Ja një gjë që po ndodh rëndom dhe që nuk e gëlltit dot, por edhe që më lë të dyzuar në gjykim, prandaj dua ta ndaj me ju.
Të marrim personazhin fiktiv XY, intelektual të periudhës së mbretërisë, ose edhe të viteve të Luftës, që ka pasur një farë veprimtarie letrare dhe ka shkruar e botuar, por pa shkëlqyer.
I njëjti intelektual angazhohet politikisht kundër komunizmit ose thjesht shpallet armik i regjimit dhe pastaj përfundon në burg dhe i hiqet emri nga çdo përdorim publik. Vepra e tij dëbohet nga bibliotekat dhe dorëshkrimet rrezikojnë t’i zhduken.
Kalon gjysmë shekulli, regjimi totalitar përmbyset dhe nevoja për rishikimin e trashëgimisë së XY. Interesi për rehabilitimin e viktimave të komunizmit nuk mungon dhe pjesë e këtij rehabilitimi është edhe rivlerësimi i veprave dikur të dëbuara.
Grupe të fuqishme, edhe politike edhe kulturore, identifikohen me trashëgiminë e XY dhe vendosin t’ia (ri)botojnë veprën. Dalin kështu botime të reja, ndonjëherë luksoze dhe të shtrenjta, me tekstet e lëna prej atij autori.
Le të supozojmë tani se këto tekste janë artistikisht të dobëta, të papërpunuara, madje disa as që e meritojnë të botohen. Merita e tyre është se janë të XY, i cili tani gëzon statusin e një shenjti laik – rreth tij organizohen konferenca, jeta e tij studiohet në shkolla dhe emri i tij pagëzon rrugë dhe institucione.
Sikur të mos kish ndodhur persekutimi prej regjimit të Hoxhës, XY me shumë gjasë do të kish mbetur një emër mes të shumtëve, në historinë e letërsisë shqipe. Vepra e tij – e gjykuar vetëm letrarisht – jo vetëm është mediokre, por edhe artistikisht e prapambetur. Tekstet e tij kanë ngjyra të forta folklorike dhe ndjekin e ndjellin një estetikë arkaike.
Megjithatë, biografia politike e XY, fati i tij njerëzor dhe detyrimi moral që ne sot ndiejmë ndaj tij, për shkak të persekutimit që ia bëri regjimi totalitar, i ndërhyjnë fort në statusin e veprës – aq sa t’i bëjë shumë prej nesh të hezitojnë, kur vjen puna për ta thënë se ajo vepër është përgjithësisht mediokre.
Kjo, sepse ashtu do të ndiheshim sikur po e vazhdojmë, sot e kësaj dite, persekutimin e një viktime të regjimit të djeshëm.
Ndërkohë, është vënë në veprim një mekanizëm që ushqehet nga ky lloj ekuivoku, dhe që e rrit artificialisht vëmendjen ndaj veprave të një historie të tillë. Gjenden fonde për botime të reja dhe për konferenca përkujtimore, deri atje sa të krijohet – artificialisht – një autor fiktiv.
Krijohet edhe një kastë institucionesh dhe operatorësh të kulturës që specializohen në këto marifete, dhe që synojnë ta zëvendësojnë qarkullimin dhe konsumin letrar me performativitetin e eventeve përkatëse; sepse ashtu edhe sigurojnë më lehtë fonde.
Brezi më i ri, që nuk i kupton mirë manovrat institucionale dhe lojërat e pushtetit kulturor, merr në duar vepra të cilat nuk arrin dot t’i vlerësojë – sepse i gjen të palexueshme. Por brezi i ri, ngaqë nuk ka përvojë kulturore, do të priret që të bëjë veten me faj; ose në rastin më të keq, të gjykojë se letërsia e traditës nuk bën për të.
Është objektivisht e vështirë t’i ngjallësh publikut të sotëm interes për, të themi, Ethem Haxhiademin ose Zef Skiroin; dhe aq më tepër për gjithfarë dorëshkrimesh, ditarësh dhe letërsi të tjera sirtarësh, që vijnë prej autorësh me histori personale të dhimbshme. Rreziku gjithnjë mbetet që tradita të shndërrohet në depozitë interesash privatë dhe periferikë, ose në një arkiv të glorifikuar eventesh me valencë kryesisht politike. Ka edhe revista kulturore që i konformohen këtij modeli dhe u bëjnë vend të madh, në faqet e tyre, “rikuperimeve”, shoqëruar me intervista me të afërmit, miqtë dhe fëmijët e miqve.
Rreziku i këtij relativizimi varet drejtpërdrejt nga paaftësia masive e publikut për të njohur vlera letrare dhe kulturore, e kombinuar me shtysën ndonjëherë të papërballueshme për konformim. Tek e fundit, askujt nuk i kushton gjë, sot, të shpallë vend e pa vend se XY paska qenë i madh, i paarritshëm, sublim, i hatashëm, i jashtëkohshëm, etj.; në një kohë që e kundërta vjen me kosto të mëdha relacionale. Kjo shpjegon edhe pse veprat e këtij XY-së i gjen shpesh me parathënie nga autoritete kulturore, gjithfarë akademikësh e profesorësh me tuje, të cilët nuk kursehen në lëvdata, edhe pse të vetëdijshëm se po nxjerrin bullshit nga goja (ndonjëherë edhe nga hunda).
Ku përfundojnë pastaj këto vepra? Në bibliotekat e akullta të institucioneve, në zyrat luksoze të ministrave dhe të drejtorëve, në sallat e heshtura të pritjeve dhe të përcjelljeve; në selitë e selitura të OJQ-ve dhe të instituteve të kulturës. Me siguri një pjesë u dërgohen edhe bibliotekave të shkollave, si dhuratë (“bujare”). Janë libra që nuk i lexon dhe që nuk do t’i lexojë kush; dëshmi politikash kulturore dhe vullnetesh të mira, që kanë dhënë efekte të kundërta nga të synuarat. Askush nuk ka të drejtë të dyshojë, a priori, për qëllimet e atyre palëve, që kërkojnë të ruajnë dhe të restaurojnë traditën – aq më tepër kur kjo ka qenë sakatosur nga politikat totalitare; por ka një art, një masë dhe një takt edhe në zhvarrosje – dhe nguti, ose instrumentalizimi shpesh rrezikojnë të ngrenë në këmbë zombies.
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.