nga Gentian Tufa
Kur dëshiron të flasësh për letërsinë por nuk ke asgjë me vlerë për të thënë, ekziston sidoqoftë një mënyrë për t’i bindur njerëzit (në mos të të marrin seriozisht) të të dëgjojnë. Nevojitet fillimisht të përdorësh një dozë të madhe të vërtetash të rëndomta, duke u siguruar të përdoren në të atillë formë që të tingëllojnë të turbullta. Sigurohu që të formulosh tituj gjysmë të vërtetë, dhe krejt të përgjithshëm, siç fjala vjen: “Letërsia është në krizë”, “Nuk ka kritikë” apo “Pesë autorë për metër katror” dhe parashtroi sikur po shpërndan të vërtetën e Zotit.
Erl Kodra ka publikuar një shkrim në revistën kulturore (online) Peizazhet e fjalës, ndër më prestigjozet në gjuhën shqipe, “Djerrina e poezisë shqipe”, ku premton të rrëfejë se çfarë shkruhet rëndom nga njerëz që mëtojnë të shkruajnë poezi, por që akoma mbeten vargëzues të zakonshëm fjalësh, shpesh herë pa kuptim, ose me kuptim të reduktuar – deri në naivitet?
Në paragrafin e parë parashtron se problemi nuk lidhet me faktin se shumë njerëz shkruajnë letërsi dhe as pse ka autorë të njohur dhe disa më shumë të njohur por “Sot problemi i madh është se ata që shkruajnë paguajnë paratë dëng në dorë të botuesit – dhe fap – lind një yll i ri që nuk ndrin.
Duhet të jesh tepër naiv për të menduar se është problem i madh që njerëzit botojnë apo që paguajnë për të botuar një libër. Pikë së pari sepse nuk është privilegj i një pakice të vogël (përndryshe nuk do të kishim një numër kaq absurd autorësh dhe veprash) dhe përjashton rastet kur autorët nuk paguajnë për të botuar librat e tyre, dhe këtu përfshihen autorët e rinj (të mbështetur nga QKLL apo nga shtëpitë botuese). Fakti që një autor nuk paguan për të botuar librin e tij, nuk i bën poezitë e tij as më banale dhe as më sublime.
Por autori e ka mbyllur me kaq “problemin e madh” dhe në fjalinë tjetër flet për mundësinë e njohjes (për arsye letrare dhe joletrare; përpara dhe pas vdekjes) duke e ilustruar me shembullin e Martin Camajt. Mandej përmenden autorë të tjerë me të cilët ka ndodhur diçka e ngjashme: Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli, Anton Pashku, Faik Konica, Martin Camaj (sërish ?!).
Deri tani nuk gjejmë asnjë argument që lidhet me djerrinën e poezisë shqipe, por vijojmë më tej.
Në paragrafin tjetër shkruan: “Emrat që morën vlerësime të pamerituara për shkaqe jashtë letrare gjenden me shumicë mes nesh, dhe ironikisht, një pjesë e tyre vazhdon të vlerësohet për inerci”.
