe as Durrachium-i, dhe jo më Venediku, Gjenova, Kartagjena a Selaniku, për të mos shkuar më tutje. Përveç asaj që Butrinti mund të përbënte një “stacion” të shkurtër furnizimi, pushimi e mbrojtjeje për anijet në linjat detare që përshkonin Kanalin e Korfuzit, si dhe pikë ushtarake e Bizantit, Venedikut, Perandorisë Otomane dhe Ali Pashë Tepelenës, lidhjet e tij shkëmbyese detare nuk shkonin përtej Korfuzit, bregdetit lindor të Jonit, dhe Salentos, apo themrës së Italisë.
Pra, lidhjet detare të Butrintit ishin relativisht të kufizuara, dhe këtu nuk mund të mos mbajmë parasysh edhe anën tjetër, atë të detit si një medium prej nga vinin edhe rreziqe të shumta, aspak të neglizhueshme. Një çështje që lidhet me këtë, dhe që pret hulumtime të mëtejshme nga Shkolla Shqiptare e Arkeologjisë, është se ç’marrëdhënie ka pasur Butrinti me ngulimin e lulëzuar hebreas në Onhezm (Saranda e sotme), që dëshmohet nga gjetjet e sinagogës së njohur, me lidhje të mirëfillta “mesdhetare”. Si kanë “bashkëjetuar” dy ngulimet fqinje dhe çfarë solli lulëzimin e tyre të përbashkët dhe venitjen e njërit prej tyre (Onhezmit)?
Pra, minimizimi i simbiozës së Butrintit me prapatokën dhe skelat e afërta me të në bregdetin e Jonit Lindor krahasimisht me tezën e idealizimit të karakterit kinse “mesdhetar” të Butrintit, si premisë e qasjes “neoliberale” ndaj tij, të cilën përcjell Hoxhesi, nuk ka gjasë që t’i qëndrojë kritikës rigoroze nga profesionistët e fushës.
(vijon)
Shënim: Mirënjohje e veçantë përkthyeses Engjëllushe Shqarri për ndihmën e dhënë në redaktimin e shkrimit.
© 2022 Agron Alibali. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen e autorit.
[1] https://journal.equinoxpub.com/JMA/article/view/8047
[2] Kafkë 8 mijë vjeçare e gjetur në Lumin Minesota: https://local12.com/news/offbeat/8000-year-old-skull-minnesota-river-native-american-ancestral-remains-discovery-forensic-anthropology-fbi-history-carbon-dating-tribal-officials
[3] “In 1991, with the end of communism, the Greek minority in south-west Albania had again the hopes of the independence they briefly enjoyed in 1913-1914”
[4] “taking advantage of the fact that Turkey the previous year had disarmed the Albanians, an organized Greek army, disguised as civilians, rushed all over Albania and began a systematic series of wholesale arson and murder”. Faik Konitza, The Background of the Italian – Greek conflict, f. 7.
[5] Thallóczy, Jireček et Sufflay, Acta et diplomata Res Albaniae Mediae aetatis illustrantia, f. 269.
[6] William Bowden, Epirus Vetus, The Archeology of the Late Antiquity.
[7] M. Herzfeld The absent presence: Discourses of crypto-colonialism, South Atlantic Quarterly, 101: 899-926, referencë e Hoxhesit.
[8] Shkruan Hoxhesi: “…Our Albanian collaborators had their own historical paradigm, designed to sustain a (communist) national myth that took no account of contemporary historiography”; vep. cit. f. 44.
[9] Ky pohim i Hoxhesit duhet parë me kujdes edhe në lidhje me përkufizimin e “kolonisë”, si ngulim i huaj në territorin e një popullsie vendase. Hoxhesi nuk shpreh opinionin e tij për popullsinë e Butrintit në atë periudhë.
[10] Hipoteza ofrohet nga studiuesi Mihal Sakellariou, në veprën “Epirus, 4000 years of Greek history and civilization”, University of Michigan, f. 184: “the description of the invasion by land and sea in 614 includes the ethnic names of the Slavic tribes which took part. The tribe of Baiounetai, which is one of those mentioned, should probably be identified with the group which settled in all the western part of Epirus opposite Kerkyra, from around Cheimara to the north and as far south as Margarition, and which gave the region the name Vagenetia, by which it was kown throught the Middle Ages”. Hipotezën e merr të mirëqenë studiuesi britanik Tom Winnifrith në librin Badlands / Borderlands: “History of Northern Epirus/Southern Albania”, 2002, f. 80, duke e “ngurtësuar” si më poshtë: “Earlier we find Vagenetia, broadly speaking the coastal district from Himara to Igoumenitsa in Greece, governed by Byzantine officials who issued lead seals. Vagenetia derived its name from the Slav tribe of the Baiounetai and is brutally shortened in modern Albania to Vurgu.”
[11] Ngulim në Çamëri, ku u lidh marrëveshja midis parisë çame të Margëlliçit dhe parisë suljote më 27 maj / 8 qershor 1821, Notis Botzaris, Visions Balcanique dans la preparation de la revloution grecque, 1962, f. 122.