Romanin “Sikur të isha djalë”, të Haki Stërmillit, e kam pasur në bibliotekë në shtëpi dhe mbaj mend ta kem lexuar që pa na e kërkuar si detyrë klase – më ngacmonte titulli, dhe sidomos nevoja për të pajtuar gjininë e autorit Haki, me titullin e enoncuar nga një subjekt i gjinisë femërore.
Edhe pse romani nuk ishte në shqipen standard, nuk mbaj mend të kem pasur ndonjë vështirësi për ta lexuar. Stërmilli shkruante – këtë e them tani – një version të gegnishtes që është më i lehtë për toskët se shkodranishtja letrare.
Lexova pastaj, edhe për ta bërë gati për botim, shkrimin e Arjan Shahinit, i cili e vendos romanin në një kontekst socio-politik, dhe ashtu m’u desh edhe të kërkoja një imazh ilustrues për kopertinën e romanit, çfarë më çoi te një faqe e Amazon-it, ku “Sikur të isha djalë” shitet në formatin paperback, për 15.00 USD. Dhe nga kopertina e librit mësova edhe që ky version i romanit ishte “risjellë në shqipen e sotme”:
Originally the novel was written in Gheg dialect. This publication is a translation into modern Albanian by Dritan Kiçi.
Më shumë se translation unë do ta quaja këtë “përshtatje”; edhe pse teksti i “Sikur të isha djalë” nuk ka nevojë për përshtatje. Përkundrazi, gegnishtja e Stërmillit është vlerë aq e trupëzuar në vepër sa vështirë të zhvoshket, pa e lënduar tekstin vetë.
Po si e ka “përkthyer” Stërmillin Dritan Kiçi? Për fat, Amazoni jep një kampion të tekstit të librit, dhe që andej mora disa pak shembuj, për t’i krahasuar me origjinalin, të cilin, sërish për fat, mund ta gjejë njeriu falas online.
Vëreni tabelën më poshtë:
ORIGJINALI | PËRSHTATJA |
Më shkrepi t’a shkruej jetën t’eme. Ky mendim më leu tue i pamë fotografit e ndryshme që përfëtyrojnë Xha Simonin qysh në kohen e fëminis. Përse të mos e shkruej? Jeta e eme për tjerët, ndoshta, nuk e vlen asnji dysh, por për mue ka randësi, se asht e emja, se mund të përshkohet nëpër faza të ndryshme interesante dhe dikur, tue i këndue në këto fletë gëzimet ase hidhnimet e mija, do të kënaqem ase do të pezmatohem. Sikurse pëson ndryshime trupi i njeriut tue u lakue nëpër rrathët e moshës, pa dyshim, ashtu edhe me jetën.
|
“Më shkrepi ta shkruaj jetën time. Ky mendim më lindi duke parë fotografitë e ndryshme që shfaqin Xha Simonin qysh në kohën e fëmijërisë. Pse të mos e shkruaj? Jeta ime për të tjerët ndoshta nuk vlen asnjë dysh, por për mua ka rëndësi, se është e imja, se mund të kalojë nëpër faza të ndryshme interesante dhe dikur, duke i lexuar në këto fletë gëzimet ose hidhërimet e mia, do të kënaqem ose do të mërzitem. Sikurse pëson ndryshime trupi i njeriut duke u lakuar nëpër rrathët e moshës, pa dyshim është kështu edhe me jetën. |
Mbasandaj kush mund të pretendojë se nuk ka në mes të meshkujve djelm e burra të bukur? Mos kujton ndokush se nuk ka bukuri mashkullore? Sikur të mundesh me folë femna me atë liri gjuhe që kanë mashkujt, kush e di se sa poezi do të vargëzonte për me e përshkrue bukurin e shokut të vet jo gjini. Kush mundet me më sigurue se nuk ka me mija femna që, tue kundrue mbas kafazit të dritares ase nëpër mjet të peçes së hollë, nuk shprazin nga goja mija e mija tubza vjershash për ata që u kalojnë pranë pa dijtë se kanë plagosë randë disa zemra të strukuna mbrenda do krijesave të dënueme me burgim të përgjitshëm? | Mbasandaj kush mund të pretendojë se nuk ka në mes të meshkujve djem e burra të bukur? Mos kujton ndokush se nuk ka bukuri mashkullore? Sikur të mundej të fliste femra me atë liri gjuhe që kanë meshkujt, kush e di se sa poezi do të vargëzonte për ta përshkruar bukurinë e shokut të vet të gjinisë tjetër. Kush mundet të më sigurojë se nuk ka me mijëra femra, që, duke kundruar mbas kafazit të dritares ose nëpërmjet perçes së hollë, nuk zbrazin nga goja mijëra e mijëra tubëza vjershash për ata që u kalojnë pranë, pa ditur se kanë plagosur rëndë ca zemra të strukura brenda do krijesave të dënuara me burgim të përjetshëm? |
Oh sa shpejt gabohemi e gënjehemi na femnat. Nji shiqim i thekshëm mjafton me na dërmue dhe nji nënqeshje e ambël mjafton me na robnue. Vetëm se s’guxojmë me i shfaqë ndiesit e adhurimit, kemi turp të shpallim se e dashunojmë at që na e plagos zemrën me nji veshtrim të mpakët ase me nji nënqeshje të kandëshme. Zemrat t’ona janë ma delikate se qelqet. Nji gur i vogël, i hudhun nga dora e nji të pamëshirshmit, i then dhe i ban thërrime për t’u shkelë mandej nga kamba e tij. Zemrat t’ona magnetizohen me dy fjalë, shitohen me dy pika lot. | Oh, sa shpejt gabohemi e gënjehemi ne femrat. Një shikim i thekshëm mjafton të na dërrmojë dhe një nënqeshje e ëmbël mjafton të na robërojë. Vetëm se s’guxojmë t’i shfaqim ndjesitë e adhurimit, kemi turp të shpallim se e dashurojmë atë që na e plagos zemrën me një vështrim të mpakët ose me një nënqeshje të këndshme. Zemrat tona janë më delikate se qelqet. Një gur i vogël, i hedhur nga dora e një të adhuruari (?), i thyen dhe i bën thërrime, për t’u shkelur pastaj nga këmba e tij. Zemrat tona magnetizohen me dy fjalë, shiten me dy pika lot. |
Kiçi ka shtuar rotacizmin e standardit (fëmijëri për fëmini, femra për femna), ka zëvendësuar ca grupe ue me përgjegjëset ua (shkruaj për shkruej, mua për mue), ka shtuar ndonjë ë tek tuk dhe sidomos ka hequr paskajoret e gegnishtes për t’i zëvendësuar me forma të lidhores ose të paskajores perifrastike të standardit (formës për të punuar): me folë bëhet të fliste, me na robnue bëhet të na robërojë, me i shfaqë bëhet t’i shfaqim.