Epo çdokush mund të gjejë disa personazhe për të mundësuar përfytyrimin me imazhe të kësaj fjalie. Duke patur parasysh dyzet e pesë vite socrealizëm mund t’i japësh pa frikë të drejtë. Por mandej autori pretendon se shembuj të tillë gjenden gjithandej në rrëpirën tonë letrare dhe të jepet përshtypja se gjendesh në një peizazh të vdekur eksperimental…
Nuk është sekret të themi se në letërsinë shqipe, edhe më tepër se në shumë gjuhë dhe kultura të tjera kemi një krizë letërsie dhe kritike letrare, por që të pretendosh se gjendesh në një peizazh të vdekur është e guximshme deri në marrëzi. Dikush që e njeh sadopak letërsinë shqipe (e nuk mund të flasësh për letërsinë shqipe pa e njohur aspak) do ketë dëgjuar për poetët e pas ’90 -ës. Jo se gjatë periudhës enveriste nuk u shkrua asnjë poezi e mirë sepse mjafton të përmendim Arshi Pipën, Vilson Blloshmin, Havzi Nelën dhe poetët që shkruan jashtë kufijve (ndër to edhe Camaj), por megjithatë… Poetë si Agron Tufa, Rudian Zekthi, Virion Graçi, Rudi Erebara, Ilir Belliu, Ervin Hatibi, Luljeta Lleshanaku, Lindita Arapi, etj, etj, që kanë shkruar poezi të jashtëzakonshme. Por edhe sot, poetë të rinj si Arti Lushi, Liridon Mulaj, Behar Jacaj, Klodi Leka, Alban Tufa, Meti Disha, Adela Radovani, Eugena Gjoka, Liza Brozi, etj, etj, shkruajnë poezi, shumë larg peizazhit të vdekur eksperimental…
Më tej autori flet për format e botimit dhe publikimit, ku në rrjetet sociale dhe revistat online vijojnë të vlerësohen pa meritë autorë që “nuk përmbushin asnjë element origjinaliteti”. Autori na jep një shembull: “Dy mollë në një degë/ njëra pjeshkë e tjetra shegë”. Sipas tij shpesh hasim vargje të tilla nga poetë dhe poetesha, (sqaron) domethënë shumë afër këtyre vargjeve… dhe këto rima marrin aq shumë pëlqime dhe komente saqë lexuesit marrin zemër dhe nisin ti imitojnë duke u bërë poetë të rinj…
Edhe njëherë: nuk është se Erl Kodra po thotë diçka të pavërtetë kur tregon se çfarë poezie publikohet në rrjetet sociale. Por të marrësh dy vargje bejtesh apo këngësh folklorike dhe të pretendosh se po kritikon poezinë është në rastin më të mirë naivitet. Përfytyroni një arkeolog që premton të tregojë se çfarë fshihet poshtë qytetit të Durrësit, dhe pastaj, kur ka fituar vëmendjen tënde ngre dorën ku mban një copë druri të kalbur dhe shpall: “kjo është e gjitha”! Ndër të tjera, është absurde të synosh të shpjegosh situatën e poezisë së një shteti duke u nisur nga çfarë publikojnë njerëzit në rrjetet sociale. Të njëjtat gjëra mund të thuhen edhe për poezitë që publikojnë në Facebook gjermanët, francezët, amerikanët apo meksikanët, është temë aq globale dhe aspak domethënëse për çfarë pretendon ky shkrim të arrijë.
Po i kursejmë vetes ironinë me “poetin e madh” Kadare, në katër vargje të poezisë më të dobët të së cilit, Erl Kodra rreket të shpjegojë një Zot e di se çfarë. Kadare është prozator shumë i mirë dhe poet i dobët, prandaj mund të bindemi tashmë që nuk kemi të bëjmë me një përpjekje për të shpjeguar çfarë poezie shkruhet por se çfarë është shkruar keq në Shqipëri.
Më tej futemi në një mishmash maksimash dhe pohimesh absurde se çfarë është poezia, që për më tepër nuk kanë asnjë lidhje me atë që ky shkrim premtoi të rrëfente.
“Poezia është art shumë afër subkoshiencës, që qëndron diku mes ndërgjegjes dhe nëndërgjegjes, që vjen vetëm në gjendje specifike, kur dashuron, kur vuan, kur gëzon”.
Nuk dua të them se gjithçka që Erl Kodra shkruan është në kategorinë e “jo domosdoshmërisht gabim”. Disa prej tyre janë krejtësisht gabim. Poezia mund të vijë në çdo gjendje të mundshme përveç trinisë së Erl Kodrës, sidomos kur mendon.
“Një poezi e mirë është si muzika e mirë” — Një poezi e mirë është si potencialisht gjithçka e mirë. Si vera e mirë, si një ëmbëlsirë e mirë, si një grua e mirë…
“Poezia e mirë duhet të jetë si muzika e mirë — vetëm e përsosur” — Epo… JO! Duke e mirëkuptuar nevojën patologjike për të krahasuar poezinë me muzikën, duhet sqaruar se në hierarkinë e arteve poezia ndodhet në krye, dhe nuk mund e as duhet të jetë si asnjë art tjetër pos vetvetes. Do ishte qesharake të thuash: “Kirurgu duhet të jetë kasap”; ose “Piktori duhet të jetë bojaxhi”. Dhe nuk e kam të qartë nëse që një poezi të jetë e përsosur duke qenë “e mirë” është në vetvete “e mirë” si kategori morale apo estetike.
“Si çdo art tjetër, poezia është art serioz, kompleks dhe delikat” — mjerë ai lexues që ka pritur ta dëgjojë nga Erl Kodra se poezia është art serioz!
“Poezia ka hierarkinë e vlerave” — që do të thotë?!
“Vlerat nuk mund të interpretohen si shije personale që nuk diskutohen” — ky nonsens u përdor për të shmangur shpjegimin e “hierarkisë së vlerave”.
“Shijet edukohen dhe kultivohen me kohë, vite dhe dekada” — shumë e vërtetë!
“Një ndër kulmet e artit që njerëzimi ka njohur është muzika klasike dhe klasicizmi. Mund të kalojnë edhe mijëvjeçarë të tjerë por muzika e Beethoven-it, Mozart-it, Bach-ut, Wagneri-it, Tchaikovsky-t, Chopin-it nuk do të vdesë”.
Është jo më pak se sharlatanizëm të përpiqesh të shpjegosh krizën e poezisë shqipe duke e përballur me kultivimin e shijeve estetike nga muzika klasike e Mozartit. Çfarë kapërcimi kozmik duke patur parasysh që kemi dëshmuar edhe periudhën moderne (realizmi, kubizmi, surrealizmi, impresionizmi, fauvizmi, dadaizmi…), dhe postmoderne. Dhe të njëjtat të vërteta mund të thuhen edhe më bindshëm për këtë periudhë. Madje në kultivimin e shijeve estetike autoportreti i artistit francez Nicolas Poussin është për një sy të pastërvitur shumë më afër të pranueshmes (krejtësisht e pranueshme në fakt) sesa “Guernica” e Picasso-s.
Është metodë e rrezikshme gjykimi i së resë në bazë të së vjetrës, dhe shumë e pathyeshme pyetja e Igor Stravinskit:
“Vërtet, sa mund të vlejë mendimi i njerëzve që bien në ekstazë para të mëdhenjve të së kaluarës, ndërsa para një vepre bashkëkohore tregojnë mospërfillje të trishtueshme ose një anim të dukshëm nga mediokriteti apo nga banaliteti?”
Përndryshe, djerrinës së poezisë i mbivendoset shkretëtira e mendimit, më saktë e të menduarit.
Kësisoj, kur Erl Kodra shprehet se: “Të shkruash për poezinë ngjan sikur po rropatesh kot në një monopat me driza, ku lulet e bukura janë mbuluar nga ferrat”. “Në rastin më të mirë djerrina e drizave është e thatë dhe e ftohtë” kemi të drejtë t’i themi, jo: më jepni argumente për këtë që thoni, madje, më jepni prova për vendosmërinë tuaj për ta thënë atë!
Dhe nëse nuk e bën këtë, kujtojmë shprehjen e Sartrit: “Shumica e kritikëve janë njerëz që nuk kanë pasur fat dhe që, mu atëherë kur u ndodhën buzë dëshpërimit, gjetën një punë modeste e të qetë prej rojtari varrezash”.
© 2022 Gentian Tufa. Të gjitha të drejtat të rezervuara.