Origjinali përmban edhe lidhore – madje Stërmilli duket sikur përfiton nga tensioni mes paskajores dhe lidhores, për ta zhdërvjelltësuar rrëfimin:
Vetëm se s’guxojmë me i shfaqë ndiesit e adhurimit, kemi turp të shpallim se e dashunojmë at që na e plagos zemrën…
Duke përdorur edhe paskajoren me i shfaqë edhe lidhoren të shpallim brenda së njëjtës fjali; sidoqë fare mirë mund të kish thënë:
Vetëm se s’guxojmë me i shfaqë ndiesit e adhurimit, kemi turp me shpallë se e dashunojmë at që na e plagos zemrën…
Çfarë më provon se paskajorja në origjinal nuk është thjesht “dialektore”, por edhe integrohet në mënyrë shumë delikate në ligjërim, madje pikërisht duke dialoguar me lidhoren.
Më të dyshimta – për mua madje të papranueshme – janë zëvendësimet leksikore: përfëtyrojnë e origjinalit zëvendësohet me shfaqin; mund të përshkohet bëhet mund të kalojë; do të pezmatohem bëhet do të mërzitem (pse vallë?). Ka pastaj edhe ndërhyrje krejt të gabuara, që vijnë ngaqë “përkthyesi” nuk e ka kuptuar origjinalin: “Nji gur i vogël, i hudhun nga dora e nji të pamëshirshmit” bëhet “Nji gur i vogël, i hedhur nga dora e një të adhuruari (!)” dhe “zemrat tona… shitohen me dy pika lot” bëhet “Zemrat tona… shiten me dy pika lot.”
Në Amazon shoh edhe se ky botim është bërë nga RL Books, pjesë e “Revista letrare”; dhe se redaktorët e librit janë Dritan Kiçi dhe Ornela Musabelliu, që ma merr mendja se janë edhe përgjegjës për këtë ndërhyrje.
Për letërsinë shqipe përkthimet brendaletrare kanë qenë ndonjëherë domosdoshmëri – ashtu ka vepruar Jani Vretoja me një poemë të letërsisë shqipe në alfabetin arab, “Ervehenë” e Muhamet Kyçykut-Çamit, të cilën e ribotoi krejtësisht të pastruar nga orientalizmat; më pas, me të njëjtin pretekst në thelb didaktik janë përligjur përshtatjet (e shumta) që u janë bërë veprave të letërsisë arbëreshe, nga poemat “Milosaoja” dhe “Serafina Topia” të De Radës, te “Kënga e sprasme e Balës”, e Gavril Darës. Përshtatja në letrarishte ka mundësuar leximin e këtyre veprave nga disa breza lexuesish në Shqipëri dhe gjetiu në Ballkan – duke qenë origjinali i vështirë për t’iu afruar. Ngjashëm janë përshtatur edhe disa përkthime të letërsisë klasike, si “Iliada” e Homerit në përkthimin e Gjon Shllakut, e cila u botua më parë në gegnishte dhe pastaj u ribotua në toskërishte.
Por letërsia arbëreshe nuk mund të depërtohet nga lexuesi shqip, prandaj përshtatja vjen si domosdoshmëri; në fakt, letërsia arbëreshe e shekullit XIX mezi depërtohet edhe nga vetë arbëreshët e sotëm. Kjo nuk e legjitimon “përkthimin” brendagjuhësor si procedurë përditësuese. Besoj se veprat e shkruara në gegnishte nuk ka arsye që të përshtaten, në mënyrë që të mund të lexohen nga publiku sot; përkundrazi, është publiku që duhet të trajnohet, në shkollë, që të mund ta shijojë atë letërsi ashtu siç e kanë krijuar autorët.
E kam të pamundur të marr me mend motivet pse është ndërmarrë kjo nismë – që shpresoj të jetë private – me një roman që, gjithnjë për mua, nuk përbën kurrfarë sfide për t’u kuptuar dhe shijuar nga lexuesi i sotëm, si “Sikur të isha djalë” i Haki Stërmillit. Por nuk ka njeriu nevojë t’i dijë motivet, për ta kuptuar se nisma si kjo e dëmtojnë traditën letrare, madje edhe vetë historinë e letërsisë dhe organicitetin e saj si sistem, duke ia rrafshuar vlerat në një sinkroni të imagjinuar. E kundërta duhet të ndodhë – sepse është detyrë e institucioneve publike, duke filluar nga shkolla, që t’i përgatitin fëmijët për diversitetin letrar dhe për një realitet ku standardi gjuhësor bashkëjeton dhe dialogon me variantet, në hapësirë dhe në kohë.
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.